VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
NË TRUPIN TIM KAM VESHUR XHUBLETA ME OJNA DIELLI Poezi nga FATIME KULLI E Mërkurë, 08.11.2010, 01:54pm (GMT1) Lotët m'u thinjën... Një fund gushti, mbrëmje vonë Dritat shkëlqenin si re shpërthimesh. Në natën e zezë një dhimbje m'përshkoi Tej për tej mushkëritë... Puthja mizore më ngriu në buzë Ëndrra m'u venit, ndjeva poshtërim. Ishte mbrëmje e ftohtë gushti Që m'i dogji të gjitha fjalët Iluzionet robëroheshin pa kufi... Pashë hijen e duarve fantazma Që përkëdhelnin trupin e tij... Dëgjova xhelozinë nga fundi i humnerës Të më pështyjë... Nata më sillej rrotull si xhind, Dashuria m'u vodh, lotët m'u thinjën... Një fund gushti, mbrëmje vonë Pas dritares më fanitej hija e një lisi...
Korniza
Fjala rënkon nën mure muzgjesh Portreti rri varur në kornizë të ditarit Si gjethet e limonit në një degë të thyer... Sekondat, orët, ditët janë mbyllur Në kështjellë të harrimit... Të dëshiruara presin një buzëqeshje... Shpirti përpëlitet para pasqyrës së hënës Rënkon humbjen e dritës së virgjër... Errësira shqelmon si lëneshë Duart që përkëdhelin kornizën Dashuria përgjon kthetrat e hijedritës Skeleti i Kornizës shqyen portat e mërisë...
Dritë mbi errësirë...
Teksa shoh hijen tënde Të përpëlitet buzë dhimbjes a krenarisë Përqafoj orët e dritëzuara që më varen Si relike muzgjeve truplëshuar... Atëherë dashurova sekondat e frymëmarrjes tënde Për të cilat jam nostalgjike deri në amshim. Tani në fustanin tim të bardhë Kam qëndisur ngjyrat e zeza, Si të pantallonave të tua Që shpesh t'i kam larë e hekurosur Për t'i ngritur në altarin e ndjenjës më njerëzore, Mbrëmjeve të rreckosura e të trishtuara Ku flakëronin sytë e ty e çirrej përkëdhelja... Dhe buzët pëshpërisnin fjalë të mekura... Teksa ndjej vështrimin e hijes sate Vallëzoj me dhimbjen e krenarisë, Në sfondin e ngjyrave shfaqet e kuqja... Nëse kërkon fjollëza të arta në tekat e tua Aty është muri ndarës me zemëratë gruaje I ngjyer me fjalë zemre e gurë mirësie E gërryen tenja e vesës së tradhtisë.. Atëherë dashurova aventurat e tua, Siç dashuroj tani shpirtin tënd në harrim... Në çdo të fshehtë të kujtimeve Shoh dritë mbi errësirë...
Kërkon shpirt gruaje
Tejpërtej murit të dhimbjes Nuk shoh dritë, dëgjoj veç zëra Të kryqëzuar nga ligësia Presin lotët e një gruaje... Tejpërtej ngrehinës së mërisë Përpëlitet një dritë e vobektë Mbledhur si lëmsh Kërkon duart e një gruaje... Tejpërtej humnerës së urrejtjes Pipëtin një dritë hijezhveshur Ligështuar deri në amshim Kërkon një shpirt gruaje...
Baladë nënës sime
Era e tërbuar e shekujve U përplas ndër gjokse engjujsh të pafaj koha u trullos dhe u bë qameti nëna ime ballërrudhur e shpirtplasur, këndon: "Janinës ç'i panë sitëeee, Jaaaninoooo Ish e prëmte ajo ditëeee, Jaaaaajaninooo" Oh, nënë, ç'është ky zë si në legjendë Që drithëron dhe eshtrat e të parëve në çdo qelizë Ah moj bije e nënës, e njoh mirë këtë gjëmë ish shtrëngatë e stuhi, në atë kohë yjet ranë nga qielli të përgjakur, një e nga një Kafka e hënës ra në prehrin e tokës amë barërat u helmuan, livadhet u gjakosën anë e kënd... Mos nënë, mos më thuaj gjak, gjak...ohhhhhhhh Po bijë, sa gjak është derdhur në tokën Arbënore Toka e përgjakur nga kufomat më rrinë ende në sy... Shkëmbinjtë shekullore u copëtuan nga dhimbja ia ndërruan format, ngjyrat, emërtimet... Eh, s'munda të ngjyej as hijen e gishtit, të shkruaj emrin mbi një varr, në oxhakun ku kam qarë për herë të parë... O Zot, sa shumë dhimbje e lot ka pirë kjo tokë dielli po më rrezohet para këmbëve të mia Në qerpikë më ka ngrirë kripa e lotit... Ku rënkon e thinjur në vetull, Çamëria... Janinës ç'i panë sitëeeee, Jaaaa janinoooooooo... Të lutem nënë, mos këndo më, se më lëndon Po moj bijë, do këndoj, sa të plas, se kështu është historia!
Jam gur i vdekur, rri strukur -- Fatime Kulli lindur me 23 korrik 1957 ne Durrës. Pas shkollës fillore dhe 8 vjeçare, ka mbaruar Shkollën e Mjeshtërisë sportive në Durrës. Shkollën e Mesme të Përgjithshme dhe të Mesmen Teknologjike në qytetin e Shkodrës. Per arsye politike te familjes se saj, ka vuajtur debim-interrnim per shume vjet dhe pas vitit 1990, ka mbaruar studimet e larta në fakultetin filologjik, shkencat sociale. Pas viteve, 91 punon si gazetare në shtypin e qytetit të Veriut, Radio Shkodra, gazeta "Shqipëria Etnike", Drejtore në televizionin 2ATV, në Radio-Tirana, si dhe në disa gazeta periodike dhe kulturore. Kryeredaktore në Gazetën "Ndryshe" dhe Drejtore në revistën "Obelisk". Botime: -"Ma lini portën çelë" (poezi) -"Lakuriq mbi tastierë" (poezi) -"Masturboj me diellin" (poezi) - "Parlament në pyll" (fabula) - "Zemrën e dua pasqyrë" (poezi) - "Tensione emocionesh" (tregime) - "Ethet e zhveshura" (poezi italisht-shqip) - "Shkëndija e eshkës" (poezi- botuar në Shkup) - "Deti mbytet në guaskë" (poezi- botuar në Kumanovë) - "Trëndafil i djersitur" (poezi-botuar në Tetovë) - "Në gojë të diellit" (poezi për fëmijë) - "Drithërimat e frikës" (roman) - "Cila është më bukur" (poemë për fëmijë) - "Uragani i meteorëve" (monografi-studim-publicistikë) - "111 fjalë të ndyra dashurie" (poezi & tregime) - "Mitra e zjarrit" (poezi) - "Njëzet e dy" (roman) -Këpucët e Mjegullës (poezi) Ka marrë këto vlerësime nÄ— aktivitete letrare: - Në vitin 2001 ka marrë Çmimin "Radio Ulqini" në Mal të Zi (me poezinë "Kam frikë", të librit "Ethet e zhveshura" - Në vitin 2002 është vlerësuar me vendin e dytë në takimin poetik të Salernos në - --- Napolit, midis 100 poetëve nga Evropa. - Është vlerësuar si poetja më e mirë e poezisë lirike erotike në takimin Ballkanik që është zhvilluar në KorcÄ— në vitin 2002. - Ka marrë Penën e Artë në Kumanovë me librin "Deti mbytet në guaskë" në vitin 2003. - Pjesëmarrëse në Institutin e Shkencave të Letërsisë në Kembrixh, me librin poetik "Trëndafil i djersitur" në vitin 2004. - Ka marrë Penën e Artë në Athinë (në klubin e shkrimtarëve "Kodmus") me ese të përzgjedhur nga libri studimor "Retinë" në vitin 5005. - Pjesëmarrëse në takimin e kritikëve Evropianë në Gjenova, ku është vlerësuar si një intelektual "ndryshe" në fushën e kritikës letrare, në vitin 2006. - Fituese e çmimit të Parë në takimin e Poeteshave Shqiptare në Vushtri, maj 2008. - Fituese e çmimit "Skampini" ne takimin Ballkanik ne Elbasan 2009. - Pjesëmarrëse në festivalin e poezinë botërore në Strugë, gusht 2009. FATIM KULLI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |