VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PA MËDYSHJE
Cikël me poezi nga QAZIM SHEHU

E Hënë, 03.23.2015, 11:23am (GMT1)



PA MËDYSHJE


Le të qeshet dhimbja sa të dojë,

Palaço cirku,

Ligësisë së saj do i rri rojë,

Helmit prej arseniku.


Veç optimizmin do përqafoj

Edhe rreze e kuvërt po të jetë,

Dhembja nga është nisur le të  shkojë,

Siç ndizen e shuhen të penduara rrufetë



KURM


Lavdi, o zot, për të tillë kurm

Që krijove në ditë pushimi,

Na bën ai të nisemi për sulm

Dëshirash dhe dështimi?


Kaq hire dhe farfuri,

Kurmit të femrës i dhe,

Sa rrezet morën shkëlqim të ri,

Kur e mbështollën me nge.


Po kur u kthyem prej mallëngjimit

I gjithi shkrirë për ne,

Ish çast i fortë i pendimit

Si stuhia që s`u mbars me re...



PASQYRAT

Vjen mosha dhe poetët thyejnë pasqyrat,

E po, dikur, ato i kanë dashur,

Tani kalimthi vështrojmë fytyrat,

Me një ndjenjë të argasur.

Edhe Anakreonti më i dashuruari,

Ato nuk i deshi fort,

Ia sollën grate e ngacmuara,

Të shihte se dashuronte kot...

+++

Thellësinë e marrë

Ndez një lot,

Fontanë fjale ngrihet hov...

+++

Pema me gjethe të errta

End mallëngjime,

Në qiell retë bëhen të përhime...

+++

Yje në befasi eklipsesh

Shkanë sytë,

Kur dashuria me dallgë të mbyt...

++++

Ky gur i bardhë,

Mbi kodër rri

Jeta e ngriti roje aty...

+++

Gurëzimi i heshtjes

Kërkon  veshin e hapësirës,

Pa u thërmuar...

+++

Gravurë e mbrëmjes

Pa një vizë

Tretur prej dhembjes...
QAZIM SHEHU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.