VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - AJO NUK ERDHI SONTEVëllim i ri poetik nga ADEM ZAPLLUZHA

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 11:33am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
AJO NUK ERDHI SONTE
Vëllim i ri poetik nga ADEM ZAPLLUZHA

E Djelë, 03.15.2015, 09:35am (GMT+1)






Redaktor:
Murat Gecaj





Recensent:
Mazllum Baraliu




Lektor:
Veli Veliu










ADEM ZAPLLUZHA

            




AJO NUK
ERDHI SONTE











           
"TREND"
2015






























(Libri  i 110-të poetik  i Adem Zaplluzhës, "Ajo nuk erdhi sonte!...")


Nga: Prof.Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë

1.
Qëkur u ula të shkruaja këto radhë për librin me poezi "Ajo nuk erdhi sonte!...", që është i 110-ti në radhën e botimeve të autorit Adem Zaplluzha, ndërmend kisha edhe kolegun e mikun tim, pak kohë më parë emigrant në Amerikë dhe tani me banim në Tiranë, poetin "zemërzjarr", P.Hysi, me emrin e shkurtuar, "Papi". Lexuesit e interesuar të disa rrjeteve sociale, por dhe të shtypit të shkruar, kanë vërejtur se ai publikon, rregullisht, poezi të frymëzuara për dashurinë, këtë ndjenjë të bukur mbarë njerëzore. Atë nuk e pengon as mosha që t'i thurë vargje të bukur leshverdhës ose syzezës, të cilën e kujton nga vitet e rinisë ose që tani e sheh "me zili", kur i kalon pranë.
Çuditërisht, ai Papi, na paska edhe një "sivëlla" të tij (dhe që nuk e di a njihen bashkë), pra në qytetin e  Prizrenit dhe shumë kilometra larg nga kryeqyteti ynë, me emrin Adem Zaplluzha. Nuk do t'ua publikoj këtu "sekretin" e viteve të jetës së tyre, por miqësisht e them për ata, se kanë një të përbashkët: Të dy, janë "ashikë të pandreqshëm"!?
Me kërkesën miqësore të Ademit, megjithëse nuk jam poet, po bëj një shënim të shkurtër për librin e tij më të ri. E kam thënë edhe në një shkrim timin të mëparshëm dhe i përmbahem atij përsëri, se ky  koleg e mik është autor shumë prodhimtar, pra konkurron pa u trembur, ndërmjet poetëve e shkrimtarëve të tjerë, për ta marrë titullin "kampion", në këtë drejtim. Ja, ndër të tjera, duke i hedhur një sy listës së librave të botuar me emrin e tij, vetëm në gjysmën e parë të vitit 2014, numri i tyre arrin shifrën 24.
2.
Nuk po zgjatem as ta "lodhi" më tej lexuesin, por gjej rastin ta dëshmoj këtë gjë me  65 poezitë e vëllimit  më të ri të A. Zaplluzhës. Janë gjithsejtë tre cikle, të cilët lidhen organikisht me njëri -tjetrin dhe, në tërësi, e pasqyrojnë shpirtin e trazuar e të "dalldisur" të një të moshuari, i marrë "peng" nga femrat "e lazdruara". Autori mbetet tërë kohën në pritje, që ta shohë, të takojë e të çmallet sadopak me njeriun, që ia ka rrëmbyer zemrën dhe, me dëshpërim, për atë thotë: "Ajo nuk erdhi sonte!...". Por nuk është vetëm ky varg, që shprehë trishtimin e tij dhe dëshirën e mbetur në letër. Ja, në një poezi tjetër: "Asgjë nuk më ka mbetur,/ përpos vetmisë sime.../ Cila grua më mori në qafë,/ asnjë puthje e egër/ nuk ndiejnë buzët e fishkura të erës"("Mos ik sonte!").
Aq i madh është hapi i dashurisë për poetin, sa askush nuk mund ta ndalë vrapin e tij drejt saj. Prandaj ai merr pjesë në dhimbjen e shkaktuar ndaj njeriut, që dikur ia kishte plagosur zemrën:"Në heshtje të fundosur shiste lule,/ nga fjalët e saj derdhej pikëllimi,/dy sy gështenje,/si dy dritare që s'hapen"("Ajo që shiste lule").
Vitet ikin dhe nuk kthehen kurrë më. Këtë të vërtetë të jetës ai e di mirë, kur shkruan për "njeriun e mirë", por në pikëllim e pashpresë: "Kurrë më s'kam me qenë/ pranë teje,/duart e mia të mishta/ s'do të janë më duart, që të ledhatuan..."("Me flokët e shprishur të trëndafilit").Poetit i del përpara silueta e së dashurës, por tani të gjitha udhët e botës e drejtojnë kah portat e mbyllura. Prandaj, ai shprehë mëdyshjen e vet të trishtë: "Si i trullosur kaloj sokakëve,/nuk di a jam unë i dehur,/ose rrugët i kanë përpirë/ të gjitha trishtimet e dashurisë..."("Të gjitha udhët e botës"). Si në ëndërr ose paksa në kujtesën e mjegulluar, papritmas , ajo i del përpara: "Kur çelnin lulet e bardha,/në sytë e tua të gështenjta...". Për dashurinë është aq i përbetuar, sa na thotë me sinqeritet: "Mos më leni sonte të flas,/mund të shkulni çdo gjë nga shpirti im,/por dashurinë nuk ua jap!". Atij i del përpara silueta e të dashurës, por tani të gjitha udhët e botës  e drejtojnë "kah portat e mbyllura" dhe shprehet se: "Dashuria nuk është pëllumb,/ që sa herë t'i teket,/ të fluturojë në çerdhe të huaj". Prandaj ka besim që: "Do takohemi/ me pranverat tona të humbura" dhe njeriut të zemrës i drejtohet me fjalë e shprehje të zgjedhura: "Engjëllushe e dalë nga dheu", "si hajdut hyra në shpirtin e aromave", "unë t'u marr erë flokëve të tua" etj.
Sidomos në poezitë e fundit të këtij vëllimi, autori e shton simbolikën e fjalëve dhe të shprehjeve, pasi është  brengosur e nuk gjen dot rrugëzgjidhje për dashurinë e perënduar. Për këtë flasin edhe poezitë "Një grua zgjon dritën e dremitur", "U nis prej një askundësie","Nuk lash njeri pa pyetur" etj.
...Më fal, i dashur lexues, po sa e sa poezi të tjera të këtij libri të ri të Adem Zaplluzhës mund të përmendnim këtu, për ta dëshmuar këtë mik tonin, "në dukje, ashik të vonuar dhe të pandreqshëm"!?(  Megjithëse  i di dhe i ndjen brengat e moshës së tretë, të cilët e vajtojnë me pikëllim të kaluarën e tyre, ai përpiqet t'ua ringjallë shpresat dhe t'i bëjë të shohin dritë, në fundin e tunelit: "Nuk janë të përmbytura/ përgjithmonë anijet e shpresës,/përherë në jetë ekziston /një derë e hapur,/ e cila të qet në dritë".
Me dashamirësi e respekt, për këtë koleg e mik të mirë, krijues të palodhur e me fryte të shumtë dhe të ëmbël, e urojmë nga zemra për vëllimin e 110-të poetik,"Ajo nuk erdhi sonte!...". Me këtë rast, i dëshirojmë atij: Jetëgjatësi, krijimtari të mëtutjeshme dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare!
Tiranë, qershor 2014


Cikli i parë
Të lutem, zgjatmi duart!                  







AFËR SHTATË DHIMBJE

Një zë i ngjirur,
Si një vullkan i papërmbajtur,
Gufon nga errësira;
Furtuna në maja të plepave
I përtyp ëndrrat e saja të pazbërthyera.

Prej një rrënje në tjetrën,
Hulumtoj prejardhjen e njeriut,  
Gjethet më shikojnë me xhelozi,
Bari i zhuritur
Ecën si drurët gjetherënës.

Çdo ditë dhe në secilin hap,
Hasi ekuacionet me shumë të panjohur.
Ndonjëherë, as vetë nuk di,
Se kush isha dje dhe kush jam sot!
Pasqyra e vjetër, si çdo herë, më shikon
Në mënyrë habitore.

I preki duart e mishta të erës,
Rrugët janë të gjata.
Kur trishtimi përtyp dhimbjen,
I kalëroj shpirtrat e furtunave
Për shtatë plagë të hidhura
E nuk ia prishi qejfin vetes.







TË LUTEM, MOS IK SONTE!

Mos ik sonte,
Asgjë nuk më ka mbetur
Përpos vetmisë sime.
Kjo lule e fishkur në vazo
Nuk di se çfarë emri ka.

Unë kam mbetur pa emër,
Mbiemri i erës është furtuna.
Cila grua më mori në qafë,
Asnjë puthje e egër
Nuk ndiejnë buzët e fishkura të erës.

Të lutem, mos ik sonte,
Rruga e gjatë dhe kjo natë
Nuk kanë të sosur;
U përngjajnë dhimbjeve të shiut,
Shih se si vajtojnë stërkalat
Në xhamat e palara të fjalëve.
Të lutem, mos ik sonte!







FANARI

Nëse mbetem pranë këtij stoli,
Do qaj me erën;
Si gjethet e fishkura të vjeshtës
Do hingëllojnë ndjenjat e mia.

Më janë shterrur sytë e gështenjtë,
I shkyça të gjitha shpresat.
Sa kam mall t'i  përngjaj pritjes,
Ndoshta, ti do kthehesh një ditë.

Unë jam çdoherë te moli
Me një rrjetë peshkatari,
Në lotin e dehur të mëngjesit
I peshkoj ëndrrat e përmbytjeve.

Një mjellmë e bardhë
Fluturon me pulëbardhat e uritura,
Fanari duket si roje nderi,
Me sy të kyçur kundron detin e përgjumur.



ZGJATMI DUART E SHPRESËS

Zgjatmi duart e shpresës
Nëpër dunat e hapësirave,
Ngacmoje lëkurën e ajrit të verbët.
Kjo natë qenka e lindur
Vetëm për prekjet e mëndafshta të erës.

Sytë e tu si dy burime të pangopura,
Të ngrohta deri në përsosmëri;
Vetëm një qeshje mungon
Për zgjimin
E ndjenjave të furishme të lumit.

Kjo stinë e vjeshtës ngarkuar me barrën
E gjetheve të argjendta
I paska fshehur
Me miliona grimca dashurie,
Që vezullojnë nga sytë e tu të kaltër.

Zgjati duart kah hapësira e paanë,
Përqafoje siluetën e mjegullave;
Një aromë e këndshme
Prej njeriu
Fshihet nën hijet e puthjeve të pritjes.
AI ISHTE VETË DASHURIA
                              -Lasgushit-
Nuk më kupton askush,
Por unë jam shumë i sigurt
Se e kam njohur,
Fare mirë e kam njohur Lasgushin,
Kam ecur zbathur
Dhe i uritur nëpër vargjet e tija.

Ai njeri i madh,
Jo vetëm që thuri vargje më të bukur
Për dashurinë,
Por ai ishte vetë dashuria;
Ishte aq i ri në moshën e shtyrë,
Sa që dashuroi si i çmendur
Lotosin e posaçelur në sytë  e agullimës.

Shpesh herë më vjen në ëndërr
Me një lule të bardhë
Dhe më thotë:
Dashuro si i marrë,
Nëse dëshiron të bëhesh poet!

Hyrë në rrënjën e lules,
Bisedo me thimthin e bletës,
Në çdo shpirt,
Te i cili mbarësohet jeta,
Takohesh me buzët e paputhura të pranverës.
KJO PLAGË E BARDHË

Kjo plagë e bardhë,
Që më tmerron,
Nuk di se kur lindi në mua;
Por jo më herët,
Para se të takoja ty.

Më duket se ishte një natë me shi,
Mbase, mund të ishte
Nata që pjalmonte acar,
Por ti hyre në shpirtin tim
Dhe more çdo gjë çfarë pata.

Mbeta i vetmuar në këtë zbrazëti,
Vetëm kjo plagë e bardhë,
Si lulja e mëllagës së kuqe,
Çelë një lloj trishtimi në qenien time.

Për çdo natë
Më paraqiten vegimet prej luleve,
Vetëm vegimet dhe ankthet,
Ti askurrkund në fjalorin e erës.

Kjo plagë e bardhë,
Ah, kjo plagë,
Që më bën të ndjehem i gjallë
Dhe të bënë njeri!




I PASHË HAPAT E TU

Sa isha i lumtur mbrëmë,
Nëpër shtigjet e yjeve endacak
I pashë hapat e tu,
I pashë si fërkemet e drenushës në ikje.

Kryesore, i pashë
Se si largohen yjet e lazdruar,
Shkonin diku në larg,
Përziheshin me vegimet e meteorëve;
Hëna lakuriqe
I krihte krifat e kalit të egër.

Ti u shndërrove në ikje,
Malli im në mallkim.
Për kënd  këndonte era
Serenatën e përgjumur të dashurisë.

Sa herë që i shtrij duart,
Përqafoj siluetën tënde;
Pse ekziston kjo natë,
Të ishte përherë ditë;
Ndryshe, do këndoje ti, e dashura ime.


TË LUTEM, ZGJATMI DUART!

Nëse jo për trupin tënd,
Më mjafton të mbështetem
Për siluetën e hijes,
Pa të cilën
Vështirë se mund të marr frymë.

Të lutem, zgjatmi duart,
Po më ngufat kjo largësi!
Më mjafton
Vetëm silueta e erës
Dhe hija e bardhë, ku mund të mbështetem.

Në çdo kohë,
Në pikë të ditës
Ose në mesnatën e vonë,
Hija e jote
Më mban gjallë,
Më mjafton vetëm të mendoj për ty.

Zgjatmi duart,
Mos më lërë të mbytem në këtë sterrë!
Vetëm për ty dhe hijen tënde,
Aq shumë ka nevojë
Dashuria ime.



MBASE, KY ISHTE FATI IM...

Ky shi i imtë, që po bie sonte,
Mos janë lotët e mjegullave
Ose dënesin kometat
Për fatin e guralecëve
Të bardhë...

Kjo kohë
Meteorësh të plagosur
Dhe bredhje zogjsh endacakë
Po kullon nëpër ullukët e kallkanëve,
Pritja përmbytet në lotin e virgjër të ditës.

Njëmijë vjet udhëtova deri te hija jote,
Sërish eca me thonj të përgjakur,
Eca deri te ëndrra e paparë;
Mbase, ky ishte fati im
Ose mallkimi  im.   

Më duket se
Ende s'kam kuptuar,
Ishte fillimi ose fundi i vuajtjes.
Por ky shi i çmendur, që po bie sonte
Në shpirtin tim, laracon një ankth të verdhë.






KU JANË PREKJET E TUA?

Sa e gjatë kjo natë,
Kur ti nuk je në shtëpi!
Nëpër raftet e librave të vjetër
Asnjë libër i mirë,
Nuk di
Se si ta lexoj kotësinë time.

Jam vetëm në dhomë,
Herë më duket e vogël
E herë e madhe;
Duart notojnë nëpër errësirë,
Prekin zbrazëtinë e heshtur,
Ti nuk je askund!

Ku janë prekjet e tua?
Zgjatmi duart,
Kur më së shumti më duhesh.
Kjo natë e gjatë e frikës,
Përzier me dhimbje,
Kurrsesi të përfundojë.


HESHT, MOJ XHANI IM!

Ti je e dashur,
Çdo gjë nga pak për mua;
Je pak pikëllimi im
Dhe dy herë më shumë
Dashuria ime.

Ti je gëzimi
Dhe njëherësh hidhërimi im.
Vera, e cila më deh
Deri në çmendi,
Shuan etjen e detit
Dhe tërbimin
E dallgëve të trentë.

Të thashë, se ti je çdo gjë
Ngapak për mua:
Një ditë të kam zemër,
Ditën tjetër grua e lazdruar.

Më pastaj,
Kur më tërbon, hungëroj
Si bisha e egër në përrua
Dhe them: "Hesht, moj xhani im,
Vetëm ti e di sa fort të dua!"













UNË,  I LINDUR REBEL

Sa shumë ndryshojmë
Nga njëri tjetri,
Sa që
Është i pamundur krahasimi
Mes nesh.

Unë i lindur rebel,
Kurse ti engjëllushë;
Jemi aq larg
Dhe aq afër njëri tjetrit,
Sa që po ngjan ngjizja e përjetshme
                               
                        Prishtinë, 6 prill 2014




NË SHPIRTËRAT E DY NJERËZVE

Dy duar,
Si dy palë darë të mishtë
Depërtojnë nën lëkurën e natës;
Këlthitje meteorësh,
Gjëmim mjegullash.
Dy duar, si dy palë darë të mishtë,
I kafshojnë krifat e hënës lozonjare.

Dy duar dhe nata,
Flokët e mëndafshta të mëngjesit
Notojnë mbi flluskat e vesës së zgjuar.
Sa shumë paska etje ky zgjim,
Sa shumë dete të çmendura
Në syrin e pangopur të dashurisë.

Dy çaste të pa përshkruara
Në shpirtrat e dy njerëzve
Mbetën si një gravurë e lashtë antike.
Mbetën peng,
Mbi faqet e pluhurosura të një ditari,
Dy njerëz
Dhe një dashuri e paçmuar.

SECILI PREJ NESH

Secili njeri ka nga një tregim,
Asnjë dashuri
Nuk i përngjan një dashurie tjetër.
Njerëzit orë e çast ndryshojnë,
Lindin dhe vdesin
Si lotët fluidë të ekzistencës.

Disa kalojnë kalldrëmeve
Të zbrazët,
Nuk u përngjajnë njerëzve;
Ecin pa dashuri, si kukullat e dyllta;
Nga sytë e tyre,
Si trishtimi, pikon mallkimi.

Secili prej nesh
Ecim me nga një iluzion,
I fshehim pasionet tona;
Jem aq të vegjël,
Sa që fshehim edhe dashurinë.

Secili njeri, kur arrin në fundin
E një rrugëtimi,
Ballafaqohet me vetëveten
Dhe dashurinë e fshehur
Thellë në qenien e tij.


MË "KAFSHON" DHOMA E ZBRAZËT

Sa herë që shihemi nëpër ëndrrat tona,
Unë të them se të dua;
Kurse ti hesht si sfinksi,
Herë i përngjan gurit
E herë mishit të ngrirë të njeriut.

Kur zgjohem nga vegimet e mia,
Më "kafshon" dhoma e zbrazët;
Kush e di se ku je ti,
Nga më erdhe nuk di,
Por edhe ku ike;
Më mbeti një enigmë,
Moj grua e bukur.

Preki nëpër dhomë
Pjesët fluide të trupit tënd,
Vetëm preke në sytë e mi
Një ëndërr të shurdhët.

Fërshëllima e sterrës m'i dërmon shqisat
E zgjohem i djersitur,
Kurse shpirti im i vetmuar
Ende flë
Me trishtimin e zgjuar të mëngjesit.






DITËN, KUR M'U SHFAQE TI...

Ditën, kur m'u shfaqe ti,
Ndoshta të kujtohet,
Atë çast binte shi;
Ishte e mërkurë,
Një ditë,
Që kurrë nuk harrohet.

Nëpër ajrin fluid
Llamburiti fustani i verdhë,
Prekjet e tua më mbetën
Peng në duart e mia.
Qielli më s'derdh lotë,
Pikëllimet diku larg u tretën

Ditën, kur u shfaqe ti,
Unë linda për herë të dytë;
Në qenien time
Hyri një perri;
Prania  jote përherë e më shumë
M'i freskon sytë.




OSE SI NJË ZAMBAK PA AROMË

Sa herë që i hapë krahët
E duke buzëqeshur
Më pret në shtëpi,
Unë përherë,
Në sytë e tu të gështenjtë,
Shkruaj nga një poezi.

Kur nga flokët e tu të argjendta
Ngrehi një kala,
Ku strehohen me qindra bohemë,
Unë fshehtazi depërtoj
Në sytë e tu
Dhe gjatë tërë kohës
Sërish shkruaj një poemë.

Po të mos ishe ti,
Nuk di se çfarë do të bënte
Shpirti im zezonë;
Ndoshta, do të rritesha
Si një therrë në saksi
Ose si një zambak,
Pa shije dhe pa aromë.











E JO, VETËM SOT PËR SOT...

Koha është
Të kalosh mbi trupin tim fluid
E të mos ndalesh në asnjë stacion;
E kur mbërrin në fund të udhëtimit,
Ti do të kuptosh
Se si s'përfundon asnjëherë ky etyd.

Koha është e dashur,
T'i grumbullojmë grimcat nëpër dhomë,
Vitet që kaluan mos të treten kot,
Të bëhen një kala për gjumin tonë,
Të jetojmë për një tjetër kohë
E jo vetëm sot për sot.









I VRASIN ZOGJTË NË FLUTURIM

Këto mjegulla të dendura  
Më duken si një saç mbi kokë.
Fjalët e tua
I vrasin zogjtë në fluturim,
Për një gabim të vockël
Më fundose nën tokë;
Çdo gjë humbëm, përfunduam shqim.

Ti, për mua, ishe dhe mbete
E vetmja dashuri;
Grindjet tona të  imta
Zbukuronin ekzistencën tonë.
Kupto, se vetëm shpresa te njeriu,
Me mallëngjim dënesë,
Kur zbehen gjethet në një shpirt pa jehonë.








ËSHTË E VETMJA ENGJËLLUSHË

Ai yll i vetmuar në qiell,
Çmendurisht që bredh,
Sa shumë sot
Ngjan me ty.

Që të dy ju,
Deri në përsosmëri, shkëlqeni
Për ata njerëz,
Që kanë hundë dhe sy.

Është e vetmja engjëllushë,
Që hapësirës llamburit;
Netët e vetmuara i kalon pa gjumë
Dhe më thotë :

Ti, më prit,
Do të vij një ditë
Në shtratin tënd,
Të derdhem si një lumë.

TË SHOH NË SYPRINËN E UJIT

Të shoh fare mirë, të shoh
Dhe në fytyrën tënde
 Lexoj dashurinë e pafundme.
Kjo etje e madhe
Po i përngjan zjarrit Kartagjenas.

Të shoh se si  përflakesh në hapësirë,
Si qiriu i vetmuar,
Shpirti yt i pathyeshëm
Po digjet, moj,
Si malet tona në diellin përcllues.

Të shoh në syprinën e ujit,
Fytyra ime pasqyrë për ty.
Sa herë që i kreh flokët
 E thinjura të çasteve,
Më kujtohet nata e vitit gjashtëdhjetë e tetë.

Si mund të harrohet ai yll ndriçues,
Kalërove nëpër vargjet e mia,
Si në Ferr pate etje dhe mallëngjim;
Hyre mes tyre,
Por sërish mbete gjallë;
Të tillë jemi ne poetët,
Të ngarkuar me lotë dhe pikëllim.























Të shoh se si zbukurohesh
Për çdo ditë, ngapak i krehë flokët,
Si hëna lozonjare.
Shpirti im lakuriq, pasqyra e pathyeshme;
Zemra ime, një det i çmendur për ty.
KALUAN KOHËRAT E ARTA

Nuk jemi në kohën e adoleshencës,
Ndali pak fjalët;
Lëre, le të përfundojë kjo këngë;
Askush më,
Nuk mund të këndojë, si Vaçja.

Nuk kemi kohë për grindjet tona,
Po më merr me vete
kjo muzikë.
Më lerë, të lutem,
T'i shijoj këto çaste, që s'përsëriten dot.

Kaluan kohërat e arta,
Kur grindeshim në mesditë
Dhe me padurim e pritnim mbrëmjen,
Që t'i bashkojmë grindjet tona,
Nën shpirtin e jastëkut të djersitur.

Ndali pak fjalët, të lutem,
Më lërë të fundosem
Në shpirtin e kësaj kënge.
Mbase, sonte është koha
Të shndërrohemi në veshë
Dhe t'i dëgjojmë
Këto këngë të bukura shqiptare.







PASTAJ, I LËSHOJMË FRERËT

Prit, e dashur,
Posa filloi kjo serenatë;
Prit, kemi kohë sa të duash,
Mëngjesi është larg,
Shumë larg,
Prej yjeve endacakë të natës.

Pastaj i lëshojmë frerët
E pandalshme të duarve
Dhe të puthjeve tona
Të ngrohta.

Prit, të lutem,
Le të përfundojë kjo këngë,
Deri në mëngjesin e ardhshëm,
Kemi kohë sa të duash.



ATË DITË, SI DIELLI LINDI DASHURIA E JONË

Nuk më kujtohet tani  
Ai relacioni i asaj kohe...
Ishte mbrëmje
Ose një mëngjes i hershëm,
Kur njerëzit shkonin në punë.

Por ishte një ditë vjeshte e zakonshme,
Kur "biseduan" duart tona.
Ajri i ngrohtë dhe i dendur
Lëvizte si frymëmarrja
Mes gishtave të mishta.

Koha ishte e vranët,
Mjegullat e dendura i krihnin flokët
E shprishura të erës.
Nuk më kujtohet
Se kush, kujt ia mbante duart.

Por asnjëri s'ia lëshonim dorën
Njëri tjetrit.
Ishte një ditë e bekuar
Dhe e ngarkuar me shtërzime;
Atë ditë, si dielli, lindi dashuria e jonë.




 











                       













Dje nuk isha në dhomën time
Cikli i dytë















































THONË, SE POETËT...

Kur shëtisja nëpër prushin
E buzëve të tua,
Agsholi lindte si nga legjenda;
Ishte hera e parë,
Kur kalova këmbëzbathur
Nëpër shpirtin e lirikave të mëdha.

Thonë, se poetët
Nuk vdesin asnjëherë,
Herë bisedojnë me yjet
E herë dashurisë i thurin ditiramb
Ose për të dashurat e tyre
Skalitin siluetat e tejdukshme,
Në shpirtin stoik të erës.




KJO ËNDËRR E BRISHTË

Mos ma ngacmoni sonte gjumin,
Kjo ëndërr
Që po më rrjedh nëpër damar,
Buron nga shpirti yt,
E dashur,
Buron nga kaltërsia e syve tu.
Ju thashë,
Mos ma prishni gjumin,
Sa shumë kam etje
për një gotë vere nga vreshtat e Atdheut;
Sa shumë më duhen
Duart e saja të njoma,
Por sërish po ju përgjëroj:
 Mos ma prishni sonte gjumin!

Kjo ëndërr e brishtë,
Ndoshta, më vjen nga Atdheu,
Ndiej aromën e gështenjave të pjekura.
O, ju përgjëroj,
Mos ma ngacmoni kënaqësinë sonte,
Më leni të takohem
Me plepat e kuq të Atdheut tim!



















Më kalli kjo dashuri,
U përflakën kallinjtë nëpër fusha.
Stërnishtave u doli flaka
Ky mall i shkretë,
Që ndizet në gjumin tim,
Nuk ka lotë
Dhe dete në këtë botë,
Që mund ta shuajnë
Zjarrin e pandërprerë të ëndrrës sime.











TI, ZOGU IM...

Vetëm nga humbjet e mëdha
Mësuam se sa e shenjtë
Dhe e brishtë
Është dashuria e njeriut.

Zgjatmi duart,
Zogu im i blertë,
Afromi krahët e kristalta të erës!

Nëse është nevoja,
Sonte mund të vdesim së bashku
Me zogjtë, që dashurojnë
Hapësirave të paanë.
                         
                    Prishtinë, 07 prill 2014






TI JE AJO, QË I MBAN GJALLË

Ti ishe dhe je
Frymëmarrja dhe dashuria
Ime e paçmueshme;
Duart e tua prej ere
Më ngritën mbi vetëveten time.

Ishe çdo gjë, çfarë mund të jetë
Njeriu për njeriun:
Kafshata, që e ngop të uriturin;
Një gllënjkë uji në shkretëtirën
E pafund të jetës.
Ishe si lulja e gurit, që rritet në shkëmb.

Pa ty, nuk më duhen mushkëritë,
Frymëmarrja do të ishte
Një dënim  i paparë.
Ti je gllënjka e parë për të eturin;
Ti je ajo, që i mbanë gjallë
Dhe në çdo hap
U jep shpirt lirikave të mia.












MË MXJERR NGA KJO SKËTERRË!

Jepma dorën,
Më nxjerr nga kjo skëterrë!
Vetëm ti mundesh dhe ke guxim
T'i largosh këto mjegulla të pafundme.

Sonte, kjo natë qenka e ngarkuar me trishtim;
Zëri yt mund t'i përzëjë ankthet e mia.
Jepma dorën edhe njëherë,
Të mos fundosem!

E pafundme kjo gotë...
O, jepma dorën, të lutem!
Më nxjerr nga kjo skëterrë,
Zgjatma dorën edhe një  herë, e dashura ime!




MBI KRAHËT E PULËBARDHËS

Nëpër faqet e ditarit të pluhurosur
Nuk gjeta asnjë emër,
Që të përngjante ty,
E dashura grua;
Mes fletëve një lumë i çmendur
Udhëton në drejtim të brigjeve të Jonit.

Kohë vjeshte e vonë
Në shpirtin e trazuar të detit;
Diku në hapësirë
Dallgët puthen me bjeshkën;
Ky shpirt i ngarkuar me kreshta malesh,
Duke u fundosur në ty,
Ëndërron lumin nëntokësor.

Dielli i ngrohtë
Ende e ka po atë shkëlqim në mbrëmje,
Shkëlqen si sytë e tu të gështenjtë.
Një varkë e humbur mes valëve,
Mbi krahët e pulëbardhës,
Kërkon fanarin e vetmuar,
Që asnjëherë nuk shkyçet.





DJE, NUK ISHA NË DHOMËN TIME

Më fal,
Dje nuk isha në dhomën time!
Kot  trokiti era
Në portat e mbyllura;
Sot askush nuk banon më
Në vetminë e asaj dhome.

Megjithatë, më duket se isha
Me problemet e mia,
Dëgjoja një trokitje të gjatë
E të shurdhër,
Mbi tavolinën time të çrregulluar
Protestonte vetmia.

Më fal,
Nuk kishte njeri në dhomë,
Që mund të ta hapte
Derën e mishtë dhe të mbyllur!
Kot po troket,
Për çdo çrregullim
Mund të pyesësh pikëllimin e erës.




















Mbase, sonte
Po më pëlqen kjo mbyllje në vetëvete.
Të lutem,
Eja në një tjetër kohë,
Kur s'do të kesh nevojë për trokitje.
Të lutem, më fal sonte,
Kjo natë e gjatë sa jeta,
M'i paska lidhur që të dy duart.

KALUAN CA MOTE TË LIGA

Pa trokitur
Në xhamat e katit të parë,
Ti, hapma derën;
Sonte nuk jam vetëm,
Me mua janë të gjitha kujtimet e viteve,
Që kaluan në urat e Lumëbardhit.

Të lutem, hapma derën!
Sonte hyri vjeshta,
Koha e shirave veç ka filluar;
Druaj se do të më lagen fjalët,
Të cilat një kohë të gjatë
 Po i ruaj si sytë e ballit;
Po i ruaj
Si letrat e shkruara
Dhe ato, që kurrë nuk u shkruan.

E di, ndiej se edhe ti je sonte
Me vetminë tënde,
Kaluan do mote të liga.
Të lutem, mos t'i lëmë peng ditët!
Hapma derën
Dhe shpirtin tënd të shkyçur.
Është koha e fundit,
T'i mbyllim sytë para gabimeve tona.
KJO LËVIZJE U PËRKET LEJLEKËVE

Njerëzit nuk rreshtin pa vrapuar,
Nuk ka portë as liman,
Që mund ta ndalë
Hapin e vrapit të dashurisë.

Kjo lëvizje u përket lejlekëve,
Kur i ndërrojnë çerdhet
Nëpër udhëtimet e gjata.

Herë trokasin zogjtë
E herë njerëzit,
Dritaret e ngjyrosura gri;     
Hapen dhe mbyllen
Nëpër telat e ngrira të telefonit,
Puthen përshëndetjet e zogjve.

Vjeshta e vonuar
Shkund gjethet nga shpirti i frutave,
Acari i hershëm
I mbyllë me dyllë dritaret,
I mbyllë si Uliksi
Veshët e miqve të vet.

Dimri po afrohet,
Koha kur njerëzit dhe gjallesat
Mbyllen në guallin e një pritjeje.


E LEDHATONTE EDHE DËSHPRIMIN

Asaj iu kishin fundosur
Të gjitha anijet,
Ishte ulur mbi dëshpërimin e trishtimit
Dhe qante,
Si një zog i braktisur.

Nëpër flokët e thinjura
Çmendurisht kalonte era,
Binte edhe nga pak shi;
Nëpër kujtimet e hidhura
Binte një lloj trishtimi i paparë.

I kishte kaluar të dyzetat,
Por sipas thinjave  
Ishte dy herë më larg
prej viteve të saja të hidhura,
E kishin dërmuar shembjet e përditshme.

Qëndronte kacule
Mbi pikëllimin e dhimbjes e saj,
Si një kërthi e mbante në prehër
Dhe e ledhatonte dëshpërimin,
Duke shikuar në heshtje,
Se si fundosej për çdo ditë nga pak.








AJO QË SHISTE LULE

Ajo shiste lule,
Por jo vetëm lule,
Në dorën e majtë mbante
Një shportë,
I mbante edhe dhimbjet e pashëruara.

Sa herë që fliste
Me blerësit e luleve,
Nga sytë i pikonin nga pak lot;
Ajo nuk shiste vetëm lule,
Por edhe dhimbje.

Në heshtje të fundosur shiste lule,
Nga fjalët e saj derdhej pikëllimi,
Dy sy gështenje
Si dy dritare që s'hapen;
Në qytetin tim
Shesin lule të zeza mëllage.







NË DHOMËN TIME TË VOGËL

Në dhomën time të errët
I kyça yjet,
Nga buzët e tua pikonte
Një lloj pjalmi prej mjalti.

Ti dhe heshtja,
Xixëllonjat fluturonin si anijet kozmike;
Nëpër gjinjtë e tua të gufuara
Dhoma e vogël rritej tej mase.

I preka parathëniet e yjeve,
Gishtat më mbetën në ajër,
Nëpër degët e shirave të ndezura,
Më mbetën si malli flokët e tua kaçurrela.

Në dhomën time të vogël
Si frymëmarrja filloi ngjizja e një jete,
Nata e shkurtë ndriçonte në sytë e hënës,
Ti hyre e dashur në vallen e përjetësisë.












KURSE FUSTANI YT ROZË

Ishte natë e vonë...
Qyteti buzë Lumëbardhit
Dhe yjet endacakë
Dremisnin rrugicave,
Si kambana e vjetër
Në kishën e Shën Mërisë.
Qante era

Ti ecje me hapa të sigurta,
Kaloje matanë rrugës
Me mendimet
E tua të boshatisura;
Çdo gjë rreth teje
Ishte e zbrazët, si shpirti i kësaj nate.















2.

Vetëm një ylli i vetmuar
Ecte pas teje,
Me kërshëri
I përcillte hapat e erës.

Në alenë e dëshmorëve,
Si një vajë i trishtuar
Dëgjohej
Mjaullima e një maceje,
Mbi trupin tënd të brishtë
Kishin rënë shirat e tërë botës.














3.

I numëroje hapat e tua të lehta,
Herë kaloje nëpër trotuare
E herë rrugëve të papastra;
Këmbët e tua
Përziheshin me copëzat e gazetave.

Ishe vetëm ti
Dhe një natë me shi
Kur kaloje lehtë si flutura;
Shkelje mbi asfaltin e lagur,
Kurse fustani yt rozë
Lëpinte lëkurën e zeshktë të natës.
VETËM DISA NJERËZ TË DEHUR

Mbrëmja me shi,
Ullukët këndojnë një serenatë të vjetër.
Ti del jashtë
Me fustan të qullur
Dhe në mes të oborrit
I mëkon meteorët endacakë.

Në peisazhin e largët të kësaj nate,
Disa grumbuj yjesh
Herë kyçen e herë shkyçen,
U përngjajnë
Xixëllonjave të lagjes së evgjitëve.

Kurse shiu monoton
Rigon si vesa nga sytë e mëngjesit,
Në përparësen e muzgut të vonshëm
Këndojnë karkalecat.

Qentë disi kanë heshtur,
Nuk lehin sonte,
Vetëm disa njerëz të dehur
Kalojnë me hapa të pasigurta.
Mëngjesi është ende larg,
Asnjë këndes i vetmuar
Nuk ia prishi qetësinë kësaj nate.


ME FLOKËT E SHPRISHUR TË TRËNDAFILIT

Kur më s'kam me qenë
Pranë teje,
Duart e mia të mishta
S'do të janë më duart, që të ledhatuan,
Por kryqe të kalbura në shi.

Kur unë do të jam
Një dru i ngulur diku në ndonjë varr,
Ti do të jesh një pikëllim prej lotëve.

Të lutem, mos u ndal asnjëherë
Me i pyet zogjtë
Për shtegtarët e humbur;
Mos u ndal,
Se bezdisen lejlekët
Për mungesën e frymëmarrjes.

Çfarë mund të bësh për mua,
Është vetëm të këndosh
Parreshtur;
Mos të pushosh së kënduari
Ndonjë këngë prej atyre
Psalmeve kishtare,
Si për shembull "ale luja".











Nëse pahiri era t'i sjell
Zarfet e mia të kaltra
Ose këtë e bën
Ndonjë kanjushë e verdhë,

Të lutem,
Mos i lexo letrat e mia,  
Nuk janë për ty,
Por për erën lozonjare,
E cila luan,
Çmendurisht luan
Me flokët e shprishur të trëndafilit.
                                   
                      Prishtinë, 08 prill 2014


NGA LAGËSHTIA E LOTËVE

Nuk më pëlqejnë lulet e pikëlluara,
Nëse s'këndon në këto çaste
Kjo mëllagë e kuqe.
Asnjëherë më në qytetin tim
Nuk do të bjerë shi.

Në degët e gështenjave të verdha  
Pikëllimi i ka varë buzët,
Heshtja i përngjan  
Gjetheve të kumbullës së egër.
Mbi guall breshkash
Nuk fluturojnë mushkonjat e zeza.

Sinorëve të shkulur qajnë vashat,
Një lule e pikëlluar
Duket si nusja e vetmuar;
Era përjeton të njëjtin fat,
Mbështetur për trungun e rrapit,
Si veja me venë i përngjan pikëllimit.

Orë e çast mërrolen degët e nerenxës,
Gjethet s'marrin frymë
Nga lagështia e lotëve.
Gufojnë trishtimet
Në sytë e turbullt të mëllagës,
Përmbyten detet e kujtimeve.


KY NJERI ËSHTË I TËRI PIKËLLIM

Ti qan si një kërthi,
Kur era dënesë me ngashërim.
Një degë e vetmuar nerenxe
I shkund gjethet e zverdhura,
Nën pjergullën e moshuar
Piqet rakia e re.

Do dehet sonte ky trung mështekne,
Që me vite
I duroi të gjitha tufanet,
Por ikja e jote
E shembi deri në rrënjë.

Ky njeri është i tëri pikëllim,
Një gotë nga shpirti i hardhisë
I duket si një grusht mali,
Bie në dy gjunjë
Dhe më s'ngritët në këmbë.

Ky njeri, si era e lodhur
Ecën shtigjeve të panjohura,
Me vite të tëra e rrahën stuhitë
Por vetëm nga largimi yt
Si lisi i kalbur ra në dy gjunjë.
SA KEQ QENKE FUNDOSUR!?

Paske mbetur pa asnjë arsye,
Miku im i moçëm.
Dora e djathtë
Ka zënë
E po mbytet në xhepin e majtë,
Paske humbur deri në pafundësi;
Sa keq qenke fundosur
Në shpirtin e lotit të dehur.

Hapi sytë e lëbyrtë,
O njeri i mirë!
Hape mendjen,
Ashtu siç e hapje dikur zemrën!
Nuk janë të përmbytura
Përgjithmonë anijet e shpresës,
Përherë në jetë ekziston
Një derë e hapur,  
E cila të qet në dritë.

Qenke fundosur si një varkë
E thyer,
Në pafundësinë e pikëllimit tënd.
Hapi sytë,
Është koha e fundit;
Shikoje atë dritë inkandeshente,
Se si vezullon në fund të tunelit.


TË GJITHA UDHËT E BOTËS

Nëpër cilëndo rrugë qoftë,
Që kaloj,
Me shije rozë
Me del parasysh silueta e jote.

Të gjitha udhët e botës,
Desha unë ose s'desha,
Më drejtojnë
Kah portat e tua të mbyllura!

Tanimë syri im i djathtë
Nuk e sheh dorën tënde të majtë!
Ç'më bëre kështu,
Moj e bukura e dheut?

Si i trullosur kaloj sokakëve,
Nuk di a jam unë i dehur,
Ose rrugët i kanë përpirë
Të gjitha trishtimet e dashurisë...

Mos, o Zot!
Mos më dëno me këtë mallkim!
Edhe unë kam lindur me dashtë,
Ashtu siç donë edhe zogjtë.

UNË ENDE JAM DUKE PRITUR

Jam në pritje e sipër,
Po pres,
Që nga buzët e tua të njoma,
Si një premtim Hyjnor,
Të çelin lulet më të bukura të dheut.

Po qe se nuk çelin lulet,
Nëse rrënjët e këmbëve të tua
Kërkojnë ndonjë tjetër ishull,
Ku mund të mbjellin fidanë dashurie,
Ti mos prit,
Bëhu lule në shpirtin tim!

Ka kohë që kjo djerrinë
Paska mbetur shterpë,
Ku as bari i keq nuk rritet!
Çfarë mund të të jap
Në këto çaste,
Kur janë fishkur të gjitha lulet?

Unë ende jam duke pritur
Një qivur shimshiri,
Me një flamur në dorë,
Që t'i përshëndes ikjet e zogjve
Përtej kësaj toke të shtruar me lule.















AQ SHUMË VRAPOVA

Si i dehidruar
Vrapova nëpër trishtimin tim,
Që në fund të rrugës
Sërish t'i gjej
Copëzat e humbura të dashurisë.

Vrapova, duke mos u ndalur askund;
Aq shumë vrapova
Në jetën time,
Sa që në fund të rrugës
U shndërrova në gurë pikëllimi!







VETËM TI MBETE MBI KËTË BOTË

Të desha,
Kështu siç jam i egër.
Të dua,
Përndryshe s'di
Se çfarë do të isha,
Po të mos ishe kështu,
Siç je vetëm ti.

Deshe të më lidhësh
Me disa palë zinxhirë.
Më the se jam
Si një kalë i paçjerrë!

Vallë, çdo tentim
Ishte i kotë?
O zot,
Çdo gjë në jetë qe pavlerë,
Vetëm ti më mbete
E pavdekshme në këtë botë.

NË SYTË E TUA TË GËSHTENJTA

Mund të jetë kudo ai vend,
Kur ne u takuam:
Në kaltërsinë e qiellit
Ose në mes të  hapësirës së mjegullt.

Mund të jetë edhe në ëndrrat tona,
Por ne u pamë atë ditë,
Kur çelnin lulet e bardha,
Në sytë e tua të gështenjta.

Ishin disa çaste të ngarkuara,  
Pak me lot
E pak më shumë
Me një dozë dyshimi.

Në ajrin e dendur të mëngjesit
Sillej vërdallë
Kokëfortësia e erës,
Që i shkundte gjethet.

Mes kësaj përzierjeje, si engjëllushë
E dalë nga dheu, ishe ti;
Ishin edhe duart e tua,
Që i përngjanin lëvizjeve të lashta
Të zogjve parahistorikë.


















Nuk di, ku i kishe mësuar
Këto cicërima,
Si të ishin ariet e Shopenit!
Por sa bukur atë ditë
Bisedoje për dashurinë,
Në një gjuhë kaq arkaike zogjsh.




























Merrni çfarë të doni, nga varfëria ime
Cikli i tretë









































TA DHASHË VETËM DORËN

Erdha, e dashur në kopshtin tënd,
Si hajdut hyra
Në shpirtin e aromave
Dhe asnjëherë nuk mendova se kaq keq
Ke me m'i lidhur duart dhe këmbët!

Ishte ditë e diel,
Kur i tërë fshati shkonte në meshë;
Kurse ti, mes detit të këtyre luleve,
Ishe lulja më e bukur,
Që m'i mori mentë.

Ta dhashë vetëm dorën,
Kurse ti
More dhjetëfish më shumë;
Asgjë nuk mbeti nga lëkura ime,
Përpos puthjeve të ngrohta të stinës,
Nëpër degët e shelgjeve të gëzuara.
OSE PRANVERA E PUTHJEVE TONA

Sonte nuk kam kohë për asnjë serenatë,
Kjo natë dallon shumë
Nga netët e tjera të çmendura.
Hyra fshehurazi
Nën rrënjët e zambakëve;

Hyra dhe prita gati një shekull,
Prita një mëngjes të vesuar;
Si sytë e tua
Prita guximin tënd,
Që t'i marrësh erë zambakut,
Që njëkohësisht
Unë t'u marr erë flokëve tua.

Prita, o sa me padurim prita
Shkundjen e gjetheve,
Sepse në vendin tonë vetëm në vjeshtë
Bëhen dasmat;
Vetëm ditëve të gjetheve të arta,  
Nëpër degë ngarkuar me fryte,
Shkundet pjalmimi i puthjeve të zjarrta.

Sonte nuk kam kohë për asnjë serenatë,
Është vjeshtë
Ose pranvera e puthjeve tona,
Që aq shumë vite pritëm të çelin nerenxat.
DYMIJË VJET JAM DUKE PRITUR

Eca si i dehur nëpër natë,
Kudo dritare,
Dhe dyer të mbyllura,
Mbi një gjeth të verdhë melankolie,
Si mbi një varkë të thyer,
Notonte vetmia.

Ti, e dashur,
I kishe lënë duart dhe puthjet e tua
Mbi ullukët e çatisë;
I kishe lënë
Si amanet zogjve shtegtarë,
Që të m'i sjellin këtu, një natë.

Dymijë vjet jam duke pritur
Lindjen e diellit.
Mbrëmë në përparësen tënde
Shkundej,
Çmendurisht shkundej trishtimi.

Në këtë vjeshtë,
Si morti i zi,
Më erdhi një lajm kobndjellës;
Kurse unë e di fare mirë, e di
Se në vjeshtë
Fillojnë dasmat në qytetin tonë.






MERRNI, ÇFARË TË DONI, NGA VARFËRIA IME

Mos më leni sonte të flas,
Mund të shkulni çdo gjë nga shpirti im,
Por dashurinë nuk ua jap;
As me tërë botën
Nuk e ndërroj një fije floku të saj.

Heu, dreqi ju marrtë, o njerëz!
Mos provoni kot,
Nuk mundeni me ma marrë dashurinë;
Diçka, që nuk ma keni dhënë,
Si mund ta merrni,
Ajo ka qenë dhe është vetëm e imja.

Merrni çfarë të doni, nga varfëria ime;
Mund t'i merrni
Edhe këto lëkura të regjura dhensh,
Kërrabën  dhe të gjitha këto dele,
Por mbi ogiçin e vathit dhe dashurinë time,
S'ka njeri që vë dorë, në këtë botë.
NË CILËN DEGË TË PIKËLLIMIT TË ULEM

Nënë, diçka po më dhemb në shpirt,
Një gur i rëndë
Si jeta peshon në mua.
Largoji këto gjethe të njoma,
Po ia verbojnë sytë pranverës.

Mes fjalëve të njerëzve
Ka çelur gështenja e egër,
Moj nënë,
Ka çelur si trishtimi;
Afromi duart e tua të lodhura,
Të më përqafojnë sonte.

Çdo gjë e boshatisur në shpirtin tim,
Po fryn një erë e acartë.
Kam të ftohtë, moj nënë,
Po më ngrihet gjaku ndër dej;
Ajo iku andej ose këndej,
Por iku diku, moj nënë.

Më lë këtu me duar të ngritura lart
Ose më lë pa duar, moj nënë.
Si t'ia bëjë sonte,
Në cilën degë të pikëllimit të ulem
E të këndoj si kukuvajka, moj nënë?!






PËR PUTHJET TONA TË HUMBURA

Miku im, mos harro,
Ne të gjithë i përngjajmë tokës,
Secili prej nesh
Kemi nga një grusht dhe nëpër xhepa;

Kemi dhe e bartim si qefinin tonë.
Kur na zë uria,
I kafshojmë gjethet e bardha
Të ndonjë lisi të zi.

Kur jemi të përgjumur, i përqafojmë lisat,
Si të dashurat tona;
Deri në fund të rrugës
Ecim nëpër paralelet e gjetheve.

Mbrëmjeve të vona, nën hijet e mjegullave,
U shkruajmë letra të dashurave tona,
Shkruajmë dhe u qajmë hallet,
Duke kërkuar falje
Për puthjet e humbura nëpër stërnishta.
DO T'I PI GLLËNJKAT E PARA TË UJIT

Do të kthehem një ditë,
E dashur,
Do të kthehem,
Kur këto refrene gjethesh
Do të shtrihen të zverdhura nëpër tokë.

Do më presë këtu një pranverë tjetër,
Gjelbërimi do u përngjajë lule zambakëve.
Në duart e tua,
Si nga gjethet e vjeshtës me shi,
Do t'i pi gllënjkat e para të vesës.

E di, më ke premtuar,
E di se ti do ta mbash fjalën.
Dashuria nuk është pëllumb,
Që sa herë t'i teket,
Të fluturojë në çerdhe të huaj;
Mu për këtë, unë një ditë do të kthehem.

Do takohemi
Me pranverat tona të humbura,
Nga gishtat e tu të gjatë
Do pikojnë si kokrrat e rrushit
Unazat e pritjeve.
Do vij, e dashur, do vij në ditë
T'i shkundim gjethet e njoma  të pemëve.


SONTE NUK ËSHTË KOHA E TRISHTIMEVE

Të lutem, hesht!
Nuk është koha e pikëllimeve,
Ani që kjo natë
Qenka ulur në sytë e tu;
Ti mund të shohësh dritë
Përtej asaj drite të verbër.

Një mëllenjë e trishtuar,
Mbrëmë gjatë tërë kohës,
Pinte ujë
Në shuplakat e vrazhdët të erës;
Ndoshta, ishte koha
E përshtatshme
Për kthimin e lejlekëve endacakë.

Ti, mos qaj sonte,
Lotët  nuk mund t'i lajnë
Pendimet e tua.
Ishte një kohë, kur acari
Brente hekur.
Mos qaj,
Mos qaj, e dashur!
Sonte nuk është kohë e trishtimeve.
AJO NUK ERDHI SONTE

Gastarja e mbushur deri në buzë,
Nata s'paska aspak etje;
Nga sytë e pritjes
Pikojnë çastet.
Mbi tavolinë,
Një njeri harroi kapelën e erës.

Mes nesh karriget e dehura
Dhe një pjatë e palarë.
Nata i paska veshur për herë të parë
Pantallonat e bardha;
Ndoshta, feston ditëlindjen e trishtimit.

Ajo nuk erdhi as sonte,
Nuk kishte ardhur edhe para një jave.
Ende mbi tavolinë
Kanë mbetur grimcat e fjalëve;
Shih sa qenka vonuar në këto çaste,
Koha e shkundjes së pemëve.

Më duket se gjërat po ndryshojnë
Në një mënyrë marramendëse.
Mbi një gur të bardhë, si bora,
Është ulur mbrëmja
Dhe pret mëngjesin e dërmuar
Të zgjohet nga flokët e saja.




NË INTERVALE TË NJËJTA KOHORE

Me javë të tëra
Po shoh një ëndërr të njëjtë:
Më del parasysh një lejlek,
Me një zambak të bardhë në sqep.

Më dalin
Edhe disa lloje lulesh,
I tërë gjelbërimi shtrihet parasysh,
Si një qilim magjik i 1001 netëve.

Shtrihet, kurse ajo këmbëzbathur,
Me hapa të lehta
Shkelë mbi tepihun e gjumit,
Si një sutë e egër mali kalon
Prej një ane të ëndrrës,
Deri në anën tjetër të kujtesës.

I zgjas duart,
Preki asgjënë;
Nëpër boshllëkun e dhomës
Dëgjohen zërat e huaja
Dhe të panjohura, që lindin nga ëndrra ime.

















Sërish më vjen ëndrra e njëjtë,
Sërish netët shtrihen
Mbi tepihun e gjelbërimit,
Kurse ëndrrat e mia të ripërsëritura
Kurrsesi të mejnë.

Me gishtat e holla të shpresës
M'i prekin fijet e arta të gjumit,
Ëndrra e cila si një magji
Përherë përsëritet,
Në intervale të njëjta kohore.






KUR MA ZGJATE DORËN...

Më kujtohet, kur u pamë...
Isha njeriu më i vogël në botë,
Por sytë e mi
Mbetën në sytë e tu,
Si gjiri i Rozafës  
Nën qemerët e një legjende.  

Ishte një kohë e ndryshueshme,
Diku binte shi
E diku në ndonjë vend tjetër,
Në shtëpitë me dritare të hapura,
Nuk ndaleshin serenatat e lotëve.

Më kujtohet fare mirë, më kujtohet
E dashur,
Kur ma zgjate dorën;
Më nxore nga ai baltak, që mbytesha
Si një bretkosë e sëmurë.
Dhe ja, ku jam sot
E rritem si dallgë deti në sytë e tu.




MARRIM NGA DIÇKA PREJ NJËRI -TJETRIT

Sonte nuk jam i vetëm,
Me mua janë
Të gjitha kujtimet tona
Dhe dora e jote e ngrohtë
Në dorën time.
Ecim  ngadalë së bashku rrugëve,
Nga çdo çast i ecjeve tona  
Marrim nga diçka prej njëri tjetrit.

Ti, në duart e tua i mbanë  fort
Gjethet e vjeshtës;
Kurse unë tërë stinën e ngjyrosi
Me ngjyrë portokalli.
Ecja e jonë i përngjan  një lokomotive,
Që merr frymë si njeriu i ëndrrave tua.

Kalojmë si dy krijesa të  lumtura,
Nëpër alenë e kujtimeve;
Pa dashje zgjojmë të kaluarën,
I zgjojmë kohërat,
Që i murosëm në kujtesë.























Dhe pa shikuar përpara
Ose pas shpine,
Kapemi dorë për dore
Duke e harruar ekzistencën tonë,
Në këto çaste madhështore.

O, MOS MË SHTYJ, TË LUTEM!

Zgjatma dorën
Edhe nëse më përvëlon dashuria e jote;
Dua që të digjem i tëri,
Se përndryshe
Nuk mund t'i përngjaj drurit,
Që shndritë netëve të gjata,
Si sytë e xixëllonjave.

O, mos më shtyj, të lutem!
Mbase, as nuk është nevoja
Të gjunjëzohem deri në tokë.
Por, nëse duhet,
Do të të shtrihem para këmbëve
Dhe s'do të çohem,
Derisa i dëgjoj përgjërimet e tua.

Zgjatma, pra, dorën e dashur,
Kapma dorën time,
Se do të më ndalet frymëmarrja!
Asnjëherë nuk i kam përngjarë
Portokallit të verdhë,
Sot më janë lëmekur
Edhe mendimet;
Më është lodhur dhe dërmuar shpirti,
Zgjatma dorën, të lutem!









SA HERË QË SHIHESHIM

Unë kisha mall për të,
Aq sa ajo kishte ëndrra për mua.
Ecëm paralel me njëri tjetrin,
Por asnjëherë
Nuk i bashkuam duart.

Ajo ishte e ngarkuar
Me  problemet e saja,
Kurse mua më mungonte buzëqeshja e erës.
Sa herë që shiheshim,
Shikimet tona ishin të akullta.

Kur kuptuam se ishte një lumë i thellë
Mes nesh,
Aq ishte bërë vonë,
Sa që ne hymë
Në një rrugë pa rrugëdalje.
TINGUJT E NJË MUZIKE TË LASHTË

Kur ajo kalon nëpër alenë e dhembjes,
Drurët përkulen deri në tokë,
S'ndalet as kori i bretkosave,
Era pjalmon
Tingujt e një muzike të lashtë.

Ngapak bie një shi i mërzitshëm
E ngapak
Thua se po turpërohen dritat fosforeshente,
Por ajo, gjithësesi,
Përkundet duke ecur,
Deri te ëndrra e saj e parealizuar.

Kur nata zbret nga froni i përgjumur
Në horizontin e largët,
Abdikojnë yjet endacakë,
Ajo sërish parakalon
Nëpër shpirtin e turbullt të alesë,

Parakalon si një hije e murrme.
Prej çative
Fërshëllejnë ullukët,
Fërshëllejnë një melodi të harruar
Për dështimin
E një nate të lagur në shi.
                             Prishtinë, 09 prill 2014
NJË GRUA ZGJON DITËN E DREMITUR

Për çdo mëngjes,
Si këndesi i përgjumur,
Një grua zgjon ditën e dremitur
Për t'i hapur dyert e Parajsës,
Po edhe ato të Ferrit.

Përtej atyre portave
Vetëm zbrazëtia llamburit,
Duart mbesin të ngritura;
Në ajrin e ngrirë
Nuk bëzajnë si mizat e lodhura.

Mushkonjat hyjnë fshehurazi
Nëpër paradhomat e gjakut
Dhe  si somnambul  
Kalojnë nëpër kapilarët e blertë.

Dita veç ka ikur
Përtej atyre plepave të kuq,
Mbi supet e një ëndrre
Mbrëmja i lëshon krahët e dremitur.

Dhe sërish e sërish
E njëjta këngë,
Sërish një dorë e një gruaje
I ngacmon sytë e lëbyrtë të mëngjesit.























Dhe po ajo dorë gruaje herët në mëngjes
Kush e di se për të satën herë
I zgjon plepat e përgjumur,
Kur hapen dyert e Ferrit
Ose ato të parajsës, njëkohësisht.


U NIS PREJ NJË ASKUNDËSIE

Ajo në dorën e majtë të askundësisë
Mban një lule,
Kurse në dorën e djathtë
Rritet një pemë e egër,
Që nuk i përngjan asgjësë.

Në mëngjes, me lotët e vesës
I ujite kujtimet e dërmuara,
Kurse gjatë tërë ditës
Kotej si një mace e egër
Nën një çati, ku s'binte shi.

Nëpër duart e saja të mëdha
Kaluan disa lloje përqafimesh,
Ato të mëngjeseve të hershme
Dhe përqafimet
E mbrëmjeve të vona,
Të lodhura e të dërmuara nga djersitjet.

Nëpër xhepat e shqyera
Nuk gjendej asnjë adresë e saktë,
Letërnjoftimin e kishte harruar
Ose fshehur
Nën trarët e ndonjë hani.














Ajo nuk e përfillte askënd,
Po edhe as vetveten,
Kalonte nëpër itinerarin e një rruge
Me një adresë të humbur.

Të humbura i kishte edhe shpresat,
U nis prej një askundësie,
Mbase edhe do të mbërrijë në askundësi.







NUK  LASH NJERI PA PYETUR

Duart e tua i pata kërkuar
Në brendinë e çarçafëve të bardhë,
Era nuk ishte në dhomë,
Ishte zhdukur diku larg,
Me flokët e shprishura
Dhe të verdha të hënës.

Ishte një largësi e pamat,
Asgjë nuk shihte syri im i verbër
Përtej asaj largësie,
Një tjetër largësi e lodhur;
Qeshja e jote
Fshihej pas një ëndrre të trishtë.

Nuk lash njeri pa pyetur
Për humbjen e shpresës,
Por të gjithë ishin të pashpresë,
Nëpër paradhoma me perdet të zeza
E të mbyllura;
Shëtisnin me nga një këmishë të bardhë.













Dukeshin si hije të verdha
Ose më mirë të jem i sinqertë,
As vetë nuk di se si dukeshin
Ato hije,
Por gjithsesi ishin
Çmendurisht të dashuruara,
Deri në çmendi.
                           Prishtinë,10 prill 2014

             

JETËSHKRIMI I AUTORIT

Adem Zaplluzha u lind në Prizren, më 1943. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Një kohë punoi mësues nëpër fshatrat Studençan të Therandës (ish Suharekës) dhe Hoça e qytetit, afër Prizrenit. Ndërkohë, punësohet si përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës. Me shkrime, kryesisht me poezi,  filloi të merret që nga mosha e fëmijërisë. Rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmij,ë të cilën e botoi në revistën "Pionieri", më 1957. Me tej, bashkë me shokët e punës dhe pendës themeloi grupin letrar "Lulëkuqet e Kosovës". Në kuadër të punës së këtij grupi letrar, u botua përmbledhja "Ngjyra e kohës", në të cilën u përfshi një numër jo i vogël  i poezive të tij. Krahas krijimeve të publikuara në revistat për fëmijë, botoi edhe një serë shkrimesh nëpër gazetat e kohës, që dilnin në Prishtinë dhe Shkup. Është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, pjesëmarrës në disa antologji dhe në librin "Kosova letrare", nga poetesha Monica Mureshan. Është paraqitur në "Leksikonin e Shkrimtarëve Shqiptarë, 1501-1990", nga Hasan Hasani, në "Leksikonin Shkrimtarët Shqiptarë për fëmijë, 1872 1995", nga Odhise K. Grillo, si dhe në librin "Portrete Shkrimtarësh", nga Demir Behluli, Prishtinë, 2002. Në maj të vitit 2013, Klubi i Artistëve dhe i Shkrimtarëve të Durrësit i dha "Çmimin e Karrierës", për ndihmesën e dhënë në letrat shqipe. Jeton dhe krijon në Prishtinë.

BOTIME TË AUTORIT

1. "Puthje", poezi, "Rilindja", Prishtinë,1974.
2. "Ecjet e viteve të mëdha", poezi, "Jeta e Re", Prishtinë 1995.
3. "Çamarrokët e Thepores", poezi për fëmijë, "Shkëndija", Prishtinë 1996.
4. "Muret", poezi, "Jeta e Re", Prishtinë, 1997.
5. "Morfologjia e dhembjes", poezi, "Faik Konica", Prishtinë,2000
6. "Ai vjen nesër", poezi, Qendra e Kulturës, Klubi letrar"Fahri Fazliu", Kastriot, 2007
7. "Letër nga mërgimi-1", poezi, Klubi letrar "Fahri Fazliu"Kastriot , 2007
8. "Letër nga mërgimi-2 " poezi, "Qendra e Kulturës", Klubi letrar , "Fahri Fazliu", Kastriot 2007
9. "Udhëndarja", poezi, "Qendra e Kulturës", Klubi letrar ,"Fahri Fazliu", Kastriot , 2008
10. "Thirrje e gjakut", poezi,"Qendra e Kulturës", Klubi letrar, "Fahri Fazliu", Kastriot, 2008
11. "Asgjë sikur molla", poezi, "Qendra e Kulturës", Klubi letrar "Fahri Fazliu", Kastriot, 2009.
12. "Vesa në lotin tim", poezi, "Qendra e Kulturës", Klubi letrar "Fahri Fazliu", 2009.
13. "Puthja e gozhduar", poezi, "Qendra e Kulturës", Klubi letrar, "Fahri Fazliu", Kastriot , 2009.
14. "Kashelasha në vargje", poezi për fëmijë," Qendra e kulturës", Kastriot, 2009.
15. "Pema e bekuar", E përkthyer, Rumani, 2010.
16. "Bajraktarët e vatanit", poezi satirike, Klubi letrar, "Fahri Fazliu" Kastriot , 2010.
17. "Hijet e ndryshkura", poezi,"Qendra e kulturës", Kastriot,2010.
18."Stuhi në Kutulishte", poezi,"Qendra e kulturës", Kastriot, 2010.
19. "Posa ikte nata", poezi, "Qendra e kulturës ", Kastriot,2010.
2o. "Loja e myshqeve", poezi,"Qendra e kulturës", Kastriot, 2010.
21. "Lumëbardhi dhe gjëma", poezi,"Qendra e kulturës",Kastriot, 2010
22. "Metafora e heshtjes", poezi, "Qendra e kulturës",Kastriot, 2010
23. "Hyji në Prekaz", poezi,"Qendra e Kulturës", Kastriot,2010.
24. "Sinorët e hinores", poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot 2010
25. "Don Kishoti dhe Rosinanti", poezi, Shoqata  e Shkrimtarëve, Kastriot, 2010
26."Zjarri i dashurisë", poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2010
27. "Kur likenet vallëzojnë", poezi, Shoqata e shkrimtarëve, Kastriot, 2010
28. "Ditari në vargje", poezi, Shoqata e Shkrimtarëve,Kastriot, 2010
29. "Tingujt që nuk përfundojnë", poezi, Shoqata e shkrimtarëve,Kastriot, 2010.
3o.  "Shtegu i mallit", poezi, Shoqata e shkrimtarëve,Kastriot, 2010
31. "Korniza e thyer"',Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, -Kastriot, 2010
32. "Zgjimi i gjëmës",Poezi, Shoqata e Shkrimtareve-Kastriot, 2010
33. "Vallja mistike", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2010
34. "Merre kodin",  Poezi për fëmijë, Shoqata e shkrimtarëve, Kastriot,2011
35. "Letër Atdheut", poezi, Shoqata e Shkrimtarëve,Kastriot, 2011
36. " Tejdukshmëria e shiut", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2011
37. " Përtej teje", poezi, Shoqata e  Shkrimtarëve,Kastriot, 2011
38. "Sa afër e sa larg" , poezi, Shoqata e shkrimtarëve, Kastriot, 2011
39. "Vallja e zanoreve", Poezi , Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2011
40. "Ikja e eshtrave", Poezi për të rritur, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2011
41."Kalorësit e mjegullave", Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, Kastriot, 2012
42. "Hingëllimat e shiut", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
43. "Kur pemët i ndërrojnë këmishët", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot,  2012
44. "Mirëmëngjes, Imzot", Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, Kastriot, 2012
45. "Kafshimi i mikut", Poezi satirike, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
46. "Atje tej maleve", Poezi, Shoqata e shkrimtarëve , Kastriot-2012
47. "Heshtja që del në shesh," Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot,2012
48. "Portat e shpresës", Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, Kastriot, 2012
49. "Në dhomën time gjysmë të errët", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
5o. "Kinse Lojë Shahu", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12
51. " Për çdo dekadë nga një baladë ", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
52. "Fusha e mëllenjave", Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, Kastriot, 2012
53. "E kujt është kjo vetmi", Poezi, Shoqate e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
54. "Mos pyet për adresën e lumit", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
55. " Stoli në parkun vjetër", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
56. "Urori i stralltë", poezi, Shoqata e shkrimtarëve, Kastriot, 2012
57. "Po të mos ishte fjala", Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, Kastriot, 2012
58. "Thyerja e urave", poezi, Shoqata e shkrimtarëve, Kastriot, 2012
59. "Trokëllimat në gjumin e dallgëve", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
60. "Në flokët e borës", poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
61. "Një grusht nostalgji", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
62. " Kur filluan të flasin njerëzit", poezi, Shoqata e shkrimtarëve, Kastriot, 2012
63. "Kur stinët kapërcejnë fshehurazi", poezi, Shoqata e Shkrimtarëve Kastriot,2012
64. "Lisi në rrënjët e veta" , Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
65. "Eca ecëm dhe do ecim", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
66. "Fëmijët e erës", Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, Kastriot, 2012
67. "Çast në fund të stinës", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
68. "Si të flas me drurët", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
69, "Më pëlqejnë mendimet e tua", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
70. "Andej dhe këndej kohës", poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot , 2012
71. "Zëri i heshtjes", poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
72. "Kush i lexoi letrat prej erës", poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
73. "Fluturimi i korbave, në netët pa hënë", prozë poetike, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
74. "Koha e ime dhe koha e jote", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot , 2012
75."Diku te një baladë", Poezi, Shoqate e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
76. "Sonte çdo gjë po i përngjan lotëve", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
77. "Ky def prej hëne", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2012
78."Pyesni zogjtë në ikje ", Poezi , Shtëpia botuese "Fahri Fazliu", Kastriot, 2013
79. " Fërfërimë gjethesh", Poezi, Shtëpia botuese "Fahri Fazliu", Kastriot, 2013
80. "Refrene yjesh", Poezi, Shtëpia botuese "Fahri Fazliu", Kastriot, 2013
81. "Te delta e mjellmave", Poezi, Shtëpia botuese "Fahri Fazliu", Kastriot, 2013
82."Rinjohja", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot, 2013
83."Diku, në fund të një fillimi", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, "Fahri Fazliu"- Kastriot, 2013
84."Makthi i hijes", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve" Fahri Fazliu",Kastriot, 2013
85."Një zog prej uji", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot,2013
86."Asnjë fjalë nuk frymon", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, "Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
87."Daullet e një nate", Poezi, Shoqata e shkrimtarëve "Fahri Fazliu",Kastriot, 2014
88."Sytë e gurtë të erës", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
89."Kur dehen perënditë" , Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu",Kastriot, 2014
90. "Fjetëm njëqind shekuj", Prozë poetike, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
91."Krakëllimat e natës",Poezi, Shoqata e shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
92. "Ndjekësit e enigmave", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot,2014
93. "Atdheu i paçmuar",Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve" Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
94."Psalm i harruar ",Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, "Fahri Fazliu",Kastriot, 2014
95,"Për kë po bie moj kambanë", Poezi,  Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
96. "Mbi flokët e ullukëve", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu",Kastriot, 2014
97. "Menatë vijnë lejlekë", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
98. "Loti i gotës së dehur" , Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
99. " Stina asnjanëse" , Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
100. "Dëneste, bashkë me erën", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
101. "Druri i pikëlluar", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, "Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
102. "Një grusht dashuri" , Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
103. "Lëreni zërin tim" , poezi, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
104. "Shi në qytetin tim" , Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
105. "Si trenat e verbër "  , Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
106. "Zjarri i malli tim " , Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
107 . "Kur teshtinë era "  , Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
108. "Mbi shpirtin e erës pagane" , Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
109."Nëpër gjymtyrët e mjegullave", Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve "Fahri Fazliu", Kastriot, 2014
110."Ajo nuk erdhi sonte", Poezi, Shtëpia Botuese "Trend" Prishtinë, 2015












PËRMBAJTJA

Cikli i parë
Të lutem, zgjatmi duart!

Afër shtatë dhimbje  .............................................. 13
Të lutem, mos ik sonte! ......................................... 14
Fanari .................................................................... 15
Zgjatmi duart e shpresës ....................................... 16
Ai ishte vetë dashuri .............................................. 17
Kjo plagë e bardhë ................................................ 18
I pashë hapat e tua ................................................. 19
Të lutem, zgjatmi duart! ........................................ 20
Mbase, ky ishte fati im .......................................... 21
Ku janë prekjet e tua ............................................. 22
Hesht, moj xhani im! ............................................. 23
Unë, i lindur rebel ................................................. 24
Në shpirtrat e dy njerëzve ..................................... 25
Secili prej nesh ...................................................... 26
Më kafshon dhoma e zbrazët ................................ 27
Ditën, kur m'u shfaqe ti ........................................ 28
Ose si një zambak pa aromë .................................. 29
E, jo vetëm sot për sot ........................................... 30
I vrasin zogjtë në fluturim ..................................... 31
Është e vetmja engjëllushë .................................... 32
Të shoh në syprinën e ujit ..................................... 33
Kaluan kohëra të arta ............................................ 35
Pastaj i lëshojmë frerët .......................................... 36
Atë ditë, lindi si dielli dashuria jonë ..................... 37


Cikli i dytë
Dje nuk isha në dhomën time

Thonë se poetët... .................................................. 41
Kjo ëndërr e brishtë ............................................... 42
Ti, zogu im ............................................................ 44
Ti je ajo, që i mban gjallë ...................................... 45
Më nxirr nga kjo skëterrë ...................................... 46
Mbi krahët e pulëbardhës ...................................... 47
Dje nuk isha në dhomën time ................................ 48
Kaluan ca mote të liga ........................................... 50
Kjo lëvizje i përket lejlekëve ................................ 51
E ledhatonte edhe dëshpërimin ............................. 52
Ajo, që shiste lule .................................................. 53
Në dhomën time të vogël ...................................... 54
Kurse fustani yt rozë ............................................. 55
Vetëm disa njerëz të dehur .................................... 58
Me flokët e shprishura të trëndafilit ...................... 59
Nga lagështia e lotëve ........................................... 61
Ky njeri është i tëri pikëllim ................................. 62
Sa keq qenke fundosur .......................................... 63
Të gjitha udhët e botës .......................................... 64
Unë ende jam duke pritur ...................................... 65
Aq shumë vrapova ................................................ 66
Vetëm ti mbete mbi këtë botë ............................... 67
Në sytë e tu të gështenjta ...................................... 68





Cikli i tretë
Merrni çfarë të doni, nga varfëria ime

Ta dhashë vetëm dorën ......................................... 73
Ose pranvera e puthjeve tona  ............................... 74
Dy mijë vjet jam duke pritur  ................................ 75
Merrni çfarë të doni, nga varfëria ime .................. 76
Në cilën degë të pikëllimit të ulem ....................... 77
Për puthjet tona të humbura  ................................. 78
Do i pi gllënjkat e para të ujit ................................ 79
Sonte nuk është koha e trishtimeve ....................... 80
Ajo nuk erdhi sonte ............................................... 81
Në intervale të njëjta kohore ................................. 82
Kur ma zgjate dorën .............................................. 84
Marrim nga diçka prej njëri- tjetrit ....................... 85
O, mos më shtyj, të lutem! .................................... 87
Sa herë që shihemi ................................................ 88
Tingujt e një muzike të lashtë ............................... 89
Një grua zgjon ditën e dremitur ............................ 90
U nis prej një askundësie ...................................... 92
Nuk lash njeri pa pyetur. ....................................... 94










      Katalogimi në botim (CIP)
      Biblioteka Kombëtare  e Kosovës "Pjetër Bogdani"
      

821.18-1

Zaplluzha, Adem
      Ajo nuk erdhi sonte / Adem Zaplluzha. : Prishtinë : "Trend", 2015. 108 f. ; 21 cm.

Jetëshkrimi i autorit : f. 96-104

ISBN 978-9951-694-02-5
 

               













ADEM ZAPLLUZHA


 AJO NUK ERDHI SONTE


PAGE  108


PAGE  107

ADEM ZAPLLUZHA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
FAN NOLI - FIGURA FAUSTIANE E POPULLIT SHQIPTARNga SKËNDER LUARASI (03.15.2015)
BISEDË ME LIRINËCikël poetik nga RRUSTEM GECI (03.14.2015)
NJË PËRMENDORE PËR MIKUN E MADH D’ESTOURNELLES DE CONSTANT(fjalë përcjellëse per librin UNË I KAM SHUMË BORXH SHQIPËRISË)Nga REXHEP SHAHU (03.14.2015)
E KUJTOJ ME MALL E PIKËLLIM QERIM UJKANINNga FARUK TASHOLLI (03.13.2015)
QERIM UJKANIT TË LETËRSISË I RREH ZEMRA NË NOKSHIQ TË PLAVËSNga RAMIZ LUSHAJ (03.13.2015)
HOMAZH PËR QERIM UJKANIN(Pas lajmit të ndarjes nga jeta të QERIM UJKANIT 1937-2015)Nga PREND BUZHALA (03.13.2015)
DJEGIA E FANTAZMËSParathënia e librit të Vaso Çubrilloviqit 'Shpërngulja e shqiptarëve'Nga IZET DURAKU (03.12.2015)
KRAH I THYER ZOGU Cikël poetik nga SHQIPONJA AXHAMIMe një hyrje nga poeti REXHEP SHAHU (03.12.2015)
POEZI LIRIKECikël nga PËRPARIM HYSI (03.11.2015)
H E R O I K APoemë për Kryengritjen e 11 Marsit 1981Nga RRUSTEM GECI (03.11.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]