VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PËRGJUMJE DHE ILUZIONE
Fragment romani nga THANI NAQO

E Djelë, 02.22.2015, 10:55am (GMT1)


..........
Trotuari përgjatë parkut ish mbushur më kioska e tezga të tregëtarëve ambulantë. Barbekytë lëshonin fasha tymi të cilat tireshin nëpër kurrorat e pemëve të blirëve. Në mes të sheshit ishte një pirg i madh më rroba të përdorura, tregtarë mustaqellinj e blerësa vinin përqark. Sheshi lëvrinte nga njerëzit e gumëzhintë nga dy dialektet, toskë e gegë. Kambistët numëronin lekë, duke mbajtur çantat e fryra nën sqetull. Mblodhi krejt kortinën e dritares e pa Pazarin e Fshatarëve. Karroca, gomarë e kuaj prisnin të shkarkoheshin nga koshat e arkat e mbushura dinga me perime e fruta të dala nga dimri. Ndërkohë mbrritën autobuzat e linjave të largëta, pluhurosur e përbaltur; iu dukën të ngjashëm më autobuzat e Kolorados; edhe pasagjerët ishin të pluhuruar e të përgjumur, si autobuzat që i kishin sjellë.

-Refugjatë, - tha me zë. - Njëlloj si në filmimet e CNN -it.

Lajmet e përmbysjes të sistemit komunist i kish ndjekur me etje dhe me etjen e malluar mezi kish pritur ditën që porositi biletën ajrore për t'u kthyer në atdhë. Tani nuk ndodhet përpara ekranit televiziv dhe të dëgjojë Larry Kingun, mbasi pamja përballë ishte e gjallë dhe reale para syve të tij. Fytyra të lodhura, të ankthuara e me vështrim të çorroditur. Refugjatët e ngarkuar me çanta shpine, të sajuara prej thasësh kërpi, por kishte edhe nga ata që mbanin në dorë valixhet tradicionale prej kompesato. Fëmijët e vegjël i mbanin në krah osë kaliqafë; më të rriturit çapiteshin mbas prindërve duke hequr këmbët zvarrë e me fytyra të hutuara e të dremelitura nga udhëtimi. Magelani mbërrtheu vështrimin mbi një djalë 6-7 vjeçar; mbante për dore motrën vogël. Të dy ishin flokëverdhë e fytyrëprenkuar. Ecnin mbas prindërve, duke vështruar më shumë pas, sikur deshën të fiksonin në kujtesën fëmijërore pamjet e fundit nga atdheu i tyre. U mbush fort më frymë, "ku shkoni o, të mjerë!," dëshiroi të thërrasë, por zërin ia bllokoi lëmshi nervor në grykë; kumbimi i brendshëm i zërit u mbyt nga të thirrurat e tregëtarëve e kambistëve të valutës:
-Hajde, qepë Bozhigradi!
-Hajde, mollë Struge!
-Hajde, dollari me tetëqind!
-Hajde, marka me 250!
-Hajde, raki Siniceeee....
-Hajde, dhrahmia më 4-tërrrrr...

-Gjizë dhiiiiijeee....Sa dhjamë ka pleshti, aq yndyrë ka gjiza e dhisë. Ilaç për barkmëdhenjtë, - e ngrinte zërin mbi të tjerët njëri nga tregëtarët e bulmëtit; napat e mbushura me gjizë e shugje djathi I kish varur në vostongarka, sajuar enkas për to.

-Markaaaa...
-Liretaaaa.....
-Dollarëëëë...
THANI NAQO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.