VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
DASHURI E NJOMË E VAJZËRISË, MË FAL NËSE TË HARROJ, NDËRSA MË PËRFSHIJNË RRYMAT E BOTËS Poezi nga EMILY BRONTË (1818-1848) E Djelë, 04.11.2010, 06:11pm (GMT1)
SI NDRIÇON TI SHKËLQIMTARE Si ndriçon ti shkëlqimtare! E qetë Unë dergjem në strehën e dritës sate; ndërkohë që qielli e toka murmurojnë: "Rizgjohu nesër, ëndërro sonte gjithë natën." Po, eja, Fantazi, dashuria ime e magjepsur! Lulen e puthjes sate në ballin tim ta çelësh; përkulu mbi shtratin time vetmor paqesjellëse je dhe gëzimsjellëse. Bota largohet; lamtumirë, botë terri! Botë nate, rri fshehur deri në agim; zemra ime, të cilën ti nuk mund ta nënshtrosh të tërën, duhet të rezistojë, nëse ti prapë vonon të vish! Dashurinë që kishim veç për vete do ta ruaj; Për urrejtjen tënde do të kem vetëm një buzëqeshje; ndëshkimet e tua më plagosin- më brejnë paudhësitë e tua, por pafytyrësitë e tua, jo, nuk mund të më gënjejnë! Kundroj papushim dritën e yjeve Të lartë mbi mua, në atë det të nemitur, do të doja të shpresoja që çdo dhimbje shpikur nga krijuesi, në ty të ndryhej! E tillë do të jetë ëndërra ime sonte; do të ëndërroj që qielli i sferave të madhërueshme të vazhdojë gjatë rrugën e tij të dritës në një gëzim pakufi, në rrugën e viteve të amshueshme; do të ëndërroj që të mos jetë një botë, atje lart, aq larg sa syri nuk mund ta arrijë, ku zgjuarsia të tallet me dashurinë apo ku virtuti të nëpërkëmbët prej paudhësisë; ku, torturuar nga goditjet e fatit, viktima e drobitur të detyrohet të buzëqeshë; t'ia kundërvërë durimin urrjejtjes së saj, duke fshehur rebelimin e ashpër thellë në zemër. Në të cilën kënaqësia i prin gjithmonë së keqes, e më kot shpall arsye që nuk janë arsye; dhe e vërteta të jetë e dobët e i fortë mashtrimi; dhe ku gëzimi i hap rrugë të sigurtë dhimbjes; dhe paqja, letragjia e vuajtjes; shpresa, fenomen i shpirtit; dhe jeta, mundim bosh e shkurtër; dhe vdekja, tirane mbi tiranitë!
KUJTIMI Bën ftohtë në tokë- rëndon mbi ty bora e trashë, aq larg, aq larg, veçuar, ftohtë në varrin tënd hata, Kam harruar, dashuria ime e vetme, të të dua, ndarë më në fund nga dallga e kohës që ndan gjithçka? Nuk enden më, në vetmi, mendimet e mia Përtej maleve, atje, mbi brigjet veriore, duke palosur krahët ku shqopa e fieri, përgjithmonë, përgjithmonë fshehin zemrën tënde burrërore? Bën ftohtë në tokë- e akulli ka ngrirë pesëmbëdhjetë dimra, nga ato kodrina të zeza, është shkrirë në pranvera: po, është besnik shpirti që ende të kujton pas viteve të sfiliteve e vuajtjeve të paprera. Dashuri e njomë e vajzërisë, më fal, nëse të harroj, ndërsa më përfshijnë rrymat e botës; dëshira të tjera, shpresa tjera më thërrasin, shpresa që errësojnë, por nuk lëndojnë! Asnjë dritë e re nuk ndizet në qiellin tim, asnjë mëngjes i ri për mua kurrë s'ka ardhë; gëzimi i jetës sime vinte nga jeta jote e shtrenjtë, gëzimi i jetës sime është me ty në varr. Por, kur shuhen ditët e praruara të ëndërrës të cilën nuk mund ta shkatërronte as dëshpërimi; do të mësosh atëherë se mund të dashurosh ekzistencën, e t'i japësh forcë e guxim, në mungesë të gëzimit. Atëherë frenoi lotët e pasionit të kotë- çmësoje shpirtin tim të ri nga dëshira për ty; mohoja atij dëshirën përvëluese të rendë për në atë varr që është më shumë se varri im. Dhe ende nuk guxoj ta lë të fiket, nuk guxoj ta lë nën mëshirën e vuajtjes së kujtimit të rrëgjohet; nëse do ta pija me fund këtë ankth sublim, nuk do të mund kërkoja zbrazëtinë e botës.
UNË JAM E VETMJA FATIN E SË CILËS Unë jam e vetmja fatin e së cilës Gjuha nuk e heton, syri nuk e qan me lotë; nuk kam shkaktuar kurrë një mendim të lig, as ndonjë buzëqeshje gëzimi, qëkur erdha në botë. Midis kënaqësive sekrete e lotëve sekretë, kjo jetë e patrajtë nga duart më ka ikur, pas tetëmbëdhjetë vjetësh ende kështu vetmitare si në ditën e lindjes sime. E ishin kohë që nuk mund ta fsheh kohë kur e gjitha kjo e tmerrëshme ishte, kur shpirti im i trishtë e humbi krenarinë e tij dhe dëshironte që dikush ta vriste. Por kjo iu përkiste përkushtimeve të para të ndjenjave më vonë shtypur me dhimbje; e kanë vdekur ato prej një kohe kaq të largët sa më bëhet të besoj se kurrë nuk ishin. Më herë rrënohet shpresa rinore, pastaj venitet ylberi i fantazisë përfare; më në fund përvoja më thotë që kurrë të vërtetën mos e kultivo në një zemër të vdekëtare. Ishte shumë e hidhur ta mendosh se njerëzimi të ishte i shtirur, shterp, puthador; por më keq ishte kur i besova mendjes sime dhe gjeja të njëjtin korrupsion.
PARLA PER ME Duhet të përgjigjet drita e shikimit tënd, tani që arsyeja, me sytë e padenjë, tallet me humbjen time të rëndë! Gjuha jote prej mjalte duhet të flasë për mua E të thuash pse unë të pata zgjedhur! Arsyeja e ashpër tani jep gjykim, veshur në uniformën e saj mizore: do të jesh memec, avokati im? Jo, engjëll shkëlqimtar, fol për mua Thuaj pse unë u vërtita larg botës? Pse me kaq ngulm kam shmangur mendimin e rëndomtë të gjithsecilit, pse kam marrë një rrugë të parrahur duke shpërfillur pushtetin dhe paranë- kurorat e lavdisë dhe lulet e dëfrimit. Dikur shtireshin si krijesa të perëndishme; dikur ndoshta dëgjonin përkushtimet e mia, e mbi altarët e tyre shihnin flijimet e mia të përditshme; por, dhuratat pa dashuri nuk janë çmuar në jetë, dhe të miat janë përçmuar me të drejtë. Me zemër të dlirë jam përbetuar altarët e tyre të gurtë t'i shpërfill; kam shenjtëruar shpirtin tim të adhurojë ty, krijesë fantazme, e kudondodhshme; skllavi im, shoku, mbreti im, Skllav, sepse ende të sundoj; të lutem me vullnetin tim për shndërrime, e bëj të mirë apo të keq ndikimin tënd: shok, sepse natën dhe ditën ti je kënaqësia ime intime,- Dhimbja aq e dashur që gërrith e plagos e mbyt në lotë një thirrje gëzimi duke errësuar për mua çdo terren të sigurtë; gjithsesi, mbreti im, nëse durimi i vërtetë e ka mësuar skllaven tënde të ngrejë krye. Jam në hall nëse prirem të kundroj atje ku besimi nuk dyshoi, ku shpresa nuk zhgënjeu meqë shpirti im i njëjtë mund të formulojë lutjen? Fol, o zot i përfytyrimeve, fol për mua, shpjegoje përse unë të pata zgjedhur! I shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ
I shqipëroi Elida Buçpapaj
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |