VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

E KUJTOJ ME MALL E PIKËLLIM QERIM UJKANIN
Nga FARUK TASHOLLI

E Premte, 03.13.2015, 07:07pm (GMT1)



Sot paska vdekur poeti Qerim Ujkani, moment ky që si kumt sjell pikëllimin, ndërsa të rikthen ta kujtosh gjatë. Në lagjen e vogël të shkrimtarëve të Kosovës, atë e kisha mik të mirë dhe koleg pune, ani që disa vite diferencë në moshë na hynin në mes. Bisedat e gjata, jo vetëm në byffenë e Radio Prishtinës, ku punonim bashkë, na bënim sikur të ishim "qingja të një pranvere", pasi konvergjimi në mendime dhe pikëpamje për jetën, për artin, për fatin e kombit, po edhe për politikën na lidhnin pothuaj në një pikë. Qerim Ujkani, ashtu si ishte pedant në jetë, ishte pedant edhe në poezi. Kujtimet për të janë të gjata në mbamendjen time.

Rrëfimet nga jeta, përvojat e punës, të studimeve, të atmosferës letare etj, përbëjnë një mozaik të gjerë. Ai më bëri t'i mësoj shumë histori të pashkruara. Ishte i këndshëm në rrëfime, në shpalimin e anekdotave jetësore, madje me një humor të lehtë dhe të hollë njëkohësisht. Sa me dhembje, nata e sontme m'u shndërrua në kujtime nga jeta me Qerimin që për disa vite, kafenë e mëngjesit, e pinim bashkë në katin e nëntë të Radio Prishtinës, aty ku ishte byffeja dhe prapë zbrisnim në katin e pestë ku e kishim zyrën e punës, vazhdimisht duke biseduar për qindra tema të jetës, gjithmonë me zemër të hapur. E kujtoj më mall e pikëllim në këto çaste, duke ngushëlluar familjen e tij, miqtë e përbashkët që kishim dhe natyrisht, kolegët e shtrenjtë të Radio Prishtinës, që bashkërisht për një ditë u dëbuam nga puna nën tytat e pushkëve të policisë serbe, tash e 25 vjet më parë. Qoftë i pavdekshëm kujtimi pë Qerimin!
FARUK TASHOLLI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.