E Enjte, 04.18.2024, 11:30pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
DJEGIA E FANTAZMËS
Parathënia e librit të Vaso Çubrilloviqit 'Shpërngulja e shqiptarëve'
Nga IZET DURAKU

E Enjte, 03.12.2015, 11:08am (GMT+1)


                IZET DURAKU

Duke nisur nga vjeshta e vitit 2014 dhe duke kulmuar në janarin e vitit 2015 pamjet e përditshme të largimit me autobusë të qindra shqiptarëve nga Prishtina u bënë të zakonshme. Brenga u shndrrua në brerje dhe gërryerje. Ky stacion i trishtë nuk ta kujtonte aspak Lëndinën e Lotëve. As Fushën e Korabit. Jo se mungonin njerëzit që me dhimbje përcillnin të dashurit e tyre. Jo, ata qenë të pranishëm.

Por, ikanakët, njerëz të të gjithë profesioneve e shtresave shoqërore ngjanin kaq pak me mërgimtarë të zakonshëm. Djem të rinj, burra në lule të moshës, gra me fëmijë në krahë, me fëmijë përdore, vajza, nxënës shkollash, familje të tëra, trazim i përgjithshëm. Dukej se para ikjes së tyre, kishte marrë arratinë qetësia. Shihej një zbrazje në vështrime, një ankth i pashpjegueshëm, një alarm i pazakontë vërshimi. Të qetë në ditë të tjera, ata që largoheshin shtyheshin e shtypeshin me njëri-tjetrin, bërtisnin, shanin, mallkonin. Sikur kërkonin që një minutë e më parë të zhdukeshin nga ky shesh, të ndaheshin prej përcjellësve të bezdisshëm që ende u kujtonin shtëpitë që braktisën, mbrëmjet e mëngjeset e vendlindjes, prindërit e gjallë apo të vdekur në varreza. Gjyshërit po se po, stërgjyshërit nuk diskutohet.

S'ka mbetur këtu kurgjo, bash kurgjo valla, tha njëri, s'kem asgja, tha tjetri... Kurgja, kurgjaaa, sikur mumronte turma e shurdhuar, e verbuar.

Një varg pyetjesh të rënda u ngritën e mund të ngrihen. Ç'po ngjan në Kosovë, ç'murtajë po i tremb njerëzit e saj? Kaq e rëndë është Liria pas 16 vjetësh të largimit të çizmes ushtarake serbe, kaq e tmerrshme pasiguria, kaq e rëndë varfëria, kaq e plotë mungesa e shpresës? Ku janë shkijet që po i përzenë? Ku shkojnë kështu njerëzit, ku turren kuturu, ku është parajsa që u qenka shfaqur si mirazh? Autobusë janë këto mjete transporti, apo Barka e Noes, ku nuk po i lënë që të hipin?! A mos do të përmbytet vërtet ky vend?!

Pyetjet i bën më të rënda dëshpërimi i të gjithëve, i atyre që marrin botën në sy dhe i atyre që mbeten në stacion për ta vuajtur qëndrimin në Atdhe. Dhe në ato ditë largimesh nuk qenë të paktë ata që kujtuan e rikujtuan karvanet e shumta të ikjes që përsëriten në mënyrë ciklike në forma të ndryshme e nën faktorë të ndryshëm, por që njëlloj po përpiqen ta zbrazin këtë tokë prej tre shekujsh. Po përpiqen ta zbrazin e nuk e zbrazin dot. Në këtë pikë shkulësit e ndejtarët e kqyrin me mëni njëri-tjetrin.

Si dreqin nuk shkulesh, kaq cung i thellë paske qenë?! Mor po, këtu jam den baba den...eee..., klith gjithandej në erë shpirti i Mitrush Kutelit. Ti do të shkulesh e shpërngulesh, do zhdukesh, qërohesh! Fantazma e Vaso Çubrilloviqit i bie rretheqark bisedave, rretheqark sheshit, pandehmave. Vaso Çubrilloviqi?! Hëm, teori konspiracioni. Po, po Çubrilloviqi! Ashtu?! Si shumë larg po shkohet, gjithnjë po gjuajmë larg duke e kërkuar po kaq larg të keqen, veç nëse Vasa ka hyrë brenda nesh e s'e shohim. Qorra po thua? Jo, absolutisht! E shohim që çke me të...

Të gjithë ballkanasit e vjetër besonin se disa njerëz të ligj pas vdekjes së tyre mund të ngriheshin lugat nga varri edhe për të përmbushur dëshirat e parealizuara. Në netët e errta demonët e rizgjuar, ashtu me qefin mbështjellë deri në fund të këmbëve, përfytyroheshin duke u futur dridhmën të gjallëve. Të gjithë kanë frikë. Edhe shqiptarëve u shkojnë të ngjethura. Për ta mposhtur frikën e për t'i qëruar hesapet përfundimisht me fantazmën, sipas etnologjisë, serbët e kishin zakon që ta hapnin varrin duke e nxjerrë që andej në breg trupin e të vdekurit, të cilin e ngulin si dordolec në hu. Rituali përmbyllet duke e djegur të dyshuarin si lugat deri sa shkrumbohet e kthehet në hi.
Këngët epike e lirike, mitet, përrallat e besimet, qarkullojnë lirshëm midis njerëzve e popujve, të cilët nuk ia mbyllin kurrë derën njëri-tjetrit. Edhe kjo bestytni e dikurshme që është e lidhur me frikën e të gjallëve ndaj vdekjes e ndaj të vdekurve në përgjithësi, i është nënshtruar ligjeve të qarkullimit kulturor. Si e tillë ajo është pikasur edhe në disa vise shqiptare.

Zhvarrimi i kufomës, shpimi i saj me hunj dhe djegia, për njeriun e sotëm do të ishin pamje të rënda, të papranueshme, por ritualet nuk mund të gjykohen me syrin e sotëm. Natyrisht ndëshkuesit përmes këtij akti ritual qenë të bindur se kështu do ta digjnin fajtorin e vërtetë. Faqezi në gjallje, i poshtër edhe për së vdekuri. Ata që nuk u besojnë demonëve sot kanë të drejtë ta shfaqin mosbesimin, të venë buzën në gaz, po askujt nuk është e udhës që t'i shkojë në mendje për të përbuzur besimet e hershme.
Po përse u dashka të kujtohet Vaso Çubrilloviqi? A mund të gabohet, kur e fajësojnë edhe për largimet e sotme të shqiptarëve nga atdheu i tyre? Edhe mundet të gabohet. Gabimet janë njerëzore. Hamendja ngrihet zakonisht mbi paragjykimin, por dyshimi ndaj tij mund të konsiderohet i arsyetuar për shkak të ekzistencës e gjetjes së një vepre të shkruar, dy dokumenteve të fshehta që kanë dalë në dritë nga hapja e arkivave sekrete. Njëri prej projekteve të tij ruhej në arkivin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë federale jugosllave. Sekret ushtarak!

Vullnetarisht apo i ngarkuar nga Qeveria e shtetit të tij, Çubrilloviqi ka hartuar platformat për shfarosjen, zhdukjen nga faqja e dheut të popullit shqiptar, që i ra për hise të përfshihet përdhunisht edhe nga vullneti i Fuqive të Mëdha të kohës, brenda asaj shtëpie të përbashkët popujsh që u quajt Jugosllavi. Një emërtim i tillë i shtetit, si bashkësi e sllavëve të jugut, shqiptarët i linte pas dere, po autori nuk ka faj për këtë emër.

Ai nuk mund të shfajësohet për projektet që ka nënshkruar, ku ka gjetur rrugët, mjetet, mënyrat, taktikat e shpërnguljes së shpejtë e të menjëhershme të shqiptarëve përmes metodave të luftës speciale duke ua ngritur mendjen njerzve, duke krijuar psikozën e përgjithshme të shpërnguljes. Familje, fshatra të tërë njëherësh, krahina të tëra, duke u siguruar mjete udhëtimi falas nga agjensi të mëdha udhëtimi, duke u caktuar trena deri në Selanik, anije për në Azi. Vetëm të boshatisen sa më parë, sa më shpejt!

Disa gjëra është mirë të mos kujtohen asnjëherë. Sidomos të këqia të kësaj natyre duhet të vihen në karantinë si murtaja. Mosdija e harresa e qëllimshme natyrisht nuk e shmangin përsëritjen e katastrofës. Liria e Kosovës është një realitet i njohur botërisht nga 108 shtete që përbëjnë më shumë se gjysmën e vendeve të Tokës. Ajo gjendet fare pranë pragut, kur sovranitetin e saj ta plotësojë me të drejtën e antarësimit në OKB.
Serbia refuzon ta njohë një realitet të tillë, madje ka artikuluar dëshirën që procesi i lirisë të prapsohet, të zhbëhet. Jo vetëm udhëheqja politike, por edhe një pjesë e turmave serbe, sa herë u jepet rasti, sa herë që yshten, përfshihen nga cikloni i histerisë antishqiptare.

"Vrisni, vrisni shqiptarët!"

Në këto kushte, të kujtosh veprën e Çubrilloviqit do të thotë të mos mbyllësh sytë para së keqes. Prej kësaj kujtese duhet të shqetësohen vetëm adhuruesit e veprës së tij. Të tjerët, pavarësisht nga shija e hidhur e së vërtetës, nuk nuk ka pse të venë alarmin.
Po a u shfaq fantazma e Vaso Çubrilloviqit në Prishtinë, a e përcolli gulçimën e karvaneve dhe tufat e njerëzve deri në kufirin hungarez? Nëse vërtetë fantazma e tij do të shfaqej duke u sjellë në sheshin e stacionit të autobusëve të Prishtinës, fytyra do t'i shndriste nga një ngazëllim habie:
-Shqiptarët po ikërkan vetë, madje paguakan qimet e kokës për një biletë ikjeje. Besoje po deshe, rruga e shpëtimit të tyre na kaloka mespërmes Serbisë. Ç'kohë të bekuara paskan ardhur!
***
Në mënyrë të pashpjegueshme, stuhi të tilla paniku krijohen herë pas here tek shqiptarët. Më kujtohet që në verën e vitit 1998 në vigjiljen e eklipsit, fenomen i njohur natyror, se kush u kujtua të thotë në media, në një televizion të ri, të sapongritur, se nuk është mirë të shikohet dielli në ato çaste me sy të lirë. Se ç'ka një lloj rrezatimi që sjell verbimin. Diçka më të keqe, mbase. Bile është mirë të mos dilet as jashtë. Nuk dihet ç'ndodh nga rreshtimi i planeteve. Doemos duhen mbyllur të vegjlit.

Dhe ndërsa errësimi i dielli të eklipsuar sa vinte e shtohej, sheshet kryesore të Europës: Roma, Parisi, Berlini mbusheshin nga gazi i njerëzve në festë, rrugës e Tiranës po i boshatiste frika. Po rilindte paniku nga kërcënimi në media, prova e fuqisë e së cilës kishte dalë me sukses!

Gjithkush nga brezi i më se dyzet vjeçarëve të sotëm i kujton eksodet biblike të pranverës dhe verës së vitit 1991. Përmasa të jashtëzakonshme, agresivitet i habitshëm. Sikur ta dinin se sa forcë kishin brenda tyre, sikur ta kishin vetëdijen, para turmave shqiptare s'mund të qëndronte gjatë kurrfarë diktature.

Shqipëria rilindi në vitin 1992 (edhe Rilindja do të na vinte si një bekim ciklik pas çdo ndërrimi pushtetesh), por rrugët tona të ikjes nuk u mbyllën Ato u zgjatën në shtigje, monopate, skërka, përrenj e kurrize malesh. Bisha të panumërta kanë shqyer ëndrrat e shuara të dhjetra emigrantëve që nuk e kanë mbërritur kurrë Eldoradon e kërkuar. Dhjetra e qindra të tjerë përfunduan si amfora të kësaj kohe në tabanin e Jonit dhe Adriatikut sa herë që zotat e skafeve dhe jo Posejdoni vrante vetullat. E megjithatë pa u stepur, qindra mijë mbërritën në bregun tjetër.

Prej shtegtimit tonë mësuan të flasin shqip përveç Greqisë edhe Italia, Gjermania, Zvicra, Belgjika, Anglia. Kjo ikje vazhdon edhe sot e kësaj dite, por liberalizimi i vizave po shërben si rërë e mrekullueshme, ku humbasin pa gjurmë largimet e sotme.
Prej një çerek shekulli popullsia e Republikës së Shqipërisë ka hyrë në procesin e rrudhjes së pandalshme. Për shkak të zvoglimit, tash po na shfaqet i frikshëm viti 1968, kur lindi banori i dymiljontë i këtij vëndi. Në regjistrimin e vitit 2001, popullsia e Shqipërisë ishte rreth 3.069.275 banorë, ndërsa 10 vjet më pas, në vitin 2011, popullsia ra në rreth 2.8831.741. Si shkaqe të rënies së popullsisë me 7.7% u përmendën emigracioni në shkallë të gjerë dhe rënia e linshmërisë.

Po sipas Institutit të Statistikave në vitin 2014 kur jashtë vendit u larguan 46000 persona, popullsia e vendit mbeti në nivelin e vitit 2011. Dhe media e vendit, e hapur ndaj spektalit të paguar të sherrit partiak, është e gatshme të çirret pro e kundër shtegtimit të ngjalave dhe për fatin e popujve të Polinezisë se sa për shtimin a pakësimin e popullsisë së vendit. Ndërsa tema e largimeve nga vendi mbetet tabu që mbrohet nga të dy krahët e politikës.

Në vitet 1992-2015, vendi ka njohur një zhvillim të dukshëm ekonomik. Ndonëse tranzicioni nuk është mbyllur, zgjedhjet politike zhvillohen në praninë e një konkurence të fortë të pozitës dhe opozitës që këmbejnë rolet dhe pushtetin me njëra-tjetrën. Sa më shumë shkojmë përpara, ecja i ngjan një rrethrrotullimi ku politika përsërit të njejtat premtime për zgjedhësit dhe të njejtat akuza për kundërshtarin. Vendi vuan gjithnjë sindromën e mitit grek të Sizifit dhe mitit vendas të Rozafës, kur pavarësisht flijimit, kalaja e ndërtuar ditën, vazhdon të rrëzohet natën.

Në qershorin e lirisë në vitin 1999, pas rikthimit në Kosovë të mbi 1 miljon shqiptarëve të dëbuar nga Millosheviçi, Presidenti Klinton deklaroi në Ferizaj: "Ne fituam Luftën, ju fitoni Paqen". Largimi i pushtimit të gjatë ka krijuar mundësinë e një jete krejt tjetër për çdo njeri në Kosovë, zhvillimi e përparimi i së cilës është i prekshëm për të gjithë ata që shohin. Ka mbetur në kujtësën e një brezi shtypja dhe përbuzja kombëtare, poshtrimi dhe arbitrariteti.

Por disa "zakone" të reja ende nuk janë studjuar sa duhet në Kosovë. Krahas përzënies me dhunë në vitet 1950-1960, në vitet e mëvonshme, sidomos pas rënies nga pushteti të ministrit të brendshëm jugosllav, Rankoviqit, emigrimet e lira në vendet perëndimore krijuan në mënyrë graduale një mënyrë jetese larg Kosovës. Me kalimin e viteve dhe dekadave, besimi i mërgimtarëve tek rikthimi në vendlindje, ashtu si dhe ndihmat për familjarët e mbetur atje, u futën në një rrjedhë pakësimi të pandërprerë. Në qytete të veçanta të Zvicrës, Gjermanisë, Greqisë, etj, banorët me origjinë shqiptare tash nuk janë pakicë e papërfillshme. Ekzistenca e kësaj diaspore të fuqishme përbën magnetin e fuqishëm që e tërheq me lakmi jashtë vendit një pjesë të shoqërisë në Kosovë dhe në Shqipëri, që, edhe herë-hërë si turma të nervozuara, i drejtohen emigrimit.

Varfëria do të jetë e pranishme një kohë të gjatë në trojet shqiptare. Barazia me vendet e zhvilluara do të mbetet një perspektivë e kërkuar. Për këtë, krahas shtimit të presionit ndaj politikës që i drejton, ndoshta shqiptarët duhet të mësojnë që ta durojnë varfërinë duke e kapërcyer përmes sakrificave që vijnë nga shumfishimi i vullnetit për punë. Emigracioni nuk e zgjidh varfërinë, por mbetet si shmangie nga përgjegjësia për fatet e vendit.
***
Vaso Çubrilloviqi, njëri prej hartuesve të dy projekteve për shfarosjen e etnisë shqiptare nga trojet e veta prej kohësh gjendet në periferinë e kujtesës së shoqërisë serbe. Edhe platformat e tij të fshehta, "Shpërngulja e shqiptarëve" dhe "Problemi i pakicave kombëtare në Jugosllavinë e re" edhe pse të denoncuara publikisht, ndodhen kotullaç bashkë me autorin në të njejtën gropë harrese. Megjithëse të rrallë, ekzistojnë megjithatë edhe në Serbi zëra që, duke mos u pajtuar me përmbajtjen e tyre, kujtohen të dënojnë praktikat kriminale të së kaluarës ndaj shqiptarëve. Politika zyrtare, ndonëse shfaq vullnetin për të hapur një faqe të re në marrdhëniet shqiptaro-serbe, ngurron ose nuk do të që kërkojë falje për këto krime.

Vaso Çubrilloviqi ka lindur në Bosnje- Hercegovinë më 1897 dhe u bë i njohur në verën e vitit 1914 si njëri prej pjesmarrësve të atentatit vrastar kundër princit Franc Ferdinand të Austrisë, vrasje që shërbeu si pretekst për fillimin e Luftës së Parë Botërore.
Memorandumi i tij "Shpërngulja e Shqiptarëve" (Arnautëve, në origjinal) iu paraqit qeverisë serbe të kryesuar nga Stojadinoviçi më 7 mars 1937dhe shërbeu deri në qershorin e vitit 1999 si platforma kryesore për shpërnguljen e shqiptarëve të Kosovës nga trojet e veta. Me të njejtin zell antishqiptar Vaso Çubrilloviqi i shërbeu monarkisë dhe komunistëve, që morën pushtetin në Jugosllavi pas Luftës II Botërore. Në nëntor të vitit 1944, në prag të përfundimit të Luftës kundër fashizmit, ai i paraqiti udhëheqjes komuniste referatin "Problemi i pakicave kombëtare në Jugosllavinë e re", ku shtron arsyet pse duhet të zgjidhet çeshtja e pakicave në Jugosllavi. Ai i sugjeron udhëheqjes në shtabin e luftës partizane të ndërmarrin një veprim të shpejtë përmes operacioneve ushtarake edhe për spastrimin e menjëhershëm të shqiptarëve nga Rrafshi i Duka-gjinit, nga Kosova dhe Pollogu.

Ndonëse para lufte punoi si këshilltar i Mbretërisë, pas Luftës II Botërore Vaso Çubrilloviqi arriti të bëhej ministër në disa dikastere të Qeverisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve dhe drejtor në Institutin e Ballkanologjisë në Beograd.

Ai vdiq në vitin 1990.

Emri i tij i njohur me dy trajta: Vaso dhe Vasa Çubrilloviq sikur parathoshte statusin e tij të dyzuar: për serbët të konsiderohej (për një farë kohe) si hero, historian, akademik i nderuar etj dhe për shqiptarët, por edhe për hungarezët, gjermanët, boshnjakët, kroatët, etj., pas daljes në dritë të platformave të tij genocidale, të konsiderohet si një monstër e ultë, një turp për vetëdijen njerëzore.

Si dokument historik, "Shpërngulja e shqiptarëve" dëshmon ndër të tjera për veprat kriminale të paramenduara e djallëzore të kastës së sëmurë serbe për shfarosjen e popullit shqiptar. Përmes tij njerëzimi ka rastin të njihet edhe me një shembull tjetër ku pjella e urrejtjes kombëtare me mungesën e plotë të arsyes arrin të shkaktojë tragjedi të panumërta.

Ashtu si infeksionet edhe viruset e urrejtjes kanë aftësinë shkatrrimtare të përhapjes. Tek serbë si Çubrilloviqi mikrobi i fshehtë i urrejtjes ndaj shqiptarëve i kishte mbijetuar pushtimit shekullor osman për të dalë më i gjallëruar në agun e lirisë serbe. Vuk Karaxhiqi, ndër lëvruesit e parë të gjuhës dhe letrave serbe, mbështeti idenë e ekspansionit të tyre sipas motos: "Ku jeton një serb, atje është tokë serbe."

Programi kombëtar për Serbinë e Madhe, i njohur si Narçetarnija u projektua nga politikani Ilia Garashanin, i cili nga viti 1843 deri më 1852 ishte ministër i brendshëm dhe kryeministër i qeverisë serbe. Ky program synonte të ringjallte mbretërinë mesjetare serbe që ishte shpërbërë para se popujt e Ballkanit t'i nënshtroheshin pushtimit osman. Pas humbjes së njohur të koalicionit ballkanik në Fushë Kosovë në vitin 1389, mbretëria serbe u fundos nën vasalitetin e Sulltanit. Në shekullin pasardhës nuk njihet ndonjë rezistencë heroike serbe, por shkëlqeu qëndresa shqiptare, prirë nga Gjergj Kastrioti.

Arsyeja njerëzore mund ta kuptojë mjerimin serb nën pushtimin osman, por jo dhe urrjetjen e tyre ndaj shqiptarëve me të cilët ndanin të njejtën fatkeqësi shtypjeje. Do të ishte e udhës një frymë mirëkuptimi, bashkëpunimi e përkrahjeje midis viktimave të një fati të ngjashëm historik. Përkundrazi në tempuj të mykur të satanizmit serb, bashkë me idetë e çlirimit të tyre kombëtar u kultivuan edhe planet kriminale për shfarosjen e gjithë të tjerëve, që nuk i përkisnin gjakut dhe gjuhës serbe.

E çliruar me përkrahjen e Perandorisë Ruse, Serbia, ende si pashallëk i Beogradit, u hodh në sulm për të mbytur idenë e çlirimit të shqiptarëve dhe të pamundësimit të shtetformimit të tyre. Pas Kongresit të Berlinit, Serbia tashmë e pavarur plotësisht nga Turqia, ia doli të grabisë mijra km2 nga trojet shqiptare në rrethinat e Nishit duke shpërngulur me zjarr e hekur qindra vendbanime shqiptare. Krahinat e Nishit, Toplicës, Vranjës, Prokuples dhe Leskovcit u zbrazën nga shqiptarët.

Terrori dhe dhuna e shtetit të saponjohur ndërkombëtarisht janë tashmë në dritën e fakteve historike. Aso kohe të përkëdhelurit më të rinj të Europës ia dolën të shtrembëronin një pjesë të fakteve. Bie fjala, dhjetra e qindra mijëra banorët e dëbuar nga këto zona nuk u quajtën shqiptarë nga propaganda serbe, por turq të ardhur fill pas pushtimit osman. Disa foto me kolona vajtimtare qerresh e njerëzish, grumbuj familjesh duke ikur nga sytë këmbët arritën të botoheshin në shtypin europuan të kohës, të shoqëruara me diçiturën poshtëruese. "Turqia, ashtu siç hyri, po del nga Europa". Nuk është e vështirë të vërehet pas këtyre fjalëve helmi serb i shpifjes.
***
Në dy projektet e tij Vaso Çubrilloviqi flet vetëm për shqiptarë, për arnautë, madje, ashtu siç na quajnë turqit, si për t'u kujtuar të gjithëve edhe vetes së tij se shqipot duheshin shpërngulur në Turqi, me hir a me pahir, jo në mënyrë të shkallëzuar, por të gjithë njëherësh. Krijimi i Shqipërisë si shtet i pavarur duhet t'i ketë lënë pa gjumë serbët si Çubrilloviqi. Me kërkesa të panumërta pranë fuqive të kohës duke pasur në krah Rusinë (ende shihet si partner strategjik në Beograd), Mbretëria serbe bëri çmos që ky shtet të mos ngrihej. Reparte të ushtrisë së saj, "ngadhnjyese" do të thoshte Vlladan Gjorgjeviqi, pushtuan portet e Durrësit e Shëngjinit dhe mbërritën në brigjet e Vjosës në nëntor të vitit 1912. Shqiptarët duhet të ishin së paku nja 100 vjet nën pushtimin serb dhe nëse do të tregonin aftësi kulturore, mund tu jepej autonomia, shkuante Vlladani. Ekzistenca e Shqipërisë, edhe pse e cunguar, do të ngjallte gjithnjë e më furishëm irredentizmin shqiptar.

Ndërsa flet kudo për shqiptarët në projektin e parë, ai e përmend vetëm 3-4 herë Shqipërinë. Sipas tij duhej lidhur një marrëveshje me Shqipërinë "për t'i pranuar një pjesë të të shpërngulurve tanë" dhe në mungesë të marrëveshjes, ta detyronin Tiranën, qoftë edhe duke e blerë me para, që "të tregojë mirëdashje për shpërnguljet në Turqi". Në projektin e dytë ai këshillon veprime të kujdesshme.

"Me zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve të Serbisë së Vjetër e të Maqedonisë duhet ta pushtojmë edhe etnikisht Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit dhe t'i shmangemi konfliktit me popullin fqinj shqiptarë."

Gjatë eksodit të vitit 1999, edhe shtypit të Tiranës i shkoi goja prapa veshit për të promovuar emrin e ri "kosovar" si kundërvënie ndaj emërtimit shqiptar. Me këtë synim u shfaqën në çdo artikull togfjalëshat "kolonat e kosovarëve, refugjatët kosovar, kampet e kosovarëve, furnizimi i kosovarëve, mirënjohja kosovare, madje edhe sqima e kosovarëve etj" në opozicion me "autoritetet shqiptare, mikpritësit shqiptarë, policia shqiptare" etj etj. Ndërsa të huajt si Klintoni, Demireli, Toni Bleri, etj, nuk thonin kurrë kosovarë, por shqiptarë. Ata e dinin fort mirë se Millosheviçi, duke zbatuar edhe platformën e Çubrilloviqit, e kishte organizuar shpërnguljen e një milionë njerëzve nga Kosova, jo si kosovarë, po si shqiptarë.

Siç duket nga ky presion dëgjohet edhe sot të thuhet qeveria shqiptare, qeveria kosovare, ministri shqiptar, ministri kosovar, etj. Opozicioni kosovar-shqiptar është mbase i dëshirueshëm sot në qarqe të caktuara, (zaten Serbia ka përgatitur shumë platforma antishqiptare), por realisht si krijesë e panatyrshme, thjesht është i paqenë. Kudo që të jenë, edhe të mos duan, shqiptarët identifikohen prej të huajve me emrin e tyre. Madje edhe atëhere, kur në rrethana ende të pasqaruara plotësisht në shekullin XVIII, arbëreshët e ndërruan identitetin e vet nga arbër në shqiptarë, europianët, duke përfshirë pushtuesit turq dhe fqinjët grek e serbë, vazhduan t'i quanin arbërit si dhe më parë me emrin e tyre të vjetër.

Disa "krijues" mediatik të kombit të ri kosovar janë komikë e të dështuar në nismën e tyre. Ata kanë kundër gjithë botën, jo vetëm Vaso Çubrilloviqin që do t'i spastronte pavarësisht qëndrimit të tyre të modifikuar.
***
Lufta Ballkanike, e filluar në tetor të vitit 1912, si një aleancë serbo-bullgare-greke për ta nxjerrë Turqinë nga gadishulli, përfundoi si një kacafytje midis tyre se kush të grabiste e të shqyente më shumë pjesë nga teritoret shqiptare. Rezultatet janë të njohura. Nga katër qendra vilajetesh shqiptare, (Janina, Manastiri, Shkupi dhe Shkodra), vetëm njëra prej tyre, Shkodra, u përfshi brenda kufijve administrativë të Shqipërisë që u njoh ndërkombëtarisht në vitin 1913.

Fqinjët grabitqarë sërish e vajtuan krijimin e këtij shteti të gjymtuar, ku shumica e popullsisë shqiptare bashkë me shumicën e territoreve të tyre mbetën nën thonjtë e grekëve, serbëve e malazezëve. Pas përfundimit të Luftës I Botërore, Mbretëria serbe mbante të pushtuara Dibrën, Lumën, Hasin, Malësitë e Tropojës dhe zona të tjera deri në lumin Drin, duke synuar madje ta shtrinte pushtimin e vet deri në Seman, me gjithfarë aksionesh e prapaskenash politike, diplomatike e ushtarake.

Në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, mbetur jashtë kufijve të shtetit shqiptar, periudha midis dy luftrave botërore u karakterizua nga tirania brutale e mbretërisë jugosllave ndaj shqiptarëve duke u mohuar atyre çdo të drejtë njerëzore e kombëtare. Dhuna e hapur e shoqëruar me vrasje, burgosje, internime dhe dëbime masive u gërshetua me një proces të egër kolonizimi që synonte të ndryshonte me shpejtësi raportet etnike.

Ndonëse gjatë kësaj periudhe u vranë ose u dëbuan nga viset shqiptare qindra mijë njerëz, ndonëse rreth 280 mijë hektarë tokë private iu rrëmbye shqiptarëve, ku u vendosën edhe rreth 15 mijë familje kolonësh sllavë, kryesisht serbë e malazezë, sërish Vaso Çubrilloviqi në platformën e tij "Shpërngulja e shqiptarëve" paraqitet tejet kritik ndaj administratës së qeverisë mbretërore, e cila nuk ia ka dalë t'ua marrë frymën plotësisht shqiptarëve, të cilët "janë një racë e ashpër, e ngulitur mirë, e qëndrueshme dhe pjellore". Madje edhe Cvijiqi sipas tij thoshte se shqiptarët janë raca më ekspansive në Ballkan. Ndaj duke njohur lidhjet e shqiptarëve me vendin e vet, ai propozonte kundër tyre masa akoma më të egra, duke kërkuar me forcë të hiqet çdo maskë e lustër demokratike.

Lidhur me shpërnguljen përfundimtare të shqiptarëve, aksion i ngjashëm me spastrimin që do të fillonte Hitleri kundër hebrejve në Gjermani, ai merrte në konsideratë edhe reagimin e qarqeve më të rëndësishme politike e diplomatike të kohës. Në arenën ndërkombëtare Çubrilloviqi nuk e konsideronte të rrezikshëm reagimin e miqve të Shqipërisë, Italisë dhe Austrisë, por u druhej aleatëve të Mbretërisë jugosllave, Francës dhe Anglisë, të cilët do të viheshin në vështirësi për shkak të brutalitetit të krimeve të hapura ndaj shqiptarëve.

Por, sidoqoftë, ai sërish nuk stepet duke mos ngurruar të nxisë bisedime të hapta me aleatët ku tu thohej copë se zhdukja nga faqja e dheut e shqiptarëve nga një zonë jetike për serbët si ajo përqark maleve të Sharrit, ku përfshinte Rrafshin e Dukagjinit, Kosovën e Pollogun, do të ishte edhe në të mirën e tyre.

" Shpërngulja e shqiptarëve" si projekti i parë i Çubrilloviqit pasonte një varg projektesh të mëparshme serbe, veçanërisht në fushën e kërkimeve dhe publikimeve pseudoshkencore mbi shqiptarët. Projekti i tij antishqiptar është në të njejtën hulli me librin "Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha" të Vlladan Gjorgjeviqit, i cili në vitin 1913 nuk ngurroi ta botojë edhe në gjuhën frënge.

Nisur nga paragjykimi dhe urrejtja e shfrenuar ndaj shqiptarëve, në këtë libër Gjorgjeviqi arrin të shkruajë:
"Shqiptarët nuk janë një komb, por vetëm një përzierje pa një tip të përbashkët, pa gjuhë të unjisuar, pa histori e pa atdhe. Ata nuk mund të konsiderohen si një komb, sepse kombi është një rezultat politik, ndërsa shqiptarët janë akoma në një shkallë kulturore parahistorike dhe nuk kanë as në cilësinë e tyre as në karakterin e tyre aftësi për t'u bërë elemente përbërës të shtetit... Prandaj pavarësia e Shqipërisë ose formimi i një shteti shqiptar më vete është jo vetëm i pamundur, por edhe i rrezikshëm për Ballkanin dhe për Europën mbarë".

Dimitrije Tucoviq, socialdemokrati i njohur serb, duke iu kundërvënë flakë për flakë Vladan Gjorgjeviqit dhe Stojan Protiqit, i cilësonte si kanibale jo thjesht vetëm shprehjet e tilla, por si çnjerëzore e të pashpirt krejt sjelljen politike dhe qëndrimet qeveritare të kohës, të pasqyruara në shtypin e Beogradit.

Ndërsa shkrimtari i njohur kroat Mirosllav Kërlezha, në vitin 1925, duke nderuar Dimitrije Tucoviqin në 11 vjetorin e botimit të veprës së tij "Shqipëria dhe Serbia", pushtetmbajtësit serbë që ushtronin politikë kolonizuese mbi shqiptarët i karakterizon si "pa asnjë gram fantazi". Ai merr në mbro­jtje dinjitetin e popullit shqiptar prej shpifjeve të akademikëve sllavë të gati fil­lim shekullit të shkuar.

"Njëmbëdhjetë vjet pasi është shkruar, sot, libri i Dimitrije Tucoviqit për Shqipërinë, nuk ka humbur asnjë germë nga aktualiteti i vet. Të njëjtin qëndrim negativ, të cilin Ballhausplatz-i dhe zotërinjtë Aehrenthal dhe Berchtold kishin ndaj tërë problemit jugosllav, të njëjtin qëndrim radikal kishte politika e Beogradit, ndaj çësht­jeve shqiptare, si para dhjetë, si para dymbëdhjetë vjetëve, si edhe sot e kësaj dite. Ky është qëndrim mendjelehtë mesjetar i salloneve të rrethuara me ar të Luigjit XV dhe ceremonialit spanjoll, ky është qëndrimi "Divide et Impera", ther e skllavëro, përçaj e sundo, ky është parimi katastrofal i politikës pa kokë dhe të verbër, që logjikisht gjithmonë përfundon me disfatën dhe shpartallimin e atyre që therin, ndajnë e sundojnë".

Ai stigmatizon shtypin shovinist të Beogradit që hungëronte kundër shqiptarëve si njerëz "të pa emër, pa histori, pa letërsi, pa tradita, pa poezi...njerëz me bisht, me bisht të kalit apo të dhisë...bisha të egra me fytyrë njeriu që nuk dinë çka është kripa e për sheqerin kujtojnë se është borë...kjo masë e ngjashme me kafshët duhet kthyer në malet e zeza e të pashkelshme".

Më 1937, kur iu paraqit qeverisë mbretërore të Stojadinoviqit projekti i Çubrilloviqit, Lufta e dytë Botërore ishte në prag. Ankthi i të ardhmes e mundonte edhe autorin e projektit. Mbështetur në statistikat e regjistrimit të shqiptarëve në vitet 1921-1931, ai është tepër i pezmatuar pse përkundër numrit të të vrarëve e të shpërngulurve ata nuk janë pakësuar, përkundrazi. Sipas konstatimeve të tij edhe ndjenja nacionaliste e shqiptarëve nuk është tulatur. Vaso Çubrilloviqi vë kujën:
"As që mund të bëhet fjalë për asimilim të shqiptarëve prej nesh. Përkundrazi duke u mbështetur te Shqipëria, atyre u gjallërohet ndjenja kombëtare dhe nëse nuk i lajmë hesapet me ta në kohën e duhur, për 20 a 30 vjet do të ballafaqohemi me një irredentizëm të egër, shenjat e të cilit duken tashmë dhe prej të cilit medoemos do të vihen në pikëpyetje gjithë viset tona jugore".

Sipas fakteve që jep në referatin e tij, autori qe njohur ndërkohë me praktikat totalitare të sjelljes fashiste dhe komuniste ndaj pakicave kombëtare. Ai dinte praktikën shpërngulëse që ndoqi Stalini me kinezët e koreanët në Lindjen e largme dhe sjelljet çnjerëzore të nazistëve me hebrejtë. Ai parashikonte se nga dëbimi i shqiptarëve mund të alarmohej disi opinioni publik botëror, sidomos në mjediset e financuara nga Italia. Por ai përpiqet që t'i qetësojë autoritetet jugosllave të kohës që do të angazhohen me spastrimin e shqiptarëve.

"Bota e sotme është mësuar edhe me gjëra shumë të këqia dhe ajo është aq e zënë me çeshtjet e përditshme, sa që nuk duhet të shqetësohemi për këtë. Në një kohë kur Gjermania mund të dëbojë mijëra hebrej dhe kur Rusia zhvendosë miliona njerëz nga një pjesë e kontinentit në tjetrën, shpërngulja e disa qindra mijëra shqiptarëve nuk do të bëjë që të plasë një luftë botërore".
***
Platforma e Çubrilloviqit u hartua për të mos u botuar, por për të mbetur e mbyllur në tryezat e punës së burokratëve, kryesisht për të shërbyer si doracak që do të udhëzonte nëpunës shpirtzinj të administratës dhe të aparatit policoro-ushtarak të ngarkuar me çeshtjet e spastrimit të shqiptarëve në terren. Si tekst i tillë, në dallim nga botimet e tjera, ai nuk vuan nga qëndrimet hipokrite serbe që rrenat e veta, sipas Kërlezhës, i konsideronte veprime patriotike në dobi të vendit. Edhe kur përsëritet ndonjë e pavërtetë, ajo nuk është në funksion të demagogjisë apo të mashtrimit shkencor.
Kështu duhet parë edhe rasti i të ashtuquajturës shpërngulje serbe nga Kosova në fund të shekullit XVII dhe kur edhe sipas Çubrilloviqit "në vend të serbëve vendosen malësorë shqiptarë, të cilët nga malet e tyre, zbresin pak e nga pak në fushat pjellore të Metohisë e të Kosovës dhe duke depërtuar në veri shpërndahen përgjatë Moravës jugore e veriore; ata kapërcejnë malet e Sharrit, bien teposhtë nga Pollogu e prej andej, kah Vardari".

Ai nuk ka nevojë të gënjejë, sepse u drejtohet në radhë të parë autoriteteve të veta më të larta shtetërore në qeverinë e Stojadinoviqit dhe pastaj lexuesve të mundshëm, besnikë të shtetit, tek të cilët kjo rrenë u ishte ngulitur si çdo shkollari edhe fillestar përmes teksteve mësimore të historiografisë serbe. Kjo rrenë nuk do t'i prishte kurrfarë pune, përkundrazi shfaqte së pari vullnetin e autorit për t'iu nënshtruar dogmës zyrtare, dhe, së dyti, në përputhje me qëllimet e veta, donte të nxiste edhe më tej dufin e urrejtjes së atyre që do të merrnin në dorë fatin e udhëzimeve të tij kriminale.
Teksti është shkruar me një gjuhë të drejtpërdrejtë me një mungesë thuajse të plotë demagogjie. Në përgjithësi është një gjuhë e zhveshur nga epitetet dhe figurshmëria e dendur. Ngaqë ka dashur të kuptohet deri në fund prej të gjithëve, teksti i projekteve nuk vuan nga përdredhjet shumkuptimshe të frazës. Duke synuar të sqarojë gjithçka me sa më pak lëndë gjuhësore, autori nuk ndalet në zgjatje të panevojshme me paranteza e digresione që nuk i shërbejnë qëllimit të tij.

Nënkuptimet nuk janë të shpeshta. Edhe kur ka të tilla, sa për ta lezetuar frazën, nuk ngurron të japë sqarime të sakta. Projekti i tij është i kthjelltë, i ngjashëm me krimin që kryhet me gjakftohtësi duke parashikuar me detaje çdo rrethanë të mundshme.
Sigurisht që duhet marrë parasysh edhe konteksti kur është shkruar projekti, mentaliteti dhe psikologjia e lexuesve që u drejtohent, por edhe sot e gjithë ditën ky teksti arrin të të trondisë me logjikën kriminale. Nuk është fjala për vrasjen e një njeriu, të një familje apo krahine, por për zhdukjen e një populli të tërë.

Struktura e projektit është e thjeshtë, por e plotësuar. Dëbimi i shqiptarëve, mbetet në çdo frazë si kryefjala e vetme. Pas dëbimit vijnë çeshtjet e kolonizimit me serbë dhe malazezë, problemet ndërkombëtare që lidhen më këtë çeshtje, mënyrat e dëbimit, organizimi i shpërnguljes, ripopullimi dhe teknikat e kolonizimit, mjetet financiare dhe përfundimet e paraqitjes.

Ai e dinte se ushtarakët veçanërisht janë të fiksuar pas hartave që të mos hutohen në terrenin që duhet shpopulluar. Atyre duhet tu japësh urdhra të sakta duke ua përcaktuar radhën dhe përparësitë e punës në qarqet që duhen boshatisur. Pyka shqiptare duhet shkulur me rrënjë, por "më të rëndësishmit për ne sot për sot, nënvizon Çubrilloviqi, janë Peja, Gjakova, Podrimja, Gora, Podgora, Sharri, Istogu e Drenica në veri të maleve të Sharrit, pastaj Dibra e Epërme e të dy Pollogët në jug të këtyre maleve."

Si qarqe kufitare me Shqipërinë ato "duhen boshatisur me çdo kusht".

Në çdo kohë të lexohet ky traktat barbarie, tronditja është e njejtë. Të merret fryma prej pamjeve apokaliptike që të shfaqen pas frazave. Duket e pabesueshme se si mund të shkruhet me një qetësi të tillë kriminale për shfarosjen e një populli. Por Vaso Çubrilloviqi e dinte se vepra e tij nuk do të gjykohej nga publiku i gjërë. As e vriste mendjen se ç'mendonin pacifistët apo qarqet që predikonin mëshirë kristiane.
Ai ka dashur të jetë deri në fund racional me pashpirtësinë e tij. Është i qetë dhe arrogant, i sigurtë se do ia dalë me një popull të pambrojtur. Që e ka të qartë se nuk do t'i duhet kurrë të japë llogari për nxitjet kriminale, që e ka asgjësuar prej kohësh ndërgjegjen e vet. Për më tepër, krimet e ndodhura ndaj shqiptarëve midis dy luftrave botërore dhe krimet më të hershme që nga koha e kryengritjes së parë antiturke të Karagjorgjeviqit duket se e ngazëllejnë dhe i japin zemër autorit. Është i fiksuar sidomos pas fjalëve shfarosje, fshirje e boshatisje.

"Milloshi, Mihajllo, Jovan Ristiqi, nuk patën ministri të veçantë për reformën agrare, as inspektorë agrarë të përgjithshëm, as aparat të kushtueshëm, e megjithatë, ata fshinë jashtë Serbie të huajt duke bërë që ky vend të popullohej nga popullsia e vet".

Në rrethana të tjera, nëse dokumentin do ta përgatiste për të dalë në dritë të diellit, autori mbase nuk do t'i zbulonte disa konsiderata. Duket se ndaj malazezëve nuk mundet ta fsheh përbuzjen e tij. Ata i sheh si krijesa të ngathta, të rrëmbyera, të pakëndshme e arrogante, që urrehen nga popullsitë vendase, por "meqënëse afrohen më shumë me shqiptarët për nga mendësia e temperamenti, ata përbëjnë mjetin më të përshtatshëm për t'i nënshtruar".

I rrëmbyer nga dalldia për t'i qëruar sa më shpejt hesapet me shqiptarët përmes vrasjeve, dënimeve, gjobitjeve, punëve angari, tatimeve të pamëshirshme, grabitjes së arave dhe kullotave, shkatrrimit të avllive, të varrezave etj, Çubrilloviqi shkon më tej në planet e tij kriminale, përmes organizimit të formave të vjetra të çetnikëve midis kolonëve që duhen armatosur.

"Veçanërisht duhet organizuar një dyndje malazezësh, të cilët duhet të vërsulen me furi nga malet e tyre për t'u përplasur në një konflikt masiv me shqiptarët e Metohisë".
***
Dy projektet kriminale të Çubrilloviqit, "Shpërngulja e shqiptarëve" dhe "Problemi i pakicave kombëtare në Jugosllavinë e re", të ngrijnë gjakun. Ndonëse me përmbajtje të rrezikshme, (kot nuk janë mbajtur fshehtas për një kohë të gjatë!), nuk janë thjesht traktate teorike. Ato kanë lënë pasoja të rënda në jetën kombëtare të shqiptarëve.
Edhe pse këto pasoja do të bëhen edhe më të dukshme pas leximit, këto dokumente duhen shqyrtuar në qetësi të plotë. Si materiale që i përkasin historisë, të shkuarës sonë të dhimbshme. Siç duhen lexuar qetësisht gjithë vlerat e ruajtura në arkivat vendase e të huaja. Kështu secili lexues, sipas interesave, kapacitetit të njohurive, formimit kulturor e historik, mund të kuptojë më mirë ngjarjet e së kaluarës dhe të sqarojë detaje që mund t'i ketë pasur të errta. Ankthet nuk i pjell dija. Përkundrazi.
Përmes botimit të këtij libri nuk synohet të nxitet urrejtja midis popujve, por vetëm të dihet çfarë kanë projektuar e realizuar mbi bazën e tyre qarqet shoviniste serbe.

Nga udhëheqja komuniste e Shqipërisë "Shpërngulja e shqiptarëve" duhet të jetë njohur herët, mbase që në momentin kur edhe u zbulua në arkivat sekrete jugosllave. Mëkat që nuk u botua më herët. Megjithëse për shkaqet e mosbotimit nuk ia vlen të flitet, është e vërtetë ndërkohë të thuhet se retorika kundër revizionizmit jugosllav ka qenë e pranishme si përditshmëri pas vitit 1948. Përmes artikujve të shumtë polemizues janë denoncuar madje me vërtetësi edhe krime e ngjarje kriminale në kurriz të shqiptarëve nga të gjitha regjimet jugosllave.

As pas vitit 1981, kur demonstratat e fuqishme në Prishtinë e në të gjitha qendrat e Kosovës i bënë të njohur botës çeshtjen e pazgjidhur shqiptare, nuk u botua në Tiranë ky projekt. As si buletin për përdorim të brendshëm, siç botoheshin shumë fjalime e udhëzime për një rreth njerëzish të besuar.

Një lloj botimi, megjithatë ndodhi. Në vitin 1981 projekti i shaptilografuar pas përkthimit, doli nga zyrat qendrore të udhëheqjes dhe u shpërnda në disa intitucione qendrore e lokale në të gjithë vendin, duke mundësuar leximin e tij në qarqe më të gjera. Që nga ajo kohë emri i Vaso Çubrilloviqit filloi të përmendej gjithnjë e më shpesh.

Midis dosjesh plot pluhur, botuesi, Rexhep Shahu, këtë projekt, të shpërndarë aso kohe e ka gjetur në Prokurorinë e rrethit të Kukësit në vitin 1986. E mori në shtëpi për ta lexuar dhe e ka ruajtur deri tani. Ky variant i "Shpërnguljes së shqiptarëve", në dijeninë tonë, botohet si libër për herë të parë edhe si shenjë nderimi e mirënjohjeje për përkthyesin e panjohur.

Me gjithë shpërndarjen e dokumentit famëkeq, aso kohe, me përjashtim të një pjese të vogël njerëzish që e kishin njohur Kosovën në periudhën e pushtimit fashist 1941-1944, kur ishte nën administratën e qeverisë shqiptare, për pjesën tjetër, që përbënte shumicën dërmuese, Kosova dhe viset tjera ishin një tokë e panjohur.

Nën siglën "Autorë nga Kosova", librat e parë, mjaft të paktë, filluan të botoheshin pas vitit 1970. Kështu të vërtetat e hidhura të dokumentit do të mund të mësoheshin e kuptoheshin plotësisht më vonë, vetëm pas rënies së regjimit komunist.

Të përfshirë në librin "Spastrimi etnik", dy projektet e Vaso Çubrilloviqit u botuan së pari në Kroaci dhe në Francë në vitin 1993. Ky libër erdhi në shqip në vitin 2002.

"Shpërngulja e shqiptarëve" së pari u botua në Prishtinë nga Koha Ditore në vitin 1999. Asokohe pati ardhur një komision faktmbledhës i OKB-së për të dokumentuar krimet serbe.

Nëse përmes dokumenteve të tilla konstatohet se antishqiptarizmi ka shkuar deri në urrejtje ekstreme, mendimi i parë që të vjen në mendje është nevoja urgjente për tu mbrojtur prej tij. Dhe në mungesë të mundësive për të ndërmarrë masa të tjera, që janë të drejta dhe detyrime shtetërore, njohja e së keqes do të ishte një lloj mbrojtjeje fillestare.
IZET DURAKU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KRAH I THYER ZOGU Cikël poetik nga SHQIPONJA AXHAMIMe një hyrje nga poeti REXHEP SHAHU (03.12.2015)
POEZI LIRIKECikël nga PËRPARIM HYSI (03.11.2015)
H E R O I K APoemë për Kryengritjen e 11 Marsit 1981Nga RRUSTEM GECI (03.11.2015)
VAZHDON PO AI REFRENCikël poetik nga ADEM ZAPLLUZHA (03.11.2015)
HIJET E ZEZA TË SË KALUARËSNga EDLIRA DEDJA (03.11.2015)
PARA SE LULET TË SHKONIN NË FARMACICikël poetik nga QAZIM SHEHU (03.10.2015)
NDËRGJEGJA E ZEMRËSEse letrare për poeteshën Irma KurtiNga RRUSTEM GECI (03.10.2015)
PESHA E LIRISE SIPAS ROMANIT “DATA NJËMBËDHJETË” TË MUHARREM KURTITVështrim nga TAHIR BEZHANI (03.09.2015)
KUSHTRIMI I SKANDËRBEUTPoezi nga ERNEST KOLIQI (03.09.2015)
NEW YORK TIMES - PASTERNAKU I TRADHTUAR... (03.08.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]