VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

HOMAZH PËR QERIM UJKANIN
(Pas lajmit të ndarjes nga jeta të QERIM UJKANIT 1937-2015)
Nga PREND BUZHALA

E Premte, 03.13.2015, 08:53am (GMT1)


      QERIM UJKANI e PREND BUZHALA
1.
Sot u dha lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Qerim Ujkani. Qerim Ujkani ishte maestro i fjalës poetike, dhe është shquar si intelektual me prirje të forta të mbrotjtes së të drejtave etnike e sidomos, me përcaktim të fortë properëndimor e me prirje europianizuese të kombit shqiptar.

Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, në Pejë, aty ku lindi, kurse në Beograd studioi shkencat juridike. Një kohë të gjatë punoi redaktor i emisioneve letrare nga proza dhe poezia në Radio Prishtinë. Përpos shkrimeve në poezi e prozë, ai është marrë edhe me përkthime.



Veprat e tij të botuara, sa ishte gjallë, janë:

Hullinat 1963, Përralla e votrës 1964, Tingujt e vendlindjes (vjersha për fëmijë) 1967; Deti ose poema e shqetësueme, "Rilindja" 1968; Pagëzime, "Rilindja" 1969; Antisonete, "Rilindja" 1972; Pasthirmë, "Rilindja" 1974 e ribotuar më 1981; Lartësi toke, "Rilindja" 1979; Gjaku im (vjersha të zgjedhura) "Naim Frashëri", Tiranë 1980; Hije e këputur, "Rilindja", 1982, Dielli që po e krijoj (vjersha të zgjedhura zgjedhja dhe parathënia, Hysni Hoxha), "Rilindja", Prishtinë, 1983; Përrallë erërave, "Rilindja", Prishtinë 1986; Mesjetarë të përjetshëm, "Rozafa", Prishtinë, 1977; Kthimi i ushtarit në shtëpi, "Rozafa", Prishtinë 1997; Mëkatet e errësirës, Lidhja e shkrimtarëve e Kosovës, Prishtinë, 1997; Malli i atdheut, (Antologji e poezisë shqipe me temën e mërgimit, koautor me I. Prokshin) Shoqata për kthimin e të Shpërngulurve në trojet e veta, "Dukagjini", Pejë, 1995; Elegji mëngjesore, "Nositi" Prishtinë, 2009, Qyteti i zi, Prishtinë, 2011. Nga shënimet për autorin, po theksojmë edhe këtë fakt: "U prezantua në antologjitë dhe panoramën e poezisë bashkëkohore shqiptare në gjuhën shqipe, serbokroate dhe disa gjuhë botërore, ndër të cilat në italisht, spanjisht, frëngjisht, polonisht, anglisht etj. Ndërsa në kuadër të "Letërsia e shekujve", vëllimi XXXIII, Milano, u prezantua në mesin e 15 poetëve shqiptarë të të gjitha kohërave. Zgjedhja dhe përkthimi italisht, Namik Resuli."

Vitin që shkoi, në serinë e shkrimeve të mia eseistike të përditshme në rrejtin social, pata bërë shkrimin me ttull "POETI, MAESTRO I URTISË (ÇAST ESEISTIK III, 4), më 4 korrik. Kisha rast që në disa promovime veprash të disa autorëve, të jemi së bashku ligjlrues të kumtesave, kurse në jo pak ngjarje letrare, sidomos të pas luftës, ishim së bashku.
Kam botuar dhe recensione e shkrime për poezinë e tij (në disa medie të shkruara dhe te disa vepra të mia kritiko-letrare). Këtu po jap të plotë esenë e vitit të kaluar:


2.
Poeti është si ai Maestroja i Urtisë që i vë në lëvizje forcat e mbrendshme të njeriut, që e nxit atë të ngrihet lart së mbrendshmi, për ta siguruar ekzistencën shpirtërore. Koha ishte të nisej, të zgjohej në veten e tij. Pa paragjykime. Mbas luftës, i vetmi ngushëllim, është mbushullimi i lirisë, ani se mungojnë më të dashurit; porse tashmë zë fill një luftë tjetër, po ashtu e rëndë, ajo me vetveten apo ajo me mundjen e pikëllimit. Poeti kërkon kikat ku duhet të mbështetet qenia njerëzore dhe, gjithsesi, ajo nacionale e kolektive. Ai kërkon mbështetjen për të mos u rrëxuar. Aty, te lufta për lirië, e gjen këtë pikë të Arkimedit, kurse përsëritja edhe njëherë e Biblës, është dëshmi se qenia kolektive e këtij kombi ka kaluar e kapërcyer mynxyra e luftëra deri te mbijetesa e ngritur në mit.
Te një poezi me titull "Rekuiem për Reçakun" e krijuesit Qerim Ujkani, lexojmë vargun antologjik: " "Heq kapakun e kresë dhe falem para jush", tek e ndriçon luftën nga këndi personal-kolektiv, simbas një skeme mitike-simbolizuese. Modifikimi i kësaj ngjarjeje në lirikë të pastër, i përafrohet amzës mitike-frazeologjike popullore ("me të luejtë kapaku i kresë prej nji të keqeje a ngjarjeje"); personazhet lirikë tashmë janë jashtëkohorë, që iu takojnë përjetësisë, janë personifikim i lirisë, hyjnë në themelet e traditës sonë, duke bërë ndërlidhje me të gjitha kohët. Poeti e ka të qartë, simbas kësaj përvoje indidivuale e kolektive, se luftërat janë vërtet domosdoshmëri historike, që i vë kufi kohës në epoka të vogla e të mëdha, në jetën e një kombi. E te kjo epokë tashmë gjithçka shpërndërrohet qeniesisht, koha (njerëzit, shoqëria, nacioni), e ndërrojnë imazhin e tyre. Tashmë ai është kthyer në vatrën e dinjitetit të tij hyjnor, prandaj edhe derdh aq e aq potencial gjithëjetësor e gjithëkrijues, gjithëmendor e gjithëshpirtëror. (4 korrik 2014, rishkrim)

12 MARS 2015

PREND BUZHALA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.