VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MOS TË LUTEM MOS THUAJ
Cikël poetik nga ADEM ZAPLLUZHA

E Martë, 03.24.2015, 08:57am (GMT1)




MOS TË LUTEM MOS THUAJ

Mos të lutem
Mos më thuaj  
Se këtu është fundi i rrugës

Ditët posa kanë filluar të lëvizin
Përtej mendimit të shiut
Po lahen në pluhurin e horizontit
Trëndafilat e zinj

Mos thuaj se është stinë vjeshte
Ani se shirat
Lotojnë si detet e pikëlluar
Ti asnjëherë
Nuk do të përmirësohesh

Shih se si po luajnë me ne
Të vdekurit mes të gjallëve
Një valle të lashtë morti

Mos të lutem
Mos thuaj se jemi në fund
Fillimi i ditës
Posa ka nisur të ecën
Po bien do shira të verdha
Mbi flokët e shprishura të hënës

Ishim njëherë
Ose nuk ishim askund
Kur luante Lumëbardhi me fatin e erës

Shiko të lutem
Se sa shumë i xhelozon kalaja
Prekjet e gishtave të tua

Mbi supet
E posa të çelura të zambakëve
Kanë zënë të çelin vezët e kanjushave
Disa lloje të tjera lejlekësh

NGA BARRA E MËKATIT

Kur stërkalat e shiut imcak
Bien me rrebesh
Mbi flokët e mia të thinjura
Nën një gjeth të mykur të fatit
Rrëqethet dreri i verbët

Nën hijet e mjegullave
Ylberet i fshehin ngashërimet
Vashat lahen me lotët e hënës
Trishtimi zbret nga degët e pemëve
Dhe qan me ngashërim
Si një mjellmë e plagosur

Kur shurdhohet zëri i kambanës
Të vetmuarit
I humbin edhe shpresat e fundit
Nga barra e mëkatit
Degët e mushmollës së pikëlluar
Lëshohen
Deri në fund të rrënjëve

BARRA QË MUND TA MBAJ  SONTE

Vrapoj si shiu i përhumbur
Nëpër rrugët e brymta të qytetit tim
Një zë më vjen nga lashtësia
Mbase është zëri i kujtesës

E shiu troket si i çmendur
Nuk ndalen të trokiturat në mendje
Shtreza ka filluar të ecën si drurët
Ecin çatitë
Nëpër shpirtin e ngurtë të hënës

Asnjë kalimtar nuk duket në horizont
Vetëm kjo vetmi e brishtë
I shtrinë duart
I shtrinë kah pikëllimi i plepave
Ku qajnë zogjtë e verbër të fëmijërisë

Më duket se
Sonte është për çdo gjë vonë
Tepër vonë që të pendohem sërish
Ky faj që më rëndon në shpirt
Mbase qenka barra më e lehtë
Që mund ta mbaj sonte

CILI DO QOFSH TI

Ndalu
Ndalu të lutem
Cili do çofsh ti që shkelë sonte
Nëpër ëndrrën time
Ndalu
Se përndryshe do i shembësh
Të gjitha urat

Kur ishim të rinj
I preknim  flokët e mëndafshta yjeve
Po ashtu
I ngacmonim
Edhe vashat sygështenjë
Deri në mëngjes bisedonim
Me gjethet e verdha

Ndalu miku im
Cili do qofsh ti
Ndalu sonte
Më trego se kush je
Që kaq shumë i përngjan kryeneçësisë

SI NJË MALLKIM I HERSHËM

Nëpër trotuare të pa meremetuar
Si shtëllunga prej mjegulle
Kalojnë njerëzit e dëshpëruar
Secili kalimtar  ecën
Me mendime të shthurura

Një njeri i moshuar
Të cilin e takoj çdo ditë
Kalon pran meje
Si një hije e paprekshme
Si një mallkim i hershëm
Një trastë e vjetër i varret pas shpine

Ecën ky njeri me brengën e viteve
Ecin edhe të tjerët pas tij
Secili më i dëshpëruar se tjetri
U përngjajnë semaforëve
Që kyçen e shkyçen

Nëpër këto  trotuare ecin shiringat  
Ngjizur me një pluhur të bardhë
Parakalojnë devetë e verbuara
Njerëzit u përngjajnë
Kukullave të drunjta
Ecin si hijet e zeza në procesion
                            

ADEM ZAPLLUZHA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.