VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ZVERDHJA E GUSHTIT - PËRKUSHTIM DHIMBOR

Skicë- Elegji nga RAIMONDA MOISIU


E Enjte, 08.12.2010, 04:25pm (GMT1)

 

....Ecja në rrugën e ndërmjetme të mbuluar nga zhavorri, bari, petale lulesh e degë të thata, të shpërndara aty këtu. Ecja, nën dritën e fortë e të nxehtë të diellit, ku asnjë nga bliret e dhe pishat e larta nuk mundej të bënte hije. Ecja nëpër lëndinën e mbuluar nga bari dhe mermerët e varrezave. Eca drejt varrit ku preheshin Atë e Bir! Ngula sytë në gurin e tij. Nëpër mjegullën e lotëve më dukej sikur ishte derë, po qe se trokisja, ndonjëri prej tyre do të shfaqej aty. Në vend që të trokisja, ledhatoja cdo gërmë me gishtat e mij, të datëlindjes dhe të vdekjes, që ishin gdhendur, aq pastër dhe thellë në mermerin e varrit. Mbështeta kokën mbi gur. Mbylla sytë dhe ndjeva ftohtësirën në lëkurën e ballit. Shushurima e pandërprerë e gjetheve të blirit, më coi në përhumbjen e shpirtit e të mendjes. Para syve më kalonin pamje, copëza të jetës, të zvenitura në ditët e gushtit të atyre dy jetëve.

Dy jetë në një! Një vijë e vogël ndante datat, por jo muajin GUSHT! Hera - herës humbnin nën peshën e kujtimeve, rrezatimin e mjergullës lotuese, për të treguar se jeta vazhdon, edhe nëse dhimbjet, ndarjet, vdekjet, fatkeqësitë të presin rrugën. Fantazma e "zonjës plakë" me emrin vdekje, veshur me të zeza, e kërrusur, qëndronte e më vështronte, ndërkohë që aroma e blireve, pishave, përzier me aromën e flakës të qiririt dhe kundërmimin e parfumit dëshpërues, -të cilën nuk mundesh ta zhdukësh kollaj,-ishte një sfidë mes marrosjes dhe përgjumjes, hidhërimit e trishtimit, dritës së diellit dhe zverdhjes së gushtit,-jetës e vdekjes! Mbështolla më krahët e mij, gurin, emrat dhe fotot. I vetmi përqafim që mund t'iu jepja! Qëndruam ashtu përqafuar gjatë. I pyesja për gjithçka. Mbaja veshët mos dëgjoja diçka prej tyre, por ata nuk përgjigjeshin. Era frynte ndër pishat, dhe një zog aty pranë, cicërinte, duke shqiptuar fjalët, që ngjasonin me emrat e tyre. Dëshiroja një fjalë, vetëm një fjalë të vetme prej tyre. Dëshiroja aq shumë atë cast, të qëndroja vetëm me ta përsëri, si dikur.

Dëshiroja të isha në ëndrrën e një nate më parë.....Më patën dëgjuar teksa mërmërisja emrat e tyre, I thërrisja me zë të lartë, dhe ata të dy .....

-Vëllacko, baba,-thirra përsëri... Era frynte akoma, por flakën e qiririt nuk e shuante, dhe degët e pishave e të blireve nuk e lëkundëte. Qielli ishte I kaltër, pa re dhe ata; ATË e BIR nuk flisnin, por vazhdonin të flinin në gjumin e përjetësisë.

Dy jetë në një! Preheshin në paqen e gushtit të zverdhur dhe dheut të lehtë...

Amen!

Raimonda Moisiu

Hartford CT USA

RAIMONDA MOISIU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.