VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ATDHEU NUK ËSHTË PREJ DËBORE
(Shënime për romanin “Shpresa e Londrës” të Ruzhdi dhe Greta Jatës)
Nga SAMI MILLOSHI

E Premte, 04.03.2015, 05:25pm (GMT1)


            SAMI MILLOSHI

Dyzet vjet më parë unë e kam njohur Ruzhdi Jatën në Kukës. Fati e desh të punonim si gazetarë të rinj në gazetën lokale "Kukësi i ri".

Tani 40 vjet më vonë Ruzhdiu është në Londër me gjithë familje, ndërsa unë jam në Amerikë me gjithë familje. Pra, jemi në dhe të huaj.

Nuk e kam takuar që atëherë. Por kemi ruajtur një miqësi të vjetër, falë komunikimit që të mundëson sot epoka digitale.

Siç e dini, në anglisht ka një shprehje që thotë : "Never say never"!, çka në shqipe përkthehet "Kurrë, mos thuaj kurrë"! Ideja themelore e kësaj shprehjeje është që kurrë mos bëj pohime kategorike, sepse nuk dihet se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. 40 vjet më parë, për shembull, unë gabimisht mund të thosha se miku im Ruzhdi Jata "kurrë nuk ka për të shkruar roman". Atëhere ne kishim mikun tonë të përbashket, shkrimtarin brilant Zija Çelën më të cilin punonim bashkë gjithashtu, që shkruante prozë. Por, ja që Ruzhdiu, e shkroi romanin e tij "Shpresa e Londrës". Madje e shkroi si bashkautor me të bijën, Gretën. Urimet me të mira miku im i vjeter.

Kam shkruash shumë për libra që më kanë pëlqyer. Kësaj here, libri jo vetëm më ka pëlqyer, por më ka bërë të mendohem për shumë gjëra. Për shembull, çfarë e ka shtyrë Ruzhdiun të jetë bashkautor me të bijën Greta në roman? Për më tepër kur, siç mësojmë nga parathënia e librit, Greta ka qenë vetëm dy vjeçe e gjysëm kur ka mbërritur me të atin dhe të ëmën në Londër. Këtë përgjigje mund ta japë më mirë se kushdo autori, por unë mendoj se Ruzhdiu ka dashur, si të thuash, të gdhendë portretin e bukur të sakrificës njerzore të prindit për fëmijën. Ka dashur dhe e ka bërë realitet këtë sakrificë. Kjo nuk është një metaforë, është një realitet.

Pra, unë mendoj se Ruzhdiu dhe Greta kanë sfiduar në një farë mënyre teoritë stilistike mbi shkrimin e romanit, ku zakonisht ka një autor. Ata të dy, babë e bijë, kanë shkruar një roman që është një sagë e vërtetë e shqiptarëve që kanë emigruar këtë çerek shekulli qëkurse edhe në Shqipëri ra Muri i Berlinit.

Nga pikëpamja e temës së romanit, mund të thuhet se këto vite tema e emigrimit është trajtuar edhe nga autorë të tjerë. Por unë mendoj se merita e Ruzhdi dhe Greta Jatës është se ata kanë sjellë një dëshmi artistike të vetvetes, një dëshmi që ndërthuret natyrshëm midis rrëfimit publicistik dhe atij novelistik. Me fjalë të tjera, autorët, me sa duket janë kujdesur më shumë të japin dëshminë, dhe këtë e kanë konsideruar si gjënë kryesore, se sa të merakosen nëse proza e tyre i kornizon të gjitha elementet stilistike të shkrimit të romanit.

Përsonazhet e romanit janë njerëz të njohur që autorët duket kanë dashur t'i përjetësojnë në faqet e prozës së tyre. Kujtim Mali, fjala vjen, shpesh here të kujton një njeri që ti e njeh. Dhe kështu ndodh edhe me përsonazhe të tjerë. Në fund të fundit, a nuk është, në një farë mënyre i njëjtë për të gjithë ata që kanë emigruar mali i vështirësive për të përballuar një jetë të re në emigrim? A nuk është i njejtë tmerri i atyre që e kanë takuar vdekjen kur kanë udhëtuar me gomone në Adriatik bashkë me fëmijët e tyre të vegjël? A nuk është i njejtë tmerri për të kapërcyer burokracitë e vendeve pritëse gjersa të sigurojnë dokumentat për të jetuar dhe punuar legalisht?

Romani "Shpresa e Londrës", sipas meje është një dëshmi autentike emocionale e atyre që e kanë lënë Shqipërinë ngaqë kanë humbur shpresën në një moment, por nuk është një dëshmi e braktisjes. Përkundrazi, është një dëshmi e dëshirës për rikthim, është edhe një thirrje për të tjerët për të mos e humbur shpresën. Sepse ti mund ta humbësh shpresën për vendin tënd, por edhe në vendin ku emigron nuk e gjen ashtu siç do ta deshiroje. Ky është thelbi emocional që shërben për lexuesit proza e babë e bijë Ruzhdi dhe Greta Jata.

Më së fundi, dëshiroj të sjell ndërmend një fakt të pohuar nga Instituti i Statistikave Shqiptare. Sipas këtij Instituti, vetëm vitin e kaluar, pra në vitin 2014 e kanë lënë Shqipërine 46 mijë shqiptarë, shumica të brezit të ri. Shifra më duket e tmerrshme, shumë e trishtueshme. Po vitin e kaluar, një mik i imi, Profesor, Doktor i Historisë ishte në Washington DC dhe së bashku me të vizitova disa nga mrekullitë e Amerikës. Në bisedë e sipër i bëra atij këtë pyetje: "Kur kam ikur unë nga Shqipëria, pas vitit të mbrapshtë 1997, arsyeja ka qenë t'u jap një mundësi më të mirë fëmijëve sepse nuk kisha shpresë se këtë detyrim mund ta bëja në atë realitet të traumatizuar. Tani, i thashë, pas 16 vjetësh, sipas teje, nëse unë vendos të kthehem, e gjej gjendjen më të mirë apo më të keqe. Ai, me një ton të prerë dhe pa asnjë dyshim m'u përgjigj "E gjen më të keqe!"

Vëllezer që do të lexoni apo që e keni lexuar romanin e mikut tim Ruzhdi Jata dhe të së bijës Greta, ai është Atdheu ynë dhe ne nuk e duam asnjë grimë më pak se ata që vuajnë muzikën e vrasjeve me pagesë apo pa pagese, muzikën e tritolit dhe mungesën e parave për të paguar energjinë elektrike. Por, nëse nuk e duam më pak se të tjerët atë vend ku jemi lerë, kjo do të thotë gjithashtu, se tashmë me sakrificën tonë ne i bëjmë një sfidë qytetare të gjitha mbrapshtive të oligarkëve mafiozë të të gjitha ngjyrave që dinë të bëjnë vetëm retorikë, që dinë të bëjnë vetëm para për veten e tyre, që dinë sa ç'di një analfabet për të qeverisur. Prandaj, një prozë si ajo e Ruzhdi dhe Greta Jatës, është një klithmë e tmerrshme për ta fshirë një herë e mirë mafien gjakpirëse nga trupi i drobitur i Shqipërisë tonë. Ajo është një klithmë për ta rigjetur SHPRESËN E VËRTETË në Tiranë, jo në Londër, jo në New York, jo në Romë... Sepse shpresa vdes e fundit, por po vdiq edhe ajo, Atdheu pastaj mbetet Atdhe prej dëbore, Atdhe iluzion, Atdhe për një grusht oligarkësh dhe jo Atdhe i të gjithëve.

SAMI MILLOSHI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.