VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

QERIM UJKANIT TË LETËRSISË I RREH ZEMRA NË NOKSHIQ TË PLAVËS
Nga RAMIZ LUSHAJ

E Premte, 03.13.2015, 03:54pm (GMT1)


Dje i mbylli sytë breglimasi Qerim Ujkani i Selimajve të Nokshiqit të Plavës. Sot po e merr në gji toka e Prishtinës. Njeriu, poeti, shkrimtari, gazetari e përkthyesi që jetoi me kambë e mend' për 78 vite në tokën shqiptare në mes dy shteteve të sotme: Kosovës (Pejë-Prishtinë) e Malit të Zi (Plavë-Gucisë) iku tue na e lanë për brezat mbi 20 veprat e tij letrare dhe dhimbjen tonë për humbjen e tij fizike. Ai nuk po largohet ashtu në heshtje, megjithëse tana kohnat e deshtën heshtjen e tij të penës në letrat shqipe e ato paneuropiane, euro-atlantike (serbo-kroate, angleze, italiane, spanjolle, frënge, polake, etj.) e të zërit të tij viteshumë në Radio Prishtina. S'ka se si të ndodhin ndryshe, sepse kurrë nuk ka me heshtë fjala e Qerim Ujkanit, as vorret shqiptare të Nokshiqit, as valët me plagë shqiptare të Limit, as malet me histori të Plavë-Gucisë.

Kurrnji rresht nuk do e kisha shkruejt për Qerim Ujkanin e Plavë-Gucisë edhe sikur të ishte nji Homer i Dytë apo një Fishta i ri, në se në librat e tij nuk do të kisha hasë krijime për vendlindjen e vet, ku i lindën të parët, ku i ka ëndrrat e krenarinë, vorret, mallin e dhimbjet, plagët e lulet... Në tufalakimet e krijimtarisë së tij pasardhësi genetik i Selim Nokës na e ka lanë edhe nji poezi për votrën e vet të gjakut breznik. E ka dhe nji kangë për Nokshiqin flamurtar i martirizuar, për nokshiqasit luftëtarë të përjetshëm, trima të flaktë e të heshtur, për realitetin e luftërave, sakrificave e sfidave të trollit të vet të Nokshajve. Nga gurra e tij poetike po e marrë vec nji met poetik:

...Me nuse veç një natë e bënin,
Darkën s'arrinin ta hanin,
Gotën e linin përgjysmë.
E merrnin fushën,
E merrnin malin.

Se dikush prekte tokën,
Me shpatë në dorë
Prente vatanin.
Nëpër flakë e tym
Shkonin syrgjyn...

E kam istikamë shpesh herë faktin historik se Lufta e Nokshiqit, dy betejat heroike në kapërcyell të dy viteve ngjitas, 1879 e 1880, janë një nga majemalet e Historisë Kombëtare Shqiptare, kur shqiptarët e bashkuar me Flamurin Kombëtar Shqiptar prijtar luftuan për herë të parë përballë 7 perandorive ma të mëdha të kohës, thyen vendimet e Kongresit të Berlinit e dolën fitues përkohor. Në koft se trimnia ka një kut e kumt matës atëherit vendi e koha janë në Luftën e Nokshiqit të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. E tjetra, shumë e randësishme e që pak e pranojmë në realitet, është fakti që Lufta e Nokshiqit 1879-1880 ishte Parathënia e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorën e 1912-tës. Cdo nokshiqas e plavë-gucias, këta njerëz të nderuar, kudo që t'i takoni nëpër trevat shqiptare e udhët e mërgimit të detyruar nderojini dhe një herë ma shumë për kit' nder të madh kombëtar.

Nokshiqasit nuk janë vetëm të pushkës, trima të luftnave. Ata janë dhe të penës. Ata nuk kanë vetëm armë e fishekë, po edhe libra. Atyne në cdo kohë e moshë iu lulojnë plagët e librat. Ata kanë hy' në panteonin e historisë. Po kanë mbetë dhe në panteonin e letërsisë. Njani prej tyne është dhe akademiku, poeti, shkrimtari, përkthyesi, historiani Esad Mekuli, i lindur skej liqenit të Plavës, jetërritë në Prishtinë. Ky ishte kryetari i parë i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës. I pari kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Ka botue gjithato libra e ka emnin në shumë botime antologjike shqiptare e të huaja. Duket se këta Mekulët e Nokshiqit e kanë për gen të vetin letërsinë, pasi e kanë nxjerrë dhe një tjetër figurë të madhe të letrave shqipe.

Hasan Mekuli i thonë. Ishte pedagog, poet, kritik letrar, studiues i letërsisë, përkthyes, publicist. Edhe ky arriti të jetë kryetar i Shkrimtarëve të Kosovës. Hasan Mekuli e ka pasë penën e jetën me trimni se ishte i nokshiqas, ishte nga Plavë-Gucia e historive me lavdi. Aty, kah viti 1972, kur autoritetet e kohës nuk deshtën me e njoft' Universitetin Shqiptar të Prishtinës, në nji mbledhje politike në Beograd, u ngrit e foli haptas, shigjetoi, kryeneltësoi: "Unë dij t'i mbathi opingat kaçake, ende i ruaj në tavane kullash...". E njof dhe një tjetër nokshiqas, i derës së Bali Bajramit, që nuk e ka famën letrare të këtyne dy mekulasve të vllaznisë së tij, po madhështia e tij hijeshon tek fakti se 90 vjecar e ka botue vjet, më 2014, nji libër poetik krejt të vecantë me nji titull simbolik, domethanës; "Gurë të ngulun në Nokshiq". Ju këndon zemra poetike nokshiqasve në cdo kohë e në cdo moshë. Po nga mekulët e Nokshiqit kemi dhe gazetarë. Dy prej tyne. Gëzim Mekuli që ka krye tri universitete në tri shtete e tashti jetnon në Oslo të Norvegjisë e ka botue libra. Është dhe Drilona Nokshiqi në Radio Tirana në Shqipëri.

Qerim Ujkani ynë ka dalë nga truall poetik, letrar, me male e lumenj letrarë, me lisa letrarë. Nuk është rast i vetëm. Shembull i vecuar. Ua thashë kryehere. Pra, dhe Selimajt e Nokshiqit e kanë poetin e vet, shkrimtarin e vet, gazetarin e vet, Qerimin, një nga shtatë djemtë e Ujkan Hasanit të Hasan Bardhi Selimajt. Këta e kanë lëshue visin e vet prej hercekurit. Me sa di në të thanuna e hulumtime, diku aty nji dekadë pas Luftës së Nokshiqit, u shpërngulën e ranë në Pejë, ku leu dhe Qerimi i letërsisë shqipe. Jetuan në Kosovë, po dhe Nokshiqi e Plavë-Gucia jetuan në shpirtin e hapat e tyne, në zërin e penën e Qerim Ujkanit. Ky poet, shkrimtar, përkthyes, publicist është nga vllaznia e Selimajve të veprimtarit kombëtar shqiptar, biznesmenit humanist Bruno Selimajt me vllazën, të Alex Selimaj ish president i Fondacionit Plavë-Guci në Nju Jork, etj.
Në koft se dikush don me ditë ma shumë e ma mirë për Qerim Ujkanin e Selimajve të Nokshiqit e të Plavë-Gucisë le t'i hapin fletët e librave të tij, E thashë ma nelt, janë mbi 20 të tillë, pa fol për përkthimet, për botimet antologjike, etj. Për me ia njoft penën e shpirtit e madhështinë e veprave të tij po i ceki vetëm titujt e disa librave me poezi e në prozë, të cilët flasin shumë ma tepër se fjalët e mia për Qerim Ujkanin. Gotëzoni e meditoni me titujt: "Tingujt e vendlindjes" (1967), "Përralla e votrës" (1964), "Deti ose poema e shqetësueme" (1968), "Pasthirrmë" (1974, 1981), "Lartësi toke" (1979), "Gjaku im" (1980), "Hije e këputur" (1982), "Dielli që po krijoj" (1983), "Mesjetarë të përjetshëm" (1977), "Mëkatet e errësirës" (1997), "Malli i Atdheut" (1995), "Qyteti i zi" (2011), etj. Qerim Ujkani në një antologji "Letërsia e shekujve" (Vëllimi XXXIII), prezantuar në Itali (Milano) hyn në mesin e 15 poetëve shqiptarë të të gjitha kohërave. Qerim Ujkani, prej hejcekurit, dhe prej sodit të ndarjes apo ikjes të tij fizike, ka hyrë e mbet' dhe në antologjinë historike e letrare të Nokshiqit e të Plavë-Gucisë, të Shqiptarisë.

Tiranë, 13 mars 2015

RAMIZ LUSHAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.