VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - FAN NOLI - FIGURA FAUSTIANE E POPULLIT SHQIPTARNga SKËNDER LUARASI

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 12:36am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
FAN NOLI - FIGURA FAUSTIANE E POPULLIT SHQIPTAR
Nga SKËNDER LUARASI

E Djelë, 03.15.2015, 09:11am (GMT+1)


  SKËNDER LUARASI

Kombi shqiptar përkujton 50-vjetorin e ndarjes nga jeta të personalitetit të shquar Fan S.Noli (6. 1. 1882-13.3. 1965) që në veprimtarinë e tij atdhetare, klerikale, kulturore e letrare u njoh dhe bashkëpunoi edhe me Petro Nini Luarasin dhe bijtë e tij Dhimitrin dhe Skënderin.

Në kryeveprën e Gëtes, "˜'Fausti'', shqipëruesi Skënder Luarasi shkroi: "˜'Ky përkthim i blatohet Fan Stilian Nolit, figurës faustiane të popullit shqiptar'' duke argumentuar se "˜'gjithë jetën e tij ai kërkoi të vërtetën dhe rrojti, punoi e luftoi për ta gjetuar atë. Përpjekja e Nolit identifikohet me përpjekjen e Faustit''.

Në këtë rast jubilar po publikojmë disa fragmente nga kujtimet e Skënder Luarasit për udhëheqësin dhe mikun e tij të adhuruar Fan S.Noli.

Ismail Qemali, Isa Boletini e Fan Noli

Muaji janar i fali mëmëdheut tonë tre nga më të mëdhenjtë rilindas që patën fatin e bardhë të rrojnë sa ta shohin Shqipërinë të lirë e të pavarur dhe punën e tyre patriotike të kurorëzuar me sukses. Këta janë Ismail Qemali, i cili e blatoi emrin e tij përjetësisht në faqen e parë të Historisë së Shqipërisë së Re; Isa Boletini, i cili me luftën e tij për çlirimin prej zgjedhës turke e bëri emrin e Shqipërisë të dëgjohej me respekt nga gjithë bota dhe Fan S.Noli, i cili u bë një nga shprehësit më të fuqishëm të mendimit të rilindasve tanë dhe i dëshirave më përparimtare të popullit shqiptar.

Dy nga këta bij të nderuar të kombit tonë, Ismail Qemalin dhe Fan Nolin, kam patur fatin e madh t'i shoh për së afërmi dhe t'u dëgjoj këshillat atdhetare që më kanë ndihmuar edhe mua në çaste të vështira të jetës...

Kur në restorantin e hotelit ''Liria'' në Manastir, ndër delegatët e Kongresit të Dytë të Manastirit, Dervish Hima fliste me fjalë lavdërimi për Ismail Qemalin, Hysni Curri për Isa Boletinin dhe Petro Nini Luarasi për Fan Nolin, unë nëntë vjeçari që sapo pata dalë nga spitali dhe babai atje më shpinte për drekë, harroja të haja edhe bakllavanë tek mbaja vesh e shihja me sytë e mendjes viganët Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Fan Noli tek suleshin drejt atdheut shqiptar që t'i jepnin dorën Nënës Shqipëri ta çlironin prej robërisë...

Të tre shqiptarët e mëdhenj vdiqën në mërgim: Isa Buletini vdiq 52 vjeç, më 23 janar 1916, i vrarë në Podgoricë me tradhëti. Ismail Qemali vdiq 75 vjeç më 24 janar 1919, i tradhëtuar në Peruxhia. Fan Noli vdiq 82 vjeç, larg atdheut i dërrmuar nga mundimet e 41 vjetëve në arrati. Ai është ndërlidhësi i dy epokave kombëtare.

(Shënim: Skënder Luarasit përgatiti për botim monografi për të tre këta kolosë të kombit shqiptar. Arriti të botonte "˜'Ismail Qemalin'' (1962) dhe "˜'Isa Boletinin''(1970) por "˜'Fan Nolin'' jo! Në regjistrin e arkivit të Institutit të Histori-Gjuhësisë gjendet shënimi se S.Luarasi dorëzoi një material mbi 100 faqe për Fan Nolin, që "˜'nuk gjendet''?!)

Masakra e Negovanit dhe Fan Noli

Më 12 shkurt 1905 ndodhi masakra e Negovanit dhe therrja e Papa Kristo Harallambit pikëlloi gjithë atdhetarët shqiptarë. Vetë malet buçitën:''Merrni gjaknë!'' Porse gjaku i të parit prift shqiptar nuk shpaguhej as me gjak të dhespotërve të kishës bizantine, ndaj duhej një kryqëzatë kombëtare kundër terrorit të klerit shovinist dhe tiranisë së sulltanit të Stambollit. Këtë kryqëzatë e nisi Fan S. Noli, njëzetvjeçar, kur më 8 mars 1908 veshi rason e Papa Kristo Negovanit. Dorëzimi prift i Fan Nolit ndodhi në Nju Jork, porse lajmi i gëzuar u përhap me shpejtësi rrufeje nëpër gjithë Shqipërinë. Fytyra e patriotit nga Qyteza e Edrenesë u publikua dhe shpejt u bë ndër më të njohurat, më të dashurat e më të nderuarat e Rilindjes shqiptare.

Mbresa nga Fan Noli


Fan Nolin e kam parë me sytë e ballit dhe dëgjuar për të parën herë, nja katër vjet më vonë, në një miting kombëtar të thirrur nga shoqëria shqiptare "˜'Vatra'' në Boston Mass. Aty mori fjalën ndër të huajt edhe George Fred Williams, personalitet impozant, i cili më 1914 humbi postin e ambasadorit amerikan në Athinë se pati protestuar për masakrat e ushtrisë greke në Toskëri. Një pesëmbëdhjetëvjeçar si unë në atë kohë, që akoma s'ka as përvojën, as kulturën e duhur për të çmuar vlerat morale dhe mendore të njerëzve të shquar, impresionohet përgjithësisht prej së jashtmes së një personaliteti. Fan Noli, emrin dhe famën e të cilit e kishin njohur gjithë patriotët shqiptarë që më 1908, qe disi shtatshkurtër. Kur e mori fjalën në atë miting, unë në fillim pësova një farë zhgënjimi sepse prisja të shoh diçka madhështore në të. Veçse në atë trup mesatar po të lidhur fort mirë, të binte në sy tipari i tij imperativ, sidomos kur fliste.

Dhe si fliste Fan Noli?

Me ne të rinjtë nga mosha që e vizitonim në qendrën e "˜Vatrës'' për të nxënë prej udhëheqësit rolin dhe vrullin e asaj shoqërie, Fan Noli fliste me zërin e një prindi të dashur e të mirë, ashtu si fliste me punëtorët, veprimtarët e sinqertë, sidomos me anëtarët e shoqërisë panshqiptare "˜'Vatra''. Me kokëfortët, me ata që as shohin, as dëgjojnë, Fan Nolit i pëlqente si për sport, ta amelzonte bisedën me lloj-lloj bulmesa të ironisë së tij të njohur. Porse kundër armiqve të tij politikë Fan Noli derdhte sarkazmën e tij therrëse. Këtë mënyrë të foluri do t'ia kenë ndjerë fort edhe përfaqësuesit e shteteve fqinj armiq të vendit tonë, asaj dite dhjetori 1920, kur i detyroi të njihnin edhe Shqipërinë anëtare të Lidhjes së Kombeve, por edhe katër vjet më vonë, pikërisht në atë shoqëri kombesh, kur si në pasqyrë u tregoi politikanëve të fuqive të mëdha se ç'fytyrë kishin.
Fan Noli qe i fortë në fjalën e tij kur e kapte zemërimi ndaj shkelësve të parimeve të tij socialiste.

Nga jeta patriarkale e ngushtë Fan Noli u shkëput shpejt dhe me vetëdije kapërceu nacionalizmin borgjez duke u bërë përfaqësuesi më i shquar në Shqipëri për idealin e lartë internacionalist.

Fan Noli e nisi karierën e tij si aktor dhe si i tillë kish një forcë retorike që e gjeje në bashkatdhetarin e tij Aleksandër Moisiu. Por unë këtu s'kam qëllim të tregoj për zotësinë që natyra dhe shkolla i patën dhuruar Fan Nolit. Gjeninë e tij si shkrimtar dhe njeri të artit e të kulturës ia kanë shpallur botës autorë me famë universale si Bernard Shou dhe Tomas Man dhe sa e sa profesorë, kompozitorë, biografë, historianë nga më të përmendurit në Amerikë e në Europë.

Takime me Fan Nolin

Unë dua të përmend këtu disa reminishenca që më kanë mbetur nga takimet e mia me këtë atdhetar, jo vetëm të madh por edhe të dashur e të mirë.

Përveç nga vizitat në grup që i bënim ne studentët Fan Nolit, në qendrën e "˜'Vatrës'', u poqëm në Shqipëri më 1921 kur ai qe rikthyer nga Gjenova dhe në shoqëri të shumë personaliteteve të kohës po ecte në rrugën e Kalasë ndërsa unë po kaloja në drejtim të kundërt. Më vuri re, e përshëndeta, më dha dorën, të cilën ia putha me respekt. Më tha: '' Shyqyr mirë q'u poqëm në Shqipëri!'' Më pyeti për familjen dhe u ndamë.

(I mjeri imzot Fan Noli! Erdhi në Shqipëri që t'i shërbente Atdheut siç i pati shërbyer përjashta. Po kush iu bë për shok? Nga një situatë e tillë do të lindte proverbi shqip: ''Po re me qena, ngrihesh me pleshta''
Ironia historike është e tmerrshme për këtë intelektual të dorës së parë. Rrethanat e shëmtuara e bënë të sillet edhe në mënyrë "˜'jo të pëlqyer'' dhe nën influencën e mendjemëdhenjve dhe të sharlatanëve nisi të flasë dhe shkroi edhe gjëra që e dëmtuan. Marrim për shembull hymnin tallës që i bëri Ahmet Zogut. Ia dhuroi armën e tij malokut, shpatën me dy presa, me të cilën ai e goditi: ''Imzot, e dinja që ishe poet, po jo edhe bejtexhi!'')

Më 1923 u takuam në Vjenë. Ne nja pesë studentë e vizituam në hotelin "˜'Hamerlin''. Na pyeti si vinim në mësime. Dhe kur dikush ia paraqiti Qemal Butkën si student të shkëlqyer, Fan Noli u shpreh: "˜'Ah, që beharin nuk e sjell një lule!'' dhe na këshilloi të studjonim më mirë dhe të interesoheshim më shumë për hallet e popullit që na mbante me bursë...

Malli për trojet kombëtare

Fan Noli zhuritej nga malli për trojet kombëtare.

Vjeshtën e motit 1923, ai e grishi Halil Nesimin nga Qyteza, të cilin e pati njohur më parë në ShBA, ta shoqëronte gjatë udhëtimit elektoral Tiranë- Korçë-Kolonjë-Përmet-Gjirokastër. E pyeti Halilin në Korçë: Ku është Qyteza.

''Do ta shohësh kur të arrijmë Qafën e Qarrit''
iu përgjegj Halili.
 
Dhe kur arritë Qafën e Qarrit: ''Ku është Qyteza?'' e pyeti Fan Noli përsëri.

''Do ta shohësh kur të arrijmë Qafën e dytë të Qarrit''
iu përgjegj Halili duke ia shtuar edhe më kureshtjen. Dhe kur arrinë Qafën e Dytë të Qarrit, dhe Halili i tha shoferit të qëndronte automobilin, dhe zbritën jashtë: ''Ç'bukuri të rrallë që po më shohin sytë!'' klithi Fan Noli duke soditur atë qark të rrethuar malesh që prej Gramozit e gjer përtej Vjosës e Dhëmbelit...

Pa Starjen e Shahin Kolonjës, në fletoren e të cilit ''Drita'' pati shkruar që në rininë e vet artikuj patriotikë me pseudonimin ''Ali Baba Qyteza''; Rehovën e At Naum Cerës me të cilin kishin bashkëpunuar në Amerikë; më poshtë Vodicën e Atë Paisit me të cilin do të bashkëpunonte më vonë për të themeluar kishën autoqefale në Shqipëri. Lark mbi shtatë bregoret në mes t'atij qarku, Halili i tregoi mëhallën e fshatit të Petro Nini Luarasit, (i cili sikundër e thotë Fan Noli në letrën e tij 12.12.59 ''më gatiti udhën këtu'' në ShBA)

''Po ku është Qyteza'?'' pyeti Fan Noli me dëshirë ta shihte sa më parë.

Dhe Halili filloi t'i numërojë fshatrat n'anën e djathtë të asaj krahine të dëgjuar për burra trima dhe patriotë që ia kanë zbardhur faqen atdheut. I tregoi Vithkuqin e Naim Bredhasit, Rehovën e Bajazitit që u vra në Orman Çiflig, në mes të pesë djemve korçarë, në luftë kundër hordhive turke më 17 korrik 1911 dhe Selenicën e Shefko Ilikos, me të cilin Fan Noli pati punuar bashkë në zyrat e faderatës panshqiptare Vatra. Fan Noli dëgjonte; por befas i drejtoi sytë nga mali që quhet ''i zi'' prej ngjyrës që i japin kreshtat dhe mërmëriti për vete: ''Ç'formë fisnike i ka falur Natyra''.

Dhe pastaj me zë të lartë:''Qyteza-ku është Qyteza!''

Dhe Halili: ''Ai fshat më poshtë, n'anën juglindore të Malit të Zi, përkrah Selenicës, është Qyteza''.

''Sa vend i bukur! Sa vend i dashur!'' thirri Fan Noli ngadalë e me theks të fortë, të gëzuar. Pastaj si i rrëmbyer nga një vegim i largët, vazhdoi: ''Lil kur ta kemi shpallur Shqipërinë Republikë, do të ndërtojmë atje një kasolle dhe në behar do të vij të kaloj pushimet! ''

Për fat të keq jo Qytezën, kurrë, por as Shqipërinë nuk e pa më pas dhjetorit 1924, kur u detyrua tok me antarët e qeverisë demokratike të largohet nga Tirana!

Fan Noli e deshi Shqipërinë me mall të madh, sikur të ishin mpiksur në zemrën e tij malli i gjithë atyre paraardhësve të tij që shekuj më parë e kishin lënë Qytezën, vatrën e katërgjyshërve dhe kishin vdekur në Ibrik-Tepe pa arritur të shihnin mëmëdhenë e moçëm.

Lamtumirë Shqipëri

Atë ditë të zezë, kur do të linte Vlorën për në Bari, mblodhi rreth tij edhe vullnetarët e bandës "˜'Vatra'' që vetë i kishte nisur nga Bostoni për të përcjellë luftëtarët shqiptarë triumfalisht në Tepelenë, Korçë e Vlorë dhe u tha: ''Vëllezër e shokë, ju duhet të qëndroni në Atdhe sepse populli ka nevojë për kulturë, për art, për muzikë. Këtë mund dhe duhet t'ia jepni ju këtij populli. Prandaj qëndroni në atdhe, duke punuar për këtë qëllim''.

E përmenda këtë ngjarje sepse edhe vetë u gjenda në një situatë të ngjashme kur qeveria monarkike më preu bursën në Austri. Në qershor 1928, në Vjenë, roja personale e tij më shpuri afër parkun Schënbrun, ku u takova me Fan Nolin. I shfaqa pesimizmin që më kishte kapur dhe se do i shkruaja tim vëllai, Dhimitrit, të më siguronte pasaportën dhe navllon për në Amerikë."˜'Kjo tregon dobësi prej teje'', më tha. "˜'Duhet të kini parasysh mbi të gjitha interesin e vendit, si yt atë"˜'.

Në bisedë e sipër ra fjala për babanë tim (Petro Nini Luarasin) dhe m'u zotua se do të më tregonte ç'mbante mend për të. Kur u ktheva pas pushimeve në Vjenë, roja personale e tij më dorëzoi letrën me adresë Timmandorf, data 21.7.28.

Korespondenca me Fan Nolin

Kur vuaja në kampet e përqëndrimit në Francë, im vëlla Dhimitri më dërgonte nga Amerika të fala nga Imzot Fan Noli.

Më 1945, isha në Marsejë duke pritur riatdhesimin tim, kur im vëlla më dërgoi me anën e bankës së Bordeaux-it njëqind dollarë, me shënimin që të prisja të më vinte pasaporta për të vajtur në ShBA. Vetë Fan Noli qe interesuar për të vajtur atje dhe të punoja me të. Por sapo mora vizën nxitova të kthehem në atdhe. Avisën e bankës ia dhashë Vasil Gërmenjit që t'ia kthente bankës me shënimin ''ikur në Shqipëri'' dhe t'i shkruante tim vëllai...

Më 21 tetor 1948, nga Bostoni më dërgoi një letër në të cilën më shkruante: ''Ju falemnderit për vjershat e Migjenit të cilat i këndova me interes të thellë.''.

Më 1 dhjetor 1959 Imzot Noli më dërgoi "˜Albumin'' me shënimin: "˜'Prof. Skënder Luarasit, Për kujtim miqësie''.

Njëmbëdhjetë ditë më vonë, më 12 dhjetor 1959, më ngushëlloi me fjalë atërore për fatkeqësinë që më gjeti:
"˜'Mësova me hidhërim të thellë që ju paska lënë shëndenë shoqja. Vetë shëndoshë! Ju rruashin fëmija,'' 12/12/59

Dhe në anën e sipërme të letrës, shtesën: "˜'Ditën e Indipendencës fola mbi babanë tuaj Petron që më gatiti udhën këtu.''

Përmes këtyre fjalëve njoha më mirë zemrën e madhe të Fan Nolit.

Më 20 mars 1960 i shkrova një letër ku i shkruaja për çastin e zbulimit të monumentit të Skënderbeut në Krujë, kur më pushtoi malli për këngëtarin e heroit kombëtar.

"˜'I nderuar e i dashur Imzot Noli
Në mes të zisë sime e të fëmijëvet pa nënë mora letrën Tuaj dhe ndjeva në pikëllim e sipër sa e madhe qenka fuqia e ngushëllimit.
Ju, i dashur dhe i respektuar Atë Noli, me simathinë që më rrëfyet për vdekjen e sime shoqe po edhe me dashurinë që shprehni në të njëjtën letër për babanë tim, më dërguat prej shpirtit Tuaj të madh, që nga mërgimi, dy rreze drite, të cilat ma çuarrë mjergullën, më shtuan jetën e ma prunë zemrën m'afër njerëzimit.
Sa e sa herë, kur lexonja bashkë me të mjerën Olgë ndonjë veprën Tuaj, qoftë edhe vetëm shënimin për vëllanë e saj Migjenin, ajo psherëtinte, e si me vete, thosh për Ju: ''Ç'fatkeqësi për letrarët e rinj shqiptarë që nuk u ndodhët pranë t'i këshillonit e ti ndihmonit në ngritjen e kulturës sonë së re!''
Unë vetë në punën mësimore timen ose në përkthimet që më duheshin në shkollë nuk do të kisha bërë dot asnjë çap përpara në lulishten e letravet botërore po të mos ecnja n'udhën e mbarë që na patët sheshuar Ju, i adhuruari Imzot Noli.
Shumë nga miqt e mi të rinj, që nuk Ju njohin veç se nga idealet Tuaj me të cilët janë ushqyer, kur u tregova për letrën Tuaj sa s'deshën të ma rrëmbenin duke thënë: ''A do të kemi fatin ta njohim edhe ne, ta shohim për së gjalli!''
Në Krujë, në çastin kur u zbulua monumenti i Skënderbeut, më pushtoi malli për Ju, Këngëtar i Kreshnikut tonë.
Skulptori Janaq Paço më dorëzoi dy fotografira të monumentit që t'Jua dorëzonj Juve, tok me lutjen që të kini mirësinë t'ia ndërroni me dy Tuajat, një në profil e tjetrën ballas. Unë s'po Ju lutem të më dërgoni një mua, shumë i dashur dhe i nderuar Imzot Noli, me shpresë se unë, bashkë me brezin e ri që Ju don dhe Ju adhuron, do të kem fatin t'Ju shoh prapë n'atdhenë tonë të rilindur, në lulëzim e sipër, n'altarin e të cilit Ju jini shtyllë themelore.
I adhuruar Imzot Noli,
Nga një ndjenjë që më diktonte distancë ndaj Jush, druanj se nuk e kam plotësuar detyrën, duke mos Ju përgjigjur për sa herë që Ju më kini kujtuar. Po gjithmonë Ju kam patur në zemër me ndjenja të thella dashurije dhe adhurimi dhe mbetem plot dëshirë që t'Ju kujtoj kështu për jetë.
Skënder Luarasi
20 mars 1960


Letra që mora më 16 korrik 1960 qe shkruar anglisht dhe e daktilografuar, gjë që tregonte se ia kishte diktuar sekretares, kurse Fan Noli nuk qe mirë me shëndet.
(Fan Noli u plevitos më 1933. Shkak kryesor që sëmundja s'i ndalej ish se gjatë kohës që qëndroi në Europë pas largimit nga Shqipëria, vojti keq, trupin e kish të lodhur nga puna, nga mjerimet e mërgimit dhe vobekësia. Nga ana tjetër Noli s'i jepte rast trupit të shëndoshej se punonte ditë e natë, duke shikuar libra, vjersha e përkthime të ndryshme, vojti nga anemia, reumatizmi s'iu nda fare, vojti nga diabeti deri sa e zuri kanceri.)

Tek letra, e përkthyer shqip, shkruhej:

I dashur Zoti Luarasi
Ju falem nderit për letrën tuaj të marsit "˜60, për kartëpostalen e mbyllur në të që paraqet përmendoren heroike të Skënderbeut punuar prej Janaq Paços, dhe për pullat që përkujtojnë babanë tuaj. Nën dy zarfe të veçantë do të merrni një kopje të librit tim botuar së fundi ''Përvjetori i pesëdhjetë i kishës'' dhe një sërë gjashtë fotografish. Lutem ia dorëzoni të gjitha këto mikut tonë skulptorit Janaq Paço. Shpresoj se do të gjejë ç'i duhet në fotografitë me fytyrë të plotë, tri të katërta dhe në profil. Kur të ketë mbaruar me punën e tij, ju mund t'i ndani fotot në mes tuaj.
Lutem, thuajini zotit Paço që unë e vlerësoj shumë nderimin që të shoh të punuar bustin tim nga një artist aq i çquar. Duhet të kërkoj ndjesë për vonesën time në përgjigjen e letrës suaj.
Jam mbytur në punë. Shpresoj të jesh mirë. Me të fala të sinqerta për ju,
Mbetem juaji me besë
Fan S.Noli


Libri i përmendur në këtë letër nuk më ra në dorë, një letër në të cilën më kërkonte një kopje të librit ''Mallkimi i shkronjave shqipe'' greqisht-shqip prej Petro Nini Luarasit, më humbi.

Nuk kishte mot që të mos merrja nga Fan Noli një letër ose kartëpostale me urim: Me falenderime dhe urime prej zemre...Gëzuar vitin e ri me të gjitha të mirat...''

Në letrën e fundit që mora me rastin e përvjetorit të lindjes së Shekspirit (të cilën ia huajta dikujt për studim dhe ma humbi) më shkruante se sa i mbytur në punë që ishte.

Noli-gjigant intelektual

Noli qe i gjithanshëm: I thellë dhe i gjerë në mendime, enciklopedist nga dituria, '' rebel'' që nga vogëlia dhe gjigant intelektual.

Ai është një nga letrarët më të shquar: 42 volume anglisht e shqip, origjinale dhe përkthime me brendi fetare, historike, biografike, letrare, muzikore, teatrale, oratorike, politike. Dallohej për durim shembullor në punë: një herë Fan Noli qe duke përkthyer ''Skënderbenë e Longfellos'' në shqip. Ora vajti 12 dhe nëpunësit e lajmëruan për drekë. ''Kam punë'' u tha. Kishte ngelur në rimën e vargun që fjalë për fjalë thuhet: Lidheni në hekura:
Këtë shkronjës me libra dhe tru
Nuk dimë sa variante shkarraviti, por më në fund thirri: ''Eureka!''
''Lidhmani''- tha, '' me litar''
Shkronjësin me kallamar.''

Dhe çakërqejf mes shokëve që prisnin u nis për drekë.

Askush tjetër nga patriotët tanë nuk i shërbeu atdheut më gjatë e popullit më besnikërisht, e nxorri nga mesjeta e zezë dhe e pruri në pragun e socializmit.
Noli mbi të gjitha ishte atdhetar shqiptar.

Petro Kreshpani që për një kohë të gjatë kishte shërbyer në kishën e Bostonit si pitrop dhe e njihte nga afër Fan Nolin thotë se ai "˜'e përdori edhe kishën tonë në Amerikë si vend për të mbajtur gjallë shqiptarizmën. Feja e tij ishte një: atdhedashuria. Pra Noli mbi të gjitha ishte shqiptar.''

Ai u përpoq me mish e me shpirt që Peshkopata e Kishës Ortodokse të Shqiptarëve në SHBA të varej nga Sinodhi i Shenjtë i Shqipërisë.

Një dokument kuptimplotë:

Albanian Orthodoxe Church in Amerika
Boston Massachusette,
Korrik 28 1946
Krye-Hirësi,
Disa kohë më parë, ju bëra të njohur që Peshkopata këtushme, me vendim të kuvendit, dëshiron të hynjë nënë juridiksionin e Sinodhit të Shenjtë të Shqipërisë. Nuk e di a ju ranë në dorë telegramet që ju dërgova mbi këtë çështje. Në qoftë se po, ahere e mar me mend që ka ndalime për plotësimin e kërkesës sonë. Në rastin e funtmë, ju lutem, lajmëroni me pak fjalë se kjo punë nuk mund të mbarohet tani për tani dhe t'a mbyllim këtë mesele gjer sa të ndryshohet gjendja në favorin tonë. Kam shpresë të mar përgjigjen me kohë për kuvendin e afërmë të Peshkopatës 22 Shkurt 1947. Gjer ahere ju lutem të më kujtoni në meshë.
Shërbëtor i përunjur i Krye-Hirësisë suaj
F.S. Fanoli.
Krye-Hirësisë së Tij
Kryepiskopit të Shqipërisë


Na la Fan Noli!

Një ditë marsi të vitit 1965 po shëtisja në bulevard mes shokësh kur na u bashkua shkrimtari i nderuar Dritëro Agolli. Pasi shkëmbyem përshëndetjet e rastit, me zë të ulët na tha gjëmën: "˜'Na la Fan Noli''.

M'u duk sikur më qëlloi zemrën një rrufe nga qiell i kaltër. U largova heshturazi nga shokët, u ngjita në banesë dhe qava e qava e qava për humbjen e mikut më të shtrenjtë që më kishte mbetur, kolosit patriot e diplomat, që gjatë viteve me radhë ndër ditë të zeza të Shqipërisë, i kishim kthyer sytë për shpëtim. Ai nuk qe vetëm mik i shtrenjtë i tim eti por dhe mentori im, mësuesi im gjatë punës sime si arsimtar. Me letrat e tij, të përhapura fshehurazi në kohën e Zogut, si abetarja në kohën e Sulltan Hamitit, unë ushqeva nxënësit e mi.

Imzot Fan Noli ishte babai shpirtëror i gjithë shqiptarëve atdhetarë, po për mua ka qenë mësues. Kam përfituar prej tij më shumë se nga gjthë profesorët që pata dëgjuar në shkollat e mesme ose në universitete. Që më 1920 kur fillova të jap mësime në fillore, më pas në gjimnaz e universitet gjer më 1968 kur më nxorën në pension, gjatë një gjysëm shekulli, Fan Noli me veprat e tij origjinale e me përkthimet e tij të mrekullueshme, m'u ndodh ndihmësi im më i mirë për të edukuar rininë shqiptare në drejtim nacional dhe internacional. Dhe kur jepja hartime letrare, kënaqesha kur edhe në regjimin e monarkut që kish dënuar Fan Nolin me vdekje, studentët shpreheshin me admirim për shqiptarin dhe socialistin e madh në arrati.

Fan Noli është ndërlidhësi më i dalluar midis Rilindjes Kombëtare dhe Shqipërisë së sotme që si një kolos e zgjeroi aktivitetin e tij në tri kontinente, rrojti shumë e vdiq me vaft e me nder.

Një nga miqtë që i qëndroi besnik deri në fund, Gary Riska, më shkroi:
"˜'Fan Noli i lindur e i vdekur në dhe të huaj, me shqipen e tij, me kulturë universale, me ndjenjat e tij humane dhe socialiste, na la trashëgim këto vlera të mëdha dhe na bëri të nderohemi e të mburremi që jemi shqiptarë''.
 

Me vdekjen e Nolit, "˜'mbaroi'' kolonia shqiptare në Amerikë.

Sa e varfër më duket tani edhe kjo Shqipëri që humbi burrin më të shquar të saj!


Skënder Luarasi Kujtime, 1975


Fan Noli, Dhimitri Nini Luarasi ( ne qender, pas vajzes)


Leter e Fan Nolit per S.Luarasin


Kartpostale e Fan Nolit per S.Luarasin


Leter e Fan Nolit per S.Luarasin

SKËNDER LUARASI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
BISEDË ME LIRINËCikël poetik nga RRUSTEM GECI (03.14.2015)
NJË PËRMENDORE PËR MIKUN E MADH D’ESTOURNELLES DE CONSTANT(fjalë përcjellëse per librin UNË I KAM SHUMË BORXH SHQIPËRISË)Nga REXHEP SHAHU (03.14.2015)
E KUJTOJ ME MALL E PIKËLLIM QERIM UJKANINNga FARUK TASHOLLI (03.13.2015)
QERIM UJKANIT TË LETËRSISË I RREH ZEMRA NË NOKSHIQ TË PLAVËSNga RAMIZ LUSHAJ (03.13.2015)
HOMAZH PËR QERIM UJKANIN(Pas lajmit të ndarjes nga jeta të QERIM UJKANIT 1937-2015)Nga PREND BUZHALA (03.13.2015)
DJEGIA E FANTAZMËSParathënia e librit të Vaso Çubrilloviqit 'Shpërngulja e shqiptarëve'Nga IZET DURAKU (03.12.2015)
KRAH I THYER ZOGU Cikël poetik nga SHQIPONJA AXHAMIMe një hyrje nga poeti REXHEP SHAHU (03.12.2015)
POEZI LIRIKECikël nga PËRPARIM HYSI (03.11.2015)
H E R O I K APoemë për Kryengritjen e 11 Marsit 1981Nga RRUSTEM GECI (03.11.2015)
VAZHDON PO AI REFRENCikël poetik nga ADEM ZAPLLUZHA (03.11.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]