VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TRIPTIK POETIK PËR SHKODRËN
Sonete nga ERNEST KOLIQI

E Premte, 03.20.2015, 08:21am (GMT1)



SHKODRA NË MËNGJESE

Këndojnë bashkë në mëngjese pesë kumbonare,
këndojnë në ajri mbi Shkodër ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh në liqe synin e qetë.

Përhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë
të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë,
e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija
udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,
tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:

skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë
në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë.
--

SHKODRA NË ZHEG

E zhegu jetën edh' e shafitë
e krejt qyteti disi kolomendet;
heshtin pirajkat, heshtin avlimendet,
e n'at heshti mbretnon e bardha dritë.

Veç ndonji çikrik pusi tue kersitë
dëgjohet hove-hove e' i hap qi endet
vetmimtar n'zheg, msa flejn' njerzit e sendet,
edhe kadalkadal vjen tu'u avite.

Oh, shqetija fmijnore, n'moshë t'prarueme !
Nana na vente, n'zheg ne fmijt, me fjetë
për t'i dhan me gjum' t'on' , pak pushim shpis...

Por na sa ndiejshëm ngjat at hap, n'të shtrueme
s'na zente vendi vend: rrijshim t'paqetë,
pse at hap e ndiqte britma e hallvaxhis!


SHKODRA NË MBRAMJE

Sa ambël n'mbramje shqimet drita e diellit
qi bje kadalkadale andej kah ana
e malit tue lan' mbrapa ngjyrat e t'tana:
zambake ar, vjollza e fletza drandofillit,

e n'at zjarrm lulesh, ndez' ndër skaje t'qiellit
vizaton Rozafati gurt vigana,
e nëpër hyj qi kallen n'qiellt e gjana
del si vetull hyjneshe hana e prillit.

Prej Maranajt zbret nata (nga erdh dita),
për me fil' ngjyrat qi pat falun drita,
E Shkodra n'hije pak nga pak, qe, humë.

Minerat përmbi të, t'bardha n'ajri,
sogje qiellore duken qi e ruejn' n'gjumë
kur flen nën hyj qi ia mbulojn' qiellt unjit.

ERNEST KOLIQI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.