RE NË PANTALLONA Poemë nga VLADIMIR MAJAKOVSKI Përktheu dhe pajisi me shënime FASLLI HALITI
E Martë, 04.14.2015, 06:53am (GMT+1)
VLADIMIR MAJAKOVSKI
1893 - 1930
Majakovskij (në rusisht: Владимир Владимирович ÐаÑковÑкий; Bagdad, 7 korrik 1893 Moskë, 14 prill 1930) - poet e dramaturg sovjetik, këngëtar i revolucionit të Tetorit e interpreti më i madh i kursit të ri, ndërmarrë nga kultura ruse post-revolucionare.
__________________________________________________________
« I doja thellësisht poezitë e para të Majakovskit. Në sfondin e farsave të kohës, serioziteti i tij i rëndë, i rreptë, akromatik, ishte kaq i pazakontë! Ishte një poezi e skalitur magjistralisht, demoniake dhe në të njëjtën kohë tmerrësisht e dënuar, pikëlluese, pothuajse ndihmëlutëse...» Boris Pasternak __________________________________________________________________
Pak shenime:
Edicioni i parë integral i Resë e cil pa dritën e botimit në fillim të vitit 1918, përmbante një parathënie të autorit ku lexojmë: Reja në pantallona ( me titullin fillestar Apostulli i trembëdhjetë, censura i hoqi vizën. Dhe unë nuk e preka. U mësova me titullin Re) mendoj se është katekizmi i artit të sotëm. Poshtë dashuria juaj. Poshtë arti juaj. Poshtë regjimi juaj. Poshtë feja juaj: ja katër britmat e katër (pjesëve të poemthit)
Disa personazhe të shquar të kulturës ruse ( i dituri Kornej Çukovskij, piktori Ilija Repin etj.) e njihnin tashmë poemën Re në pantallona të cilën Majakovski e shkroi midis majit dhe korrikut të vitit 1915, dhe u kishte recituar atyre fragmente më shumë ose më pak të gjatë, së bashku me tekste të tjera të tij: një lloj leximi për të cilin u sajua termi «Majakokkala». ( Repini, u entuziazmua, duke i lënë mjaft të hutuar të pranishmit, e krahasoi Majakovskin me Musorskin dhe, i propozoi t'i bënte portretin) Majakovski bëri dhe një takim me Gorkin, në afërsi të Mustamäkit, për të pasur një gjykim nga Gorki; dhe shkroi në autobiografinë e tij: « I recitova Gorkit, pjesë të «Resë» , Gorki, i prekur, më lagu me lot gjithë zhilenë. E kisha tronditur me vargjet e mi. Unë u krenova mjaft.
______________________________________________
RE NË PANTALLONA
(Тетраптих) TETRAPTIK 1914-1915
PROLOG
Mendimin tuaj, ëndërrues në trurin e zbutur, si një lake i dhjamur mbi një kanape pis do ta vë në lojë mbi straçion e përgjakur të zemrës: thumbues e i pacipë do ta tall pangopësisht.
S'ka në shpirtin tim asnjë fije floku, të bardhë as edhe butësi pleqërie ! Duke mrekulluar universin me zërin tim të fortë, unë eci i bukur, njëzet e dy vjeç plot.
Ju delikatë ! dashurinë e shtrini mbi violina. I trashi e vendosë mbi timbale. Por s' mund ta përdridhni kurrë si unë, që të jenë vetëm buzë kok' e këmbë buzë!
Ejani, të mësosoni- nga sallonin veshur me batistë, nëpunëse e denjë e ligës engjëllore ju që shfletoni buzët si kuzhinierja faqet e librit të kuzhinës qetësisht. Nëse dëshironi, do të jem i tërbuar me një furi mishi, dhe, si qielli duke ndryshuar tonet, nëse doni, do të jem i butë përsosmërisht, jo njeri, por re në pantallona!
S'mendoj se ekziston një Nicë floreale! 2 Nga unë janë ekzaltuar prapë burra të rënë në limonti, si një spital dhe gra të përdorura si një proverb bajat.
I
Ju mendoni se është jerm i malaries?
Kjo ngjau, Ngjau në Odesë.
"Do të vij në katër," tha Maria3. Ora tetë. Nëntë. Dhjetë .
Po ja edhe mbrëmja në llahtarinë e natës iku larg, dritareve doli, mbrëmje e vrejtur, dhjetori.
Në shpinën e saj të rrënuar zgërdhihen e hingëllijnë shandanët. Në këtë çast s'do të mund të më njihnit: një stivë nervash rënkon, përpëlitet. Ç'mund të dojë ky shkrep? Oh, ky shkrep ka tepër dëshira vërtet !
Në realitet s'ka rëndësi që ti je prej bronzi dhe zemra një pjastër hekuri e ftohtë. Natën ka dëshirë ta fsheh zërin e vet në një trup gruaje të butë, të ngrohtë.
Por ja, gjigant, përkulem në dritare, e shqetësoj me ballë qelqin. Do të ketë dashuri a s'do të ketë? Dhe e ç'dimensioni, e madhe apo e vogël do të jetë?
Një dashuri e madhe në një trup të tillë? Me siguri një e vogël, një dashurizë zemërbutë, që shmanget nëse një makinë i bie borisë dhe adhuron zilet e kuajve në ngut.
Prapë dhe prapë, duke u shtrënguar në shi, me fytyrën në fytyrën e tij vrarëlije pres, e më spërkat gjemimi i dallgës së qytetit vetë.
Mesnata, duke u lëkundur me një thikë, e arriti dhe e theri në fyt: jashtë, bërtiti!
Ra ora dymbëdhjetë si nga trekëmbëshi koka e një të ekzekutuari Në qelqet gri pikëza shiu u spërdrodhën me një ulërimë, duke grumbulluar një përqeshje masive, gati sikur ulëritën kimerat kmbi katedralen e Notre-Dame të Parisit 4.
E mallkuara! E mirë,pra, ende nuk mjafton? Pas pak nga një britmë do të shqyhet goja. Ndjej që pa zhurmë, si një i sëmurë, u hodh nga shtrati një nerv. Dhe ja:
më parë shëtit pothuajse, pastaj merr vrapin, i shqetësuar, i saktë. Dhe tani ai dhe afër tij dy të tjerë përpëliten si një grifshë e dëshpëruar. U shemb suvaja e katit përdhes menjëherë.
Nerva të mëdhenj, të vegjël, të shumëfishtë hidhen të zemëruar dhe një çast më pas nuk mbahen më në këmbë të fiksuar.
Por natën gjithnjë e më shumë ngec në baltë nëpër dhomë, - nuk mund të shkëputet nga balta syri i rënduar.
Befas, dyert zunë të kërcisnin krak; hoteli nisi, të kërciste dhëmbët nga të ftohtit dimërak.
Hyre ti e mprehtë si një "ja ku jam!" duke trazuar dorashkat prej kamoshi me nervozizëm, the: "E dini, unë do martohem."
Mirë, martohuni. S'prish punë. Do të bëhem i fortë. E shikoni, unë jam kaq i qetë! Si pulsi i një të vdekuri jo më në jetë.
S'ju kujtohet? Ju thoshit: ? "Xhek London 5 para, dashuri, pasion ", - por unë pashë vetëm një gjë që njihja: pashë tek ju Xhokondën që duhej ta vidhja! 6
Por ju vodhën. I dashuruar, do të rifutem në lojë, duke ndriçuar me zjarr harkun e qerpikëve. Mirë pra ! Edhe në një shtëpi e shkatërruar flakësh, ndonjëherë banojnë të pastrehë të mjerë!
Doni të më ngacmoni? «Më pak nga disa kopekë të një lypësi 7 janë smeraldet e çmendurive të tua» E mbani mend? U varros Pompei kur Vezuvi prej pompejasve u pezmatua! 8
Eh! Zotërinj! Diletantë Sakrilegjesh, krimesh, masakrash, keni parë vallë vetë atë që është më e tmerrshme: fytyrën time kur unë jam absolutisht i qetë?
Dhe ndjej që uni për mua është pak, Dikush nga unë lirohet me këmbënglje.
Alo! Kush flet? Mamaja Mama! Biri juaj është mrekullisht i sëmurë! Mama! Ka zjarrin e zemrës si duket. Thuaju motrave Ljuda dhe Olja se vëllai i tyre s'di më ku të futet.
Çdo fjalë, gjer edhe çdo shaka që lëshon nga goja përvëluese si prostitutë lakuriqe hidhet nga një shtëpi publike që digjet.
Njerëzit nuhasin: erë djegësirë! Grumbullohen ca tipa të çuditshëm. Kuqëlues ! Me helmeta! Për ç'qëllim ato çizme! U thoni zjarrfikësve : Mbi zemrën e ndezur hipet me ledhatime ?
Do t'ia dal vetë. Do të rrokullis si fuçi sytë e fryrë me lot. Lërmëni të mbështetem ijëve të mia. Do të kërcej, kërcej, kërcej, do të këcej tatëpjetë! U rrëzuan. S' mund të kërceka njeriu nga zemra e vet!
Mbi fytyrën në flakë përtej nga e çara e buzëve një puthje e vogël e karbonizuar rritet, të kërcejë . Mama! Nuk mund të këndoj si më parë. Në kishëzën e zemrës altari ka marrë zjarr!
Statueta të djegura fjalësh dhe shifrash brofin nga kafka si fëmijë nga një ngrehinë që digjet. Në formë jo të ndryshme frika ngriti, me ankthin që të kapeshin pas qiellit, duart flakëruese të «Luzitanias» 9
drejt atyre që dridhen në qetësinë e apartamenteve me një qind sy një flakërimë turret për nga nga kalata. Britmë e fundit, së paku ti rënko në shekuj që unë po digjem tani!
II
Himnizomëni ! Nuk jam i barabartë me të mëdhenjtë. Mbi gjithçka që u krijua vë nihilin tim. 10 Nuk dua të lexoj kurrë asgjë, pra. Libra? Por ç'libra!
Dikur mendoja që librat bëheshin kështu: vjen një poet hap gojën lehtësisht, dhe befas fillon të këndojë i frymëzuar torollaku: me hirin e Zotit natyrisht!
Po përkundrazi del se poetët para se të zbrazen në këngën, ecin, gjithë kallo nga bredhja e gjatë, dhe butësisht pluskon në llumin e zemrës tinka idiote e imagjinatës së ngratë.
Ndërsa duke gërvishtur rima, bëjnë të valojë një çorbë me dashurira dhe bilbila, rruga përdridhet pa gjuhë: s'ka me kë të diskutojë e të bërtasë.
Ne ngremë prapë me krenari kulla babiloneze qytetesh, 11 por Zoti shemb përsëri qytetet në fusha të lëruara, duke i përzierë po vetë fjalët ai.
Rruga zvarriste në heshtje mundimin e saj. Një britmë ngrihej nga fyti. Fryheshin, të bllokuara nëpër gojën e saj, taksi topolake dhe karroca rakitike.
I shtypën gjoksin. Më keq se tuberkulozi. Qyteti e bllokoi rrugën me errësirë"‹"‹.
Dhe kur rruga - megjithatë! - pështyu turmën mbi shesh, pasi refuzoi një blasfemi që i shqyente gojën, u duk që midis korit të kryeengjëjve Perëndia e plaçkitur shkoi të vendosë drejtësi!
Por rruga u ul duke ulëritur: "Të shkojmë ta shqyejmë!"
Trukojnë qytetin Krupë dhe Krupër 12 me rrudha qerpikësh kërcënuese, ndërsa në gojë dekompozohen fjalë të vdekura. Vetëm dy mbijetojnë, duke u dhjamur: «horr» si dhe një tjetër që duket të jetë "supë."
Poetët, të qullur në lot e dënesë, ia mbathin së katrash,duke shpupurisin flokët e tyre: "Si mund të këndosh me dy fjalë të tilla pa finesë zonjushën dhe dashurinë si dhe lulen e re nën vesë? "
Dhe prapa poetëve turmat e rrugës: studentë, prostituta, fermerë.
Zotërinj! Stop! Ju nuk jeni lypsa, ju nuk guxoni të kërkoni lëmoshë!
Ne të fortët me hap të fuqishëm nuk kemi nevojë të dëgjojmë sigurisht, por më tepër të shkulim ata që si shtojcë falas, pa pagesë i futen çdo krevati dopio, paturpësish në mes !
Do të duhej, vallë, të lutemi atyr me përulësi: "Nndihmonani?" T'u lutuni për një himn, për një oratorio? Ne vetë jemi krijues të himnit të zjarrtë, të zhurma së fabrikës dhe e laboratorit. Ç'më duhet Fausti që në një pështjellim raketash rrëshqet me Mefistofelin në dyshemenë e qiellit! Unë e di se një gozhdë në çizmen time është më e tmerrshme nga imagjinata e Gëtes gjeni! 13
Unë që kam gojë të artë 14 më shumë se kushdo tjetër dhe me çdo fjalë rigjeneroj shpirtin dhe i jap një ditë emri trupit, ju them: grimca më e vogël e pluhurit e një të gjalli vlen më shumë se ajo që kam bërë e që do të bëj.
Dëgjoni! Predikon, Duke u tundur e rënkuar, Zarathustra i sotëm me buzë ulëritëse! 15
Ne me fytyrë, si çarçaf të fjetur, me buzë të varura si llambadarë, ne, të dënuarit e qytetit-lebrozian, ku ar dhe baltë kanë ulçeruar lebrën, ne jemi më të kulluar se bluja e qiellit venecian. larë dikur nga detet dhe diejt !
Aq më bën nëse në Homerët dhe në Ovidë nuk ka njerëz si ne, vrarëlie dhe të mbuluar me blozë. unë e di dielli do të ngrysej po të shihte fushat e shpirtrave tanë ar, flori!
Muskujt dhe nervat janë më të sigurt se të gjitha lutjet Do duhej të kërkonim hiret nga koha? Cilido nga ne mban në të pesë gishtat e tij rripat motorikë të botëve!
Kjo më bëri të ngjitem mbi Golgotën e auditorëve të Petrogradit, Moskës, Odesës, Kievit16 dhe nuk qe as edhe një i cili të mos bërtiste: "Kryqëzoje, Kryqëzoje atë ! "
Por mua ju njerëz, përfshi dhe ata që më kanë fyer; jeni më të shtrenjtë e më të afërt nga çdo gjë tjetër që secili njeh. Keni parë se si qeni lëpin dorën që e rreh?!
Unë, i përqeshur nga brezi i sotëm si një anekdotë e paturpshme, e ashpër, e gjatë shumë, shoh të vijë nëpër malet e kohës dikush që askush nuk e sheh si unë. Atje ku syri i njerëzve ndalet i pafuqishëm, në krye të një luzme të uritur me kurorën me gjemba të revolucioneve përparon viti gjashtëmbëdhjetë.
Dhe unë pranë jush, jam pararendësi i tij 17 unë jam përherë atje ku ka vuajtje: mbi çdo pikë loti që pikon kam vendosur në kryq veten time. Tashmë s'mundet të fal më asgjë Unë kam ndezur shpirtrat, atje ku kultivohet dhembshuria. Kjo është më e vështirë se sa të marrësh Mijëra e mijëra Bastilja! 18
Dhe kur, duke shpallur me një rebelim ardhjen e tij, do t'i dilni para Shpëtimtarit, unë do t'ju shqyej shpirtin dhe pasi ta kem shkelur që të bëhet i madh, do t'jua jap si një flamur të përgjakur!
III
Ah, për ç'arsye aty ku në harenë e ndritshme ky sulm grushtesh të ndyrë ?
Erdhi Dhe më mbuloi kokën me dëshpërim mendimi i çmendinave.
Dhe ashtu si në mbytjen e një luftanije 19 midis spazmave mbytëse marinarët lëshohen drejt baxhës së hapur së katrash, kështu nëpërmjet syrit të tij të shqyer gjer në ulërimë ngjitej i çmendur, Burliuku 20.
Gati duke përgjakur qepallat e gërryera nga lotët, u zvarriti s'andejmi jashtë, u çua në këmbë, lëvizi dhe me butësi të papritur në një njeri yndyrë më mori dhe tha: "Mirë!" 21
Mirë, kur një bluzë e verdhë 22 mbron shpirtin nga shumë vështrime! Mirë, Kur, hidhur midis dhëmbëve të trekëmbëshit, thirrja vjen: "Pini kakao van Houten!" 23
Dhe këtë moment bengalik, 24 të thekshëm nuk do ta këmbeja me asgjë, as edhe me...
Por nga tymi i një cigareje Si një gotë e vogël likeri U zgjat fytyra e dehur e Severjaninit 25.
Si guxoni ta quani veten poet dhe, mediokër, të angullini si një çotës? Sot, duhet si një grusht hekuri të depërtosh në kafkën e botës!
Ju, të turbulluar nga mendimi i vetëm që të vallëzoni me elegancë së pari, vështroni si argëtohem unë unë, hileqar bixhozi dhe kodosh pazari!
Nga ju që jeni bërë qull nga dashuria, nga ju që në shekuj do të derdhnit lot unë do të shkëputem duke vendosur diellin si një monokël në syrin tim të çapëluar.
I kamufluar në një mënyrë të pabesueshme , do të shkoj që këtu nëpër tokë që të zgjoj kënaqësi e të përflakem mirë. Dhe si një këlysh do të marr me vete Napoleonin në zinxhir.
E gjithë toka, duke u shtrirë si një grua, do të tundë mishrat e saj, e dëshiruar të jepet; gjërat do të gjallërohen sa s'ka, buzët e sendeve do të belbëzojnë: «zaza, zaza, zaza» Befas retë e zeza dhe teprica e grumbullit të reve ngritën në qiell një gjëmim të jashtëzakonshëm tmerr sikur punëtorë të bardhë të ndaheshin, pasi të kishin deklaruar një grevë të zemëruar në qiell.
Një bubullimë prapa një reje u zvarrit jashtë e xhindosur, fryu flegrat e stërmëdha me pamje provokuese, dhe fytyra e qiellit u rrudhos për një çast me një grimasë prej Bismarku të hekurt27
Dhe dikush, që ishte varur në litarët e reve kërcënuese, zgjati krahët drejt një kafeje me sjellje gruaje fisnike dhe gati e përzemërt, dhe gati si të ishte mbajtëse topi metalike.
Ju mendoni se është dielli që i jep butësisht një përkëdheli faqes së kafesë? Dhe përkundrazi të pushkatojë rebelët vetë vjen gjeneral Galifet! 28
Nxirrni, përtacë, duart nga pantallonat: merrni një gur, një thikë, një bombë a pallë, dhe nëse dikush është pa duar, mbase ka ardhur të luftojë me ballë!
Çohuni, të uritur, qull në djersë, të përulur, të ashpërsuar në zdrale plot pleshta! Çohuni! Të hënat dhe të martat me gjak do t'i ngjyejmë për festa!
Në thikat toka le të kujtojë ai që donte ta bënte të rëndomtë ! Toka, majmur si një dashnore mbi të cilën Rothschildi 29 shfryu epshet burrërore!
Pse valëviten flamujt në ethet e shkarkimeve, si në çdo festë të respektuar, ju shtylla elektrike, ngrini në majë, Kufomat e përgjakshme të biznesmenëve të mallkuar.
Blasfemonte, lutej, ngrinte, kacavirrej pas dikujt për t'i kafshuar ijët.
Mbi kupën e kuqe të qiellit, si Marsejeza,30 dridhej, duke dhënë shpirt perëndimi.
Tashmë marrëzia.
Asgjë më s'do të ketë
Nata do të vijë Të brejë Dhe të hajë A e shihni? Si një Judë shet qiellin përsëri për një grusht yjesh spërkatur me tradhti.
Erdhi. Bën gosti në mënyrën e Mamajt, 31 Zë vend mbi qytet. Nuk do t'ia dalim të thyejmë me sy këtë natë të zezë si Azëv! 32
Strukem në fund të një taverne, ujit me verë shpirtin dhe mbulesën e tavolinës dhe shoh në një qoshe sy të rrumbullakët. Nëna e Zotit u gozhdua me sy në zemrën time,
Pse t'i bëj dhuratë fundrinës së tavernës një aureolë të pikturuar sipas një stampe? Shiko? Ende dhe një herë preferojnë Barabanë se sa martirin e Golgotës mbuluar me pështyma.
Unë, mbase, qëllimisht në grumbullin e njerëzve nuk e kam fytyrën më të re se ajo e të tjerëve. Unë, mbase, jam më i bukuri nga gjithë fëmijët e tu.
Jepu atyre, të mykur në gëzime, një vdekje të shpejtë të kohës, sepse fëmijët që duhet të rriten, po qenë djem, të bëhen baballarë, po qenë vajza të mbeten me barrë. Dhe bëjnë që të sapolindurit mbulohen nga thinjat vëzhguese të mbretërve Magë, ata do të vijnë të pagëzojnë fëmijët me emrat e vargjeve të mi.
Unë, që lartësova makinën dhe Anglinë, mbase thjesht jam vetë në ungjillin më të rëndomtë apostulli i trembëdhjetë. 33
Dhe kur zëri im klith paturpësisht nga një çast në tjetrin gjatë gjithë ditës pa pushim, ndoshta Jezu Krishti nuhat lulet e kaltra të shpirtit tim 34.
IV
Maria! Maria! Maria! 35
Lërmë të hyj, Maria!
Nuk mund të rri në rrugë!
Nuk do? Ti pret që me faqet e groposura, të shijuara pa shije, nga të gjithë, të vij të përtyp pa dhëmbë fjalët: «Sot jam i ndershëm përsosmërisht.»
Maria, Shiko: kam filluar të kërrusem.
Në rrugët njerëzit do të çajnë dhjamin në gushat e tyre me katër kate do të nxjerrin syçkat të lodhur nga dyzet vjet konsumim, për të injoruar njeri-tjetrit duke u zgërdhirë që midis dhëmbëve të mi - përsëri! - është buka bajate e miklimit të djeshëm.
Hajdut i qullur, rrethuar nga pellgjet, shiu, duke spërkatur dëneset mbi trotuare, lëpin kadavrat e rrugëve të keqtrajtuara nga çaklli, dhe mbi qerpikët e thinjura - po! - mbi qerpikë heje akulli pikojnë lot nga sytë - Po! - Nga sytë e përulur të ullukëve.
Thithi gjithë këmbësorët turiri i shiut, ndërsa në karroca ndriste një radhë e dhjamur atletësh: Pëlcisnin disa, dendeshin sa s'pëlcisnin, dhe përmes plasave kullonte salloja si një lumë i turbullt drenonte nga karrocat, së bashku me një bukë të copëtuar, përtypja e kotëletave bajate.
Maria ! Si të ngul një fjalë të ëmbël në veshin e tyre të dhjamur? Zogu ikën duke lypur me një këngë,
këndon, i uritur dhe fishkëllyes, por unë jam njeri i thjeshtë, Maria, gëlbazur nga nata tuberkulare në dorën e pistë të Presnjas 37
Maria, e do një njeri të tillë? Lërmë të futem, Maria! Me ngërçin e gishtave do të shtrëngoj gojën metalike të ziles!
Maria!
Po bëhen mizore të egra kullotat e rrugëve. Mbi qafë si një gërvimë gishtat e turmës.
Hapi!
Më dhembin !
Shiko ? U gozhduan në sytë e mi karficat e kapelave të grave!
Më la të hyj.
Vogëlushe ! Mos u tremb nëse mbi qafën time prej kau ulen si një mal i lagësht gra me bark të djersitur: kjo ndodh ngaqë gjatë jetës unë tërheq miliona dashuri të mëdha, të virgjëra, miliona e miliona dashuri të vogla, dashuriçka të ndotura.
Mos u tremb nëse edhe një herë në kohën e keqe të tradhtisë do të shtrëngohem pas mijëra fytyrëzash të këndshme. «Adhuruese të Majakovskit!»" por kjo është vërtetë një dinasti mbretëreshash ngjitur në zemrën e një të çmeduri.
Maria, më afër!
Me zhveshje të paturpshme ose me një lemeri drithëruese jepmë hijeshinë e kolme të buzëve të tua: unë dhe zemra ime nuk kemi jetuar as edhe një herë deri në maj,
Dhe në jetën time të shkuar ka vetëm njëqind prille.
Maria! Poeti i këndon sonete Tjanës,38 ndërsa unë, krejtjtësisht mish, krejtësisht njeri, kërkoj thjeshtësisht trupin tënd, siç kërkojnë të krishterët: «bukën tonë të përditshme, jepna sot. »
Maria, jepma!
Maria! Unë trembem se mos harroj emrin tënd si një poet që ka frikë mos harrojë ndonjë fjalë të lindur midis mundimeve të netëve, e njëjtë për nga madhësia me Perëndinë. Trupin tënd unë do të di ta ruaj e do ta dua si një ushtar sfilitur nga lufta, i padobishëm më për askënd, kujdeset për këmbën e tij të vetme.
Maria, nuk do?
Nuk do?
Ah!
Atëherë përsëri, i trishtuar dhe i zymtë, unë do të marr zemrën time dhe duke e larë me lot, do ta çoj siç çon një qen në koliben e vet putrën e shtypur nga një tren.
Me gjakun e zemrës do të gëzoj rrugën, Lule gjaku do t'i ngjiten pluhurit të xhaketës sime. mijëra herë do të vallëzojë si Herodiada dhe dielli rreth tokës kafkë e Pagëzorit. 39
Dhe kur do të mbarojë së vallëzuari numri i viteve të mia, me një milion pika gjaku do të mbulohet gjurma që të çon në shtëpinë e Atit tim.
Do të dal jashtë i ndotur ( netëve të kaluara nëpër vada), do të vihem përbri tij, do të përkulem për t'i thënë në njërin vesh: Dëgjoni, zoti Perëndi!
A s'ju mërzit të lagni çdo ditë në komposton e reve sytë e dhjamur? Hajt, të vendosim së bashku të bëjmë një karusel në pemën e njohjes së të Mirës dhe të Keqes! I gjithëpranishëm, do të jesh në çdo gardërobë, dhe në tavolinë dhe do të vëmë verëra të tilla sa dhe të vetullngrysurit Apostullit Pjetër, do t'i lindë dëshira të kërcejë një ki-ka-pù.40 Dhe në parajsë përsëri do të presim Evushkat: mjafton që ti të japësh urdhër dhe po sonte do të të sjell një mizëri të madhe nga të gjitha rrugët, vajzat më të bukura. A do?
Nuk do? Tund kokën me flokë? Vrenjt qerpikët e thinjur? Ti mendon se ai me krahë që të qëndron prapa e di ç'është dashuria?
Edhe unë jam një engjëll, unë isha i tillë, shikoja në sy si një qengj i sheqertë, por nuk dua t'u jap më pelave vazot e bëra me miellin e Sèvres-it.41
I plotfuqishëm që ke shpikur një palë krahë dhe ke bërë që cilido të kishte kokën e vet, po përse nuk shpike një mënyrë që pa mundim, të puthemi, të puthemi dhe të riputhemi pa pushim?! Mendova që ti ishe një Zot i madh, i plotfuqishëm, por përkundrazi qenke idiot, një Zotth i vogël. Shih, unë kërrusem, pas këmbales nxjerr thikën e këpucarit.
Shpejt zuzarë! Strukuni në parajsë! Shpupurisni puplat tuaja në një tronditje drithërime! Ty, i nginjur me temjan, unë do të të shqyej që këtu e deri në Alaskë!
Lërmëni !
Mos më ndalni. Qoftë edhe po të gënjej vetë ose të gjendem në të drejtën time, nuk do të mundja të isha më i qetë.
Shikoni:
kanë prerë prapë kokat e yjeve, duke përgjakur qiellin si një thertore! Eh, ju! Qiell! Hiqni kapelën! Po iki unë!
I shurdhër.
Universi fle, duke mbështetur mbi putër veshin vigan me këpusha yjesh.
Përktheu: Faslli Haliti
Mars 2012 mars 2015
SHENIME
Shënimet e kapitullit:
I
2. Në Nicë (Francë), ka ende dhe sot një treg të famshëm lulesh. 3. Është fjala për të renë Marija Denisova, me të cilën Majakovski ra në dashuri gjatë një ndalese në Odesë në janar 1914."Maria" është përmendur dhe një herë tjetër në Pjesën IV. 4. Në fasadën e katedrales dhe "Galeria e kimerave", e përbërë nga statujat e frikshme të monstrave mitologjikë të bashkuara me figura të tjera groteske. Me funksion të kokës së ullukut, janë bërë nga arkitekti Eugene Viollet-le-Duc (1814-1879). 5. Jack London, pseudonim i John Griffith Chaney London (1876-1916), dhe një nga shkrimtarët amerikanë më të mëdhenj e më të njohur. Të tijët janë, bie fjala, romanet "Dhëmbi i bardhë", "Kushtrimi i të parëve". 6. Kryevepra e Leonardo da Vinçit, Mona Liza u vodh më 21 gusht 1911 nga italiani Vincenzo Peruggia, i cili e mori atë nga Muzeu Louvre në Paris dhe u kthye dy vjet më vonë. 7. kopekësh, ose Kopek, dhe të njëqindtën pjesë e një rubla. (N.d.C.) 8 shpërthim i Vezuvit varrosi qytetin e Pompeit në 79 para Krishtit (N.d.C.) 9. "Luzitania" ishte emri i një anijeje pasagjerësh angleze që u mbyt pranë bregut irlandez nga një nëndetëse gjermane më 7 maj 1915. Ky aksident kontribuoi në futjen në luftë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Shënimet e kapitullit:
II
10. Në Rusi, nga gjysma e dytë e shek.XIX u afirmua nihilizmi midis intelektualëve të rinj (nga latinishtja nihil, asgjë), i cili mohoi ekzistencën e ndonjë vlerë dhe të së vërtetës, si krishtërimi. 11. Referim për Kullën e Babelit: Zanafilla 11:1-9. 12. Nga emri i familjes gjermane që jepte furnizime me topa, armë dhe municione.
13. Poeti gjerman Johann Wolfgang von Goethe ( 1749-1832 ) punoi për më shumë se gjashtëdhjetë vjet poemën epike Faust, teksti i plotë i së cilës u botua pas vdekjes. Fabula mbështetet mbi një lloj legjende rreth alkimistit Johann Faust, i cili u zhduk në mënyrë misterioze më 1540, dhe u bë më vonë subjekt i rrëfimeve popullore dhe e një tragjedie të anglezit C. Marlowe. Në poemë, Fausti ka një etje të pashtershme për dije dhe tension të madh në drejtim të pafundësisë. Për të kënaqur ato, ai pranon një pakt me djallin, Mefistofel, të cilit do t'i japë shpirtin për të kënaqur dëshirën e tij për arritje. Në shtratin e vdekjes, megjithatë, Perëndia do të shpëtojë shpirtin e Faustit sepse padurimi i tij me kufijtë e ndërgjegjes dhe përpjekje për të kapërcyer ato janë konsideruar aspirata fisnike dhe pozitive.
14. "Gojëart" është një shprehje e përdorur nga Kisha për të treguar shenjtorët me gojëtari të madhe, si Shën Gjoni i Antiokisë, i quajtur "Gojarti", një fjalë e cila në lashtësinë greke (khrysóstomos) fjalë për fjalë Gojë e artë.
15. Zoroasteri ose Zarathustra (630-532 p.e.s.), profet persian dhe themelues i një feje dualiste. (Zorostrismo) i quajtur këtu në kuptimin "predikues". 16. Kjo i referohet një udhëtimi që Majakovski dhe poetët e tjerë futuristë bënë në Rusi nga fundi i 1913 dhe fillimi i 1914. Shfaqjet e tyre gjithmonë janë kritikuar ashpër. 17. Këtu Majakovski krahasohet me Pararendësin, d.m.th. Shën Gjon Pagëzorin.
Shënimet e kapituli:
III
18. Marrja e Bastijes ndodhur në Paris më 14 korrik 1789 nga ana e një mijë revolucionarëve të cilët asgjësuan njëqind e katërmbëdhjetë ushtarë që ruanin një duzinë të burgosurish. Vlera e ngjarjes ishte pra thjesht simbolike se Bastija përfaqësonte fuqinë mbretërore franceze, pasi kishte qenë në fillim banesë e mbretërve të Francës dhe më vonë burg.
19. Anijet HMS luftanije e koracuar (" mos u tremb nga asgjë ") ishin luftanije të Marinës ushtarake britanike. Nga shek. XVI në 1906 u nisën gjashtë prej tyre, e fundit e të cilave ishte e para anije luftarake monokalibër dhe e para anije e blinduar që do të operonte vetëm nga turbinat me avull. Qe një anije kaq revolucionare sa emri i saj u bë një term i përgjithshëm për anije moderne për beteja. 20. Poeti dhe piktori David Burliuku (1886 ? -1967), themelues i lëvizjes futuriste në Rusi, kishte humbur një sy në fëmijëri. Ishte një mik i ngushtë i Majakovskit. 21. Mirë ! është titulli i një poemë të Majakovskit. 22. Futuristët rusë deklaronin vargjet të tyre në rrugë veshur ekstravagantë. E famshme ishte xhaketa e verdhë e Majakovskit dhe ndërrimi i tij si një bletë (e verdhë dhe e zezë) me fytyrën e tij të lyer. 23. Sipas gazetave të kohës, një person i dënuar me vdekje tha këtë frazë para ekzekutimit dhe për publicitetin, kompania holandeze ëmbëltore Van Houten i premtoi një shumë të madhe familjes së dënuarit me vdekje. 24. Ashtu si një fishekzjarr, një shpërthim.
25. Igor Severjanini, pseudonim i Igor Vasiljeviç Lotarjev (1887-1942) ishte një poet nga Petersburgu, shumë popullor në atë kohë, po i kritikuar nga futuristët se lavdëronte në odat e veta luksin dhe pasurinë.
27. Otto Eduard Leopold von Bismarck (1815-1898), themelues dhe kancelari i parë i Perandorisë Gjermane, kishte nofkën "Kancelari i hekurt".
28. Në maj të vitin 1871, gjenerali francez Gaston Alexandre Auguste, markez i Galliffet (1830-1909). Udhëhoqi shtypjen e egër kundër revolucionarëve të Komunës së Parisit, e cila mori fund me më shumë se 30.000 të vdekur, 50.000 të ekzekutuar dhe të burgosur, 7.000 të internuar në Kaledoninë e Re. Pas kësaj Galliffet kishte reputacionin e njeriut të fortë, dhe armiqësinë e vazhdueshme të së majtës politike. 29. Rothsçajlldët ishin shumë të njohur dhe bankierët të pasur të shek. XIX që kontrollonin pak a shumë drejtpërdrejt politikat e vendeve që financonin.
30. Marsenjeza ishte një këngë (Chant de guerre pour l' arme du Rhin) u bë "thirrje për të rrokur armët" e Revolucionit Francez, mori emrin e Marsejezës për arsye se këndohet në rrugë nga vullnetarët (fédérés) nga Marseja deri në mbërritjen e tyre në Paris. Tani është himni kombëtar francez.
31. Mamai ishte udhëheqës i mongolëve - Tatarët në fund të shek. XIV. Për Hordhinë e artë lulëzuan shumë legjenda duke përfshirë, atë që pas një beteje, kani e kishte zakon të hante drekën e gostisë, i ulur mbi shpinën e të mundurve. Kjo anekdotë lidhet shpesh me Xhenxhis Kanin, i cili në vitin 1223 ishte fitues i betejës së lumit Kalka ( në veri të Detit Azov ) kundër princave ruse.
32. Azevi (1869-1918 ) ishte një spiun i famshëm i policisë dhe një provokator. Që nga ajo kohë emri i tij është përdorur si një sinonim për tradhtar 33. "Apostulli i trembëdhjetë" ishte titulli origjinal i kësaj poeme, por ai u refuzua nga censura cariste. 34. Është fjala për lulet e njohura me emrin "lule mos më prek".
Shenimet e kapitullit:
IV
35. Kjo Maria (Marija) dhe një poeteshë e Moskës, jo vajza e re e cituar në fillim të poemës.
38. Tjana (i shkurtër për Tatjana) ishte titulli i një koleksioni të poezive të Severjaninit, botuar në vitin 1913.
39. Në ungjijtë (14.3-11 Mt dhe Mk 6.17-28), është Salomeja, bija e Herod Filipit dhe Herodiadës, ajo që kërcen dhe fiton si shpërblim kokën e prerë të Gjon Pagëzorit.
40. Valle ekzotike popullore lindore, popullore në atë kohë. 41. Porcellani i Sevresit (Francia).
Përktheu: FASLLI HALITI
|