VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ZOGU I BRAKTISUR
(Tregim i jetuar)
Nga QERIM SKËNDERAJ

E Hënë, 05.04.2015, 06:40am (GMT1)



Kur dëgjon zerin monoton të një zogu, fshehur në pemë a ndonjë shkurre, nuk arrin të kuptosh në se këndon, apo vajton. Në kengët e zogjve nuk ka tekste. Kur nuk ka as melodi, mendja të shkon se mund të qaj ose të ankohet për diçka që i mungon.

Kështu ndodhi me zogun e braktisur në parkun më të populluar të qytetit. Gjysmë i mbuluar me pendë, lëshonte tinguj "lutës", sa herë i afroheshin kalimtarë, të cilët shëtisnin në një ditë feste plotë diell. Shumica e injoronin pa i hedhur as sytë. Të tjerë e vështronin me përbuzje, si një gjallesë pa vlerë. Zogu, në vetëvete, nuk shquhej për ndonjë bukuri tërheqëse dhe cicërimat, i ngjanin klithjes bezdisëse që të vret dëgjimin. Vetëm një çift studentesh u ndal dhe po tregonte interes. Të dashuruar prej disa vitesh, bashkjetonin në nje shtëpi modeste me te ardhurat minimale që u siguronte puna "part time". Natyrisht, jashtë kohës së nevojshme për studimet universitare. Ishte pkërisht Djali, që bëri i pari disa hapa drejt zogut. Ky, jo vetëm që nuk u tremb, por "shqeu" sqepin dhe sytë, si ta perpinte në stomakun e vogël, pa kurrfarë droje.

"E dashur. Ky zog ndihet i braktisur, ka nevojë për ndihmë! Shiko sa i bukur dhe i pafajshëm që është!..."

Ajo u afrua dhe po e vështronte me keqardhje. Ishte vërtetë një zog i braktisur. Akoma i paplotësuar me pendë, nuk dukej dhe aq i bukur, por të dy studentet, shihnin me tej se e tashmja e tij. Në tingujt e zogut nuk dalluan as këngë, as vajtim. I lexuan si "lutje" për ndihmë, që të rritej e flutoronte i lirë, si gjithë vëllezërit e çerdhes së përbashkët. Panë në sy njeri tjetrin, pastaj përsëri zogun.

"Duhet të jetë rrëzuar nga çerdhja", tha djali dhe i hodhi sytë mbi pemët me të aferta, të zbulonte shtëpinë e të braktisurit.

"Ndoshta ka provuar te fluturojë", shtoi vajza pa i shqitur sytë nga lutjet e tij cicëruese.

Kur nuk zbuluan as çerdhen dhe as nënën e zogut ta kërkonte, çifti studentor mori një vendim të pakthyeshëm: "Ta rritnin në çerdhen e tyre qe sapo e kishin ndërtuar!"

Ndërsa djali zgjati krahët, ta merrte në duart e ngrohta njerzore, zogu gjeti forca dhe fluturoi disa metra tutje. Madje bëri një "ulje" të vështirë që mund t'i kushtonte shtrenjtë. Djali iu afrua përsëri, por ai u shty me tej me këmbë e krahë, duke kercyer "pupthi", derisa u fsheh në një grumbull lulesh si kurore nusërie.

"I dashur. Le ta lemë në fatin e vetë! Ndoshta e gjenë e ëma dhe e çonë në çerdhe."

"Jo, jo! Tashmë fati i tij është në duart tona. Nuk e dëgjon si qanë?!..."

Te dy studentët u afruan te kurora e luleve. Dëgjohej vetëm zeri i tij, sepse ishte fshehur mes petaleve, duke i përzier me puplat e lëmuara e të ngjyruara si ato. Djali e mprehu vështrimin dhe dalloi dihatjen e frymëmarrjes së nxituar, aty ku lulet ishin me të dendura. Zgjati gishtrinjtë dhe e kapi si një gonxhe të bukur. Zogu vazhdonte të cijonte me të njëjtin zë, pa shprehur ndonjë frikë dhe pa tentuar t'i largohej nga duart. Në gishtrinjtë e djalit, tani ndihej ritmi i zemrës së zokthit. Ndjeu pulsin e vetë të shtonte me shume rrahjet dhe të sinkronizohej me atë të fluturakut, akoma pa krahë për të fluturuar. Iu bë sikur kishte dy zemra; një thellë në gjoks dhe një tjetër në duar. Ai po e mbante me të dyja duart, t'i krijonte hapsirë të mos ndihej "i burgosur".

"E dashur. Kthehemi në shtëpi. Duket se është i uritur. E mban sqepin hapur..."

"Ndoshta është më mirë të shkojmë në ndonjë dyqan shpendësh! Pyesim dhe marrim ushqimin e përshtatshëm."

Ashtu bënë. Në dyqanin e njohur të qytetit, shitësi, njohës i mirë i shpendëve, zgjodhi ushqimin e duhur dhe u rekomandoi të blinin edhe një kafaz special.

"Jo, jo; kafaz jo" - nxitoi t'i përgjigjej djali.

"Duhet të jetojë në të njëjtat kushte me ne" - shtoi vajza.

Zogu ishte llups i madh. Bashkë me ushqimin, ishte gati t'u gëlltiste edhe gishtin. Kjo ndodhte sa herë që e ushqenin. Ujin ia jepnin me nje shiringë, që në fillim nuk funksionoi si duhet, por që u ambientua shumë shpejtë.

E sistemuan në sallonin e pritjes, mbi një arkë kartoni, mbushur me copa letre dhe pambuk, për të asorbuar mbetjet e jashtëqitjes. Sipër arkës montuan dy steka, pas të cilave mbërthente këmbët si dy ganxha të vogla me kthetra.

Tani, ata ishin tre. Zogu ishte pjesë e jetës, pjesë e gëzimit dhe trishtimit të tyre. Rritej çdo ditë, dhe çdo ditë që kalonte, bëhej më "i prapë". Kur nuk ishin në shtëpi, "guxonte" te fluturonte nëpër sallon duke u ulur mbi mobilje e ndotur gjithëandej. Kur ktheheshin, e gjenin mbi stekë duke cijuar plotë gëzim, me gojën hapur, njësoj si dikur në çerdhe, kur priste të ëmën. Tani nënë dhe baba kishte çiftin studentor. E ushqenin gjithë qejf, si të ushqenin të voglin e tyre. Lodronin, e komplimentonin, jepnin dhe merrnin të njëjtin gëzim reciprok. Kjo gjëndje vazhdoi për dy javë. Zogu u rrit, u mbulua me pendë e me ngjyra të mrekullueshme. Duke perplasur krahët mbi stekën e montuar mbi arkë, stërvitej për fluturim. Dukej se ishte gati, por hapsira e ngushtë e dhomës, nuk e bindte se mund të ngrihej i lirë. Edhe pse i rrethuar e trajtuar me plotë dashuri e kujdes, ndihej gjysmë i burgosur në një kafaz të stërmadh me tavan e dritare të mbullura.

Atë ditë ishte festë. Koha e bukur dhe pranvera, ofronte një panoramë magjike, që dallohej edhe nga dritarja e apartamentit. Çifti studentor u pa sy me sy. Pa folur, këmbyen të njëjtin opinion për të voglin që u kishte dhuruar lumturi plotë dy javë. Tani duhej të mendonin për lumturinë e tij. Ajo gjendej në hapsirën e pafund të lirisë. Vajza e mori në duar, i lëmoi puplat, e puthi lehtë në gushë dhe ia dorezoi Djalit. Edhe ai bëri të njëjtën gjë. U panë përsëri sy me sy. I kishin plotë me lotë gëzimi, gati për shpërthim. Pa folur asnjë fjalë e lëshuan mbi parvazin e jashtëm të dritares. Në njerën nga pendët e krahut i lidhën një fjongo të lehtë si pupël, në ngjyrë të kuqe. Ishte shenja e njohjes. Zogu, në fillim, u ndje i hutuar. Vështronte gjithandej dhe nuk po orientohej dot. Disa dallëndyshe që fluturonin aty afër, i shikonte si i trembur. Ktheu kokën nga njëra anë, pastaj në tjetrën dhe dukej që po i kthehej gëzimi i lirisë. Përplasi krahët disa herë, si të ushtrohej për një ngritje pa kthim. Pas disa ushtrimesh, u ngrit!... Beri dy tre rrotullime në ajër, iu afrua dy herë dritares, pershendeti dhe u largua në drejtim të parkut ku u gjet i braktisur.

Çifti studentor u pa sy me sy per here te tretë. Kete herë, u hapi digën lotëve të një gëzimi njerëzorë të natyrshëm. Kishin bërë një veper qytetarie për të gjithë ata që i injorojnë ngjarje të tilla...


Qerim Skënderaj. Piza, më 3 maj 2015

QERIM SKËNDERAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.