VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PETRAQ KOLEVICA - NJË ERUDIT I HESHTUR
Nga GURI SHYTI

E Mërkurë, 04.15.2015, 06:50pm (GMT1)


Të shkruash dhe të karakterizosh një njeri çfarëdo nuk është e thjeshtë, ndërsa të vizatosh figurën e një njeriu poliedrik, puna bëhet shumë e vështirë. Kjo më ndodh edhe mua teksa marr përsipër detyrën e vështirë të hedh paksa dritë mbi jetën dhe veprën e një njeriu, aq arkitekt sa edhe poet, aq prozator sa edhe përkthyes, aq poliglot sa edhe fjalëëmbël, siç është profesor Petraq Kolevica.

Në fillim të viteve '50, djaloshi i thjeshtë, Petraq Kolevica, erdhi nga Korça në kryeqytet. Ai mbartte nga qyteti i lindjes gjithë dhuntitë që ajo trevë i ka me shumicë. Ishte i urtë, i dashur, fjalëpak, por jo mendjepak; me një bagazh kulturor që i kalonte dukshëm kufijtë e teksteve mësimore të gjimnazit, të cilin sapo e kishte mbaruar. Biblioteka e Korçës, të këtij kryeqyteti të kulturës shqiptare, ishte bërë për Petraqin e ri shtëpia e tij e dytë. Ai lexonte, kërkonte, zhbironte në të fshehtat e kulturës shqiptare dhe botërore, aq sa ia lejonin kushtet e kohës në të cilën jetonte, veçanërisht asaj, që asokohe ishte në modë, kulturës ruse. Ai e mësoi shpejt rusishten dhe filloi të bënte sprovat e para të përkthimeve dhe jo pak, por nga poetët më të mëdhenj të Rusisë.

Me gjithë dëshirën e tij për të ndjekur studimet e larta në ndonjë degë më të parapëlqyer dhe më në përputhje me aftësitë e tij, e drejta e studimit i doli në Fakultetin e Ndërtimit të UT. Pavarësisht nga problemet shëndetësore, pasi gjatë luftës, midis lodrave fëminore, rasti fatkeq e deshi që të ndodhej edhe një "lodër" e dëmshme, nga ato që lufta linte me shumicë pas vetes, iu dëmtua njëra dorë, ai, jo vetëm nuk mbeti prapa shokëve, por u dallua për zellin dhe seriozitetin në përvetësimin e profesionit të nderuar të inxhinierit të ndërtimit. Vizatimet, ashtu si e gjithë ecuria e tij gjatë përvetësimit të programit mësimor, vlerësoheshin lart nga pedagogët, ndërsa karakteri i shoqëruar, serioziteti dhe respekti që ai ndjente për shokët, bënte që edhe ata ta donin dhe ta respektonin Petraqin.

Përpjekjet e tij në fushën e shkencës, së cilës i ishte përkushtuar, bënë që ai me kalimin e viteve, të kryente më së miri edhe detyrën e arkitektit, duke dhënë një ndihmesë të shquar në projektimin e disa objekteve që edhe sot i kanë qëndruar kohës, siç ishte biblioteka e Korçës, ndërtesa në Tiranë, Vlorë e gjetkë, të cilat dalloheshin për hijeshi dhe modernizëm për kohën.

Mirëpo stili i tij modern dhe bashkëkohor i projektimit nuk mund t'i shkonte përshtat sistemit monist, që vetëm modernen nuk e duronte dot. Përjetimet dhe zhgënjimet e tij prej profesionisti të shkallës së lartë, ai i ka shprehur saktë, ashtu si di ai, në librin me titull: "Arkitektura dhe diktatura". Zhgënjimi i tij kryesor ndodhi kur ia ndërprenë në mes vrullin e tij të projektuesit me synim të bukurën dhe, që "të mësonte nga kllasa punëtore", e sorollatën gjatë nëpër kantiere të ndryshme ndërtimi, ku merrej me punë të rëndomta që ishin larg thirrjes së tij të brendshme prej specialisti të mirëfilltë.

Ndonëse puna e ndërtuesit, siç është e njohur, mbart vështirësi të veçanta, kjo nuk e pengoi Petraqin që, krahas saj, të zhvillonte më tej prirjet e veta të natyrshme, siç ishin sferat e ndryshme të letërsisë. Ai, që në bankat e universitetit, filloi të përkthente dhe të botonte tregime e poezi nga gjuha ruse, prej së cilës na ka lënë shumë perla, siç është poema "Demon" e Lermontovit dhe shumë të tjera që preku dora dhe talenti i tij. Unë dua të dëshmoj se, si njohës i gjuhës ruse që jam, sado paradoksale mund t'i duket kjo ndonjërit, por, kur e kam lexuar përkthimin e "Demonit" nga Petraqi, më është dukur sikur atë poemë madhore për nga arti i të shkruarit, poeti rus e paskësh shkruar në shqip. Kohë përpara është botuar një vëllim me poezi të poetit të madh rus Pushkin, ku të njëjtat poezi janë përkthyer nga përkthyes të ndryshëm; ndër to spikatin për nga ngrohtësia e vargut, për nga rima dhe ritmi i goditur, poezitë e përkthyera nga Petraq Kolevica. Po kështu edhe shumë vepra të tjera, tek të cilat nuk dua të zgjatem. Petraqi, ndërkohë mësoi italishten dhe filloi të përkthente edhe nga ajo gjuhë. Nuk kaloi shumë dhe, brenda një kohe të shkurtër, mësoi gjuhën frënge dhe gjermane, nga të cilat, sidomos nga kjo e fundit, midis shumë përkthimeve, i ka dhënë lexuesit shqiptar të parën antologji me poezi të zgjedhura gjermane dhe austriake ku ka dhe emra të ndritur të letërsisë gjermane e botërore si Gëte, Hajne, Shiler, Breht, Hes e shumë të tjerë. Në parathënien e shkruar prej tij të librit, ai shprehet: "Gjithë thesari i poezisë së këtyre dy popujve, qoftë edhe ai më i zgjedhuri, s'mund të përmblidhet në një vëllim si ky, megjithatë jemi përpjekur të japim një panoramë të përgjithshme, duke nisur nga qëndismat e brishta të këngëve popullore, te madhështia magjepsëse e balladave".

Profesori, siç e thërrasin me respekt të thellë për të, me talentin e tij të përkthyesit të talentuar, i ka pasuruar bibliotekat tona edhe me të vetmen antologji të poezisë japoneze, vepër kjo që njihet si një kontribut i padyshimtë për njohjen e kulturës së atij populli të lashtë dhe të largët. Dhe kështu me tituj të tjerë veprash poetike të përkthyera mjeshtërisht prej tij mund të vazhdonim gjatë.

Por Petraqi ka edhe një sërë veprash origjinale, që mbartin vlera të larta, si artistike edhe njohëse, ndër të cilat spikatin romani "Varri i fshehtë", poezi të shumta origjinale, të cilat kohët e fundit i ka botuar të përmbledhura në dy vëllime, me titullin e përgjithshëm: "Të korrat e vona", romanin "Kuja e kohës" etj. Mendoj se nuk gaboj po të them se, kur lexon librin drithërues "Varri i fshehtë", një roman që është ngjarje e vërtetë prej fillimit deri në fund, i cili lexohet me një frymë dhe, pavarësisht nga loja e fjalëve, për nga faktet rrëqethëse që sjell, të lë pa frymë, të duket sikur ke në duar një enciklopedi të ngjeshur fort ku, në tragjedinë e heroit kryesor, është përmbledhur jeta dhe fati i të gjithë intelektualëve të mirëfilltë, të cilët ranë në thonjtë e diktaturës. Kurse poezitë e tij kanë thellësi ndjenjash dhe mendimi; në to spikat edhe tragjizmi edhe ëmbëlsia e vërtetësia, karakteristika këto që e mahnitin lexuesin. E kam të vështirë të dalloj ndonjë prej tyre, pasi ato janë njëra më e bukur dhe më domethënëse se tjetra; gjithsesi, sa për ilustrim, do të veçoja poezinë-elegji, por edhe protestë, mbi zhvarrosjen makabre dhe flakjen në Bunë të eshtrave të Poetit tonë të pavdekshëm, Gjergj Fishta, të cilën e fillon kështu: "Mes territ të natës, nja katër spiunë, / Një frat të pafat po tërhiqnin me dhunë./..., ose një poezi e një natyre krejt tjetër që ia drejton të fejuarës së tij, tani bashkëshortes së nderuar, ku i shkruan, midis të tjerave: "Kur frynte flladi pranveror / Dhe sillte aromë dheu, / Ne ndjemë thellë në kraharor / Një gonxhe që shpërtheu/... Ose një poezi urim për poetin Lasgush Poradeci, ku i shkruan: "Dhe shqipes sot Ravvi (mësues), / Iu rrit thesari. / Çdo varg që vure Ti / Lingotë ari./... (Meqenëse qëllimi i këtyre radhëve nuk është analiza e veprës madhore letrare të shkrimtarit, me keqardhje po e mbyll me kaq karakterizimin e saj).

Petraqi është njeri shumë i afruar dhe, me fjalët e tij të mençura, bën për vete këdo që ka fatin të ulet të bisedojë me të. Këto dhunti kanë bërë që ai të lidhë miqësi shumë të ngushtë me shumë njerëz të thjeshtë, por edhe me njerëz të shquar, siç është kolosi i poezisë shqiptare Lasgush Poradeci, pavarësisht nga karakteri i njohur prej të gjithëve, deri diku i mbyllur në vetvete i poetit.

Lasgushi i Madh pikasi tek i riu Kolevica një njeri serioz, të çiltër dhe, mbi të gjitha të talentuar, prandaj e afroi dhe e përfshiu në rrethin e ngushtë të miqve të tij. Petraqi përfitoi shumë nga dhuntitë e padiskutueshme të poetit bregliqenor dhe e njohu në thellësi personalitetin e tij. Mbresat, përjetimet e takimeve dhe të komunikimeve të gjata me të, inxhinieri-poet i ka shprehur në librat "Lasgushi më ka thënë" dhe "Miqësia ime me Lasgushin", libra në të cilat ai tregon jo vetëm madhështinë prej poeti të Lasgushit, por edhe personalitetin e paepur dhe të pa korruptueshëm të tij. Petraqi ia lexonte Poetit të Madh jo vetëm poezitë origjinale që shkruante, por edhe përkthimet, sidomos ato nga gjermanishtja dhe rusishtja, gjuhë mjaft të njohura prej Lasgushit. Prandaj miratimi nga ana e tij e asaj çfarë shkruante dhe përkthente Petraqi ishin një lloj "pasaporte" e tyre për të hyrë fuqishëm në letërsinë shqipe, ashtu si edhe ka ndodhur vërtet. Petraqin e lidhte një miqësi e ngushtë, pavarësisht ndryshimit në moshë, edhe me kollosin tjetër të letrave shqipe, siç ishte Mitrush Kuteli. Përshtypjet nga takimet me këtë njeri të shumanshëm, Petraqi na i ka sjellë në librin e tij me titull "Me Mitrushin", ku përshkruan, jo vetëm personalitetin e fuqishëm të shkrimtarit, por edhe kushtet e jetesës, gati të mjeruara të tij, pavarësisht kontributit të madh që kishte dhënë në letërsinë shqipe dhe jo vetëm.

Një sëmundje e rëndë ia ka mjegulluar sytë Profesor Petraqit, por në asnjë mënyrë trurin. Ai vazhdon të shkruajë. Po, po, të shkruajë, ndonëse pothuajse pa sy; sepse kur punon truri, sytë gjenden, dhe ai i ka gjetur me mënyrën e tij prej njeriu dhe mendimtari vullnet-hekur.

Nga zemra i urojmë Profesor Petraqit shërim të shpejtë dhe jetë të gjatë e të frytshme.

GURI SHYTI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.