VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ARTI I TË QËNIT POET
Esé kushtuar poetit ADEM ZAPLLUZHA
Nga RRUSTEM GECI

E Enjte, 03.26.2015, 10:21am (GMT1)


Adem Zaplluzha, autori i 130 veprave letrare, dhe i mija vargjeve, është bir i kopshtit të lashtë të Prizrenit, antiku dhe i tashmi i poezisë sonë. Në botën e pafund të krijimit, loti i zemrës është i përvuajturi, një i afërm hero i dramave njerëzore. Liria e njeriut nis me punën. Ndërsa drama e njeriut nis me dashurinë, dhimbjen dhe trishtimin. Bërja e një libri, dhe botimi i tij, është hapësirë e lirisë, dhe art i të qënit. Realitetet e këqija, kaosi dhe anarkia, janë muzat ku merr të korrat shkrimtari. Kam një dhimbje poetike lotësh më thotë Adem Zaplluzha, autor i 130 veprave letrare, i një pezazhi të pafund figurash dhe ngjyrash.

Midis kuajve të paçjerrë
Nuk e njoh gjuhën e mëgojzave
As të dizgjinëve me lëkurë bualli
Ndoshta jam pak i çuditshëm
Po kurrë se mësova gjuhën e tyre


Unë shkruaj poezi dhe tregime, aq sa më jep muza, dhe digjem mbi letrën e bardhë, derisa të mos shuhem. Në shpirtin tim shprehet shkrimtari Zaplluzha, askush s´mund të hyjë pa trokitur, ose pa një ftesë të firmosur nga unë. Peizazhi i krijimtarisë dhe i poezisë së Adem Zaplluzhës, është i gjerë, dhe i thellë. Poezia për mua, e thotë poeti, është arti ai që ma fisnikron shpirtin, dhe më bën të dashurojë me shpirt. Atdheu im i zvogëluar është drama ime, drama që më dhemb, dhe zjarri që mi jep flakë vargjeve.

Marshojnë miqtë e mi ushtarë
Dhe ecin nëpër natë
Për të arritur qëllimin
I pret një rrugë e gjatë!..


E kaluara që ka ikë, e tashmja që ekziston, dhe e ardhmja që s´ka ardhë, është studio ku krijon Adem Zaplluzha. Ky mision i tij poetik për lirinë dhe letërsinë, Adem Zaplluzhën e bën poet kombëtar, bir të saj të artit dhe të letërsisë. AdemZaplluzha u lind në Prizren në vitin 1943. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Poeti kryengritës i së bukurës në art, një kohë të mjaftueshme punoi, për njohjen e realitetit të kohës. Ai punoi si mësues nëpër fshatrat : Studenqan të Therandës (ish Suharekës) dhe në fshatin Hoça afër Prizrenit. Aty shkrimtari Zaplluzha, përballet me realitetin e keq të kohës, me shtypësit dhe përgjakësit e egër të lirisë, dhe me bukurinë hyjnore të ambientit të Kosovës.

Nëpër mbrëmje të vona
Duart e mia të plagosura
Sërish tjetërsoheshin
Në një gjendje asnjanëse...


Plagët e dhimbjes poetin Zaplluzha, e degëdisën në Prishtinë, në kryeqytetin e elitës intelektuale dhe krijuese të kohës. Në Prishtinë, Adem Zaplluzha shquhet për rebelim të theksuar. Nuk më pëlqejnë këto motive të vogla dhe të cenzuruara ashpër nga redaksitë e gazetave dhe revistave. Por, unë do bëj punën time, i thoshte vetes në heshtje, Zaplluzha. Në ndërkohë, Adem Zaplluzha punësohet përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës. Aty Ademi njihet me shokë krijues, dhe pa u vonuar formojnë grupin letrar, "Lulëkuqet e Kosovës". Në Kuadër të këtij grupi letrar, djemtë e shekullit të ri, nxorrën librin e poetëve punëtorë, "Ngjyrat e kohës", në të cilën u botua një numër i poezive të Zaplluzhës.

Nuk di apo s´po e kuptoj
Cili jemi ma kokëfortë
Unë, apo ai përballë meje...


Viti 1957 për Adem Zaplluzhen ishte i veçantë, sespse atë vit Ademi boton poezinë e tij të parë në revistën për fëmijë, "Pionieri". Përveç publikimeve të tij nëpër revista për fëmijë ai boton edhe nëpër gazetat të kohës që botoheshin në Prishtinë, dhe Shkup. Adem Zaplluzha është shkrimtar i pranuar në Kosovë, është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Poezia e Adem Zaplluzhes është e vlerësuar me shumë çmime. Por çmimi më i lartë për Ademin është vlerësimi i lexuesit. Unë jetoj me ndjenjën historike të kohës, shprehet poeti 72 vjeçar, Adem Zaplluzha. Unë s´kam pse ta zmadhoj ose ta zvogëloj dhimbjen e kohës. Por realiteti ku jetoj është këtu. Në këtë nënqiell ku po jetojmë, edhe poeti ka përgjegjësinë e vet.

Ndoshta njerëzit s´e kuptojnë
Por në fundin e një fundi
Fillon një fund krejt i pafund
Pa emër dhe mbiemër
Ku mund të humbim
Si zogjë të mbetur pa këngë...

Liria në Kosovë ishte aq e shkelur, aq e rrëzuar, dhe aq e dërmuar, saqë na duhet një shekull punë e krijimtari për të marr shëndet liria e jonë. Shkrimtarët i gëzohen shumë krijimit të një poezie, tregimi apo romani. Shkrimtari i gëzohet krijimit si për një fëmijë të lindur. Deshëm apo s´deshëm ta vlerësojmë, Shkrimtari mbeten garda e shquar e gjuhës, dhe ndërgjjes së kombit. Sukses, shkrimtarit Zaplluzha!

Dortmund, 2915

RRUSTEM GECI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.