VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ATË NATË UJQËT NUK M’U KTHYEN NGA KULLOTA
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

E Premte, 02.27.2015, 08:32am (GMT1)



Si çdo vit
Do t'i prisja atje
Në mes vere.

Bishtgjatët,
Gojëmbyllërit,
Sygacët e mi.

Kur hëna ishte në atë pikë të itinerarit
Të saj
Prej nga verbohen të gjitha hijet
Nga shurdhohen të gjithë tingujt
Të kadifejtë bëhen shkëmbinjtë.

Në lirishten mes bredhave
Unë i kisha pritur përvjet.
I kisha numëruar të mbijetuarit
I kisha pagëzuar këlyshët
I kisha përuruar çiftet e reja.

Atje më ishin kumtuar dëshirat e tyre
Kacafytjet e humbura dhe të fituara,
Ua kisha kundruar plagët e hapura
Dhe plagët e mbyllura.

Iu kishte ardhur ëmbël
Kur ua kisha fshirë udhët nga putrat
I kishin kthyer ato nga unë,
Ua kisha lexuar
Fatin.

Atë natë
Ujqët
Nuk m'u kthyen nga kullota.

Deleve në vatha nuk do t'iu kthehej më gjumi.
Barinjve në tëbane nuk do t'iu ktheheshin më ëndërrat.
Krojeve në shpate nuk do t'iu kthehej më zëri.

Fillikat
Isha.

Dhe kot po mbahesha pas barit
Si pas flokëve të mia
Për të mos u rrëknyer
Drejt e në vorbullën e hënës.

Prej asaj nate
Nuk ua dhashë më bekimin
Dhe nuk i nisa për në kullotë
Si çdo mes vere.
SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.