VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NGA ELIDA  BUÇPAPAJ
POEMË PËR URËN E TABAKËV

E Hënë, 10.11.2010, 08:06am (GMT1)



Përditë e kalëroj
Urën e Tabakëve
Si në një rit pagan
Fluturoj mbi të,
                ec, nxitoj,
vrapoj,
kërcej mbi të,                      
hallakatem,
tërbohem,
me flatra,
me flokët që m'i merr era...
 
 
Përditë e kalëroj
Urën e Tabakëve
Nga Berna
Nga Baseli,
brigjeve të Lumit Rin,
brigjeve të Lumit Aare,
buzë Ligjenit Léman,
nga çdo metropol Evropian,
në gjumë,
                zgjuar,
në ëndërr,
                zgjëndërr,
në delirin
e mallit
në rebelimin tim
memec...
 
 
 
Përditë e kalëroj
                Urën e Tabakëve
më e famshme
se Ura Bruklin
dhe se Ura Mirabo 1)
Një herë në ditë,
                dhjetë herë,
                                njëqind herë
kur e kam Malin e Dajtit
                pas shpinës,
kur jam me të
                sy më sy...
 
 
Përditë e kalëroj
                Urën e Tabakëve
Në mëngjez,
në mesditë,
në mesnatë,
në dimër,
në shi,
në vapën e gushtit,
në mbrëmjet e majit,
 
sa herë që humbas
në kaosin
e urbanizimit
të tranzicionit çakall
                                               të çakejve,
Ura e Tabakëve
                Është ciceronja
                Që më nxjerr
Nga ngujimi
i ankthit...
 
 
Përditë e kalëroj
Urën e Tabakëve
I hyp, i zbres,
kur kam mbathur
                                sandale, pandofla,
                çizme dimri,
                këpucë elegante,
                me taka të larta e
                                               e të holla
Apo kur jam çmbathur
                                               Zbathur
E gishtrinjtë
M'i çukasin gurët
E Urës së Tabakëve
Kur unë e kalëroj
Njëqind herë
në ditë
 
Kudo qofsha
Qofsha 20 mijë milje larg
Qofsha 13 vite larg
Unë prapë e prapë
Kaloj e çkaloj
Mbi Urën e Tabakëve
 
kur iki,
kur shkoj,
kur nisem,
kur nuk kthehem,
kur kthehem me mendje
Ura e Tabakëve
harku magjik
i një violine Stradivari
Far
I përjetshëm
I nënvetëdijës time.

 1) Ura Mirabo - Le Pont Mirabeau - Poezi e Guillaume Apollinaire
Le Pont Mirabeau
(Marrë nga libri Rapsodia e Golgotës së Tranzicionit)










Ura e Tabakëve në Tiranë

Bruklin Brixh

Ura Mirabo së cilës i këndon Apolineri

 

8 Mars 2009

ELIDA BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.