VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BIBLIKE
Kujtim nga 7 Marsi 1972
Prozë poetike nga SKËNDER BUÇPAPAJ

E Enjte, 03.05.2015, 03:48pm (GMT1)



Ai 7 Mars i vitit 1972 agoi i vërshuar nga manushaqet që mbinin mes barit të dendur, ferrave, gëmushave, mes gurëve. Bashkë me nxënësit kemi mbledhur lule, kemi bërë kurora për 7 Marsin, kemi luajtur, kemi rregulluar çerdhet e zogjve nëpër lisa, ia kemi dërguar mesazhet më njerëzore faunës së pyjeve. Por, ndërkohë që po e festonim 7 Marsin nëpër klasa mes luleve, ngjyrave dhe aromave, jashtë kishte filluar të fijatë, si duke luajtur, si duke bërë shaka. Kur ne e vumë re borën, ajo i kishte mbuluar oborret, rrugët, çatitë, pyjet, nën të kishin mbetur manushaqet e sapoçelura, manushaqet e çelura, bari i ri që po dirste kudo e më dendur. Bora ua kishte mbytur zërin lumit, prrojeve e krojeve, e kishte vënë natyrën në gjumë në mes të ditës, ia kishte mbyllur zërin dhe sytë. Në dritaret e klasave kishin ardhur e po rrapëlonin krahët zogjtë a thua se shkolla ishte Varka e Noes ku ata të gjenin shpëtim pas përmbytjes së botës nga bora kudo që arrinte shikimi i atyre zogjve. Ne drejtuesit e Varkës së Noes, mësuesit e nxënësit u gjetëm të befasuar për misionin tonë biblik. Por më të befasuarat u gjetën lulet manushaqe nëpër tavolinat e mësuesve, nëpër bankat e nxënësve, mbi dritare e dyer. Atyre iu erdhi në sy, iu mbiu në sy një pyetje e përbashkët së cilës askush nga ne nuk kemi mundur t'i përgjigjemi. Lulet janë fishkur, tharë e kanë shkuar, por pyetja e përbashkët që iu mbiu në sy atyre, ka mbetur në kujtesën tonë kudo që shkojmë e kudo që jemi. E kështu, pra, ndodhi në atë 7 Mars 1972, e cila, si çdo ditë biblike, zgjat jo vetëm në ditë të tëra jobiblike, por me dhjetëvjeçarë të tërë, me shekuj të tërë, duke na bërë ne planetarëve më ndërplanetarë, më biblikë, më të vetëdijshëm, më vizionarë në misionin tonë biblik të Varkës së Noes përmes kohëve biblike dhe jobiblike, përmes ditëve, dhjetëvjeçarëve, shekujve biblikë dhe jobiblikë të planetit tonë dhe të planeteve tona biblike e jobiblike.

SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.