VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
NGA DASHURIA IME E VRULLSHME DHE E VALË ASNJË ËNGJËLL NUK TË SHPËTON DOT Poezi nga HERMANN HESSE E Shtunë, 02.13.2010, 05:42pm (GMT1)
THIRRJA E VDEKJES ËSHTË THIRRJE E DASHURISË Thirrja e vdekjes është thirrje e dashurisë. Vdekja mund të jetë e ëmbël nëse ne I përgjigjemi pozitivisht, nëse e pranojmë Si një nga format e mëdha të përjetëshme Të jetës dhe të transformimit. Nëse ti urren një njeri, ti urren tek ai Diçka që është pjesë e jotja. Ajo që nuk është Pjesë e jona nuk na shqetëson ne kurrë. Nuk ka asnjë realitet tjetër përveç atij Që na përmban ne. Ja pse Shumë njerëz bëjnë një jetë joreale. Ata i marrin përfytyrimet jashtë vetes si realitet Dhe kurrë nuk e lejojnë botën Brenda tyre ta pohojë dhe pranojë veten. Ta studiosh historinë do të thotë të pranosh Kaosin dhe gjithsesi të mbash Besimin te rregulli dhe kuptimi. Ky Është një qëllim shumë serioz, djalë, Dhe ka të ngjarë të jetë më tragjiku. Të gjithë njerëzit janë prirur të bëjnë të papërfytyrueshmen Nëse idealet e tyre janë kërcënuar. Unë e kam ditur këtë prej kohësh, por vetëm Tani e kam përjetuar. Tani unë e di Nuk e kam arritur nëpërmjet zgjuarsisë sime, Por me anë të syve të mi, zemrës dhe stomakut tim. Përjetësia është thjesht një çast, Aq i gjatë sa të mjaftojë një lojë. Çfarë e përbën një qenie reale, jetësore njerëzore Është më tepër mister i pazgjidhur se Ato ditë dhe njerëz - secili prej tyre është eksperiment I përshtashëm, i pashoq mbi një Pjesë të natyrës,- ato janë një e tërë e vetme. Gjithçka bëhet pak më e ndryshme nga çfarë ishte Sapo dikush flet për të botërisht. DJALËRIA, ËNDËRR E ËMBËL? Netë të tëra përkulur pa gjumë Kam shfletuar libra gjithnjë Atë që kërkoja nuk e kam gjetur Atë që e kam gjetur pas vitesh e kam harruar tashmë. Netë të tëra, me shpirt të përvëluar Iu jam vardisur grave bukuroshe Dhe i zbulova deri në fund misteret e dashurisë Velur nga kënaqësitë dhe joshjet. Netë të tëra mendueshëm e vetmitar Nga vera dhe dalldia i turbulluar në terr Tani unë rri dhe vështroj si fundosem Dhe dritat e dashurisë më përshëndetin si ylberë. Aq fjalë kam mësuar në jetë, Aq këngë janë përftuar në shpirt këtu Por unë ato i lë të pathëna Duke u luhatur drejt perëndimit blu.
VALSE BRILANTE Një vals i Shopenit merr vrull në sallë Një vals i çmendur, i shfrenuar lëshohet, Dritaret pasqyrojnë ajrin e furtunës Një kurorë e vyshkur zbukuron pianoforten. Pianoforte je ti, violinë jam unë. Kështu kumbojmë dhe nuk mbarojmë asnjëherë Dhe presim me ankth ne të dy Kush do të shpëtojë nga magjia më herët. Kush do të ndalet i pari në mes të valles Dhe do të burojë drita të pafund, E kush do të bëjë i pari pyetjen Së cilës nuk mund t'i përgjigjet askush.
PRINCI Donim të ndërtonim së bashku Diçka të bukur krejt tonën Të lartë si një kështjellë Për të parë tej lumenjve dhe livadheve Tej pyjeve të heshtur. Të gjithë donim të çmësojmë Atë që është e vogël dhe e shëmtuar Donim të zbukuronim me këngë gëzimi Afërsish dhe largësish, Kurorat e lumturisë në flokët tona. Tani kam ndërtuar një kështjellë Në zgripin e lartësisë së heshtur; Nostalgjia ime rri atje e na vështron Deri sa mërzitet, dhe dita bëhet gri -Princeshë, ku je zhdukur vallë? Tani unë ua besoj të gjitha erërave Këngëve të mia përvëlimtare. Ato duhet të kërkojnë dhe të gjejnë E ta shpalosin dhimbjen Nga e cila vuan zemra ime. Duhet edhe të të tregojnë Për një lumturi të pafund dhe tunduese, Duhet të të puthin deri në çmendje Duhet të ta vjedhin gjumin - Princeshë, kur do të rikthehesh vallë? NGAQË TË DUA Ngaqë të dua, natën kam ardhur tek ti Kështu vrullshëm dhe marramendas E ti nuk mund të më harrosh më kurrë Shpirtin tënd kam ardhur për ta vjedhur Tani ti je e imja - tani më përket e tëra Në mjerim e lumturi, sot Nga dashuria ime e vrullshme dhe e valë Asnjë engjëll nuk të shpëton dot. SY TË ERRËT Është nostalgjia ime dhe dashuria ime Tani në këtë natë të nxehtë E ëmbël si parfumi i luleve ekzotike, Shpaluar nga një jetë që përvëlohet. Nostalgjia ime dhe dashuria ime Janë fati dhe fataliteti im krejt Janë shkruar si një këngë memece Në sytë e tu të errët si përrallë. Janë nostalgjia ime dhe dashuria ime Ikur nga bota dhe nga çdo rrëmujë e saj, Ato kanë lartuar në sytë e të të errët Një fron sekret mbretëror. ELIZABETËS Unë dua të të them Se nata ka mbetur shkretë - Dashke të zemërohesh me mua E bukura Elizabetë? Edhe pse unë poezi shkruaj Edhe pse ti shkruan poezi Historia e dashurisë sime Është kjo natë dhe ti. Ti mos më bjer në qafë Rimat mos m'i merr. Mos. Shpejt do t'i dëgjosh ato Do t'i dëgjosh e s'do t'i kuptosh. I shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ Elida Buçpapaj
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |