VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHIJO TË SOTMEN QË SHKOI
VILHELME VRANA HAXHIRAJ, fragmenti IX nga romani 'Loja e Mëkatit'

E Hënë, 02.23.2015, 09:52am (GMT1)


 Trageti u ankorua në portin detar të Dyrrahut të lashtë. Ata zbritën nga makina vetëm për të vulosur pasaportat. Kur Kaltra shkoi te sporteli, papritur pati një rënie të presionit të gjakut. U zbeh aq shumë, sa nuk i ngeli asnjë pikë gjaku në fytyrë. Të dy meshkujt u shqetësuan jashtë mase për gjendjen e saj. Antonio, i cili ishte në timon kishte përgjegjësi për mbarëvajtjen e ecurisë së çdo etape të aksionit. Duhej kujdes nga të tre ata. Nuk lejohej asnjë gabim edhe në sjelljen e "çiftit Gurra".  Arlindi u përkul mbi Kaltrën duke treguar një kujdes të jashtëzakonshëm për "gruan e tij" të bukur. I merakosur, e uli shpejt në një karrige dhe i dha ujë për të pirë.
      -Pse pate këtë luhatje tensioni, zemër? Si të ndodhi? Nga se t'u shkaktua një anomali e tillë, vogëlushe?
     Mes një shikimi të venitur ajo heshtëte, teksa e vështronte atë me përgjërim.  
     -Mos vallë spikate diçka të papëlqyer, më thuaj, e dashura ime e bukur.
     Ajo mohoi duke tundur kokën dhe vazhdoi të pinte ujë në heshtje. Pasi ajo mblodhi paksa veten, ata u afruan te sporteli që të mbaronin punë.
-Ju jeni bashkë? - pyeti oficerja e portit.
-Si, si... Io sono imprenditore. Sono presside di una societa di costruzioni.  
        -Lavorate qui?
        -No, no... Siamo qui per affari. Eh, speriamo...forse combiniamo qualcosa. Sono qua con mio socio, signor Alban e la sua signora, Celeste. Prego signora, - Antonio i zgjati dokumentet që vërtetonin përsa pohoi. Nëpunësja i kontrolloi me imtësi dhe...
        -Ju lutem, kaloni te dogana...
        Të dy meshkujt shkuan e morën bagazhet që i kontrolluan thuajse formalisht.
Pasi ua vulosën pasaportat, Arlindi i hodhi dorën në qafë "gruas" dhe shkuan drejt makinës si një "çift i lumtur". Asnjëri nga të dy nuk duhej të harronte se duhej të mos krijonin asnjë dyshim se lidhja e tyre ishte farse.
        -Jemi në vendin tuaj dhe ju i njihni rrugët. Është më mirë ta ngisni ju makinën.
        -Patjetër...- dhe Arlindi u çvendos në vendin e shoferit. Antonio kaloi në ndenjësen e pasme, kurse Kaltra ndërroi vendin dhe u ul përkrah Arlindit. Makina fluturonte në autostradën drejt Tiranës dhe ajo vështronte profilin e Arlindit. "Sa shumë ndryshime ka pësuar në paraqitje. Tani me flokët e gjata, me mjekër, lëkura e nxirë në laborator terapie e kanë tjetërsuar. Sikur ta shohin prindërit apo ata që kanë jetuar dhe puuar me të, nuk kanë për ta njohur. Është njeri i mirë. Lum kush ta ketë fat!" - kaloi nëpër mend ajo.
       Ndërsa kaluan edhe Kamzën, Antonio i kërkoi atij që të gjenin një hotel të zakonshëm.
      -Natyrisht, kur të jemi në Tiranë.
      -Pse jo në një hotel luksoz,zoti Antonio?  
     -Nuk duhet të tërheqim vëmendjen e askujt. Pa rënë në sy, është më mira e mundshme.
     -A nuk duhet të paraqitemi si njerëz që nuk na mungojnë paratë?
     -Të kesh para dhe të dish t'i përdorësh si dhe kur duhet, është qytetari.
     -Me këtë zgjedhje nuk do të ngjallim dyshime tek ata me të cilët kemi punë?
     -Por nuk do të ngjallim kureshtjen e të tjerëve. Sa më pak të dukshëm, aq më të suksesshëm do të jemi. Gjithë ata që jetojnë vetëm për t'u dukur, që mburren me paratë që kanë, kanë mungesë të theksuar kulture. Më e keqja është se njerëzit e tillë dhe dritëshkurtër kanë të gjitha premisat që ta humbasinë gjithë pasurinë. Kjo për shkak të fodullëkut të tyre, që nuk shohin tej hundës dhe mungesës së theksuar të gjykimit. .
     -Po, keni plotësisht të drejtë, zoti Antonio. Maturia është çalësi i suksesit në jetë.
      Së fundmi në një zyrë informacioni gjetën një hotel që u plotësonte kushtet dhe nuk ngjallte kërshërinë e të tjerëve. U sistemuan në hotel Tafaj, që të lë përshtypjen e një shtëpie të vjetër tiranase.
      -Keni dhoma  të lira? -pyetën recepsionstin.
      -Po,veçse i kemi veç, një në katin e dytë dhe një në të tretin.
      -Per me va bene a terzo piano,- ndërhyri Antonio.
      -Ju e doni me shtretër të veçantë apo me një shtrat bashkëshortor.
      -Në dy shtretër do të jetë më mirë, se kemi udhëtuar gjatë e ndihemi tejet të lodhur,- u shfajësua Arlindi.
     -Kaltra, më beso, se, si ti, edhe unë jam në siklet që do të ndajmë dhomën së bashku. Por nuk kemi tjetër rrugë. Duhet t'i bëjmë të tjerët të besojnë se jemi burrë e grua. Ti  je garanci për mbarëvajtjen e misionit tonë.
    -Arlind e di, por këtë nuk po e bëj me dëshirën time. Jam e lodhur nga jeta e gënjeshtërt. Ndihem e plakur nga një jetë pa vlera. Gjithashtu jam e drobitur nga zhgënjimet e vazhdueshme të jetës.
   -Kjo ndodh sepse ti i shikon gjërat nga jashtë, sipërfaqësisht. Nëse do të arrish të njohësh vlerat e tua, këto ndjesi rraskapitëse ka për t'i marrë era.
   -Po opinioni? Vetëm se mendova këto pasoja, u bëra keq në portin detar. Po sikur të ma përplasin në fytyrë, ashtu siç bëri ai mjekëroshi në restaurant, ç'duhet të bëj?
  -Duhet të ndjekësh zërin e ndërgjegjes tënde e jo të lësh të tjerët të vendosin se ç'do tëbësh në jetë. Akoma nuk e ke kuptuar se jeta ime është jeta ime dhe zgjedhjet për të, i bëj vetëm unë dhe askush tjetër.
   -Për ty po, kurse unë nuk e shoh kaq të thjeshtë realitetin.
   -Natyrisht, se ti e sheh botën bardhë e zi. Bota është e larmishme, ka gjithë ngjyrat e jetës, ndaj duhet të përshtatemi me këtë që na ofron koha. Thonë se edhe djalli që është i zi, diku në trupin e tij gjen edhe diçka të bardhë, në një pjesë të trupit të tij ka dritë.
   -I ruhem faktit se mos takoj ndonjë nga djajtë që më futën në rrugën e të paudhit. Kam qenë e varrosur për së gjalli. Sot jam fantazma e asaj që isha dikur.   
   -Lëri të tjerët. Të thonë ç'të duan. Opinioni është si flluska e sapunit, e cila  mahiset derisa arrin kurbën më të lartë të fryrjes, atëherë nuk mban më dhe pëlcet. Prej saj nuk ngelet asgjë. I tillë është edhe opinioni. Ashtu siç fryhet, ashtu edhe shuhet.
       -Kam frikë se mos i humbas ato që fitova pas shumë vuajtjesh.
       -Dëgjo zemrën tënde. Ti je e bukur në paraqitje, por je e bukur edhe në shpirt. Një tjetër, e vuajtur si ti, nuk do të angazhohej me një mision të tillë. Kjo që po bën është vlerë. Nuk mund të bësh mirë për të tjerët, po qe se nuk je në gjëndje t'i bësh mirë vetes.
     -Arlind mund të dalësh pak sa të bëj një dush?  Të lutem, pastaj eja lahu edhe ti.
     -Nuk ka kuptim. Ne duhet të jetojmë si çift së paku për sa kohë të jemi me këtë mision.
     Një trokitje e lehtë në derë ua ndërpreu bisedën. Ishte Antonio, prej të cilit mësuan se kishte telefonuar "Merimanga".
    -Dhe çfarë latë?
    -Më la takim për nesër te Liqeni artificial i Tiranës, para dite në ora njëmbëdhjetë. Tani është radha juaj të tregoheni i aftë me atë ose me ata.

***

    Të nesërmen  ata të tre të pëpiktë në orar, ishin në vendin dhe kohën e duhur. Ajo që u ra në sy ishte interesimi i disa personave të ulur nëpër tavolina të ndryshme. Mëse të kujdesshëm ata u treguan shpërfillës ndaj kureshtjes së tyre. Sikur nuk vunë re asgjë, u ulën në një tavolinë pranë kangjellave të bregliqenit. Ndërsa prisnin kamerierin, po bisedonin qetësisht italisht.
-Njëlloj si e ka emrin aksioni ynë, gjendemi vërtet në rrjetin e merimangës
-Zoti Antonio, ju lutem kujdes, se këtu thuajse të gjithë kuptojnë apo flasin italisht.
-E kam të qartë. Pa shiko se kush na rrethon? I kanë shqyer sytë dhe veshët se mos ne do të vendosim bombën. Veçkujdes se jemi në shënjestër.
Takimi ishte organizuar aq mirë, sa të bënte të besoje se nuk ishte hera e parë që bëhej një gjë e tillë. Pas pak erdhën dy persona.  Qysh në shikim të parë ata u bindën se këta nuk ishin njerëzit e duhur. Kuptohej lehtësisht se këta të dy që sapo erdhën, ishin tentakulat e "Merimangës".
Pasi qëndruan pak si me mëdyshje në këmbë pranë tavolinës së tyre, ata përshëndetën. Pasi ua kthyen përshëndetjen, ata u ngritën në këmbë duke iu uruar mirëseardhjen dhe i ftuan të uleshin.
-Unë jam Antonio. Ortaku im, zoti Alban Gurra dhe zonja e tij e nderuar, Çeleste.
-Unë jam Kaltra. Por italianët nuk mësohen dot me emrat tanë. E kanë paksa të vështirë.
-Unë jam Sotiri dhe kolegu im Hekurani.
-Zoti Antonio, emri Hekuran është njëlloj si Feruçio .
-Atëherë e kam më të thjeshtë ta quaj, zoti Feruçio.
-Zotërinj, si ta kuptojmë që pikërisht ju jeni njerëzit e duhur?
-Po ne përse duhet t'ju besojmë? Kur flitet për të bërë biznes, ka dokumenta  që flasin me gjuhën e së vërtetës,- ia preu shkurt Antonio. -Gjithsesi njeriu me të cilin keni bërë biznes, nuk ishte mirë me shëndet, ndaj na ka autorizuar ne, pasi jemi të së njëjtës kompani dhe kemi të njëjtat synime. Ai pa u vonuar formoi numrin dhe sa dëgjoi sinjalin akustik, ia zgjati celularin Sotirit.
-Tani po... Mund ta nisim bisedën.
-Ne kemi ardhur vetëm për bisedime paraprake për të bashkëpunuar me ju në fushën e ndërtimit. Më parë duam të njohim terrenin se ku  mund të shtrihemi. Për këtë kam marrë me vete ekspertin e ndërtimeve. Inxhinier Albani është zbatues projektesh shumë i zoti.
Pasi biseduan për kushtet e bashkëpunimit, Antonio u kërkoi atyre që para se të nënshkruanin kontratat, do të njihnin vendin ku do të bënin ndërtime.
-Një minutë sa të lidhem me Shefin.
Ndërsa Sotiri bisedonte në telefon...
-Nuk jeni ju të dy biznesmenët me të cilët duhet të takoheshim, - pyeti Arlindi.
-Ortakë jemi, po kemi një më të madh se veten, që ka pozitë të lartë shtetërore. Fal tij e kemi zgjeruar biznesin në disa fusha. Kur bota është në krizë, fitimet tona rriten si me magji, - i foli goja para mendjes Hekuranit.
-Shefi thotë se ai synon që t'i zgjerojë ndërtimet në jugë të vendit gjatë vijës bregdetare. Nesër në orën dhjetë para dite takohemi në  Vlorë, tek Rrapi në lagjen Ujë i Ftohtë. Zoti Antonio nuk e njeh vendin, por ju që jeni shqiptar, e dini se ku duhet të drejtoheni,- sqaroi Sotiri.
Unë kam tetëmbëdhjetë vjet larguar. Isha katërmbëdhjetë vjeç kur emigrova. Pastaj jam nga krahina e Mokrës.dhe nuk e njoh fare atë zonë. Jam arsimuar në Itali, aty punoj dhe tani jam martuar. Gjithsesi me të pyetur shkon në Stamboll, -sqaroi Arlindi, që për ta ishte Alban Gurra.
Ora nëntë e gjysmë i gjeti në Vlorë. Duhej të shkonin në konsullatën italiane për të marrë pasaportën Kaltra. Konsulli priti vet dhe për tëmbaruar punëi shoqëroi zv/ konsullja, një mesogrua.  Mbaruan punë më parë  nga ç'e kishin parashikuar. Pas tri ditësh do të merrte dokumentin.
Arlindi u ligështua që misioni që kishin ndërmarrë nuk e lejonte të takohej me prindërit, me të afërmit e të çmallej edhe me shokët. Nuk zbriti nga makina fare.  Sa doli nga lagjja Pavarësia, ai ngiste ngadalë që Antonio të shijonte bukurinë e pakrahasueshme të Vlorës së tij. Ndërkonë e njihte mysafirin me vendet pitoreske të qytetit që laget nga Adriatiku i kaltër dhe nga Joni blu. Nuk besoj se do të ketë pasur ndonjë kalimtar, udhëtar apo vizitor që shkeli apo e pa Vlorën dhe nuk u dashurua me të. Nuk besoj se ekziston një bir apo bijë Vlore, që është larguar dhe nuk e ndjen mungesën e natyrës së saj magjepsëse. Ka mall për njerëzit e saj të varfër që koha e mbrapshtë i ka tjetërsuar, i ka varfëruar shpirtërisht dhe mendërisht, duke ua zbehur besmin tek vetja dhe fuqitë e tyre për të nesërmen.  
Te Rrapi në Ujë të Ftohtë përsëri u takuan me Sotirin dhe Hekuranin. Çudi Shefi përsëri nuk ishte paraqitur. "Nuk më pëlqen fare. Mos ka nuhatur  ndonjë gjë, apo kërkon të na provojë?!"-  torturonte veten Antonio.
-Ju lutem na ndiqni me makinë.
 Pas  tyre ndalën edhe ata, pikërisht sipër vilave në Ujë të Ftohtë. Zbritën nga makinat të gjithë.    
 -Zoti Antonio, në bregdet mbi shkëmb kemi shesh ndërtimi për një pallat gjigand. Gjithashtu mbi rrugë, kemi tre sheshe ndërtimi.
U nisën përsëri për rrugë. Në të dalë të Radhimës dhe në Orikum i njohën mysafirët me vende të mundshme për ndërtime turistike. Pas disa minutash morën drejtimin për në LLogara, që ishte i mbuluar me dëborë.
-Shefit i doli diçka  e papritur në Ministri, ndaj ne po ju lemë të lirë nëse doni ta shijoni bukurinë e parkut kombëtar.
Pasi lanë pikëtakimin, u nisën .Të përpjetën e Llogarait ata e bënë herë në këmbë dhe herë me makinë. Antonio kishte ngelur me gojë hapur nga befasia e një bukurie natyrore brilante. Ishte habitur nga befasia e nga ndryshueshmëria e shpeshtë dhe e pazakontë e territorit.
-Zotërinj, nuk di se ç'është magji, ëndërr apo realitet...Jo vetëm unë,por cilido që e sheh, do të magjepset nga pamja me të cilën përballet në këtë mal.
Papritur mysafiri vetëm mundi të belbëzojë një fjalë të vetme: "mrekulli".
Një banor vendas që u këmbye me ta, i përshëndeti dhe kur mësoi se njëri prej tyre ishte i huaj, sipas zakonit të vendit, u zgjati kutinë e duhanit.  Antonio e pranoi me kënaqësi, por nuk dinte ta dridhte cigaren.  
Ndërsa vendaliu dridhte cigaren, u mbështet mbi një trung pishe dhe nisi të tregojë mes aromës së eshkës të sapondezur nga shkrepja e  urorit me strallin.
-Sa bukur. Sa e lashtë, sa primitive e po aq  e duhur dhe e bukur si kjo natyrë parajse, - përgëzoi Antonio për përdorimin e eshkës.
 -Jemi lindur e rritur me këto zakone, apo tradita, ndaj e kemi të vështirë t'i harrojmë. Zotërinj të mirë, marsi i këtij viti u pagëzua me borë në bregdet. Nuk ka ndodhur kurrë që kreshtat e Karaburunit hijerëndë, të cilin nga kjo anë i përkëdhel Adriatiku i kaltër dhe nga ana tjetër shfrehin tërbimin dallgët e Jonit blu, të thinjen për ditë të tëra gati në pranverë. Një bukuri e rrallë e paparë, shijohet nga mjaftë turistë apo vizitorë vendas dhe të huaj.
-Ne kemi një thënie: "Pranvera nis me një dimër të vogël, që ebën edhe mëtë bukur fillimin e stinës!"
-Po zonjë, edhe ne e përdorim këtë shprehje...Më vjen mirë që ta dëgjova zërin.
-Më kujtoi vendlindjen time, se jam rritur në mes të dëborës dhe tufaneve të egra të Alpeve.
-Pas dy- tri ditë bore, ditët e para të marsit, një mëngjes të argjendtë, nën ndriçimin verbues të diellit, vizitorë të panumërt iu ngjitën të përpjetës së vështirë dhe plot dredha të Llogarasë së gjelbër. Kjo rrugë deri një natë më parë ishte e pakalueshme nga shtresat e trasha të borës. Kurse tashmë është e hapur. Këtë e vërtetojnë pirgjet e dëborës së ngrirë që vezullon në të dy anët e rrugës. Është cikma e ngrirë, ajo që e pengon lëvizjen e automjeteve.
 Ata u ngjitën deri në Qafë Llogara.
-Këtu jemi në njëmijë e gjashtëdhjetë metra lartësi mbi nivelin e detit, -fliste me mburrje rrëfimtari.
Para syve u doli pamja madhështore e Jonit. Ndërkohë që ai bënte rolin e ciceronit, rrëfimin e tij, ata e shoqëruan duke ecur në këmbë. Pas pak mbërritën matanë Qafës së Llogarait. Antonio u mrekullua nga pamja që i doli para syve.
-Vetëm ajër i ftohtë dhe kaltërsi. Qiell pa re. Uji i detit duket sikur e ka ndërprerë lëvizjen e tij rrethrrotulluese në vend. Atmosfera ka hapur mushkëritë për të thithur ne sa më shumë oksigjen këtë mëngjes të virgjër. Edhe ajri ka ndalur zhvendosjen e tij vertikale. Çudi, asnjë lëvizje gjetheje. Si duket briza detare sot është me pushim. Asnjë dallgë në det. Kaltërsi e pafund, - ofshami i ngazëllyer mysafiri.
-E tejdukshmja e qiellit, reflekton si pasqyrë mbi blunë e thellë të sipërfaqes së Jonit, duke i dhënë një shkëlqim vezulluues. Tej në horizont  ishujt jonian qëndrojnë të heshtur, sikur sjellin ndërmend stuhitë e shekujve me të cilat u përballën dhe mbijetuan.
   Përballë me ta, mes brigjeve të thepisura të Llogarasë, malit të Vetëtimës, Longarit apo Çikës, mes lugjeve si hone, vizitori italian diçka  kërkon me sy .
  -Ndoshta doni të shikoni bujtësen e kahershme të tyre, mjegullën e dendur. Por ajo, banorja e përjetshme, këtë mëngjez të praruar mungon. Askund s' të zë syri asnjë gjurmë të saj. Sundimtare e vetme, mbretëreshë e zonës është bardhësia, që si vello nuseje ka hapur bishtin e saj gjigant duke mbuluar gjithçka. Shkrepat dhe majat e zonës, me thinjat mbi krye, duken tejet të menduara. Ndoshta nga që u mungon e mistershmja, mjegulla, e cila fsheh magjinë e tyre. Eh, Llogarai!- belbëzoi ai sikur donte ta ruante për vete misterin e parkut dhe vazhdoi...
   -Kjo zonë në çdo stinë të vitit është e mistereshme. Në vjeshtë apo dimër janë vetëtimat dhe bubullimat që i gllabërojnë si lubi grykat dhe lugjet e maleve. Kurse sot Karaburuni i heshtur nën bardhësinë e borës, ngjan si parzmore për të mbrojtur Llogaranë.
     -Çudi, kudo të zë syri shtëllunga bore të qetuara mbi krahët e pishave, ku secila është stolisur si për Krishtlindje, -mëremëriti i malluar Arlindi.
     -Një mrekulli e pazakontë e mëmës natyrë. Gjithçka që kap syri, duket sikur është endur në gjergjef me fije të bardha mëndafshi që i japin një vezullim rrëzëllitës pamjes përreth. Nuk ngopesh me ajrin e ftohtë e të ngrirë që ke dëshirë ta presësh me thikë dhe ta ruash për ta përdorur në rast nevoje. Mbi truallin e bardhë ngrehin krye pishat shekullore, që sa u duken pak kryet degëve të blerta. Hedh sytë përreth dhe sheh një pamje magjike. E bardhë dhe e blertë...Pamje magjepsëse. Duket sikur pishat shekullore kanë mbirë nga dëbora dhe jo nga trualli shkëmbor i parkut natyror të Llogorait, - shprehu klnaqësinë Kaltra që gjatë gjithë shëtitjes, edhe në heshtje, dukej e ngazëllyer.
Ata vunë re vizitorë të shumtë që po zbrisnin ngadalë. Si të gjithë dhe ata ndalën para tempullit të Pishës Flamur. Padashur u përkulën me nderim para mrekullisë së natyrës, si para një ikone të lashtësisë. Duke e soditur atë, banori vendas i sqaroi ata të tre.
-Sa të pa mëshirshëm janë treguar faktorët klimatikë. Era, breshëri, shiu, bora dhe temperaturat e kanë fshikulluar egër dhe përsëri kjo pishë qëndron atje, e papërkulur, krenare si monument përjetësie. Gjithsesi ajo qëndron atje, pa u lëkundur, stoike, e brishtë, madhështore ashtu si vendi që e rriti. Pisha , ashtu si ishujt dhe këto brigje, u kanë qëndruar në shekuj stuhive dhe rrebesheve të kohës. Degët e saj janë përherë në valëvitje, në drejtim të erës dhe të perëndimit. Pasi edhe shqiptarët i kanë ëndërruar marrëdhëniet me botën perëndimore, sidomos me Italinë fqinje. Kjo pishë është simbol i flamurit tonë të larë në gjak, që u mbijetoi rrebesheve të kohës dhe dyndjeve barabare për shekuj me radhë.
    Diku më poshtë, nën kurorën si grumbull të gëmushave, ku bora nuk ka zënë shtresë, ata hasën mëllenjat e uritura, që kërcejnë e cicërojnë duke çupitur bardhësinë për të gjetur ndonjë hedhje ushqimesh. Një erë e lehtë, e ftohtë e ngriu cipën e sipërme të borës që vende-vende arrin dyzetë- pesëdhjetë centimetra. Në kurrizet malore, nën rrezet e diellit pjesët më të ngritura mes lugjeve, shndrisin si pasqyra. Një mrekulli e paparë. Vizitorët mbajtën këmbët dhe para tyre një oaz i bardhë, rrethuar nga pisha të ngarkuara me borë. Pamja që u doli parasysh i çoi në botën mistike të përrallave.
   -Mbani vesh. Një shushurimë e lehtë ëndërrimtare si melodia e ninullave, na fton të shtrihemi aty mbi qilimin e bardhë, - belbëzoi Kaltra e nisi të kërkojë gjithandej rrjedhën e ujit, por gjithçka e bardhë, magjepsëse dhe marramendëse, e kishte fshehur mjaft mirë rrëkenë e ujit.
  Sytë e tyre nuk mund të shihnin asnjë rrjedhë uji, por melodia e tij monotone ende i përkëdhel si ninullë dhe u rrit dëshirën për gjumë.    
  Pak më poshtë, një këmbë njeriu e kishte, shpërndarë paksa borën, kurse nën të uji ndiqte rrugën e tij të përjetëshme. Deri sa ata hynë në restaurant, i shoqëroi ngjyra e blertë që spikaste mes së bardhës verbuese. Kjo mrekulli e shoqëruar nga shushurima e ujit, ngjason me regëtimën e një zogu të trembur, të cilit stuhija i ka rrëmbyer folenë.
     -Është fat, kur bie borë,- mërmëriti dikush, i magjepsur para tablos natyrore që i kishte dalë para syve.
     Pas pak ditësh, e bardha do të zëvendësohet me ngjyrën e gjelbër të barit që mezi pret borën të shkrijë, - ia priti një tjetër.
    Antonio qëndronte në këmbë në fund të shkallëve. Kishte ngelur si i hipnotizuar me shikim të përqëndruar drejt të bardhës dhe blusë misterioze të horizontit matanë borigave të pishës së zezë. Nuk dinte nëse ishte zonë alpine apo bregdetare. I vinte turp të pyeste.  
   U ndanë me udhërrëfyesin dhe hynë në lokal. Kaltra ngriu në prag të derës. Ishte ngurtësuar dhe nuk mund të bënte dot asnjë hap përpara.
   -Ç'pate shpirt?
   -Gjithë kënaqësia e shëtitjes në ajër të pastër, m'u shndërrua në një halë mbytëse që po më zvarget drejt fytit. Ngërçi nuk më lë të mbushem me frymë.
      -Ti sikur u ndeshe me djallin. Të lutem, mos e lësho veten.
      -Nuk di por kisha frikë t'i shprehja dyshimet e mia. Qysh në fillim kisha një parandjenjë se misioni ynë kishte lidhje me atë njeri mizor që po na pret. Më sa i gjenden këmbët gjarpërit, aq mund të gjendet një rreze shprese, një grimcë drejtësie dhe mirësie në qenien e tij. Është një vemie e keqe, e krimbur nga vesi. Mjerë ai që bëhet preh e kurthit të tij, pastaj e ka të vështirë të dalë nga rrjeti i merimangës.  Kjo zgjat deri sa i helmohet edhe pika e fundit e gjakut.
      -Shpërfille dhe bëj sikur nuk e njeh.
      -A do të mundem të shtirem dot vallë?!
      -Lëre pas krahëve dhembjen, harro vuajtjen, bëje inekzistent personin apo personat që të kanë lënduar e dhunuar shpirtërisht dhe fizikisht.   
      -Ti ke të drejtë, se edhe po të dua unë, nuk më lënë ata të harroj.
      -E dashur, merri jetës më të mirat e të mirave që ajo të ofron. Ka ardhur koha të jesh vetvetja.
       -Njeriu përmes gabimeve që bën në jetë, mëson. Unë nuk di pse e kam të vështirë të përballem me njerëz të paskrupullt si puna e këtij.
        -Të duhet kurajo dhe guxim që të vrasësh frikën.  Mos harro, se shkuara jote ka për të qenë veç një ëndërr e keqe. Tani do të shohim se me kë kemi të bëjmë.    
     Sa u afruan ata të tre te tavolina e tyre, atij i ngriu buzëqeshja dhe fytyra iu ngërdhesh. Për disa çaste ngeli i përqëndruar me shikimin mbi Kaltrën. Ndoshta iu duk se u takua me fantazmën e asaj që i kishte shkatërruar jetën."Kjo të jetë Kaltra, sekretarja ime koketë? E pamundur. Pas kaq vitesh duke ushtruar prostitucionin dhe të jetë përsëri në formë? S'ka mundësi...jo. Duhet të kenë ngjashmëri. Me siguri është një tjetër..."
Ndërhyrja e Sotirit e përmendi...
-Shef, njihuni me zotin Antonio, zotin Alban dhe zonjën e tij...?
-Çeleste , - plotësoi ajo.
Kaltra kishte hedhur një hap të guximshëm. Për të mos ngjallur dyshime, gjatë gjithë kohës ajo komunikoi italisht.
-Më duket sikur ju njoh prej kohësh, zonja Çeleste, - shefi "Merimangë" mori një mirësi për të dhe po e zhbironte, me shikimin tinëzar nën qepalla .
-Më vjen keq që po gabon në përcaktim një person me peshë si ju.  
-Domethënë më njihni....
-Po ju njoh sot, tani si një afarist i fuqishëm i nivelit evropian. Ndoshta ngjasoj me ndonjë të njohurën tuaj që nuk jeton më. I vdekuri dhe i larguari nuk kanë hatër për askënd, zotëri.
Pasi u ulën, porositën drekën në një nga kthinat e lokalit, ku bisedohej lirshëm dhe pa frikë se i përgjonte kush.
-Hymë drejt e në temën për të cilën jemi këtu, -propozoi Shef Merimanga.
-Përgëzime për shijet e holla! Zotëri, sheshet e ndërtimit që pamë ishin në vende të bukura, pitoreske dhe karshi detit. Më pëlqyen jo vetëm si vendndodhje, por orientimi i tyre nga deti besoj se do të sjellin fitime të mëdha, si për ju edhe për ne. Më falni nëse tregohem i paduruar. Keni marrë lejën e ndërtimit për ndonjë objekt?
-Natyrisht, për pallatin e madh tek Bregu i Princit apo në kodrën mbi qytet që ne e quajmë kodra e Kusum Babait. Pa lejë nuk bëjmë dot asgjë. Bam çekiçi i drejtësisë, i cili kurrë nuk resht duke mos lejuar që peshorja e ligjit, që ka vendosur shteti i së drejtës, të mos anojë nga padrejtësia. Për fat të mirë, ne si përherë të gatsmëm dhe fët e fët paratë, të cilat ngjiten si mastiç në duart e atyre që aprovojnë kushtetutën, si dhe të atyre që zbatojnë ligjin. Të jeni i bindur se asnjë tullë nuk vendosim pa afprovimin e drejtësisë. Drejtësia dhe ndërtimi janë dy segmente shtetërore të lidhura si mishi me kockën, i dashur mik.
-A kanë pronarë këto toka të shndërruara në troje?
-Zoti Antonio, patjetër që kanë. Aty ku has sharra në gozhdë, ne e bëjmë kurban personin pengues. Jemi aq të fuqishëm e të shkathët, sa që për të hequr shkarpat nga rruga jonë, ish pronarët i shndërrojmë në të paligjshëm, pa asnjë të drejtë pronësie. Shpronësimin që u bëri diktatura për gjysmë shekulli, ne po ua bëjmë në këtë periudhë të bekuar tranzicioni. "Edhe ne ngjasojmë me ujkun, i cili mjegull kërkon që ta shqyejë të gjithë kopenë."  Ndaj mik i dashur, hidhnakëve u hapim aq probleme me drejtësinë, sa që të ngelen gjithë jetën nëpër gjyqe dhe nuk do të dalin dot më kurrë. Për afaret tona, jo vetëm i bëjmë të përpadëmshëm, por i lëmë pa pronë dhe arrijnë në pikë të hallit, sa luten, duke iu ankuar  Zotit se ç'të keqe i kanë bërë. Në gusht të vitit 1984, vendin tonë e vizitoi ish presidenti i Land Bavaria, Shtraus i cili pasi vizitoi gjithë Llogaranë dhe hëngri një drekë të shijshme me prodhime të freskëta biologjike, si kjo sot, dha një porosi: "Mos u merrni shqiptarëve atë që e kanë, por jepuni gjithçka që nuk e kanë."
Ne a nuk po zbatojmë porosinë e tij?! Po u japim qytetarëve apartamente me hapësira të mëdha që as në ëndërr nuk i kanë parë..
-Kështu më pëlqen.  Me të tillë profesionist dua të bashkëpunoj. Ky po, që është afar me fitime kolosale.
"Ujku qimen ndërron, por zakonin s'e harron"- Kaltra i nënzëriti Arlindit.
Pranë oxhakut ku ishte ndezur një zjarr bubulak, mes bisedash gjoja të shkujdesura, shijuan mish qengji, i rritur me bar e trëndelinë Longare dhe Çike, të cilit shijen ia shton kripa e Jonit dhe e Adriatikut, që e sjellë briza detare.
-Sot ma paska ënda që shpirti të më ngrohet me verë Narte e raki rrushi safi nga Skrapari apo Përmeti, ullinj dhe vaj Kanine, djathë Zagorie dhe agrume Himare,- u  shpreh i ngazëllyer Merimanga.
Pasi biseduan për bashkëpunimin, Shef "Merimanga" kërkoi të bisedonte privatisht me Antonion, i cili e priste me padurim diçka të tillë. Dy ndihmësat e tij dhe çifti Gurra u tërhoqën në një tavolinë tjetër.
       Ndërkohë në tavolinën e atyre të dyve u ul një mjekërosh. Në çast kamerieri  erdhi dhe pyeti se ç'dëshironte i sapoardhuri.
      -Një raki...mjafton.
      -Ju zotërinj, dëshironi diçka tjetër?
      Antonio e përgëzoi për drekën që u kishin servirur.
      -Faleminderit! Ndoshta më vonë do të pi një kafe me ortakët e mi.    
     -Zotëri, me që ju pëlqeu, ejani këtu me pushime dhe do të kënaqeni... Ju ftoj të vini në çdo stinë që të dëshironi! Nuk keni për t'u zhgënjyer. Keni për të shijuar klimën kontinentale në dimër, mesdhetare në pranverë, mesatare në vjeshtë dhe tropikale në verë. Këtu keni mal e pisha që të mbushin me jetë e që nuk lejojnë ta ndjeni të nxehtin e verës së thatë. Nga të dy krahët e parkut do të shijoni freskinë e kaltërsinë e Adriatikut dhe blunë e thellë të Jonit, mrekullitë që si këtu, nuk i gjen askund në botë. Më thoni a gjendet një vend në glob, ku dy dete shkrihen në ujërat e njëri-tjetrit dhe ndryshojnë si nata me ditën? Këto ndryshime do t'i gjeni vetëm në pak kilometra katrore, këtu mbi 1100 metra lartësi, në shpatet e Llogarasë prrallore. Zotëri, kënaqësia plotësohet me një pushim pas dreke apo në mbrëmje në hotel,- sqaroi kamerieri me një italishte deri diku të kuptueshme. Kjo dukej se  herë-herë e korregjonte Antonio.
  -Këtu më pëlqen shumë. Ndaj mendoj që ta kalojmë natën në këtë hotel, mes ajrit të pastër të malit. Natyrisht, po të jenë dakord ortakët e mi.  
Atë kohë u ndanë me afaristët vendas me synimin për të vazhduar projektin së bashku.
- Nuk besoj se në të ardhmen këtë rrugë do ta bëjmë unë dhe ortaku im
 -Cili do të jetë kodi i komunikimit?- pyeti shefi.
   -Fjalëkalimi do të jetë ky ...
 "- Jemi gati për një udhëtim të vështirë.
   - Në ç' drejtim?
   - Për në rrjetin e merimangës.
  -I keni marrë parasysh vështirësitë?
   -Pa më të voglin dyshim. Vetëm na duhet çelësi i asaj porte.
   -Hyni! Porta është e hapur. Kujdes se mos ngeleni në atë rrjet të helmatisur."   
-Zotërinj, një fjalë e gabuar dhe morëm fund të gjithë, ju dhe ne. Ndaj na duhet shumë kujdes, -ishin këshillat e Antonios.
 U ndanë me afaristët vendas për të filluar pa humbur kohë transportin e pluhurit të bardhë që do të sillte mjekëroshi dhe transfertën e parave. Me sa vunë re ata të tre, Merimanga kishte duar te gjata në gjithfarë e çdo lloj aktivitetesh të kundraligjshme, që nga pastrimi i parave,  trafiku i drogës, trafik qeniesh njerëzore, mashtrime me pasuritë e paluajtshme, pastrim parash si dhe trafik armësh për në Lindjen e Mesme. Nëntoka e vendit tonë për gjysmë shekulli ka qenë një varr i madh armësh të groposura nga të cilat fitohej aq shumë, sigurisht me ndërmjetësinë e Ministrisë së Mbrojtjes. Natyrisht shtrirja e rrjetit të trafikut dhe lidhjet e tyre me mafien, zbulohen duke u afruar e njohur më mirë. Por  duke ecur në të gjitha fijet e endura të shtratit të merimangës, busulla të çonte tek i njëjti person.
Kur i erdhi radha Kaltrës për ta përshëndetur ,Shef Merimanga, i pëshpëriti nën zë :
-Të zgjuar tutorët e tu.  Kanë ditur se përmes kujt t'i vendosnin lidhjet. Ti ishe dhe je garancia më e mirë për mua. Nuk ka si ndodhte ndryshe. Isha unë që ta çela dritën jeshile për ta njohur jetën e vërtetë. Ma kishe borxh këtë vlerë dhe ja po e shlyen më së miri si një menaxhere e shkathët.
        -Ti jo që nuk ndryshon për mirë, por je bërë më tinëzar, më i keq, më intrigant, më mashtrues dhe më i zoti për të fituar duke dredhur zinxhirin.
        -Shiko,shiko ...,sa e zhdërvjelltë, sa të paska aftësuar profesioni? Urime!
        -Gjithsesi unë e gjeta rrugën time që e kisha humbur. Kurse ti  ke një grua që e kanë zili të tjerët, ke fëmijë të mrekullueshëm, të cilëve ua ke siguruar jetën për breza me radhë. Po veç as ti dhe askush tjetër, nuk e di se çfarë i ka rezervuar jeta.
-Përsa të jem unë ky që jam, as një gjemb nuk do t'i shpojë fëmijët e mi.
-Mos u gëzo, o i gëzuar! Shijo të sotmen që shkoi, se të nesërmen askush nuk e parashikoi! Të të bëj një pyetje? Po për vete, ke menduar ndonjëherë se si do të të vijë fundi? Uroj që fundi të të vijë nga dikush që të mos e pandehsh. Nga ne që jemi këtu ke një milion vite jetë. Por kurrë nuk i dihet se nga të vjen rrebeja.
    Ai kërciti dhëmbët, shtrëngoi grushtet deri në dhembje, u bë si spec i kuq dhe u largua  kokulur e me bisht ndër shalë.
     E nervozuar si kurrë ndonjëherë, Kaltra rrëkëlleu kafenë me një frymë, kërkoi ndjesë dhe u ngjit në dhomë.
      Për të tre ata kishte qenë një ditë e lodhshme, e tensionuar. Nga kujdesi i tyre, varej suksesi i bashkëpunimit. Ishin të ngërthyer si në një darë a në një mors. Secili prej tyre ndihej si peshku pa ujë, pasi të vërtetën e dinin vetëm ata. Ishin pa asnjë mbështetje dhe duhet ta bindnin veten, se aty ndodheshin për punë të zeza, për aktivitet të paligjshëm, ndaj nuk duhej t'i besonin askujt. Madje as vetes nuk duhet t'ia pohonin identitetin e tyre. 

      Vazhdon...

VILHELME VRANA HAXHIRAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.