VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - PËRRALLA E TRE VËLLEZËRVEPunuar sipas motiveve populloreNga BEDRI DEDJA

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 06:39am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
PËRRALLA E TRE VËLLEZËRVE
Punuar sipas motiveve popullore
Nga BEDRI DEDJA

E Mërkurë, 04.15.2015, 11:00am (GMT+1)





I


       Na ishte se ç'na ishte.
       Na ishte një baba me tre djem.
       Babai ishte plak dhe i varfër e s'kishte as mall, as flori e as çifligje, përveç  se një kolibe të keqe, një kalë, një shalë dhe një fré.
      Para se të vdiste, plaku i thirri të tre djemtë pranë dhe u tha :
-    Dëgjoni, o bij! Unë po vdes e s'po ju lë as mall e as pasuri. Por ju jetoni me nder e mos u ndani. Edhe në qoftë se nuk e mbani fjalën time dhe ndaheni, sipas moshës që keni, kalin ta marrë më i madhi, i dyti të marrë shalën dhe i treti frerin...
      Si tha këto fjalë, plaku vdiq.
      Djemtë e vajtuan babain dhe e varrosën me gjëmë, por fjalën e tij të urtë e harruan shpejt.

II

      Kaluan ca kohë.
      Një ditë prej ditësh, djali i madh u ngrit dhe u tha dy vëllezërve më të vegjël :
-    Po marr kalin dhe po shkoj... Ndoshta më del ndonjë fat i mire. Mbeçi me shëndet!
      E që atë ditë u nda me vëllezërit dhe u nis për rrugë. Ec e ec dhe ja, më në fund, arriti në një qytet. Në këtë qytet u takua me një tregtar të madh. Por ja që tregtari na kishte qënë djalli vetë.
-    Puna e mbarë, or zotëri! i tha djali.
-    Mbarë paç, or djalë ! iu përgjigj tregtari. Nga je nisur ?
-    Për të gjetur fatin...
-    Pa më thuaj, or djalë, çfarë kërkon ? e pyeti përsëri tragtari.
-    Po ja...kam një kalë dhe dua t'i gjej shalën dhe frerin.
-    Aaaa...po kjo është punë e lehtë, - i tha tregtari. Shalën dhe frerin t'i jap unë. Në qofsh i zoti të më thuash gënjeshtra aq shumë, sa të ma kalosh edhe mua, do të të jap shalë, fré dhe gjithë pasurinë time...përndryshe, po s'qe i zoti të gënjesh më shumë se unë, do të ta marr kalin.
      Vëllai i madh u mendua sa u mendua e më në fund, i tha tregtarit :
-    Mirë...por fillo ti i pari.
-    Bëra një dasmë, - ia nisi tregtari. Ftova qiellin dhe tokën. Gatova një kokërr vezë. Hëngrën të gjithë, sa u ngopën dhe teproi gjysma. Kaq kisha. Gënje ti, tani!
      Djali u mendua shumë, por s'gënjeu dot. Kështu, tregtari i morri kalin dhe e la me gisht në gojë.
      Kur u kthye në shtëpi, vëllezërit e pyetën :
-    Ku e ke kalin, or vëlla?
-    E shita.
-    Po a e shite shtrenjtë?
-    Shtrenjtë e shita! gënjeu ai, se i erdhi turp nga dy vëllezërit.

III
      Kaluan edhe ca kohë.
      Një ditë prej ditësh, u ngrit djali i mesëm dhe u tha dy vëllezërve të tjerë:
-    Po marr shalën dhe po shkoj... Ndoshta më del edhe mua ndonjë fat i mire. Mirë mbetshi!
      E që atë ditë, u nda edhe ai me të vëllezërit dhe u nis për rrugë. Ec e ec dhe, më në fund, arriti po në atë qytet, ku kish' qënë edhe vëllai i madh e takoi po atë tregtar që kishte takuar edhe ai.
      -   Puna e mbarë, or zotëri! i tha djali.
      -   Mbarë paç, or djalë ! iu përgjigj tregtari. Për nga je nisur me këtë shalë në krahë?
     -   Për të gjetur fatin...
-    Pa më thuaj, or djalë, çfarë kërkon ? e pyeti përsëri tragtari.
-    Po ja... kam një shalë e dua t'i gjej kalin dhe frerin.
-    Aaaa... po kjo është pune shumë e lehtë ! Kalin dhe frerin t'i jap unë. Dëgjo... Në qofsh i zoti të më thuash gënjeshtra aq shumë, sa të ma kalosh edhe mua, do të të jap kalë, fré dhe gjithë pasurinë time...përndryshe, po s'qe i zoti të gënjesh më shumë se unë, do të ta marr shalën.
      Vëllai i mesëm u mendua sa u mendua e më në fund i tha tregtarit :
-    Mirë... po vetëm fillo ti i pari.
-    Bëra një dasmë, - ia nisi tregtari. Ftova qiellin dhe tokën. Gatova një kokërr vezë. Hëngrën të gjithë, sa u ngopën dhe teproi gjysma. Kaq kisha. Gënje ti, tani!
      Djali i mesëm u mendua shumë, por nuk gënjeu dot.
      Tregtari i mori shalën dhe e la me gisht në gojë. Kur u kthye në shtëpi, vëllezërit e pyetën:
-    Ku e ke shalën, or vëlla?
-    E shita.
-    Po a e shite mirë?
-    Mirë e shita! gënjeu ai, se i erdhi turp nga vëllezërit.

IV

      S'kaluan shumë kohë dhe një ditë u ngrit edhe vëllai i vogël. Këtë të voglin, vëllezërit e mëdhenj e thërrisnin "qeros" dhe e merrnin për budalla. Por në të vërtetë, ai ishte shumë i zoti.
      Qerosi atë ditë u tha vëllezërve më të mëdhenj:
-    Po marr frerin dhe po shkoj... Ndoshta edhe mua më del ndonjë fat i mirë për vete, por edhe për ju. Mirupafshim.
      U përqafua me të vëllezërit dhe u nis.
      Ec e ec dhe më në fund arriti në qytetin e tregtarit, ku më parë kishin shkuar edhe vëllezërit e tij.
-    Puna e mbarë, zotëri! e përshëndeti Qerosi.
-    Mbarë paç, or djalë. Për nga je nisur?
-    Po ja... për të gjetur fatin. Kam një fré e dua t'i gjej shalën dhe kalin, që kanë humbur vëllezërit e mi.
-    Po kjo është punë shumë e lehtë ! i tha tregtari me qesëndi. Shalën dhe kalin i kam unë. Në rast se ti je i zoti të më thuash gënjeshtra aq shumë, sa të ma kalosh edhe mua, jo vetëm shalën dhe kalin, por edhe tërë pasurinë time do të ta jap. Në të kundërt, po s'qe i zoti të gënjesh më shumë se unë, do të ta marr edhe frerin...
-    Mirë ! ia preu Qerosi. Fillo dhe mbaro ti i pari.
-    Bëra një dasmë, - ia nisi tregtari. Ftova qiellin dhe tokën. Gatova një kokërr vezë. Hëngrën të gjithë, sa u ngopën dhe teproi gjysma. Kaq kisha. Gënje ti, tani!
-    Ooo... po kjo s'është gjë hiç ! iu drejtua Qerosi. A ke tjetër, usta ?
-    Jo, - iu përgjigj ai.
-    Dëgjo, atëherë ! filloi Qerosi. ...Një ditë, unë u zgjova në mëngjes dhe pashë se ishte natë...Atëhere vendosa te numëroj bletët në errësirë. Numërova sa numërova dhe më në fund, u futa në koshere dhe vura re se ishte një bletë mangut... U mërzita shumë dhe u nisa ta kërkoj. Morra një gjilpërë dhe një kokër farë kungulli e vajta në breg të detit. Kur arrita në breg, vështrova rreth e rrotull se mos shikoj bletën  që më kish humbur, por nuk ma zuri syri gjëkundi. Atëhere ngula gjilpërën në tokë, hipa në majë të saj dhe hodha vështrimin përtej detit. Atje pashë një bujk që po lëronte tokën me parmëndë, të cilën ia tërhiqnin një buall dhe një bletë. Menjëherë e njoha, se ishte bleta ime. Atëhere nxorra farën e kungullit, e mbolla e rashë e fjeta një orë. Kur u zgjova, vura re se fara kishte mbirë dhe kishte hedhur degë deri matanë detit. Pa e zgjatur, hipa në degë, eca e eca sa kalova detin, vajta tek ai bujku dhe i thashë :  
     « -  Puna e mbarë !
-    Mbarë paç ! ma ktheu ai.
-    Pse ma ke marrë bletën ? e pyeta.
-    Për kokën time, nuk ta kam marrë! tha bujku. Ka ardhur vetë.
-    Mirë...nuk do të prishemi për kaq gjë, por vetëm paguaj hakun. shtova unë.
-    Prit pak, sa të më bëhet bereqeti ! m'u lut ai Â».  
Dhe bujku mbaroi së mbjelluri. Fara mbiu, u rrit, u poq dhe shpejt e shpejt, në sytë e mi, ai e korri, e shiu dhe ma futi nëpër thasë.
«  -  Na, merre këtë grurë si hak për bletën, - tha bujku. Merre dhe bletën tënde dhe ktheu nga ke ardhur ! Â»
          Mbasi e falenderova, ngarkova dy thasë me grurë në kurriz të bletës, hipa edhe vetë në mes të tyre dhe u nisa për në shtëpi. Kur arrita në mes të detit, vura re se njëri nga thasët mbi krahët e bletës po anonte më shumë. Numërova grurin kokërr për kokërr e më doli një më tepër. Atëhere morra sëpatën, e çava kokrrën e grurit më dysh, i barazova të dy thasët dhe u nisa përsëri drejt shtëpisë... Kur mbrrita në oborr të saj, më dhanë lajmin e gëzuar se më kish' lindur babai. Aq shumë u lumturova, sa u nisa menjëherë në pyll, me dyqind druvarë, për t'i bërë babait djepin. Premë tërë pyllin por nuk na dolën drasat. Kërko e kërko rreth e qark e më në fund, gjeta një ashkël që kish' mbetur në majë të sopatës sime. Jo vetëm që më mjaftoi, por bile më teproi edhe për të bërë një fron për vehte. Pastaj, m'u desh t'i bëj babait edhe shpërgenjtë. Thirra dyqind qethëtarë që të qethnin dymijë dhen, por përsëri s'më doli leshi. Kërko e kërko rreth e qark e më në fund, pashë një qime leshi të mbetur në tehun e gërshërës sime. U gëzova shumë se jo vetëm mbarova punë me shpërgenjtë e babait, por më teproi edhe për të bërë një velenxë për vehte.
      ...Po ja që babait, që ditën e parë që u shtri në djep e u mbulua me shpërgenj, i vajti mëndja për thëllënxë e ja nisi kujës e vajit me të madhe. U detyrova të shkoj për gjah. Kisha vetëm tri pushkë: dy të thyera e një pa lloz. Kisha edhe tre zagarë: dy të ngordhur e një pa shpirt. Atëhere morra pushkën pa lloz bashkë me zagarin pa shpirt dhe iu ngjita malit. Atje më dolën përpara tre lepuj: dy të ngordhur e një pa jetë. Provova të qëlloj një here me pushkën pa lloz, kur pashë se kisha vrarë lepurin pa jetë. E futa menjëherë në trastë dhe morra rrugën drejt shtëpisë. Duke ecur malit, pashë tri shtëpi: dy të rrënuara dhe një pa mure e çati. Vendosa të hyj tek kjo e fundit, se pashë tri plaka: dy të verbra e një pa sy. E pyeta plakën pa sy nëse kishte parë rrotull shtëpisë së saj ndonjë kusi. Ajo më tregoi tri kusi: dy të shpuara e një pa fund. Morra kusinë pa fund dhe zjeva lepurin pa jetë. Mishi më rrodhi e lëngu më mbeti. Hëngra sa u ngopa, bashkë me plakat...Kaq, tani për tani... Gënje, zotrote, sa të shplodhem pak!
-    Të lutem, mjaft, se s'kam ç'të gënjej! tha tregtari që kish' grabitur më parë dy vëllezërit e mëdhenj të Qerosit. Lermë të shkoj!
      E pasi uli kokën, u largua me bisht ndër shalë, i detyruar t'i jepte Qerosit jo vetëm kalin e shalën, por edhe gjithë pasurinë e vet.
Kështu, Qerosi u kthye në shtëpi tek vëllezërit e tij e që prej asaj dite, jetoi i lumtur, së bashku me ta.  E si thotë populli: "Përralla në lesh, shëndeti prej nesh,"

Tiranë, 1958

fund

BEDRI DEDJA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
VEXHI BUHARAJA, ORIENTALIST DHE PERKTHYES I SHQUAR - I PENGUAR DHE I FYERNga ARSHIN XHEZO (04.15.2015)
RE NË PANTALLONAPoemë nga VLADIMIR MAJAKOVSKIPërktheu dhe pajisi me shënime FASLLI HALITI (04.14.2015)
Përkujtim:BEDRI DEDJA PEDAGOG DHE BOTUES I SHQUAR E SHUMËPLANËSHNga Prof. MURAT GECAJ (04.14.2015)
NDËRRON JETË NOBELISTI GÃœNTER GRASS (04.13.2015)
SHËNIME PËR TAULANTIN - FLETORJA E DYTË E DITARIT (Fragmente)Nga Prof. BEDRI DEDJA (04.13.2015)
TIRANA IME E VOGEL {sa e vogel ne Universin e madh}Nga EGLANTNA MANDIA (04.13.2015)
KUSHTIME SHPIRTËRORECikël poetik nga ASLLAN DIBRANI (04.11.2015)
MENATË VIJNË LEJLEKËTCikël poetik nga ADEM ZAPLLUZHA (04.10.2015)
EGZOTIZMI DHE "UNI"Esse nga THANI NAQO (04.09.2015)
PEIZAZH KANADEZFragment nga libri 'Fytyra e dashurisë'Nga EGLANTINA MANDIA (04.09.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]