VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - LETRA E PADËRGUAR...Tregim nga PËRPARIM HYSI

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 11:47am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
LETRA E PADËRGUAR...
Tregim nga PËRPARIM HYSI

E Enjte, 03.26.2015, 10:27am (GMT+1)


Mbeti dhe mbeti kjo letra ime... e padërguar. Se, sado në letër hiqesha trim, me të vërtetë nuk guxova. Nuk guxova se, siç mendoja, prishja një tabu apo opinion. Se dhe aq lehtë nuk qe.
* * *
Po si është ajo e vërtetë që paska qenë si një barrierë që nuk e kapërceva dot? Tek tentoj që të heqë petët e këtij "lakrori", më vjen ndërmend një këngë popullore, kënduar për një trim ( po me letër dhe unë trim qeshë!!!), që thoshte: "... qejfi ta ka/ por ja që s'ta mban...", por ç'ta vazhdoj më tej?!
Ka qenë aty mes viteve '70-të të shekullit që iku, kur qeshë transferuar larg shtëpisë. Udhëtoja, zakonisht, me makinat e naftës që çonin punëtorët në sektorë të ndryshëm. Aty dhe njoha, Lejlanë. Kjo qe inxhiniere dhe çdo mëngjes, veshur me rrobat e punës, hipte në atë kamionin e mbyllur dhe, sa thoshte, mirëmëgjes as e hapte më gojën. Nuk e hapte gojën, por heshtja e saj as që na pengonte që ta shihnim, mbarë e prapë, dhe, secili sipas midesë, zinim dhe bënim portretin e saj. Natyrisht, secili kish matën e tij dhe Lejlaja ( e vetmja femër në makinë), qe kthyer në një "mollësherri" për ne që vozitnim në dete tërë dallgë, nga ku,secili, e nxirte "anijen me pasagjerë"(një nga ata qe Lejlaja), "heroikisht" në stere. Kështu mendoj tani që po shkruaj, se atë kohë as kishim guxim që jo vetëm të thoshim një fjalë për të, se, po të lakoje për keq Lejlanë, zëre se kishe hapur luftë me të gjithë ata që e njihnin. Nuk hapnim gojën, por mendja qe firifiu. Sa më shumë e shihje,aq më shumë trazoheshe. Shkurt: të prishte mendjen. Kur thoshte drejtori: " I martuar, pa martuar/ për Lejlanë unë lë dhe gruan". E thoshte drejtori vetëm me mua dhe as që mendonte që kështu grryente si me bisturi një plagë timen. Mua më pëlqente ajo që thoshte drejtori dhe, shumë-shumë, e shoqëroja me një buzëqeshje, por, nga ana tjetër, mendoja: " Po rri, o drejtor, për kokën tënde! Bëj shyqyr që të begenisi Këzja ty, po dashke dhe "kërthija", ti?!". Shkurt, unë e ngisja "anijen" për në limanin tim. Sado që nga goja jam brisk, biçaku këtë herë hasi në një "sharrë" dhe nuk preu dot. Atë që s'e thashë me gojë, e shkrova në letër. Po dhe në letër i bija pragut që të dëgjonte dera. Së pari, shkrova vargjet e një kënge popullore. Se në vargjet e asaj kënge (do ta sjell për ju e do gjykoni vet), ndodhitë ishin të përafërta. I shkrova vargjet: "Në sokak të ngushtë/ ku na mbylli era/ s'më the "Kalimera"/ moj t'u mbylltë dera!/. Do t'ia jap,- thashë,- dhe ajo ( pse kot është inxhiniere?!) do ta kuptojë ku më rreh çekani. E shkrova, e futa në xhep dhe prisja rastin. Kur e pashë që po vinte vetëm, futa dorën në xhep dhe, kur më tha mirëmëngjes, tak dhe katandisa si një pulë e lagur. Xhepi gati po shqyhej , sikur në të kisha futur një elefant. Ajo, siç duket, e pa këtë ndryshim të çehresë sime dhe, si me kulturë që qe, më tha: - Ti, Misir, sikur nuk je mirë sot. Diçka ke, se, po të kisha një pasqyrë me vete, do ta shihje të verdhën shqetësuese që të ka pushtuar. Tani, me këto fjalë, sikur edhe atë pak guxim që kisha, e humba fare. Tek tentova që të jepja një arsye a shkak të "ndryshimit të çehresë", më tepër belbëzova se fola.
Epo më kish goditur në kokë dhe qeshë bërë tym. Atje, në makinë, bëhesha sy e veshë dhe përgjoja ( sikur Lejlaja të qe imja), se mos guxonte e thoshte dikush ndonjë fjalë. Ajo as që hapte gojë. Unë këtë heshtjen e saj, e merrja si favor për mua. Me demek, nuk flet se fjalët i ka për mua. Kur shkonte në zonë,qe shumë konfidente dhe punëtorët nuk e hiqnin nga goja. Zariku, një punëtor moshatar dhe i gojës, i thotë një ditë Lejlasë: -Moj çupë e xhixhait, sa me fat do jetë ai, noksani, që do të marrë ty!
Lejlaja u skuq sikur e kishe vënë në furrë dhe, përsëri, nuk foli. E, - thashë unë,- me siguri xha Zariku e ka për mua atë fjalën "noksan", se ka vënë re që vetëm për mua është një lule si Lejlaja. Se ku unë e ku ata, të tjerët?!
* * *
Sa më tepër shkonin ditët ( avash-avash po mbushej viti), aq më shumë shtohej malli për të. Më shtohej malli dhe, ndërsa natën betohesha se do t'ia thosha ç'ndjeja, vinte mëngjesi dhe mua, trimit, më binin puplat. Ndërkaq, zura dhe qendisa një letër që qeni të hante qepën, do t'ia jepja në dorë. Unë e doja dhe, siç dihet, kur dashuron bëhesh pak poet. Ndaj them unë, që dashuria e poezia riimojnë,ashtu si dita me dritën. Pra, i shkrova me vargje: I thosha: "Ti je dhe doktori. je dhe spiceri/ je dhe parajsa/ je dhe ferri/ je dashuria/ je edhe helmi/ je dhe ballsami/ por je dhe melhemi/ Në fund i shkruaja: " Kam kaq kohë që të dua/ dhe je kaq e shtrenjtë për mua/. E mbarova poezinë dhe gati kisha vënë flatra. S'kish poet tjetër si unë dhe Lejlaja, sa të lexonte letrën, do vraponte drejt meje, si ai "qingji mitik i Naimit", që, dhe po t'i dilnin para,njëzet a tridhjetë vetë/, do çante mes tyre si shigjetë e do më hidhje në qafë. Po, kur i bën hesapet pa pyetur hanxhinë, llogaria del eksiq. Këtë radhë, meqë letra ime ishte më e gjatë, dhe, nga ana tjetër, njohja me Lejlanë qe "trashur", më dha aq kurajo që ta kapërceja ylberin. Shkova më heret se zakonisht aty ku nisej makina dhe sytë i ngula andej nga vinte Lejlaja. Qeshë bërë sy e veshë andej dhe aq qeshë ngulur asaj ane, sa nuk u ktheja mirëmëngjesin atyre, të tjerëve. Ata po vinin një nga një dhe Lejlaja nuk po dukej. S'po dukej... dhe kur sot që unë jam bërë dragua. Mbrriti dhe shoferi. Dale dhe pak,- foli dikush, - se nuk ka ardhur Lejlaja. E pashë atë që foli dhe doja të vija ta përqafoja,se po e binte ujtë këtej nga "mulliri" im. Po kur bën dasëm fukarai, griset daullja.
- Inxhinieren mos e prisni,- tha xha Zariku. Dje bëri bufenë e fejesës dhe ka marr lejen e zakonshme.
Mua sikur më ra qielli mbi kokë. Futa duarët në xhepa sikur të kisha frikë, se letra ime mbushur me vargje më binte dhe merrje vesh se në ç'siklet kisha rënë. Dhe në gjithë këtë "betejë trimërie", mbeta me gisht në gojë.
Lejlaja u fejua dhe, po atë vit, u martua. U martua ajo, po letra mbeti si një dëshmi e një dashurie të humbur, për sytë e mi të bukur.
* * *
Tani Lejlaja është bërë gjyshe. Po dhe unë jam bërë gjysh. Gjysh, por dhe më ka dalë turpi, domethënë jam bërë "trim". Nga ai "soj trimash" që të marrim gjak në vetull pasi mbaron beteja. Kështu ndodhi dhe me mua. E takova gjyshe Lejlanë dhe, pas dyzet vjetësh, ju rrëfeva. Letrën nuk e kisha me vete, por e di përmendësh. Ia "recitova" dhe e dini si më tha:- Ore, po çfarë prisje ti? Mos prisje që të hidhesha në qafë? Kur më tha kështu, zëre se më vrau. E, moj kokë,- thashë,- pse nuk të theva? Mandej, si u kthjella dhe më doli të "pirët", thashë:- Epo i vetëm nuk jam. Apo jo?!...

Tiranë, 25 mars 2015

PËRPARIM HYSI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ARTI I TË QËNIT POETEsé kushtuar poetit ADEM ZAPLLUZHANga RRUSTEM GECI (03.26.2015)
ENIGMA 'SHTEGU I PASHKELUR I NOLIT'Nga PETRO LUARASI (03.26.2015)
MOS TË LUTEM MOS THUAJCikël poetik nga ADEM ZAPLLUZHA (03.24.2015)
PA MËDYSHJECikël me poezi nga QAZIM SHEHU (03.23.2015)
LUTE E DËSHPRUESHMEPoemë kundër 'revolucionit kulturor' të komunizmitNga ERNEST KOLIQI (03.23.2015)
LISI I VJETËRCikël me poezi nga SOKOL DEMAKU (03.21.2015)
NJË JURISTE QË RELAKSOHET DUKE SHKRUAR POEZILibri " Pak më shumë..." i Albina Shehetila- SinajEsé nga PËRPARIM HYSI (03.21.2015)
TRIPTIK POETIK PËR SHKODRËNSonete nga ERNEST KOLIQI (03.20.2015)
LUFTA PËR TË MBETUR NJERIKujtime burgu nga PJETËR ARBNORI (03.19.2015)
CIKËL ME POEZI PËR 'DITËN E POEZISË'Nga PËRPARIM HYSI (03.19.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]