VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
POEMË PËR LUMIN LOTONË DHE POEZINË NË SHISHE Nga ADEM ISTREFI E Shtunë, 02.27.2010, 04:34pm (GMT1)
...Më lotoi loti i nxehtë në shuplakë të dorës e shuplaka m'u dogj si prej prushit të bungut, po s'di se kur ky lot do të lotojë prapë në LOTONË... U desh vetëm një terig i lehtë ere që fërfëriu si me krahë pëllumbi mbi ujërat e këtij lumi të huaj, u desh dhe kjo gjethe lundruese që ma përkujtoi atë fletë fletoreje dhe të mbushem prapë me frymë lirie, me frymë hovi e zërash pickues, bërtitës ngado, ngado të rrëmbejnë, të çojnë ku s'të çojnë e të kthejnë aty ku je... Befas mbi atë gjethe të praruar vjeshte u lëshua butazi një zog e sikur shkroi diçka mbi të me sqep, (asi zogu kurrë s'kisha parë) dhe befas nisi flatrimin mbi kryet tim, (them se duhej të ishte shpirti i një vajze që e desha si askënd tjetër e më kurrë s'u pamë.) Po ky zog, pse kaq befas iku e u largua, pse dhe pse?! Në sy-ndjekje të tij ndejta gjatë e si pa sy mbeta. E ai sikur po më merrte me vete si këtë gjethe që po vërtitet si grykën e një vorbulle qiellore. *** Si kjo gjethe dridhet e përpëlitet e pëlcet kujtimi dhe kujtimet i lkehem në shpinë e i kërcej kaliqafë e dyh mbas tij... Se u bënë e shkuan si hije njëzeteshtatë vjet që lundron ajo shishe që lundron e përplaset me dallgët e ujërave e s'kam si ta di se në cilin det ka humbur, s'kam si ta di se në cilin bregdet ta gjej... Ajo shishe ndoshta mund të mos gjehet kurrë n ndoshta mund të gjehet mbas tremijë vjetëve, Nuk ndryn brenda asnjë të fshehtë si në përrallat e Njëmijë e një netëve as të fshehtën e krijimit të zbuluar prej nesh. Brenda saj ka vetëm një fletë fletoreje, shkruar mbi të vetëm pesë vargje, shkruar a gdhendur nga pesë poetë, më të krisurit në të gjithë rruzullin, më të çlirtit dhe më poetët se gjithë poetët në atë çast, në atë cast që ndriste e nxiste mendimin përthekues të të gjitha fjalëve vetëm në një varg, si në atë vargun poemë "Kanë nxanë vend yjet vajin për me ndie." (Dhe vargun e parë e shkrova unë, dy vargjet e tjera vëllezrit Buçpapaj, e prapë dy të tjerat sivëllezrit Aliaj.) *** Dhe ajo ditë ishte ditë vere. Në rrezet e asaj dite Sytë sikur i pinin të gjitha ngjyrat e bukurive, bukurive e dashurive që ndez ky lumë mahnitës, kësi lumi kurrkund tjetër s'gjen në botë, se ky lumë sikur është vetëm pikla vese, sikur është krijuar prej lotëve të dashurisë, të ndonjërës prej zanave motra, mbasi amën askush s'ia di, ose ndoshta është krijuar prej perëndisë BIND të dashuruarit të çartur me zanat motra që të shkrihej tërësisht mbas tyre e t'i kundronte ngeshëm, jo vetëm pranë krojeve, po edhe kur të laheshin në ferk të dritës, pa u lëbardhë mirë drita e në natje herët e kur të zhyteshin në ujërat kristalore e mbi shkëmbinj pastaj kur t'i krihnin flokët... *** Po motrat zana, si na shituan ashtu asaj dite! Se vetëm te ne sikur i patën sytë e të shituar prej tyre mbetëm krejt. Turravrap katrritheshim rrasës shkëmbore, rrasës së thiktë që si thikë e therte qiellin. Turravrap ngjiteshim gjer në cikol të shpatinës t'ua rrëmbenim prej duarsh shekat me tambël e tamblin ta pinim me një hurrpamë siç pat pirë Muji e u bë kreshnik se s'mund të ishte tambël i dhisë briartë dhe s'kish sesi tambël gjiri të mos ishte... *** Dhe rrasës shkëmbore rridhte e rridhte një rrëkezë e hollë tambli dhe me sy e ndiqte perëndia BIND, i ulur cuc mbi atë shkëmbin mes lumit që ngjasonte me një anije LIBURNE. Dukej se po bindej edhe vetë se ishte më pak i perëndishem sesa ne e për të sikur po na vinte keq... *** Po edhe ngenë fort s'ia kishim atij, se patëm rendur imshtave gjithkah, gjithkah ku kuqëlonin e të shkrinin luleshtrydhet edhe pa i afruar te goja, gjithkah i mblidhnim e i tejshkonim në fije bari si rruazat në pe si rruazat në pe i bënim vargje... Dhe më pastaj mbetëm në gjuajtje të troftave, dhe më pastaj në pjekje të tyre, mbi tullë, dhe më pastaj s'di sa shishe vere rrekëllyem te ajo zallina e gjirit të lumit që ka një shkëmb krejt si sofër. aty atëbotë e shkruam edhe atë poezi, prej aty e lëshuam atëbotë atë shishe për lundrim. Në atë lundrim kaq vite kam mbetë... *** Pa frymë mbetëm kur e lëshuam atë shishe- anije ujërave të këtij lumi, pa frymë mbetëm dhe kur brohoritëm pastaj, pastaj kur brohoritëm kreshnikisht të gjithë përnjëherë e gjithsecili kujtoi se si atë varg të tij askush më e kurrë më nuk do të mund ta shkruante. O pasha syrin e këtij e këtij dielli që zdriton! ky zog që m'u shfaq e më iku pastaj, s'mund të jetë asnjë zog tjetër, vetëm ai i lumit LOTONË që këngëzonte bashkë me lumin kur zhytej në ujërat e tij e shpejt dilte e mbi shkëmbinj rrezitej, mbi shkëmbinj sqepin kruante, sikur të ishte vetëm ai perëndia e këtij lumi e vetëm fishkëllima e tij duhej të dëgjohej... *** Lumi LOTONË le të zdirgjet tëposhtë, unë s'mund të mos ngjitem edhe një herë përpjetë brigjeve të tij, s'mund të rri pa dalë edhe një herë atyre bjeshkëve të mallit tim... Edhe perënditë e këtij lumi ç'mbetkan skllevër të këtij lumi! Fundvjeshtë, 2009
Adem Istrefi
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |