VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - ËSHTË DREJTËSIA HYJNORE AJO QË NA JEP NJË MUNDËSI TË REVILHELME VRANA HAXHIRAJ, fragment XI dhe i fundit i romanit 'Loja e Mëkatit'

                                                                                      

E Martë, 03.19.2024, 09:21am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
ËSHTË DREJTËSIA HYJNORE AJO QË NA JEP NJË MUNDËSI TË RE
VILHELME VRANA HAXHIRAJ, fragment XI dhe i fundit i romanit 'Loja e Mëkatit'

E Shtunë, 03.07.2015, 09:01am (GMT+1)


 
    Ishte mëngjesi i parë pas kaq vitesh, që Kaltra flinte e qetë. U ngrit nga shtrati pa i ardhur turp për natën e pafjetur, pa u drithëruar për mëkatin, për të cilin dikur e kishin shpërblyer. "Edhe pse nuk harroj, por ajo kohë më duket e largët. Ndoshta shpresa për një tjetër jetë normale, më bënë të ndihem zonjë e vetes,"-belbi teksa bënte tualetin para pasqyrës.
    Ishte ora dhjetë i mëngjesit kur ajo zbriti poshtë. Ishte shend e verë. E qeshur, rrezëllitëse, e qetë shpirtërisht dhe ëndërrimtare mendërisht, u bashkua me dy shoqëruesit e saj. Për herë të parë në jetë që asaj nuk i vinte turp nga vetja.
    -Fytyra dhe sytë flasin më shumë se gjithçka. Duket se keni fjetur mirë. Në pamjen tuaj të jashtme duket sikur keni arritur të bëni paqe me veten, apo gaboj? - pyeti Antonio pasi u përshëndetën.
-Po, është mëse i vërtetë konstatimi juaj, zotëri.  Kur njeriu në jetë plotëson një mangësi, ka arritur një synim. Kështu ndihem unë...ndoshta deri diku e plotësuar... ,- dhe i dhuroi një buzëqeshje lumturie Arlindit.
     -Kemi një ditë të gjithë tonën. Nesër zonja merr pasaportën dhe duhet të nisemi me traget nga Vlora. Duhet të jemi në Itali para se atje të mbërrijnë ngarkesat e para  të mallit dhe paratë për pastrim. Jam në dorën tuaj se ç'duhet të bëjmë, Arlind.
      -Ju shprehët dëshirën që të vizitojmë jugun e vendit. Pse të mos shkojmë. Edhe unë nuk duhet të dukem rrugëve të Vlorës, pasi nuk duhet të zbulojnë se cili jam në të vërtetë. Ku ta dimë se nuk na kanë venë njeri pas për të na vëzhguar?   
     -Ne nuk u kemi lënë asnjë rast dyshimi. As telefonata kemi bërë dhe s' jemi takuar me askënd.
   Pa u vonuar ata u nisën. Fuoristrada u bë erë në rrugën e jashtëzakonshme e gjithë kthesa të bregdetit shkëmbor. Ndalën në të shtatë fshatrat e Himarës, në çdo gji deti dhe në çdo kep. Italiani u mrekullua me ngjyrën blu, me kthjelltësinë e ujit të Jonit, me magjinë e gjireve të panumërta dhe me  bukurinë e natyrës shkëmbore. Mbërritën deri në Sarandë, ku kaluan një drekë të këndshme, vetëm me prodhime deti. E sqaruan mysafirin se ky qytet është quajtur "Porto Eda". Ishte kohë tejet e shkurtër, gjithsesi ata vizituan Butrintin, Syrin e Kaltër, Kështjellën e Lëkursit dhe në kthim atë të Vasiliqisë në Palermo, ku mysafirit i treguan legjendën e Pashait  plak të dashuruar, i cili i përjetësoi ndjenjat e tij duke ndërtuar kështjellën. Pasi dëgjoi mirë e mirë,  Antonio u shpreh:"Sa pranë e kemi Shqipërinë, na lagin dy dete të njëjtë, na ngroh i njëjti diell mesdhetar, dy popuj që kuptohen me njëri-tjetrin si jo më mirë dhe ne nuk dimë asgjë për kulturën dhe historinë tuaj. Është mëkat! Po për faj të kujt vallë kjo mosnjohje deri në injorim?!" Gjatë kthimit Antonio duke vërejtur rrugën dhe natyrën, u shpreh:
  - Sa ngjashmëri kanë brigjet e Mesdheut. Po kaq të bukura janë brigjet e Kalabrisë dhe të Siçilisë. Tani më duket sikur udhëtojmë në bregdetin Liguria. Më duket sikur jemi nisur nga Xhenova e po udhëtojmë drejt jugut të Francës. Deri në Montekarlo është i njëjti breg, e njëjta bimësi, të njëjtat kodra me ullinj, si dhe këtu. Çudi!
      Ishte mbrëmje kur u kthyen në Llogara. Në restaurant u gjendën para një të papriture të këndshme, që e befasuan mysafirin. Në një nga kthinat dëgjuan këngë. Ai zgjati kokën dhe vuri re tre burra rreth një tavoline, që hanin, pinin e këndonin.
   "Shumë bukur, por pa vegla muzikore, pa dirigjent, pa partitura, si ka mundësi? Kënga e tyre duket sikur shkrihet në një të tërë me malin, me halorët dhe me zërat e pyllit. Ngjan si një simfoni, por si e arrijnë vallë?"- pyeste veten.
     Nga të zotët e hotelit mësoi se ishin tre bilbilgjyzarët  e Labërisë, Artisti i Popullit, Golig Jaupaj nga Bënça e Tepelenës, zëri i të cilit nuk shteret kurrë. Syrja Hodaj nga Tërbaçi i Vlorës, i cili, me zërin e tij epik, ka çuditur profesora të muzikës dhe studiues të kulturës dhe folklorit botëror. Kurse i treti është zot i vendit, ndihmës mjeku Fatosh Lika, i pangjiruri, që gurgullon si gurrat tona, apo si valët e detit mbi shkëmb. Në këtë rast ai ishte solisti që ia kishte marrë këngës me titull"Fryn kjo erë e detit" . E këta zëra të rrallë, ashtu ngrohtë e ëmbël, vetëm tre , po dukej sikur ishin një kompleks i tërë vokal, ia përcillnin dashurinë për vendin e tyre maleve përreth dhe që andej kënga tretej në përkëdheljen e borigave dhe mbërrinte deri tek valët e Adriatikut dhe dallgët zulmëmëdha të Jonit. Ashtu të shkrirë tek njëri -tjetri, kënga e tyre, zërat e natyrës, jehona e maleve dhe dallgët e detit, krijonin simfoninë e pakrahasueshme dhe autoktone të Shqipërisë Jugore, polifoninë labe.
   -Si ka mundësi?- Antonio gati fliste me vete tejet i habitur.
   -Shqiptarët po u bënë tre veta bashkë, me një gotë raki, një kokërr qepë, ullinj dhe pak djath përpara, ia marrin këngës. Vajtojnë për hallet, kujtojnë mërgimtarët, të ikurit nga kjo botë apo i këndojnë trimërisë, punës, bukurisë së natyrës dhe dashurisë.
-Tradita të bukura që nuk i gjen në asnjë komb tjetër. Ju lumtë! Veçse ruajini! Mos e lini kohën t' ua rrëmbejë këtë thesar të çmur!
Kjo ishte këshilla e një të huaji që në në dy -tri ditë njohu një komb të panjohur për të gjatë një jete të tërë.
     Të nesërmen mbaruan punë me pasapotën dhe u nisën për rrugë nga porti i Vlorës. Arlinditt i ngeli koka pas. Nuk mundi të takonte asnjë nga familja e tij. Kjo e ligështoi pa masë. Por për ata të tre kishte rëndësi që misioni deri aty u krye me sukses. Megjithëse vetëm kur të fillonin lëvizjen "ortakët shiptarë", atëherë misioni quhet i kryer qind për qind.
    Mëngjesi i gjeti në shtëpitë e tyre në Rimini. Pasi u shlodhën, duhet të mbaronin detyrën.
     Shkuan në Komisariat.  Dorëzuan fotot, bisedat me ta dhe cilat ishin planet e tyre. Kaluan mëse dy javë që Merimanga u bë i gjallë. Përmes telefonatës së parë të tij me Antonion u mësua koha, rruga dhe personat që do të sillnin paratë dhe mallin. Në të njëjtën kohë biseda mes tyre regjistrohej nga organet e antidrogës dhe
sektori i kriminalistikës. Duhej shumë kujdesë. Herën e parë nuk do të ndërhynin në mënyrë që te pala shqiptare të krijohej besim.    
    Pas rrugës së parë, rrugën e dytë dhe të tretë trafikantët e bënë në një hark kohor të shkurtër. Të bindur se ishte biznes me interes të madh fitimi, ata shtuan sasinë dhe larminë e mallit, drogë të pastër, Hashash, Canabis të paketuar, sasi të madhe Euro për pastrim, armë, si dhe vajza për trafikim.
     Mes një organizimi të përbashkët të autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane, gjithçka u sekuestrua.
   "Si gjithmonë Merimanga doli pa lagur me një deklaratë në shtypin shqiptar, për luftën kundër krimit të organizuar, kundër trafikimit, të cilat i kanë rrënjët në korrupsion. Ai përbindësh i paskrupullt i hapte luftë korrupsionit. Kjo ishte çudia më e madhe e kohës. Ishte mësuar që bënte kurban ata që kishte në vartësi, ata që e pengonin në trafikim, apo mashat e tij, me të cilat trazonte zjarrin. Kështu "mishi piqej dhe helli të mos digjej." Helli duhej për të pjekur mishra të tjerë. Këtë herë ai qëroi nga rruga e tij ferrat që kishte nëpër këmbë, të dy bedelët që punonin për të. Sotiri u vra në përpjekje me forcat e policisë. Kurse Hekurani u arrestua nga policia italiane. Më vonë e ztansferuan në burgjet shqiptare. Çuditërisht pas pak kohësh qëndrimi në burg, u gjend i vdekur "me atak në zemër.
   U zhduk dëshmitari i vetëm si i "fundmi i mohikanëve". Nuk di dhe për sa kohë do të vazhdojë historia e të bërit kurban?! Ndoshta për aq kohë sa do të mbizotërojë padrejtësia, deri sa ligjin do ta bëjë paraja dhe rruga."-mendonte Kaltra duke hyrë në shtëpi bashkë me të birin dhe Arlindin, ku për ta po niste një ditë  e re. Për këtë grua të vuajtur ishte fillimi i një jete të rilindur! Faleminderit Zot! Eh sikur bota të ishte pa tragjedi, pa dhunë dhe pa, pa, pa...,-ishin fjalë mirënjohjeje që edhe për atë kishte vend në këtë botë tinëzare e të përdalë.

             Epilog           
   Kam kujtuar se...,se kisha nisur një rrugë pa kthim. Por mrekullisht tani jam përsëri në shtëpi. Këtu, ku nisa ëndrrat, këtu mbase do ta rigjej atë që më ofron Nirvana..."- belbëzoi ajo dhe qëndroi para portës së fëmijërisë, aty ku u lind dhe u rrit. Ndërsa sillte ndërmend copëza jete, plot mall e dhembje. Mes drithërimash,  Kaltra ra në mendime.
  "Oh, shtëpi, shtëpiza ime e lindjes ...! U bënë vite që më ke munguar dhe...Po pse nuk më drithërohet shpirti vallë? Përse nuk po derdh asnjë pikë loti? Kaq shumë janë lodhur duke pritur? Ndoshta diçka hyjnore, tej reales, më  ndalon që ta kaloj këtë cak. Mos vallë përgjegjësia e prindit apo gabimet dhe fajet e  fëmijës? Ndoshta!" vazhdonte të mendonte e zhytur në të shkuarën e pakthyeshme, gjë që e kishte bërë gjatë gjithë rrugës. Papritur, tani gjendej para portës në oborr, në atë oborr me të cilin e lidhin sa lodra fëmijënore dhe sa e sa kujtime.
    Ajo qëndroi e ngurosur, pa hedhur asnjë hap në pragportën e fëmijërisë, sepse vetëm ajo i dilte parasysh e qartë, e brishtë, i fliste për një kohë të papërsëritshme, kur ajo ndihej plotësisht e lumtur. Ndoshta në atë shtëpizë kishte ngelur një kënd i paqmë nga ajo kohë e qetë, e panjollosur, e papërdhosur, si dhe e pamolepsur me mashtrime dhe intriga. Qëndroi jashtë asaj porte gjatë, e përhumbur në mendime dhe e pavendosur...
    "Të hyj apo të mos hyj...? Cila jam unë në të vërtetë? Jam një hije që zvarg qorrazi ditët e ndotura të jetës sime të shpërdoruar. Sot kam ardhur nga një rrugë e largët dhe po aq e afërt, si në kohë, ashtu edhe në hapësirë. Rrugëtimi im ishte i kushtëzuar, i paravendosur, ishte pa kthim pas, por ja që... Tek e fundit kjo është shtëpia ku linda e që më bëri kjo që jam sot."- me dorën e dridhur trokiti në atë portë që tani i dukej e huaj. Papritur dera u hap dhe asaj iu përplas në fytyrë ftohtësira e diçkaje të largët dhe në çast ..., aty kuptoi se asgjë nuk do të ishte kurrë si më parë...
   -Ti­...ti këtu? Nga dole? Nga mbive? Kishim vite që nuk merrnim asnjë lajm nga ty...?! Çudi! Tani u kujtove se ke prindër, ke familje? Mirë të tjerat, por asnjë letër nuk dërgoje dot?
   -Nuk po më fton të futem brenda? Gjithsesi unë ndodhem këtu, edhe pse s'ka nevojë për fjalë, pasi shikoj shumë më tepër në sytë e tu ...   
  -Natyrisht kur ngelen në udhëkryqet e jetës, fëmijët plangprishës kujtohen se kanë një derë ku mund të trokasin.
  -Për këtë heshtje të gjatë, ti a nuk ndjen ndonjë lloj përgjegjësie, si nënë?
    -Ti kishe një jetë të sigurt dhe punë të mirë, por mjerisht kërkove ëndrra në diell. Ike pa pyetur, pa lajmëruar, duke na lënë një barrë të rëndë, një fëmijë që kërkonte nënën orë e çast. Pasi u vele me të mirat dhe me jetën luksoze në një vend të huaj, pasi shijove një jetë që aq shumë e doje, kurse tani...,tani erdhe ta përplasësh kokën tek dy pleq varfanjak.
    -Sikur ta dije se ç' jetë luksoze kam bër, nuk besoj se do të flisje në këtë mënyr. Gjithsesi unë erdha...
   E ëma heshtëte dhe qëndronte në këmbë si gur varri.
  -Çudi, si nuk më kuptove kurrë, së paku njëherë të vetme?! O Zot, sa nevojë kam pasur për një këshillë tënden, moj nënë! Sa herë kam dashur të të hapja zemrën, që të të rrëfeja të pathënat që më mundonin, por...,për fat të keq"unë isha më e mira, më e bukura, më e mençura, e përkëdhelura e mamasë. Për ty unë isha mbi shoqet, ndaj fati...më ironizoi e më hodhi në krahët e lojës së mëkatit... Besoj se tani e di se  cili ishte shpërblimi?!
  -Ku isha unë, kur ti kërkoje mbështetje?
  -Kishe jetën tënde...ëndrrat dhe hallet e tua, nënë...Meqë më kishe dhënë në duar të sigurta, nuk doje ta dije nëse unë kisha nevojë për ndihmë, kisha nevojë për një fjalë tënden, një fjalë zemre, një fjalë të artë nëne.
  -Çfarë të mungonte që ju dorëzove rrugës së madhe?  
  -Dashuria, kujdesi dhe vëmendja jote prej nëne, janë të veçanta dhe nuk ua zë vendin askush. Mjerisht mua më kanë munguar prej vitesh, pasi edhe atëherë  vëmendja jote ishte sipërfaqësore.
  -Unë të dhashë burrë, që ti ta ndërtoje jetën më mirë se unë...
  -Po është e vërtetë. Më dhe burrë, madje në kryeqytet. Por kishe harruar se martesa nuk të jep as fat dhe as lumturi...
  -Nuk di çfarë kërkoje më shumë nga jeta, nuk e di?
  -Për sytë e tu dhe të babait, po...Mjafton që e patë ju, edhe e kishte parë e vulosur Perëndia.
   -Nuk e kishe fat, se ai ishte djalë i mirë.
   -Nënë, merr sytë dhe shpirtin tim për ta parë se si e përfytyroja unë jetën.Atëherë do të kuptosh se çfarë kam dashur unë.
    -Natyrisht nuk jemi njësoj. Janë disa faktorë që ndikojnë në realizimin, apo formimin ideor dhe intelektual të një njeriu.
    -Sa mirë që e kuptove. Janë mosha, koha në të cilën jeton dhe shkalla e qytetërimit, pa harruar formimin individual, ndjenjat, nivelin ekonomik etje... Veçse tani është vonë, shumë vonë.
    -Për të mos shkuar koha dhe jeta dëm, duhet t'i kishe thërrur mendjes, sa nuk ishte vonë.
    -E di shumë mirë që e bëra nuk mund të zhbëhet. Tashmë e keqja ka ndodhur. Isha e re për të zgjedhur, por a e pyetët ndonjëherë zemrën time vallë?
  -Cili prind ia do të keqen fëmijës?
  -Pa u thelluar, ju më nxorët në treg sikur isha bagëti. Vetëm skllevërit para se t'i shisnin i kontrollonin nga dhëmbët. Kurse mua ju më shitët lirë, vetëm për hiret trupore, për bukurinë, e cila më shndërroi në një lëkurë(peliçe) të rrallë që ka vlerë të madhe. Gëzofi origjinal që zbukuron jakat e palltove të grave, tregon edhe nivelin aristokratik të asaj apo atij që e zotëron. Me këtë çmim të lartë, por jo të paarritshëm,  që kanë gëzofët e kafshëve të rralla si kunadhja, apo lëkura e bardhë e dhelprës polare, më dhatë duart, sikur isha e tepërt. Nënë, më detyruat ju, që unë me ato hire femërore, bleva mëkatin.  Jetën time e barazuat me vlerën e gëzofit të palltove, që është veçse një tekë e zonjave të rënda për t'u dukur mbi të tjerat. E tillë ishte jeta ime, derisa ajo u kthye në mall ankandi, ku çmimi i tij rritej nga ofertat e epshorëve shtazarak, të cilët për të realizuar tekën e tyre foshnjarake, apo për mburrje, edhe symbyllur e zgjidhin kuletën. Kjo kam qenë unë...
   -Vetë e zgjodhe atë mënyrë jetese. Tani mos vallë të vjen turp nga vetja? Kur të[ vijnë mendtë, nuk t'i hanë as qentë.
   -Më dëgjo mirë të lutem...! Djalin dhe vajzën i ka ushqyer dhe i ushqen nëna me gjakun e zemrës. Ata marrin ushqim nga trupi i saj, edukohen me atë kulturë që ajo zotëron. Sido që të bëhen, të mirë apo të këqij, ata janë pasqyrë e nënës dhe e babait. Edhe djali im që unë e braktisa, është im bir.  Po kështu edhe unë, e mirë apo e keqe, për ty dhe për të tjerët jam jot bijë. Jam ajo llastica, "më e mira e shoqeve, më e bukura e vajzave të qytezës që e kisha mirësinë në mes të shpatullave", apo i ke harruar mburrjet e tua që atë kohë më bënë të fluturoja  nëpër re dhe nëpër ëndrra, nënë.   
  Po të tregoj një ndodhi të lashtë..."Një djalë për vjedhjet dhe krimet e panumërta që kishte bërë, e dënuan me varje në litar. Para se ta ekzekutonin e pyetën:
   -Cila është fjala jote e fundit si pendesë apo falje para Zotit dhe drejtësisë?
   -A mund t'ia them nënës? Mundësisht afër, se dua faljen e saj.
   -Patjetër...,-  dhe ekzekutorët ia plotësuan dëshirën.
    E ëma iu afrua me lotë në sy duke i thënë:
   -E shikon se çfarë i bëre vetes dhe mua? Më le me duar në gji...Gjithësesi, ti je im bir.
  -Nënë, ti ke qenë dhe je avokatja dhe gjykatsja ime. Gjuha jote më lëvdoi se isha "djalë i mirë kur unë gënjeja dhe bëja prapësira.. Gjuha jote, jo vetëm nuk më dënoi për gabimet që bëja, por më rrihje krahët duke thënë: "ËœJa kështu e kam dashur tim bir'. Ishte gjuha jote që i pranonte si trimëri gjithë krimet dhe vjedhjet që kam bërë. Ndaj afrohu këtu pranë që ta shoh se çfarë lloje gjuhe ke, si një nënë që ka detyra dhe përgjegjësi ndaj fëmijës.
Ajo u afrua dhe e nxori gjuhën, kurse ai ia kafshoi aq fort sa iu pre mespërmes,"-kjo është fabula e jetës së çdo fëmije.
   -Nuk e pranoj. Ne të rritëm me gjithë të mirat, kurse ti, more rrugën e të paudhit.
   -Prej jetës sime të vështirë e të turpshme, ku shita virtytet me të cilat mburret çdo njeri, fitova përvojë dhe dije. Mungesa e gjatë e të qenit nënë e kujdesshme, më bëri t'i njoh mirë detyrat dhe përgjegjësitë e prindit. Madje di dhe si e kur edukohet për së mbari një fëmijë.
   Oh, nënë! Lindja e një fëmije është e njëjta gjë si lindja e alfabetit. Nëse ky i fundit është krahasuar me një nga çelësat e historisë së njerëzimit, sepse alfabeti  është kodi i çdo gjuhe që flitet në rruzullin tokësor, si dhe një nga veçoritë themelore të kombit. Kurse fëmija ngjason me mistikën e shkronjës fillestare, pra është bërthama nga ku nis gjeneza. Në këtë rast ka shumë mundësi që arsyeja nuk ka ndonjë domethënie të veçantë, pasi fjalët që fillojnë me të njëjtën shkronjë mbështillen nga diçka karakteristike, nga një lloj misteri të cilat i bashkon vetëm shkronja e parë. Pra edhe fëmijët e ndryshëm të një komuniteti, i bashkon të qenit njerëz, por ata i ndan nga njëri- tjetri, geni dhe kultura e trashëguar dhe e fituar.
   Nënë, shpesh thuhet se"nga ferra mbin trëndafili dhe nga trëndafili mbin ferra." Edhe në këtë rast arsyeja nuk ka ndonjë domethënie të veçantë. Për saktësimin e plotë të alfabetit është dashur shumë kohë që ai të plotësohej për të realizuar marrëdhëniet gjuhësore mes njerëzve të një race. Shumë kohë duhet edhe për edukimin e një fëmije, i cili nis me ngjizjen e tij. Pra qysh në embrion, nis edukimi i çdo krijese humane. Ç' bëre ti nënë për të më edukuar me një karakter të fortë, të çiltër e të qëndrueshëm? Mbaj mend se më ke plotësuar të gjitha dëshirat, edhe atëherë kur nuk duhej dhe kur nuk ta mbante xhepi, bëje të pamundurën që të ma plotësoje tekën time prej fëmije e më pas prej adoleshenteje. Plotësimi i tekave të mia të panevojshme, lëshimet apo anashkalimet me vend e pavend, ja ku më çuan. Deri dje isha një vejushë e shpërfillur, për të cilën mungonte respekti i të tjerëve. Mos vallë të gjitha gabimet e fajet bien mbi mua? Po ti, ti, moj nënë nuk ke asnjë gabim ndaj meje?
   -Mendoj se kam qenë nënë e mirë. Jam munduar që të mos mungonte asgjë. Nuk doja të ishe nën shoqet e tua...
   -Sedra e sëmurë prej nëne egoiste, e ushqeu egon time duke më shndërruar në një tjetër njeri. Nuk kam dashur kurrë që të jem ajo që u transformova. Ironia e fatit më rrëzoi për tokë, porse loja e mëkatit më mësoi se si të ringrihem. Veçse jeta ime kurrë s'ka për të qenë si më parë... Jeta e tim biri ka për të qenë ndryshe, nënë,- dhe
 u kthye andej nga erdhi.
  "Po shkove në dasmë apo nëse ulesh në një tryezë pa ftuar, e gjen pa shtruar...!" ishin fjalët që i drejtoi Arlindit, i cili bashkë me Jonidin po e prisnin në ankth                                                     
   -Veçse nuk duhet të harroj kurrë dhe herëpashere duhet ta pyes ndërgjegjen: "Ku isha unë kur ti më kërkoje ndihmë, biri im?!Tani që e njoha botën laramane, çdo çast do të marrë frymë vetëm për ty, shpirt...!"  
  Menjëherë sa u kthyen në Itali, përmes lotëve dhe dënesave të dhembjes, ajo nisi t'i tregojë Jonidit gjithë të vërtetën e saj të hidhur si vreri.
   -Biri im, je ende i vogël, por pas disa vitesh, pasi ta njohësh jetën, ke për të më kuptuar.  Nuk dua të mbash anën time, pasi unë kam fajet e mia, por dua të gjykosh sa më drejtë. Ky mesazh vlen për gjithë ato femra që patën fatin e madh të bëhen nëna e që në raste apo rrethana të veçanta kanë harruar se ndjenjat dhe dashuria e nënës për fëmijën qëndrojnë mbi gjithçka. Askush nuk e përcakton dot mrekullinë e madhështinë që bëjnë ato lidhje të padukshme e të forta biologjike e shpirtërore që ekzistojnë mes nënës dhe birit apo bijës së saj. Nuk di nëse ndonjë ditë do t'mi falësh mëkatet, Jonidi im!"- ndërsa belbëzonte e përhumbur, zëri i ëmbël dhe i munguar i të birit, e ktheu në botën reale. E rrëmbeu në krah,e shtrëngoi fort në gji dhe lotët e ndjesës para fëmijës, rrokulliseshin mbi flokët e tij.
  -Ti...,vetëm ti je nëna ime! Mami, të dua më shumë se çdo gjë në botë!
  -Faleminderit bir, djali im i ëmbël, Jonidi im trim! Deri tani kam qenë ende e burgosur, por këto fjalë që dolën nga shpirti yt i pafajshëm, sot më bëjnë të ndihem e lirë.
   Arlindi që kishte hyrë pa ndjerë në dhomë, e dëgjoi gjithë bisedën e tyre.
   -E dashur, i the gjë Jonidit?
   -Çfarë?! -pyeti djali i shqetësuar.
   -Thuaja më mirë ti, pasi fal teje jemi bashkë sot dhe ...
   -Djalosh, e di që do të bëhesh me një motër apo me një vëlla të vogël?
   -Jam i lumtur, sepse një bebe do ta qetësojë mamin tim. Pastaj është bukur të bëhemi katër peresona, se kështu ne jemi pak. Arlind, unë e di që më do shumë, por edhe ti ke nevojë të kesh një fëmijë nga gjaku yt.
    -Jonid, nuk të kam bir në gjak, por të dua me shpirt. Të dy ju do të jeni fëmijët e mi të pandarë, që do t'ju dua si dritën e diellit dhe si sytë e ballit. Tashmë ne jemi një familje, bir.
  Askush nuk di se sa kohë ata të tre ngelën ashtu të përqafuar. Kaltra ndihej e lumtur, pasi kishte gjetur veten, kurse ata të dy i përkëdhelnin barkun asaj gruaje dhe nëne të rilindur, ku brenda qenies së saj rritej një jetë.
   Edhe pse vonë, gjithsesi është bukur ta vlerësosh jetën.  Është drejtësia hyjnore ajo që cilitdo i jep një mundësi të dytë. Nga çdo përvojë njeriu mëson se kur mbyllet një portë, hapet një tjetër, ndoshta me më shumë dritë dhe me më tepër shpresë. Besoj  se këtë mundësi ta jepë gjetja e rrugës së humbur në udhëkryqet, në të përpjetat dhe të tatëpjetat e jetës.
                      ***




VILHELME VRANA HAXHIRAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
I DASHUR NIP, STUDIO DHE KUJTO!Nga UMBERT ECO (03.06.2015)
F L A M U R Ipoezi në kujtim të heroit Adem JashariNga RRUSTEM GECI (03.05.2015)
BIBLIKEKujtim nga 7 Marsi 1972Prozë poetike nga SKËNDER BUÇPAPAJ (03.05.2015)
POEZITË E MIA KUSHTUAR XHEVAHIR SPAHIUTNga PËRPARIM HYSI (03.05.2015)
KJO ISHTE HISTORIA IME E SHËMTUAR, PËR TË CILËN NUK KËRKOJ SHFAJËSIMVILHELME VRANA HAXHIRAJ, fragmenti X nga romani 'Loja e Mëkatit' (03.03.2015)
DUA TË IKI LARGCikël me poezi nga PËRPARIM HYSI (03.02.2015)
XHEVAHIR SPAHIU MBUSHI 70 VJET - DENJËSISHT NË KRYE TË LETRAVE DHE KULTURËS SHQIPENga ZYLYFTAR HOXHA (03.02.2015)
TË MOS DIGJET NGA HESHTJA JOTEPoemë dashurie nga ADEM ZAPLLUZHA (03.01.2015)
SHKOPINJ HORIZONTESHCikël poetik nga QAZIM D. SHEHU (03.01.2015)
FERRPARAJSAPoezi nga XHEVAHIR SPAHIU(Ribotuar në 70 vjetorin e lindjes së poetit) (03.01.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lartë]