VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

RROFTË EVA! RROFTË EVA! RROFTË EVA!
NGA VEHBI SKËNDERI


E Mërkurë, 10.06.2010, 10:31am (GMT1)





Vërtet Eva kreu Faj, me mollën e ndaluar.
Dhe e dënoi Mëkati. Po si nuk i doli kush zot:
"Të mjerën në greminë e shtyu Lugati!" Përkundrazi: E nëmin edhe sot.
E fyejnë gjer në asht! "Po të mos kishe kryer Ti (Rrospi) atë Mëkat,
Do të jetonim mot e jetë në Parajsë.
Nuk do të plakej asnjeri. Nuk do të rrudhej. Nuk do të vdiste kush."
Dhe dënesin me gulç:
"S'do të na mungonin kurrë: buka, vera e mjalti."
E, pa kurrfarë mërie e inati,
veshur si perandorët në mëndafsh,
njerëzit do të tundeshin e do të shkundeshin si për Dasmë.
Askush s'do të djersinte. Nuk do të çante tunele në Lamansh.
Nuk do të mbillte hiç. Nuk do të mblidhte grurë e kajzë.
S'do të pushonte kurrë Gostia në Parajsë!
Po Eva ktheu përmbys gjithçka. (Rrospia!) "Mallkuar qoftë Eva!"
Dh' askush s'guxon ta shajë fare pak Adamin, që nuk e mbrojti hiç brinjën e vet.
(Se Eva, siç thotë Bibla, është krijuar prej brinjës së tij.)
"Adam o lumëzi!
Si e le gruan tënde në kthetrat e Satanit?"
Jo! Asnjeri nuk del dot kundër: Mirë Eva, po themi, kreu mëkat,
Po ç'faj kanë të gjitha gratë e ngrata?
"Të gjitha janë Eva!" përgjigjen tym-me-tym disa "kryeshkërdhata".
(Siç thotë Dritëroi.) Dhe nuk guxon asnjë të ngrejë zërin lart:
"Hej Solomon Zuzar! Kurvar e Maskara!
Pse mban Ti në Pallat, gjoja se me kurorë, mbi katër mijë (4 000) gra!"
 
Disa bëjnë moral: "Xhadia!" Disa bëjnë trysni: "Zotni, mos harro!
Eva e Keqja vetë!
Fara e të Keqes! Ferra e të Keqes! "Hija" e të Keqes! Vetë Hija!
Eva! Eva! Rrospia!"
Çirren pronarët e bordeleve dhe hoteleve farfuritëse.
Nëpër Paradat shkrepëtitëse të topmodeleve: "Eva: Mavrija!
Pangopësia. Babëzia! (Me fytyrë gruaje) Pabesia!
Eva! Eva! Eva!"...
 
E tërë fanatikët, uriahipët, heretikët, sheikët, klerikët e cinikët e kohërave antike e moderne
çjerrin faqet me thonj në PRESS-Konferenca. Podiume. Tendera. Kuvende.
Duma e Laguna: "Eva! Zotërinj! Ja ku na pruri mendjelehtësia e pangopësia e saj.
Na u helmua Jeta e na u nxi katran:
Eva! Eva! Eva! Eva!" Thirrrjet s'kanë të mehur.
 
"Zotërinj! Boll keni lehur
e keni ulurirë. Ka mijëra vjet që i shqeva veshët e mi dhe i çapëleva
nga anatemat: "Eva! Eva! Eva!"
E ku nuk iu kam parë! Zagarë të zgjebur. Boll keni lehur e boll keni sharë.
Boll iu kam dëgjuar. Qepeni. Mbylleni gojën!
 
Eva është Martirja e Parë! Kryengritësja e parë e Qiellit.
Rroftë Eva! Bija e vëretë e Tokës dhe e Diellit.
(Ngjizur prej ciflave të baltës e rrezeve të Agimit.)
Rroftë Eva! Rroftë Eva! Rroftë Hyjnorja Eva!
Martirja e Parë e Njerëzimit.
 
Rroftë Eva! Rroftë Eva! Rroftë Eva!

VEHBI SKËNDERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.