KORTEU! REXHEP KASUMAJ - poezi nga libri "Marathonomak i vonuar"
E Mërkurë, 02.18.2015, 04:05pm (GMT+1)
Më ndodh sikur shoh, netësh pa hënë e me erë që retë harbon, të rënduar shoh në kolonë hijen e korteut tim, me këngë rend gjysma e gjysma n'mnerim!
Dhe tek drojshëm pyes për të ikurin kësolltarët gjithë hir, më kujtohet zakon i vjetër i mirë, që posi në dashurinë dhe në sytë e vdekjes kërkonte bukurinë!
Këto kupola Kishe!
1. Sa të ulta këto kupola Kishe, e vetmja portë e njeriut ndër qiej, sa po u zgjat një grimë me dorë mund t'i prekë e ndiej të akullta të pagojë, e të bie në dëshpërim në çdo feksje drite në agim, pse lutja (oh, lutje e tij!) mbetet përherë poshtë, përmasë vojtjesh toksore me fate të parathënë mortore...
2. Përse këto kupola vallë me kryqe të bekuar sipër, të mos ngrihen më lartë, atje përtej vdekjes e reve në yllnajën e zjarrtë?, që njeriu të mos i shohë me besimin e lumur a n'mashtrim përkundur, se ëndrra, lutja, rrëfesa e tij në altar natë e ditë, tashmë kanë takuar perënditë!
Peri i fëmijërisë
Kur më qepte nëna pullën e këputur, kurthohej peri shpeshherë, lidhej nyjë, si truante ajo e mira aherë... dhe i këpuste një të mallkuar pse parathosh orën e prerë a fatin e hidhur, pe i nyjëtuar, e prapë një pëshpërimë me të lutur, për perin e lidhur, për pullën e këputur!
Ndonëse mistike ngjanin, aspak të tillë nëma lutja s'qenë, i huaj mbi gjithçka mbi tokën ilirike mbi dhenë, herrte ferri barbarisht, me hekurat, me gjuhën, me gënjeshtrën serbisht!
Arithmetikë e mundur! ( V.)
Sado e paanë Arithmetika të jetë Dashurinë për Ty Nuk e tejshkon dot Këtë polen në krah fluture Vesë agu mbi fletë
Numrat përftojnë qortues E herë kanosshëm shtohen Por një çast Dhe Arkimed e Khajam Flamurin e bardhë ngrejnë E dorëzohen
Ja, zerot mbarojnë e bien Si fletëvdekurat kur era tund Veç dashuria ime Përtej vete hirshëm E pamatshme E pafund!
Pritje e qershisë
1. Do kthehem, i tha Më prit Për dashurinë, Kur të çelë qershia Aty rrëzë Ke brija, Do ngrejmë ne shtëpinë!
2. Fletët ranë E sërish gjethëruan, Zogjtë vanë E behën nga mërguan, Qershi e vjetër çeli E u poq, Thua fjalën mbajti E ajo, Ajo mori shaminë Dhe qajti...
Çastësi e parrëfyer
Dashuri e një dite Më e gjatë është Se një shekull i çalë Më e thellë Se det i harbuar me valë
Më erëmonjëse është E të vetmes ditë Dashuri Se armatë e trëndafilave Se kopshti pa njeri
Dashuri e një dite Më çastësore është Se rr'fetë shituese t"˜erinive Më e përjetshme Se amshim i perëndive
Më humbake është Dashuri e një dite Se zog i përftuar erës Më shpërthyese Se ringjallja e pranverës
Dashuri e të vetmes ditë Më vegullore është Se puthja e fshehtë e agimeve Më e terrshme Se muzgjet e trishtimeve
Më përzitëse është Kjo dashuri e njëj dite Se mekja e qiriut Se lotët Lotët ylberor të shiut
Dashuri e një dite Më e bukur është Se udhëtim i gjatë n'askund Më e plotënuar Se mbërritja në fund
Më e pathënë është Dashuri e asaj dite Se qerpikfjetura e mumjes Më pengmbetëse Se fjala e vyshkur e humbjes
Ah, dashuri e një të vetmes ditë Më shumë dhimbje ndryn Se fletët e rëna tokës Më shumë, më shumë Se arkmortët e gjithë botës.
E Pavarr
Përgjigje kurrë s'mora e të më shkruaje prisja që s'më do të kisha doja së paku varrin e dashurisë orët e përshpirtjeve lulet, kandilin e zisë!
REXHEP KASUMAJ
|