VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
CIKËL POETIK KUSHUAR PËRVJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS Nga NAMIK SELMANI E Mërkurë, 02.10.2010, 05:56pm (GMT1)
1.FESTË.... Besuam shumë Lokja Kosovë Se pranvera do ta mundëte theqafshëm Dimrin e Kuçedrën Besuam shumë Te njaj lot i dhimbjes dhe i gazit i gjyshërve të mirë. Luftuam shumë Gjersa rudinat s'kishim më vend për varret dhefreskët. Në motet që shkuan koha na vuri në sup djepe e na bëri luftëtarë të lirisë. Po ta sjell një fjalë bash si guri i latuar i Mjeshtrit që ngriti konakun e lashtë. Në Ditëlirinë tënde Lulërojnë pragjet, logjet, shkollat e sofrat e kuvendeve. Po ta sjell një fjongo urimi Nga Kalamaja çame që pret nipërit te mulliri i tharë Me mallin e brengën Ku zemrat aherë kah qielli e dete treten. Besuam shumë e shekulli në një ditë të vetme u bë flakadan T'i gëzohemi kurorës që sot e kemi vënë në kokë, në tupan e në duar. Fletët e borës të bien bash si lulet e një pranvere në bjeshkën e lashtë . Carrokët që do të lindin me Librin e Kujtesës të nisin jetën e gjumin e trazuar. 2.POETËT E KOSOVËS 1. Krahët e gjëmbuar s'i pyetën malet me tufalore mjegullash dhe ngjyrë gaku nuk vrapuan të shkruanin testamente të mermerta. Do ta thonë më mirë kullat e djepat magjet e këngë majë krahu Do ta thonë monumentet që kishin gdhendur në netët e errta. 2. Kacekët e Dertit mblodhën pikëlat e lotit të gazmuar në dasma. Po si të mbeste sofra pa djersën e valles dhe kulaçin e fjalës Po si të mbesnin në supet e një nate të gjatë ku na rëndonin duart e hapat? Po si të mos shkruanin ftesa ku kryefjalë ishte Liria dhe e E ardhmja? 3. E çka shkruat kur dielli, e yjet, e pyjet, e drurët sterronin? Kur qielli gardhohej nga Pyjet e klonuar të Dhimbjes? E ç'ka shkruat kur tokat futeshin në trasta diplomatësh? E në Prevezën çame loti thahej në gjokse nënash e burrash? Vëllezër, poetë të Kosovës libra të hapur me ballinë dashurie krisma të fshehura në gurë themele kullash. 3.KOSOVËÇAMËRI Dy bija që nëna i pati afër e larg. Gjak i dha që në ditën e parë të jetës Herë u bë Rozafë që gjakun e qumështit iu çurgoi si burim shkumbardhë Herë u bë Doruntinë që malli ia çau palcën e shpirtit të djegur. Sa larg ishin e janë motrat! Sa larg! Rënkimi i kurbetit ua thinji detet e malet. Klone, piramida le të kthehen në fantazma përrallash E në ritmin e tupanit Le të gëzohemi të gjithë për Ditën e Madhe!!! 4. MONOLOG Me kërbaç ma goditën historinë në qilarë të fshehur firma gjaku hodhën mbi truallin e gjyshit. E dhimbja i bëri sa një grusht fushat e deti i shtoi lotët e kripur E qiellit brinjët e kaltra iu thyen nga goditja. Gjallimin e lisit mendova e shpirtin ma bekoi Rilindja. Me kërbaç ma goditën gjoksin, këmbën Me një hell të nxehtë më qorruan syrin për të mos parë Rrugën e Kthimit. Kockëthyer mes ngërçit nuk qava me dorën cung të prerë dhe me dhëmbë flamurin nga sepetet e nxorra e Zotit e forcës sime në qiellin e sterruar iu fala. 5. LULJA E KOSOVËS Ti bije e vdekur në tokën e thatë E një vig për ty s'u gjet, moj Loke! Lulet e Prekazit ishin shkrumbuar nga zjarret Monumentet I kish shkrirë vullkani i një zemre mizore. Supet i kish vrarë litari i jetës E në atë vragë pritej të mbinte një farë lirie U gjet një Vig kujtese mbajtur në supe malesh hijerëndë Ish pragu i një pranvere me lule pavdekësie 6. URTIA E KUVENDEVE Dashkam sot urti kuvendesh Ta çaj tokën ta bëj krua Se m'u thanë sytë e mekur Mbeti dasma pa uruar. Të mos pritet Pishë e lartë Vajza të më bëhet gjyshe. Të mos mbetet çerdhja tharë Për një këngë e dallandyshe. Dashkam sot urti kuvendesh Kur të nis një shteg , një udhë. Të mos mbetem pas parmende Këmbëzbathur përmbi prush. Dua sot dolli kuvendesh Të ndrij natën e sterruar. Se m'u nxinë lule, gjethe Mbeti lisi pa gjethuar. Ndaj do ulem plis më plis Ndaj do ngjitem re më re. Herë do bëhem Zanë a Div Herë do bëhem si skifter. Se urtia qenka lidhur Qënka bërë me nyje plot. Jepma fjalën për ta zgjidhur Që të ngrej një Urë, një shqotë. Ma jep forcën e stralluar Të bëj farë nëpër ugare. Të sjell ditën e Bekuar Si pranverë në tufane. Përmes burrash në kuvende Ta nis ditën si ushtari. Se çdo sofër mes një ode Dashka gradë gjenerali. Mos zvarritem verbëruar Në një udhë ku gjallon drita. Leshrathinjur, dorështrënguar Të më presë nga mot Rilindja. Dashkam prapë një sofër fjale Fjalë që vret , që përkëdhel. Të mos mbesë oxhak pa zjarr Mos gjëmbftë prag i shtrenjtë. Të mos mbetem fytyrëskuqur, Para djalit që pret këshillë. Në s'i dhashë një kalë, një kullë Mos heshtoj para urtisë.. Dashkam sot urti kuvendesh.... 7. Hapma, portën , Kosovë! Kam një shekull që jam nisur e udhëtoj kah ti. E gjethen e ullirit dua ta mbjell në pragjet e kullave Kush kërkoi të ma ndalte këtë vrap, u gremis në hone E qiellit i mbeti veç fara e lirisë dhe e plumbave. Hej, Kosovë, kam sjellë pikën e lotit të nënave çame Të mbjell në të një lulëkuqe marrë nga Fushë Kosova. Sa ujë rrodhi Drini e çfarë foli Joni mes dallgëve? Ç'amanet do të themi për djemtë që kjo festë lirie i bekoka? O, sa u gjakosa në udhët që më dhanë rrudhat e ballit Ç'të të thëm me parë e ç'valle të hedh në këtë log? Nëse pak u lodha, qenkam sot, djalë e shkuar djalit. Në vend të shamisë një copë qiell tëndin mbaj në dorë. Hapma portën, Kosovë e më fut si vëlla në Sofrën e Paqes! Ani pse nuk ka më vend për lapidarët e monumentet Ka ardhur Zana e Jonit etjeshuar në krojet e tua të maleve Buzëdrithëruar për liri po sjell flamurin që kishte në sepete Do të doja të ngria për ty dolli në brigjet me dritë të Pargës. Këtu, në Prizren, si djalë, vallen e Osman Takës të hedh Hej, Adem Jashari, ndihmomë të mund Shtrëngatën E shqiponjën flatrahapur ta gdhend me të në çdo djep.
8. KËTU, NË NEWBORN.... Etyd për pavarësinë e Kosovës 1. Historia paska ndalur këtu: Të dëgjojë bacalokët fisnikë më të thinjur se të gjithë malet e borëruar Të përcjellë nuset e reja e të puthë ca plagë të ngrohta nën bajrak Të takojë Adem Jasharin e të riçelë lulëkuqe në Drenicën kullëplaguar Të dëgjojë heshtimin e lotit të vrarë mes dhimbjes bukur të gjatë. 2. Dita paska ndalur këtu: Të prekë këmbë të ardhur nga viset, nga klonet e humnerta ndjellakeqe Të dëgjojë ca zëra çiftelish e lahutash, si hapa këmbëzbathurish mes flakëve Të rizgjojë ca rremba krojesh të kaltëruara si maja bjeshke në majin me rreze Të heqë tabelat e udhëkryqeve me kahjen e pagabuar të bajrakëve 3. Nata paska ndalur këtu: Të marrë hijet e fundit në theqafjen drejt honesh, drejt ca strofkash kuçedre Të fshehë gjer në shtatë palcë dheu ca llumërina fjalësh besëvrarësh. Të riveshë mantelin e yjeve që bien, e bien, e bien nga male e treten Të humbojë mallkimet e thëna e të pathëna si sëpata druvarësh. 4. Kali i Gjergjit këtu paska ndalur trokun: T'i thotë motrës lotpatharë të ngrihet vrik nga varri nën bli. T'i thotë Doruntinës se Kostandin emërmadhi është gjallë, gjallë. T'u thotë bregdrinasve se këtej e tutje do të kenë ndër brigje edhe ca ullinj Bash si me kenë një Urë e re kënge që lidh shekujt me fjalët- balsam 5. Mençuria ndalka frymën këtu: Si të ishte një bard me urti të re odash e kuvendesh pajtimi Si të ish një lahutë legjende që prek të tanë qiellin e shpirtit Si të ishte det që e mundka dhe pikën e fundit të lotit të Mordit Si një pemë që fort po i ban hije dasmës e lindjes së filizit. 6. E shekujt paskan ndalur këtu: Si dorëzanë për borxhin e mbetur ka herë në pergamenin e kohës Si firmë firmëtarësh me sy rilindur klithshëm nga verbimi Si fidanë që presin ugarin me djersë të derdhur në plisat e ngrohtë Si lehona që presin urimin me fëmijët mbështetur te gjiri. 7. E agu po ndalka këtu: T'u vërë lodërtarëve ndër supe të rëna, nga një rreth tupani prej Sharri T'u japë carrokëve ca libra dhe bukë të grunjtë në trastën gjalmëgrisur T'u japë këmbëve të burrave fuqi divi e shkëmbinjsh mali. T'u japë mjeshtërve gurët e latuar për murin e ri që duhet ujdisur. 8. Po ia prek pejzat NEWBORNIT Bash si me prekë një rudinë ku ligjërojnë këngë të reja LIRIE Ku ringjallen amanete, fjalë, varre dhehumbur pa shenja mbi kokë Po lërmë ta puth atë plis bardhosh, lum Bacë mustakderdhur me hije Ma lër të ta heq qoftë edhe një rrudhë e një thinjë, moj Loke 9. Këtu, në NEWBORN... 9. LULJA MË E BUKUR E TROLLIT Luftëtarit të Kombit Adem Jashari 1. Lulen e fundit të trollit mbi pushkën tënde do ta vë, bacë Adem Jashari. Me lodrën e fundit Në dasmën e nipit do të zgjoj qiell, e drurë, e dhe . Mjegull e Theqafjes S'do të ma zërë më shtegun e udhës e s'do ma marrë fjalën e mentarit. Mes vellos së barotit një farë më shumë ugari dhe një lis kurorëblertë do të mbjell. 2. Në Odën e Urtisë tënde ku plumbat e zinj kuvendonin me natën, harresën, lugatin. Akoma dua të ta dëgjoj fjalën, o më i urtë se Urtia e Kosovës! Pash dhimbën e trollit e lotin që më çurgon si sylynjar në gjoksin eshkëtharë! Bekona prapë bukën e lume gatuar nga dora e dhembshur e Lokes! 3. E syrin e pushkës Atë sy të bukur, mos na e mbyll në Natën e sterruar Mos na e thaj, bre, Atë det malli diku në Kaçanik, Drenicë e në Prekaz! E derën e kullës Kanat më kanat lëre hapur, se udha ka prapë miq të vonuar E brazdën të ngrohtë lëre për të mbjellë lulëkuqet kuqëluar si bajrak! 4. E zgjona Agun Ku zezonat e shtrëngatat s'ia ndalin që s'ia ndalin rrezet. E urona,. Bacë, në atë udhë ku na pret një nënë tek djepi më i ri. Një tel lahute lëre të nderur si një bajrak flladitur nga era e lisave të bjeshkës E kujtoma amanetin e fundit se do t'ia jap pranverës që do të zgjojë logun në çdo rudinë! 5. E pushkën lëre të pastër në atë grykën e nxehtë, lum Baca! Hej sa dasma , me të do të presim si dhëndurrë a si krushq të nderuar! Hapin e menduar, ma bëj hallall se një det me sy Kosove më paska mbërritur i tëri te fjala, E plisat e bardhë Më paskan bërë lahutar, fëmijë e bujk të papërtuar! 6. Në tymtarët e Prekazit, U djegsha i tëri me shpirt, me sy e me këngë Ta rizgjoj Adem Jasharin e ta shoh si po më krihet bukurisht në atë pasqyrë lirie Në djepin e fshehur mes shkëmbinjve, lapidarëve a mes dheut të rëndë Ninullën më të re për loçkën e zemrave ta thur si një shtëllungë pavdekësie 7. Në palcën e krojeve të Drenicës Një mijë diej të hedhin vello drite e zjarri! Po ku ta gjej një pëllëmbë toke Monumentin të ringrej me gurë bedenash e kullash? Hej, Binjak i Ëndrrës Spirancë e Detit të Dhimbjes, bacë Adem Jashari Të marrim tok të nesërmen me pëllëmbë, me gjoks, me fjalë kujtese e me kreni burrash! 8. Të mbyllen Rrathët e Harrimit Se vjen Komandanti nga shtigjet e Sharrit kapuçbardhë. Ban roje ai kalorës trokzjarr i kullës, më tepër se një dorë Rozafe! Vetëtiat le të ndalen! pa trembur duar, këmbë, qerpikë e qepallë Ani pse udhën dashkan të na e qorrojnë dhe gurët të na i mbysin me përgjakje! 10. BACË, U KRYE! Bacë, u krye, po thotë Lokja Qerpikloti që flet shumë . Po flet vallja që s'faroka Zemra jonë, zjarr e prush. Bash një shekull thurëm djepe Ndezëm shkronjat nëpër shpirtëra Ngritëm vetë 100 ortekë Të na vinte pranë Rilindja. Bacë, u krye thotë lahuta Që nder telin për rapsodë Nëpër varre, lulon lulja Një nga një shqiponjat zgjon. Vjen një Loke, piskamëfshehur përmbi varr të luftëtarit. Paska mbetur thëngjillndezur Nëpër vatra gacë e zjarrit. Vjen një mal ulet më gjunjë gur më gur të stisë ëndrrën E hap gjoksin fushë më fushë Të puthë gazin, të puthë këngën. Bacë u krye, po thotë Kulla Cep më cep me plumba shpuar. Sa e gjatë ishte rruga. Nëpër pragjet gurshkrumbuar! Ëndrra jonë e pranguar Na përgjaku udhë e shteg. E sot gaz i pambaruar Thellë në gjoks po bëhet det. Bacë, u krye, bacë u krye! 11.NJË FLAMUR ME VETE NË UDHË KURBETI Ua kushtoj të gjithë bashkëkombasve të mi nëpër botë Një flamur me vete në udhë kurbeti më bën Isa Boetin tek mbështet buzët e përzhitura nga malli Në lëndinat e përflakura ku shqiponjat presin lindjen. Një flamur me vetë në këto shtigje që ende s'i njoh Më bën Marigo, që porsa e ka mbaruar qëndismën e fundit ua jep djemve për t'i ngrohur kur të kenë ftohtë. Më bën ky flamur si mësuesi Petro Nini Që dashka t'ua vërë në gjunjë djemve kur të gdhendin larg trojeve amtare shkronjat e Shqipes. Më bën Vajzë të Valëve që fshin pikën e patharë të lotit Pa harruar një çast amanetin e fundit të natës së parë të martesës Ëndrrën e pagjumë në Bregun e Shpresës . Një flamur me vete në rrugë kurbeti ma bën lëmsh kulaçin e ngrohtë të gruas Për rrugën e gjatë drejt vëllezërve të bregut tjetër. Sa uri që kam!!! Po s'mund të prek asnjë kafshatë të kësaj buke të ëmbël Sa gjumë kam! Po qepallat mbetkan të hapura për të pritur mëngjesin. - Namik Ibrahim Selmani lindi më 18 nëntor 1950 në fshatin Ninat të rrethit të Sarandës; është gazetar dhe shkrimtar shqiptar. Ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike "Luigj Gurakuqi" më 1968 në qytetin e Elbasanit dhe më tej ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në degën gjuhë-letërsi shqipe pranë Univeritetit të Tiranës. Ka punuar mbi 35 vjet si mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në disa shkolla të mesme, kryesisht në rrethin e Beratit. Aktualisht është mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në shkollën e mesme pedagogjike "Kristo Isak" në qytetin e Beratit. Krijimtaria letrare e tij është shumë e pasur dhe e larmishme, ka shkruar gjashtë vëllime me poezi, disa libra publicistikë, monografi, libra për kulturën e të folurit e të të shkruarit në shkolla të mesme, libra të karakterit fetar, etj. Ka botuar me qindra shkrime të karakterit studimor, kryesisht të fushës së kulturës kombëtare, opinone të ndryshme në organe të shumta të shtypit shqiptar e të huaj. Pra, prej disa vitesh ai është një autor, i cili me botimet e tij është përfaqësuar denjësisht edhe në disa vende të botës si në SHBA, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, etj. Në krijimtarinë e tij zë vend edhe publicistika. Që prej 6 vjetësh ai ka qenë kryeredaktor i gazetës "E vërteta" në qytetin e Beratit, ka qenë edhe bashkëpunëtor i disa gazetave kombëtare. K a patur shumë suksese edhe në lëmin e fotografisë artistike duke hapur disa ekspozita vetjake në Shqipëri, Itali, Maqedoni, Kosovë, etj. Është fitues i disa çmimeve kombëtare në letërsi e në publicistikë. Ka marrë pjesë në disa tubime krijuesish në shkallë kombëtare. Namik Selmani është anëtar kryesie në OJQ Shoqata Kulturore "Bilal Xhaferri" dhe zëvendëskryeredaktor i revistës "Krahu i shqiponjës". Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe anëtar i Klubit të Shkrimtarëve "Kostandin Kristoforidhi" me qendër në qytetin e Elbasanit, etj. Tituj të veprave "Vatra e mallit", poezi, 2000 "Zërat e brigjeve të mia", poezi, 2003 "Dallandyshet e Çamërisë", proza, 2004 "Kroi i këngës çame", poezi, 2005 "Trokitje në Dodonë", proza, 2006, ISBN 99943-855-6-9 "Filizët e fjalës gjimnaziste", botim pedagogjik , 2006 "Abaz Dojaka - Mjeshtër i Kulturës popullore", monografi, 2006, ISBN 99943-33-82-8 "Fari çam", poezi, 2006 "Kërkoj monumentet", proza, 2007, ISBN 978-99956-621-0-3 "Shpirti çam", antologji personale me poezi, 2007, ISBN 978-99943-967-8-8 "Dritaret e besimit", poezi fetare për rininë islame, 2007, ISBN 978-99956-652-3-4 "Rruga e një shkolle", monografi për shkollën mesme profesionale "Stiliano Bandilli", Berat, 2007, ISBN 9789994396795 Namik Selmani
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |