VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHËNIME PËR TAULANTIN - FLETORJA E DYTË E DITARIT (Fragmente)
Nga Prof. BEDRI DEDJA

E Hënë, 04.13.2015, 09:12am (GMT1)


20/02/1965
Pas shumë ditësh pritjeje, lindi sot në mëngjes, në ora 10.15' Taulanti, stërnipi i ilirëve, pasardhës i denjë i fisit dhe tokës së taulantëve...

20/04/65
Dy muajt e para, Taulanti me mua nuk pranoi "të bisedojë". Merrej vesh vetëm me të jëmën...

2/05/65
Tani, muajin e tretë do "muhabet", qesh shpesh me ne, vështron i përqëndruar të motrën...
.....................
8/5/65
Taulanti vazhdon me britmat e para të gëzimit dhe kur bërtet, është i bindur me siguri, se ai e zbuloi botën i pari...
...............
1/09/65
Taulanti ka nisur të shqiptojë bashkime tre tingujsh, kur është veçanërisht në qejf (është muaji i shtatë) :
bad, ada, lëp
Para disa ditësh, e mora Edlirën në shtypshkronjë ; kudo të nxinte boja, « mos prek këtu... e mos prek aty ! ». U nxi nga fustani...
Së fundi, e pa punën keq, psherëtiu e më tha:
« Babi, të gjitha gjërat e pista janë këtu?!"
(Konkluzion arësyetimi klasik !)
.................
13/04/67
Pushim shumë i gjatë për lapsin tim, por humbje të mëdha në fondin e vëzhgimeve...
Duke kërkuar disa materiale të tjera, më dolën fletoret përpara dhe rifillova.
Taulanti u bë dy vjeç e afro tre muaj dhe këto dy-tri ditë këputi nja dy gjëra të bukura, që nuk mund t'i lë pa shënuar...
Ishim ulur me të dhe me Edlirën në autobuz urban. Para nesh, në këmbë, qëndruan dy ushtarë. Taulanti i vërejti me vëmëndje, diçka përpunoi, duke llogaritur me atë radaken e vet, buzëqeshi e më tha :
- Babi, një utar... një utar...
(D.m.th. një ushtar e një ushtar... Pra, me perceptimin foshnjor, shprehja e numrit konkret "dy ushtarë?!")
Kjo puna e numrit « dy » nisi të bëhej histori.
Unë e pyes :
- Sa duar ka Taulanti ?
- Dy, - përgjigjet, i zgjat duart përpara dhe vështron një herë të majtën dhe një herë të djathtën.
- Sa koka ka Lanti ?
- Dy...
- Ku i ke dy kokat ?
Vë dorën e majtë në kokë...
- Po kokën tjetër?
Taulanti vë dorën tjetër në kokë...
Mos është kjo vetëm një shprehje mekanike? Nuk besoj... Ajo që më ndodhi mbrëmë me të, më habiti:
- Babi, - më tha, - ep Lantit dy kapakat...
Vështroj aty ku ish ngulur shikimi i tij dhe dalloj që dy kapakët e enëve të qumshtit ndodheshin bashkë, të vendosur mbi njëri-tjetrin...
Kjo psiqika e fëmijëve, dua të besoj, është një minierë e pazbuluar, vetëm pak e gërvishur...
Do të ish një ndihmë e madhe për shkencën, sikur të merreshe me vëzhgimin e saj të imtë e sistematik.

Prof. BEDRI DEDJA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.