VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

F L A M U R I
poezi në kujtim të heroit Adem Jashari
Nga RRUSTEM GECI

E Enjte, 03.05.2015, 03:55pm (GMT1)



F L A M U R I

Unë jam ai i dënuari
ai burgosuri, ai trimi
ai i plagosuri për liri
që një jetë të t ë r ë
isha në luftë e beteja

Unë jam ai bandilli
ai shkruesi i trakteve
ai ilegalisti i shkathët
ai që i mbaja parullat
" Kosova Republikë "

Unë jam ai profesori
ai i bukuri i rrugëve
ai poeti i trazimeve
që me studentët trima
i ramë grusht armikut;

Unë jam ai i dënuari
ai i bukuri i UÇK-së
ai piktori i emblemës
një i dashuruar i lirisë

Fjala e Adem Jasharit, Kosovës

- Liri, kujtoj se ende jam gjallë!..
oka as qielli s´ kanë gjumë
vuajtja kudo është zemëruar
të mbjellat kudo na thërrasin
që t´i dalim vet zot këtij vendi

Lirinë s´mund ta lëmë në fund
Adem, më pagëzuan prindërit
Jam lindë në ditën e flamurit
Kosovë e Shqipëri i kam atdhé

Trimat kanë duar të bukura
duart e tyre i thyejnë prangat
Kosovë,bjeri, bjeri atij që vret
Kosovë, qëllo nga vjen plumbi

Toka as qielli s´ kanë gjumë
përrojet shtyhen të bëjnë lumë
gruri e di, do të pyes për mua
i thuani, është i zënë në valle!..

P O P U L L I

Me ajrin e bardhë të fushave
me ajrin e bardhë të maleve
me ajrin e të gjitha dritareve
shqiptarët do të bashkohen
për aq sa ndarja na ka ndarë

Shqipëtarë të të gjitha trojeve
merrni frymë zjarrit që ndizet
historia shkruhet me të bëra
që nga e hëna në të djelen, që
nga mëngjesi, deri natën vonë

Shqipëri, e gjithë shqiptarve
s´ka nevojë të lutem me fjalë
afrohu më pranë tokave tua
tokave që fqinjët ty t´i morën
bëhu bashkë me Kosovën
bëhu bashkë me Iliridën
bëhu bashkë me Çamërinë
për aq sa ndarja na ka ndarë


Dortmund, 2015

RRUSTEM GECI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.