E Mërkurë, 04.24.2024, 05:40am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
NJË NJERI MBASE I URITUR
Cikël poetik nga ADEM ZAPLLUZHA

E Enjte, 02.19.2015, 04:01pm (GMT+1)


NJË NJERI MBASE I URITUR

Dje ishte një ditë jo e zakontë
Era dhe shiu trokitnin në xhamat
E thyera të degëve
Një njeri mbase i uritur
Recitonte poemën e mjerimit

Shiu si nga shtambat derdhej
Në thinjat e flokëve të shtjellës
Sërish pash një tjetër njeri
Me duart e shtrira kah qielli
I shurdhët i mesditës
Më duket se
Ai përsëri kishte mbetur pa asnjë lutje

Qante era si një çilimi i braktisur
Dënesnin udhët deri te sinagoga
Edhe një epitaf më tepër
Në këtë trishtim të padëgjuar
Nga fërshëllima e varrtarit
Asnjë trishtil
Nuk ndalet në degët e shimshirit

Nëpër parathënien e muzgut
Kalon një tjetër muzg
Që i përngjan sterrës së frikshme
Ne ecim
Deri te morfologjia e trishtimit
Ecim si një shpresë pa shpresë
Udhëve pa asnjë rrugëdalje

ECJET I KANË TË NGATHËTA

Njerëzit janë si hijet
Ecin përpara herë me sy të hapur
E herë
Me duar të lidhura për koke

Janë të zbrazët pa asnjë ëndërr
Mbase e nesërmja nuk ekziston
Në gjeografinë e mendimeve
Nuk di kujt i përngjajnë
Por janë të boshatisur
Si rropullitë e shpresave

Një ditë bisedojnë me heshtjen e lisit
Kurse ditën tjetër
Nazalet e erës
Bëhen poema të pa kënduara
Dhe qajnë përpara
Deri në një adresë pa numër

Ecjet i kanë të ngathëta
Si shirat e ngadalshëm fundosen
Në përgjumjen e honit
Nëse ndalen në ndonjë bujtinë
Këtë e bëjnë jo për të fjetur
Po për t'i gjetur burimet e ëndrrave

KUR PERËNDON DIELLI I FUNDIT

Kur bezdisem
Pa dashje i thyej gishtat e erës
Prej turtujve huazoj këngën e shiut
Dhe tërë kohën këndoj
Si i çmendur
Serenatën e lëngtë të mallëngjimit

Këndoj të njëjtën këngë
S'ndalem dot as një çast
Disa qindra vjet
Eci nëpër fushat e pentagramit
Derisa kënga ime
I hapi krah më krah portat e shiut
Për një të ardhme që do vij nesër

Kur perëndon dielli i fundit
Zambakët qeshin
Në qytetin e Lumëbardhit
Dhe me muaj të tërë
Nuk ndalen refrenet e pëshpëritjeve

Disa stërkala uji notojnë mbi një gjeth
Vjeshta e verdh i shkund frytet
Nga xhepat e shqyera të stinëve
Derdhen
E nuk pushojnë shirat e kaltra

ASKUSH NUK FLE SONTE

Sonte të gjithë jemi zgjuar
Nuk fle as nata
Druri që ecën kah e nesërmja
I përngjan një cope mishi në trupin tim

Në sqepin e thyer të korbit  
Qanë mëngjesi
Rrapet i ka zënë një nostalgji
Sharri plak nuk e ndalë kollën
Kolliten
Edhe gjethet e fishkura nëpër degë

Thash se
Askush nuk fle sonte
Gjumi nuk u bën mirë shokëve të luftës
Te murishtat e shembura
Po sillen vërdallë
Disa mallkime hijesh të zeza

As drurët nuk i zë gjumi
Bisedojnë me miqtë e mi
Sy pishë
Kjo natë e gjatë
Ka vu syrin mbi një gur
Dhe i përgjon
Fluturimet e çafkave të sëmura

ADEM ZAPLLUZHA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
POEMA E DHIMBJESPoemë nga NIKOLL N ULNDREAJ (02.19.2015)
SONATA E HËNËS (Rrëfim për një jetë)Nga ENGLANTINA MANDIA (02.19.2015)
KORTEU!REXHEP KASUMAJ - poezi nga libri "Marathonomak i vonuar" (02.18.2015)
ZOTI KADARE DHE VEPRA QË SFIDONEsé nga NADIRE BUZO (02.17.2015)
NJË MESHË PËR 'ALIENIN' E POEZISË MBARËSHQIPTAREIn memoriam Frederik RReshpjesEsé nga PËRPARIM HYSI (02.17.2015)
GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEPoemë nga LLEMADEO (02.17.2015)
SHPRESA E LONDRËS(Shënime për romanin “Shpresa e Londrës” të Ruzhdi dhe Greta Jatës) Nga REXHEP SHAHU (02.16.2015)
LAMTUMIRË TRISHTIM!VILHELME VRANA HAXHIRAJ, fragment VIII nga romani 'Loja e mëkatit' (02.16.2015)
KUKULLA QË LINDI NJË GJENI...!Nga NADIRE BUZO (02.16.2015)
EKLIPS HËNEKushtuar babaitPoezi nga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.15.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]