VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Përkujtim:
BEDRI DEDJA PEDAGOG DHE BOTUES I SHQUAR E SHUMËPLANËSH
Nga Prof. MURAT GECAJ

E Martë, 04.14.2015, 06:38am (GMT1)


1.
Në kujtimet e jetës së tij, prof. Bedri Dedja ka shënuar se lindi më 20 nëntor 1930. Aty shprehej se "unë ndjehem krenar që linda në Korçë, në djepin e arsimit kombëtar laik, në Korçën që ishte...mbretëreshë e artit dhe e shkencës, trimëreshë e atdhetarizmit në kohët që shkuan dhe në kohën e sotme". Gjimnazin e mbaroi në Durrës, më 1949, kurse Shkollën e Lartë në Moskë, më 1953, në dy degë njëkohësisht: psikologji-pedagogji dhe letërsi për fëmijë.

Punën e nisi pedagog për psikologjinë dhe historinë e pedagogjisë, në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës. Siç ka shkruar vetë, aty "ndezi gjeneratorët e ambicies fisnike profesionale". Rreth 40 vjet rradhazi ka qenë pedagog i psikologjisë në shkollat e larta të vendit. Prandaj ishte e natyrshme, kur ai kujtonte me kënaqësi të natyrshme, se: "Edhe sot më thonë ish-studentët e mi, pas disa dekadave, se kam ligjëruar bukur në auditor, që në vitet e para të Institutit".

Me ndarjen e fakulteteve në ILP të Tiranës dhe krijimin e dy dekanateve të reja, kur ishte vetëm 24-vjeçar, Bedri Dedja u emërua dekan i Fakultetit Histori-Filologji. Në atë kohë, ai kishte nisur të bënte emër me shkrimet e tij në shtypin e kohës dhe në veprimtaritë me rininë. Kështu, në verën e vitit 1954, e dërguan për pushime me një grup fëmijësh në Varna të Bullgarisë dhe më 1957 ishte në Moskë me delegacionin shqiptar, në Festivalin Botëror të Rinisë dhe më 1962, po në një festival të tillë, në Finlandë. Më pas u ftua të merrte pjesë në Kongresin e Parë të Psikologëve Sovjetikë etj. Me krijimin e Universitetit të Tiranës, më 1957, gjithë pasion dha leksionet e psikologjisë, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë.

2.
Në vitin 2001 u vu në qarkullim libri me kujtime i prof. Bedri Dedjes, me titullin tërheqës "Nëper ravat e jetës". Në hyrjen e tij, ndër të tjera, autori shkruante: "Më është dukur se rrugët e mia të jetës ngjasojnë më shumë me "ravat"(rrugët e dhive në mal, shënimi i vetë autorit). Sidoqoftë, këtë do ta dëshmojë më mirë lexuesi, i cili, besoj, do ta trajtojë me dashamirësi këtë libër...". Më kishte treguar Profesori i paharruar se librin e mësipërm e kishte dërguar në shyp dhe e prisja me padurim daljen e tij. Kur u botua, ai më vuri përpara librin e tij të ri, dhuratë për miqësinë tonë 45-vjeçare, ku kishte bërë dhe një shënim me fjalë aq të ngrohta e dashamirëse. Menjëherë vura re kënaqësinë e madhe, që ndjente dhe njëfarë lehtësimi shpërtëror. Kjo ishte e natyrshme, sepse në ato 525 faqe ai ishte "rrëfyer" përpara lexuesve, si në asnjë libër të tijin të mëparshëm.
Siç shkruante edhe në ato kujtime të vetat, në prill-maj 1945, Bedri Dedja kishte nxjerrë revistën e fëmijëve të ish-qarkut të Durrësit, "Flamurtari i vogël", i cili e "nxiti drejt letërsisë së vërtetë". Më tej, ndër faqet më interesante janë dhe ato, që ka përshkruar periudhën e punës kryeredaktor i parë i gazetës arsimore-kulturore "Mësuesi", që nga viti 1961. Që në numin e dytë të asaj gazete, pra kur isha ende student, edhe unë nisa të botoja aty shkrimet e mia modeste. Si dhe mjaft mësues e bashkëpunëtorë të tjerë, kurdohere gjeta te prof.Bedriu mbështetje, nxitje e dashamirësinë e një publicisti dhe padagogu të talentuar.

Veprimtaria e prof. Bedri Dedjes, në fushën e shtypit pedagogjik, pati hapësira të mëdha me shkrimet e tij të shumtë dhe me vlera pedagogjike-psikologjike, në gazetën "Mësuesi" dhe në revistën "Arsimi Popullor". Veçanërisht, ai i dendësoi punën studimore-pedagogjike dhe botimet në këtë drejtim, pas emërimit të tij, më 1965, drejtor i Institutit të Studimeve dhe Botimeve Shkollore. Më vonë, atë e dërguan drejtor i Drejtorisë së Studimeve dhe Botimeve Shkollore, në Ministrinë e Arsimit e Kulturës. Në mbarimin e vitit 1970, e caktuan në detyrën e zv.ministrit të Arsimit e Kulturës, nga u largua në nëntor 1972.

Me fillimin nga puna të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më 6 dhjetor të atij viti, atë e ngarkuan me detyrën e sekretarit shkencor të saj. Këtë punë e kreu mbi dy vjet, me ndërgjegje të plotë dhe aftësi të lartë profesionale. Më pas edhe prof. Dedjen e përfshiu "vala" e shkurtimeve dhe e qarkullimeve, duke e dërguar "vullnetar" për në bazë. Kështu, më 25 gusht 1975, e nisi punën pedagog në ILP të Elbasanit (tani Universiteti "A.Xhuvani"). Pas disa ecejakeve dhe shqeteësimeve të njohura për kohën, ai mundi të kthehej familjarisht nga Elbasani dhe, në qershor 1980, përsëri e nisi punën pedagog në Universitetin e Tiranës.

3.
Bedri Dedja është shkrimtari më prodhimtar dhe më popullor i letërsisë shqipe për fëmijë, veprimtari të cilën e nisi që në rini. Ka krijuar e botuar dhjetëra vepra origjinale dhe 33 përshtatje e përkthime, nga letërsia klasike botërore, për moshat e vogla dhe të reja. E kush nuk i ka lexuar veprat e tij të njohura, si: "Heroizmat e fatbardh Pikaloshit"(1954), "Kalamajt e pallatit tim","Një udhëtim i rrezikshëm", "Shkolla e pyllit"(që më 1970 mori "Çmimin e Republikës"), "Republika e 1.100 çudirave", "Qyteti me tri kështjella", "Përrallëmadhja" etj. Shumica e tyre janë ribotuar disa herë në Shqipëri e në Kosovë dhe janë përkthyer në gjuhë të huaja. Vetëm gjatë qëndrimit me punë në qytetin e Elbasanit, botoi tre romane për fëmijë, një novelë fantastike-shkencore e dy poema, një vëllim me kritika letrare; shkroi dy drama, që u shfaqën në teatrin "Skampa" etj.
Kujtim i paharruar për të ishte vizita e parë në Kosovë, në vitin 1973. Një miku i tij kosovar, poeti Agim Deva do t'i dërgonte, shumë vite më vonë, një libër me nënshkrimin-vjershë, ku thoshte: "A të kujtohet, xhaxhi Bedri,/ kur i shndërronim vargjet në fëmijë,/ ne të dëshronim këtu në Kosovë,/ ti ne na dëshroje në Shqipëri...". Pas çlirimit të saj, bile dhe pak ditë para se të ndahej përgjithnjë nga jeta, e vizitoi disa herë Kosovën dhe kudo u mirëprit me dashuri për meritat e shumta të tij, pedagog, shkrimtar e studiues.

Prof.Dedja, si mjaft intelektualë bashkëkohës, ishte mjaft i lodhur nga jeta dhe i ngarkuar nga krijimtaria intensive. Por gjithnjë mbeti me vullnet të çeliktë dhe i papërkulur. Kështu, nuk iu nda punës dhe veprimtarisë krijuese, letrare e shkencore, duke qenë një ndër anëtarët e bashkëpunëtorët më aktivë të Akademisë së Shkencave, të Ministrisë së Arsimit e Shkencës, Institutit të Studimeve Pedagogjike dhe Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve. Kujtojmë këtu, p.sh., se në vitin 2003 u botua vepra madhore "Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar", ku ai ishte autor kryesor dhe përgjegjës i redaksisë. Kam pasur fatin që, në atë periudhë të jetës, të bashkëpunoj me të. Gjithëherë, ndieja aftësitë e tij të rralla dhe horizontin e gjërë, taktin e punës në kolektiv e tjera.

Po kështu, në kuadrin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ai drejtoi redaksinë e arsimit për ripunimin e "Fjalorit Enciklopedik Shqiptar"; kryesoi bordin e vlerësimit të botimeve letrare-publicistike për fëmijë, pranë MASH, ku kam bashkëpunuar me të etj. Ishte kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Psikologëve dhe kryetar nderi i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për fëmijë e të rinj. Gjithashtu, ishte bashkëpunëtor pranë Universitetit të Kembrixhit, për hartimin e biografive të njerëzve të shquar dhe emri i tij renditet ndërmjet anëtarëve të Lidhjes Botërore të Shkencave Pedagogjike. Për arsye financimi, i mbeti pa realizuar projekti për organizimin e Kongresit të Parë Mbarëshqiptar të Psikologëve.

Prof. Bedri Dedja ka marrë pjesë në shumë tubime kombëtare e ndërkombëtare, ku janë shqyrtuar probleme të ndryshme të psikologjisë e pedagogjisë dhe të letërsisë për fëmijë etj. Është për t'u shënuar se edhe në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972) lexoi punimin e tij, me temë: "Rreth akselerimit psikik dhe ndikimit të tij në mësimin e gjuhës letrare".

Krahas dhjetëra librave të fushave të ndryshme, që kishte botuar dhe pse i lodhur mjaft nga jeta e sëmundja, në moshën mbi 73-vjeçare, ai pohonte: "Kam dosjet e krijimeve, që kam përgatitur plotësisht ose jo për t'i botuar si libra më vete. E nuk janë pak, janë me mijëra faqe, që edhe i përfshin edhe nuk i përfshin bibliografia ime..." .

Ishte kënaqësi e veçantë për të gjithë ish-kolegët e ish-studentët, bashkëpunëtorët dhe të njohurit e shumtë dashamirë të tij, që në prill 2009, më rastin e 5-vjetorit të ndarjes përgjithnjë nga ne, të prof. B.Dedjes, të përurohej në kryeqytetin Tiranë një tjetër vepër dinjitoze e tij për fëmijë. Ajo mban titullin "Presidenti i Planetit të Kuq".

Ndërsa e kisha detyrim miqësor dhe ishte nder për mua që, në vitin 2010, në kujtim të jetës dhe veprimtarisë së tij të gjithanshme, të përgatisja dhe më pas të botohej libri "Bedri Dedja, në kujtesën tonë". Aty janë përshirë shkrimet e mjaft autorëve, kolegë e miq, ish-studentë e familjarë të tij, nga të gjitha trojet amtare dhe nga diaspora shqiptare.

Në nëntor të vitit 2000, pra në 70-vjetorin e lindjes, Presidenti i Republikës i dha atij titullin e lartë "Mjeshtër i Madh". Më parë, ishte nderuar dhe me "Çmimin e Republikës" dhe me mjaft dekorata e vlerësime të tjera të merituara, për jetën e shkrirë në shërbim të arsimit kombëtar, për letërsinë dhe shkencën shqiptare.

Prof. Bedri Dedja u nda përgjithnjë nga jeta më 13 prill 2004, por emri dhe vepra e tij do të mbeten përherë të gjalla në kujtesën e brezave tanë.

Tiranë, 13 prill 2015

Prof. MURAT GECAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.