VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
ARTI POETIK Poezi nga JORGE LUIS BORGES Shqipëruar nga ELIDA BUÇPAPAJ E Mërkurë, 03.18.2015, 11:07am (GMT1) Të vëzhgosh lumin prej kohe dhe uji Të kujtosh se koha është një tjetër lum. Për të ditur se ne humbim si lum Dhe fytyrat tona zhduken si uji. Të ndjesh se zgjimi është një tjetër ëndërr Se ëndrra e paëndërr është vetë vdekja Se mishi jonë i friguar është vdekja E çdo nate, që ne e quajmë një ëndërr. Të shikosh në çdo ditë dhe vit një simbol Të ditëve të njeriut dhe viteve, Dhe të konvertosh zemërimin e viteve Në muzikë, në zë dhe një simbol. Të shikosh tek vdekja ëndrrën, tek perëndimi I artë trishtimin - e tillë është poezia E varfër dhe e pavdekshme është. Poezia, Që kthehet herë si lindje e herë si perëndimi. Ndonjëherë muzgu ka një fytyrë Që na sheh nga thellësia e një pasqyre. Arti duhet të jetë kjo lloj pasqyre, Që ne na e zbulon fytyrën. Ata thonë se Uliksi, lodhur nga mrekullitë, Qau me dashuri kur iu shfaq Itaka, E përvuajtur dhe e gjelbër. Arti është Itaka, Një përjetësi e gjelbër, jo mrekullitë. Ai është gjithashtu si lumi pafund, që rrjedh e rri dhe është pasqyrë e njëjtë e Heraklitit* të ndryshueshëm, i cili është i njëjtë dhe prapë ngjan një tjetër, si lumi pafund. *Jorge Luis Borges përmend në strofën e fundit Heraklitin i cili ka thënë se është e pamundur të lahesh në të njëjtin lumë, sepse pas herës të parë, si lumi ashtu edhe njeriu nuk janë më të njëjtët. Borgesi thotë të kundërtën se edhe nëse bëhemi ndryshe jemi të njëjtë (Shënimi nga shqipëruesja) Shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |