E Premte, 03.29.2024, 11:59am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
KJO DASHURI E DRIDHSHME NGA FRIKA SI FËMIJA NË TERR
E Mërkurë, 02.11.2009, 07:03pm (GMT+1)

Cikël poezish dashurie nga ZHAK PREVER

 

Kjo dashuri/Kjo dashuri/Kaq e furishme/Kaq e njomë/Kaq e butë/Kaq e dëshpëruar/Kjo dashuri/E bukur si dita/Dhe e keqe si moti/Kur moti është i keq/Kjo dashuri kaq e vërtetë/Kjo dashuri kaq e bukur/Kaq e lumtur/Kaq gazmore/Kaq hokatare/E dridhshme nga frika si një fëmijë në terr/E kështu e sigurtë në vetvete/Si një burrë në zemrën e natës

 

 

1.BARBARA

 

A të kujtohet Barbara

Shiu nuk prante atë ditë në Brest

E ti ecje buzëqeshur

E kthjellët e mahnitur qull në ujë

Nën shi

A të kujtohet Barbara

Si binte shi në Brest

E unë të kam takuar në rrugën Siam

Ti qeshje

Edhe unë qeshja

A të kujtohet Barbara

Ty unë nuk të njihja

Mua ti nuk më njihje

Kujtoje Kujtoje atë ditë patjetër

Mos e harro

Një burrë nën strehën e një hajati

Ka thirrur emrin tënd

Barbara

E ti ke rendur nën shi drejt atij

Qull në ujë e mahnitur e paqësuar

Dhe je kredhur mes krahëve të tij

Kujtoje këtë çast Barbara

E mos më detyro të të drejtohem vetëm ty

Këtë ua them të gjithë të dashuruarve

Edhe pse nuk i njoh

Kujtoje Barbara

Mos e harro

Këtë shi të mirë dhe të lumtur

Mbi fytyrën tënde

Mbi këtë qytet të lumtur

Këtë shi mbi det

Mbi kantierin detar

Mbi barkën e Ouessant

Oh Barbara

Çfarë marrëzie lufta

Që është në ty tani

Nën këtë shi të hekurt

Prej zjarri çeliku dhe gjaku

E burri që të shtrëngonte mes krahëve

Dashurueshëm

Ka vdekur është zhdukur apo është gjallë

Oh Barbara

Bie shiu litar në Brest

Siç binte atëherë

Por nuk është i njëjti shi dhe gjithçka është fundosur

Është një shi i kobeve të tmerrëshme dhe mjeruese

Nuk është më madje as shtrëngata

E hekurit çelikut dhe gjakut

Është vetëm shi resh

Që ndërsehen si qentë

Si qentë që zhduken

Nën fillin e shirave në Brest

E shkojnë të qelben larg

Larg shumë larg Brestit

Ku nuk ekziston më asgjë

 

2.KJO DASHURI

 

Kjo dashuri

Kjo dashuri

Kaq e furishme

Kaq e njomë

Kaq e butë

Kaq e dëshpëruar

Kjo dashuri

E bukur si dita

Dhe e keqe si moti

Kur moti është i keq

Kjo dashuri kaq e vërtetë

Kjo dashuri kaq e bukur

Kaq e lumtur

Kaq gazmore

Kaq hokatare

E dridhshme nga frika si një fëmijë në terr

E kështu e sigurtë në vetveten

Si një burrë i qetë në zemrën e natës

Kjo dashuri që i përfrikësonte të tjerët

Që i bënte të flisnin

Që i bënte të zverdheshin nga frika

Kjo dashuri e spiunuar

Sepse ne e spiunonim

Të përndjekur plagosur shkelur vrarë mohuar harruar

Sepse ne e kemi përndjekur plagosur shkelur vrarë mohuar

Harruar

Kjo dashuri krejt e tërësishme

Ende kaq e gjallë

Krejt e përdielluar

Është e jotja

Është e imja

Ka qenë ajo që ka qenë

Kjo gjë gjithmonë e re

E që nuk ka ndryshuar kurrë

E vërtetë si bima

E përpëlitshme si një zog

E nxehtë dhe e gjallë si vera

Ne mundim që të dy

Të shkojmë e të rikthehemi

Ne mundim të harrojmë

Të rizgjohemi të vuajmë të plakemi

Duke ëndërruar vdekjen

Të zgjohemi të buzëqeshim e të qeshim

E të rinohemi

Dashuria jonë është atje

Kryeneçe si një mushkë

E gjallë si dëshira

Mizore si kujtesa

Budalle si qaravitjet

E dlirë si kujtimi

E ftohtë si mermeri

E bukur si dita

E dobët si një fëmijë

Që vështron duke buzëqeshur

E flet pa ditur asnjë fjalë

E unë në ankth e dëgjoj

E thërras

Thërras për ty

Thërras për mua

Të përgjërohem

Për ty për mua për të gjithë ata që dashurohen

E që janë dashuruar

Po unë thërras

Për ty për mua e për të gjithë të tjerët

Të cilët nuk i njoh

Ndalu atje

Atje ku je

Atje ku ke qenë herët e tjera

Ndalu

Mos lëviz

Mos shko

Ne që jemi dashuruar

Ne të kemi harruar

Ti mos na harro

Nuk kishim veç teje askënd mbi fytyrë të tokës

Mos na ler të bëhemi të akullt

Edhe pse shumë larg gjithmonë

E nuk ka rëndësi se ku

Jepna ndonjë shenjë se je në jetë

Shumë më vonë në skajet e një zabeli

Në pyllin e kujtesës

Ngreu shpejt në këmbë

Zgjati duar drejt nesh

Dhe na shpëto.

 

3.NJË TUFË LULESH

 

Çfarë bën atje vogëlushe

Me ato lule sapo të mbledhura

Çfarë bën atje vogëlushe

Me ato lule me ato lule që thahen

Çfarë bën atje grua e bukur

Me ato lule që vyshken

Çfarë bën atje plakushe

Me ato lule që vdesin

Pres fitimtarin.

 

4.VAJZA PREJ HEKURI

 

Vajza prej hekuri nuk dashuronte askënd në botë

Nuk dashuronte askënd përveç atij që dashuronte

I dashuruari im i dashuri im ai që më dërfrente

Tani ka ndryshuar krejt dhe mua nuk më dashuron më.

I dashuruari im që nuk më tundon më jam unë?

Nuk e di a nuk është kjo e njëjta gjë?

Tani jam shtrirë në kashtën e lagësht të

Dashurisë

Krejt e vetme me të gjithë të tjerët krejt e vetme dhe e dëshpëruar

Vajzë e brishtë vajzë e mykur

O i dashur i dashuri im gjallë e vdekur

Dua që ti ta kujtosh të shkuarën

I dashur që më doje dhe që je tëhuajtur për fajin tim.

 

5.TË RINJTË QË BËJNË DASHURI

 

Të rinjtë që bëjnë dashuri puthen përngutshëm

Kundruall dyerve të natës

Dhe kalimtarët që shkojnë i tregojnë me gisht

Por të rinjtë që bëjnë dashuri

Janë vetëm askushët asgjëtë

Janë vetëm hijet e tyre ato që bëjnë dashuri

Që dridhmërojnë natën

Duke i bërë kalimtarët të zemërohen

Zemërimi i tyre përçmimi i tyre tallja lakmia e tyre

Të rinjtë që dashurohen janë askushët dhe asgjëtë

Ata janë diku tjetër shumë shumë larg natës

Janë shumë më lart se dita

Në shkëlqimin verbues të dashurisë së tyre të parë

 

6.PËR TY E DASHURA IME

 

Kam shkuar në tregun e zogjve

Dhe kam blerë zogj

Për ty

E dashura ime

Kam shkuar në tregun e luleve

Dhe kam blerë lule

Për ty e dashura ime

Kam shkuar në tregun e hekurishteve

Dhe kam blerë pranga

Pranga të rënda

Për ty

E dashura ime

E pastaj kam shkuar në tregun e skllevërve

E të kam kërkuar

Por nuk të kam gjetur

E dashuria ime.

 

I shqipëroi : Elida BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Xhejms Xhojs irlandezi kryengritës gjeinu i letrave botërore (02.03.2009)
I çmendur pas Shakirës - Nga Gabriel Garcia Marquèz (01.27.2009)
Tomas Shter Elioti, Poeti i Tokës, Ajrit, Ujit dhe Zjarrit (12.30.2008)
FRAZA POETIKE TË ARTUR REMBOSË (1854-1891 ) (12.21.2008)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]