E Premte, 03.29.2024, 01:33pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
XHEVAHIR SPAHIU MBUSHI 70 VJET - DENJËSISHT NË KRYE TË LETRAVE DHE KULTURËS SHQIPE
Nga ZYLYFTAR HOXHA

E Hënë, 03.02.2015, 09:36am (GMT+1)



Sot, më 1 mars, poeti Xhevahir Spahiu mbush plot 70 vjeç, urime poetit! Do të kishim dëshirë që me këtë rast t'i kishim bërë një vështrim të shkurtër, retrospektivë, jetës së tij sizifiane. Ajo që po themi është pak për të, i kërkojmë ndjesë që po i biem kaq shkurt, kaq "shkopërisht", siç thotë ai. Megjithatë, ç'rëndësi ka fjala jonë, kur atij i flet puna dhe vepra e vetë. Për kujtesë lexuesit në këtë ditë të shënuar të tij, natyrisht, edhe  tonën, do të mundohemi të risjellim në vëmendje forcën vullkanike të këtij titani krijues, që, siç thotë vetë në një poezi: Tek tingujt vdes/Tek ngjyrat çmendem/Tek fjala vdes çmendem përmendem.

Një vepër që nuk do të vdesë kurrë

Xhevahir Spahiu është shkrimtar i njohur shqiptar, një nga poetët më të spikatur të poezisë shqipe qoftë në idetë dhe mesazhet që mbart, por edhe në një teknikë dhe në ngjyrë të veçantë dhe të pakrahasueshme me poetë të tjerë. Poezia e tij është përfaqësuar gjerësisht në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe të botuara gjatë 30 vjetëve të fundit në Shqipëri dhe në gjuhë të huaja. Veprat e tij analizohen në tekstet e letërsisë dhe të gjuhës shqipe, ku janë botuar dhe pjesë,  në të gjitha kategoritë e shkollave, që nga cikli i ulët e deri në shkollat e larta. Nuk ka botime antologjike, brenda dhe jashtë vendit, ku poezia e tij të mos zërë vend krahas përfaqësuesve më të shquar. Libra dhe pjesë të zgjedhura të krijimtarisë së tij poetike janë botuar në: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, holandisht, maqedonisht, turqisht, rusisht, greqisht, rumanisht, arabisht, japonisht, kroatisht, hebraisht etj.

 "I pabindur", por i drejtë dhe i pathyeshëm

Gjatë  50 vjetëve autorin e kanë larguar nga puna si dhe i kanë hequr të drejtën e botimit disa herë radhazi për "gabime ideologjike" dhe frymë antikonformise në krijimtari, në vitet1973, 1974, 1977, 1979-1980, 1984-1986. Në vitin 1977-1978 e largojnë nga "Zëri popullit" dhe e çojnë në minierën e Valiasit; në vitet 1986 e heqin nga revista "Nëntori" dhe e çojnë mësues të thjeshtë në shkollat e natës, pasi kishte lejuar të botoheshin novela të "gabuara". Në vitin 1973 iu ndalua botimi i librit poetik "Bota ku eci".  Libri poetik "Zgjimi i thellësive" në vitin 1979 u hoq nga qarkullimi dhe u bë karton. Krahas këtyre,  autori u rrezikua edhe për shkak të vëllait të tij të burgosur politik. Kështu, herë i pushuar nga puna për "gabime ideologjike" e herë i privuar nga e drejta e botimit, herë me shtëpi e herë pa shtëpi, herë i përndjekur, por vazhdimisht i pabindur, gjatë peripecive të kësaj jete, ai nuk u thye e ndërkohë nuk la cep të Shqipërisë pa e njohur e pa u kënduar jetës dhe dramave të saj. Dritëhijet e saj frymëzuan pareshtur serinë e librave të tij të mrekullueshëm poetikë.

Jeta e Xhevos, udhë dhe poezi

Ka qenë dhe është një nga udhëtarët më të palodhur në Shqipëri. Nuk ka lënë cep të Shqipërisë dhe Kosovës pa shkelur. Edhe tani, pas sëmundjes, vazhdon udhëtimet. Orgesi, djali i tij i madh, nuk ka lënë vend pa e çuar, nga veriu në jug. Vëru re poezive të tij; si dhe njerëzit, kanë vendlindje, kanë adresë, kanë gjeografinë e tyre. Por edhe po nuk e patën, midis rreshtave kuptohet koha dhe vendi ku janë ngjizur. Xhepat e Xhevos në atë kohë e në këtë kohë rrinë plot copa letrash, me motive vjershash, me penelata të shpejta, që më  vonë piqen në saçin krijues të autorit. Rrallë të gjesh një poezi të bërë në tavolinën e punës së tij. Jo, ato janë bërë udhës. Ndaj dhe përmbledhja më e plotë dhe më e përzgjedhur e tij është quajtur "Udha". Se, si shumë fjalë të shqipes, edhe fjala "udhë" ka origjinën e saj nga pellazgjishtja e vjetër. Odhiseu e mori emrin nga udha (udhë-odhise), se bëri udhë të gjatë për të ardhur në Itakë. "U mbodhise" thotë një fjalë e vjetër shqipe, në kuptimin, u vonove. U mbodhise, mbete (mbë)në udhë. A s'mbeti kështu edhe Odhiseu!...Se i pëlqen udha, ndaj Xhevahir Spahiu mbetet një nga poetët më dinamikë, poet i lëvizjes, i luftës, i ecjes, i zhvillimit.

 

Artistët francezë për Spahiun: "Pse jo, Nobelin"!

Para disa  kohësh në qytezën Bethune u përurua botimi i fundit i poetit Xhevahir Spahiu, me titullin "Lëshoje drerin, Artemidë", përkthyer nga përkthyesi i njohur i poezisë shqipe, Aleksandër Zoto. Ky ishte botimi i parë i plotë i poetit Xhevahir Spahiu në gjuhën frënge. Por ky poet emblematik për poezinë shqipe është bërë i njohur që herët për lexuesin e frëngjishtes, përmes botimeve në antologji të rëndësishme të poezisë. Arlet Shomorcel, presidentja e këtij takimi, në fjalën e saj e cilësoi poetin dhe poezinë e tij si një kandidat të vërtetë dhe të denjë për çmimin "Nobel". Madje artistët francezë krahas përgatitjes së një botimi tjetër të Xhevahir Spahiut, kanë nisur procedurat për një propozim të tillë.

Xhevahir Spahiu

Përvojë pune

 -Gazetar në gazetën "Zëri i popullit", 1968-1977.

-Nëpunës në minierën e Valiasit, 1977-1978.

-Redaktor në revistën "Nëntori", 1978-1986.

-Mësues në shkollën e mesme të natës "Kostandin Kristoforidhi" dhe në Shkollën Ekonomike, 1986-1989

-Libretist në Teatrin e Operës dhe Baletit, 1989-1993.

-Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, 1993-1998.

-Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, 1998-2001.

-Këshilltar i ministrit në Ministrinë e Kulturës, 2002.

-Redaktor në shtëpinë botuese "Mësonjëtorja e Parë", 2001-2002.

-Këshilltar i Jashtëm për Kulturën i Presidentit të Republikës, 2003-2006.

- Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë prej vitit 2005

Veprimtari letrare

Libra me poezi: -"Mëngjes sirenash" 1970, "Vdekje perëndive" 1977, "Zgjimi i thellësive" 1979, "Agime shqiptare"-1981, "Nesër jam aty"- 1987, "Heshtje s'ka"- 1989, "Kohë e krisur"- 1991, "Ferrparasja"-1994, "Pezull"- 1996, "Rreziku" 2001. Përmbledhja e zgjedhur në kolanën "Poezia Shqipe" është botuar më 1990. Përmbledhja e zgjedhur "Udha" I, II, u botua në vitin 2005. "Vetëtimë", vëllimi më i fundit poetik i Xhevahir Spahiut botuar në vitin 2013.

Në Kosovë kanë dalë tri përmbledhje të zgjedhura poetike: "Epikë" (bashkautor, 1978), "Vdekje perëndive" (1981) dhe "Tek rrënja e fjalëve" (1988).

Libra me poezi për fëmijë: "Ti, qytet i dashur", (1973), "Zambakët e Mamicës" (1981), "Ekrani i kaltër" (1982), "Kitaristët e vegjël", (1983), "Kryeartëzat", (1987), "Dielli i lodrave", (1990), "Zogj të kaltër", (përmbledhje e zgjedhur,1999).

Përmbledhje me eseistikë dhe reportazhe letrare: "Dyer dhe zemra të hapura", (1978), "Bashkëkohësit", (1980). "Plaku i këngës", monografi (bashkautor, 2002).

Libra me përkthime nga poezia botërore: "Zemra pa mure", (1992), "Këtej nuk kalon askush", (1997), "Përtej meje", (1999), "Zotit", (2004).

Në gjini të të tjera letraro-artistike: -Autor i shumë teksteve poetike të këngëve të muzikës së lehtë. -Autor i disa skenarëve të filmave dokumentarë artistikë. -Eseja "Nderim Perliçevit", botuar në maqedonisht, 2007.

Veprimtari letrare ndërkombëtare

Ka përfaqësuar kulturën dhe poezinë shqipe në Shqipëri, Francë, Itali, Greqi, Holandë, Suedi, Gjermani, Rusi, Rumani, Turqi, Kroaci, Bosnje, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni etj. Në tetor 2011, në Francë u përurua poezia e Xhevahir Spahiut me vëllimin "Lëshoje drerin, Artemidë".  Këto kohët e fundit po përgatitet për botim një libër tjetër i tij në Francë.

Çmime letrare dhe tituj

Janë me dhjetëra çmimet e fituar në konkurset e ndryshme kombëtare në fushën e gazetarisë, letërsisë, filmit dokumentar, tekstet poetike të këngëve në  festivale etj.

Tituj: Titulli "Qytetar Nderi", dhënë nga Këshilli Bashkiak, Skrapar 2005. Titulli "Nderi i Frashërit", dhënë nga Këshilli i Komunës së Frashërit, 2005. Titulli "Nderi i Martaneshit", dhënë nga komuna e Martaneshit, 2006

Urdhra dhe medalje: -Urdhri "Mjeshtër i Madh", dhënë nga Presidenti i Republikës, Tiranë 2005; Urdhri "Naim Frashëri" klasi II, 1982, Medalja "Naim Frashëri", 1972 Medalja e Punës, 1974.

 

Nostalgji

Reportazhi-shkollë i Xhevahir Spahiut

Ashtu si poezia, megjithëse më e pakët në vëllim, edhe proza e Xhevahir Spahiut është elegante, metaforike dhe mbresëlënëse. Ajo përbëhet nga artikuj eseistikë, kritika letrare, intervista, esse dhe parathënie librash të botuara në gazetën "Drita", në revistën "Nëntori" dhe më vonë edhe në gazeta të tjera të ndryshme. Por Xhevahir Spahiu mbahet mend më së shumti për reportazhet e tij, sidomos në "Zërin e Popullit". Reportazhet "Kalojnë minatorët. Hiqni, kapelet!"; "Dyer dhe zemra të hapura"; "Labëri, Labëri!"; Vlorë, copëz stralli", "Armët e pathyera të Skraparit" e shumë të tjerë, janë reportazhe-shkollë, që gazetarët e rinj duhet t'i kenë si shembuj dhe metodikë për mënyrën e të vëzhguarit dhe të të trajtuarit të fakte njerëzore.

Më poshtë po botojmë fragmente të një reportazhi shkruar në vitet '70 të shekullit të kaluar të titulluar "Rilind shtëpia e Rilindësve":

Rilind shtëpia e Rilindësve

Në Frashër po ngrihet një shtëpi e re. Është jashtë vijës së verdhë të projektit, por brenda dashurisë sonë të madhe. Themelet e saj janë çelur thuajse para 200 vjetëve. Dikur kjo shtëpi lulëzoi si një pemë madhështore. Por ra mbi të sëpata e kohës dhe trungun ia preu gjer në fund. Rrënjët i mbetën...Katër vjet më parë, një projektues nga kryeqyteti mori udhën për në Frashër. Nisën gërmimet. Pa pritur u shfaqën shkallët, pastaj porta. Mbi themele ra dielli i 200 vjetëve më pas. Prej tyre do të hedhë shtat përsëri trungu i dikurshëm i shtëpisë. Në të s'do të jetojnë më banorët e saj të parë. Vetëm një ciceron i ditëve tona, duke ecur qetë-qet në korridore e dhoma, do t'u tregojë vizitorëve: këtu në Shqiprinë Juglindore, në Dangëlli, mes maleve të Kokojkës e Qelqezës, në këto pllaja, pranë këtyre lisave e lajthive, ja te kjo shtëpi, lindën ata që bënë aq shumë për popullin dhe atdheun, vëllezërit Frashëri..

...Tani është pranverë, dhe kumbulla pranë së cilës ishim mbledhur, ka çelur. E bardhë, si një re që ka qëndruar papritur. Kështu kanë shtegtuar në vite, si retë dhe si zogjtë, kënga dhe zemra e bardhë e poetit. Një shtegtim kaq të gjatë e bëjnë vetëm zogjtë me krahë të fuqishëm. Dhe "Naim" në persisht do të thotë "i fuqishëm".

...Ka nëna heronjsh, ka edhe shtëpi-heroina. E tillë është kjo shtëpi e vëllezërve Frashëri, ngritur në vendlindjen e tyre. Cila si kjo i dha historisë shqiptare tre personalitete të fuqishëm, tri mendje kaq të ndritura, tri zemra të mëdha? Kjo shtëpi e tyre ha bukë veç. Sepse ha bukë veç vepra e tyre e pavdekshme. Ajo i shpërthen caqet e kohës kur ata lindën. Abdyli, Naimi dhe Samiu hodhën mbi supet e tyre një barrë shumë të rëndë, por edhe shumë fisnike: të ndriçonin mendjet e bashkatdhetarëve, t'ia zhvendosnin më pranë ditën e lirisë atdheut të tyre "brengëgjatë". Zjarri i tyre ngrohu damarët e mardhur të atdheut në dimrin e zi të pushtimit.

...Në sheshin para shtëpisë tre bustet e tyre të punuara mjeshtërisht nga dora e Skulptorit të Popullit, lindur në këto vise, Odhise Paskalit. Sa herë i kemi parë këto fytyra të dashura rilindësish në libra, në rrugë, në sheshe, në institucione a në tavolinat tona të punës, e megjithatë, nuk ngopemi së pari. Na frymëzojnë, na nxisin mendimin dhe veprimin, na bëjnë krenarë. E tani të duket sikur ata kanë dalë të presin miq. Ashtu siç prisnin dikur luftëtarët e lirisë, fëmijët me abetare në dorë, atdhetarët e djegur nga malli... -Urdhëroni në shtëpinë time! Urdhëroni në shtëpinë tuaj, me këto fjalë u drejtohet frashërllinjve nipi i Samiut, Emin Ereri. Kjo shtëpi ka qenë dhe do të jetë kurdoherë e hapur në brezat të dëgjojnë vetë historinë.

18 qershor 1974

 

"VETËTIMË"

nga..."Mali i Vetëtimave"

Poezi nga vëllimi më i fundit i poetit Xhevahir Spahiu

Më poshtë kemi shkëputur, ç'na ka zënë dora, disa poezi të shkurtra, nga vëllimi më i fundit i poetit me titull "Vetëtimë", botuar në vitin 2013; që s'është gjë tjetër, veçse një shkreptimë e vërtetë mali krijues.

 

O gur i mullirit

        Te shtëpia e De Radës

Bluaj e bluaj

500 vjet;

 

ullinj

dhe të zitë e ullirit;

 

tani bluan eshtrat e fjalëve plaka,

bluan veten,

o gur i mullirit

 

***

Natë pa pyll.

Humbellë pa skaj.

Zot, si rri fill?

Qaj.

 

***

A ka gjëkund ndonjë shitore

A ka ndonjë tezgë kot më kot

Të ble me disa qindarka qorre,

Jo bukë, por pak durim, o zot?

 

Në teatër

Gëzim Kame

U nda nga turma

Një pëllumb i bardhë,

Theu xhamin me krahë

E hyri

Në ngrehinën bojë hiri.

 

Doli sakaq,

I përgjakur.

 

Kish parë

Një dramë të Shekspirit.

 

 

Verbani

 

fati s'ka sy

 

seç i qesh të zezës

seç ngërdhesh të bardhën

 

fati s'është në vete

 

megjithëse i verbër

Homerit s'i ngjan

 

qan kur qesh

qesh kur qan.

 

Shqipërimi i fjalës Politikë

 

P

            o

l

i

th

i

k

ë

(pa datë)

 

Zhburgimi

 

Jetën e ngrysi me një lepur në bark;

Vdekja një ditë i trokiti në prag.

 

Kur lepurin pyetën: Ku ke qenë, ore mik?

Sa dola nga burgu   ua  ktheu pa frikë!

                                                      198 (?)

 

Kufiri i shpifur

 

Kjo arë me grurë

E ndarë më dysh:

një vatër diellore atje në Qaf'Morinë.

Ngroh dheun dhe zemrën.

Shkruan fjalë të mbara:

Të ndahet buka,

Pa u ndarë fara!

 

Jetimëri

 

Rruga "Miqësia".

Miqësi, po me kë?

Asgjëja e asgjësë,

Asgjë.

1982

ZYLYFTAR HOXHA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
TË MOS DIGJET NGA HESHTJA JOTEPoemë dashurie nga ADEM ZAPLLUZHA (03.01.2015)
SHKOPINJ HORIZONTESHCikël poetik nga QAZIM D. SHEHU (03.01.2015)
FERRPARAJSAPoezi nga XHEVAHIR SPAHIU(Ribotuar në 70 vjetorin e lindjes së poetit) (03.01.2015)
VDIQ ROMANCIERI I SHQUAR TURK JASHAR QEMALI (02.28.2015)
LUTJE DASHURIEPoemë nga ABDULLAH KONUSHEVCI (02.28.2015)
'NJË ALIEN' QË KA SHALUAR 'KALIN PREJ BORE'Esé për librin e ri poetik të ADEM ZAPLLUZHËSNga PËRPARIM HYSI (02.28.2015)
ATË NATË UJQËT NUK M’U KTHYEN NGA KULLOTANga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.27.2015)
DHE NJË NJERI  I VETMUARCikël poetik nga ADEM ZAPLLUZHA (02.27.2015)
ESSE PËR SITAT, GRURIN, NIKELIN E MESHËTNga THANI NAQO (02.27.2015)
GISHTËRINJTË E BARITEse letrar për poezinë e Drita Lushit Nga RRUSTEM GECI (02.27.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]