VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
ELDORADO NGA EDGAR ALLAN POE E Hënë, 10.18.2010, 07:48am (GMT1) EDGAR ALLAN POE (Lindi më 19. Janar 1809 në Boston, Massachusetts, SHBA - vdiq më 7. Tetor 1849 në Baltimore, Maryland)
Eldorado apo El Dorado shpjegohet nga fjalorët e sotëm me pak fjalë: Një vend i begatisë dhe i mirësisë. Një qytet që përfytyrohej të ishte në Amerikën e jugut, i cili u bë objekt i kërkimit në shekujt XVI e më vonë, pra në shekujt e udhëtimeve të mëdha të zbulimeve gjeografike. Në mënyrë përgjithësuese, në mënyrë metaforike, me Eldoradon kuptohet mirësia dhe begatia përrallore. Eldorado është një fjalë që vjen nga spanjishtja, pra nga gjuha e atij populli që ka nxjerrë më shumë udhëtarë të zbulimeve të mëdha të botëve të reja. Fjalë për fjalë do të thotë Vend i Praruar, pra vend i artë, i florinjtë. Spanjishtja e ka përbërë kështu këtë fjalë: el (nga latinishtja Ill)+dorado, e cila është pjesore e dorar, pra E Praruara. Në latinisht është deaurum, de- nga, aurum, flori, pra Prej Floriri.
Enciklopeditë e përshkruajnë eldoradën si një vend përrallor, të kredhur në flori, për të cilin mendohej se shtrihej diku në Amerikën e Jugut, diku midis lumit Rio e lumit Amazona, si dhe ultësirës së Orinokos, pikërisht afër Bogotës. Legjenda lindi me sa duket nga zakoni i banorëve vendas (indigjenë ) të Kolombisë, pikërisht fisit Muysca, për të zhytur në liqene të shenjtë çdo prift të ri (chibcha, quhej ai, shqiptuar zipa ) që emërohej në vendin e tyre, të cilin e mbulonin paraprakisht në pluhur floriri. Njerëzit kështu besonin se ai do të ishte me këmbë të mbarë dhe do t'iu sillte pasuri të pafundme. Ky zakon që më vonë u mitizua vazhdoi edhe disa kohë pas pushtimit të vendit nga spanjollët. Kjo legjendë frymëzoi ekspedita të tëra portugeze dhe spanjolle nga Shekujt XVI- XVIII, prej të cilave e famshme është ajo e Pablo de Ursuas, por edhe ekspedita angleze dhe gjermane, në kërkim thesarëve të hatashëm të Perandorisë Omagua. Eldorado u përdor gjerësisht si term për të shprehur mirazhet, pra përfytyrimet tunduese të thesarëve, në mënyrë të veçantë gjatë kërkimit të arit në Amerikën Veriperëndimore, pra në Alaskë, në Shekullin XIX. Ky term pastaj i është përshtatur çdo vendi të pasur. Toponimi Eldorado gjendet sot në shtetin Arkansas të Amerikës, një vend shumë i pasur me burime minerare dhe natyrore. Po ashtu një toponim i tillë gjendet edhe në Kansas po të Amerikës.Kuptohet se këto janë vende reale që i kanë marrë emrat nga vendi i përfytyruar dhe i ëndërruar Eldorado.
Për Eldoradon janë shkruar krijime artstike të pafundme. Volteri e ka sjellë legjendën e saj në kryeveprën e tij "Kandidi". Edgar Allan Poe (Boston-SHBA-19.1.1809- Baltimora- 7.10.1849) mendohet se e ka shkruar poezinë më të bukur kushtuar Eldorados. Nuk është e rastit që poezia shqiptare e shkruar në Kosovë e ka trajtuar dendur metaforën e Eldorados në qendër të saj, duke e parë Kosovën si mishërim real të Eldorados për bijtë e saj. Ne po e sjellim, me këtë rast poezinë e Edgar Allan Poes "Eldorado", poezi që është përfshirë në të gjitha antologjitë e poezisë në anglisht të hartuara ndonjëherë. Po e sjellim në orogjinal dhe të shqipëruar.
NGA EDGAR ALLAN POE
ELDORADO
Një trim i ngratë, Kalorës me shpatë, Në pishë të diellit e hije kahmos, Ngado kalëroi, Me këngë në gojë, Në kërkim të Eldorados.
Por një ditë u plak- Kalorësi harrakat- Dhe nën një hije u fundos Zemra e tij kur s'u gjend Askund ai vend Që t'i ngjante Eldorados
Dhe kur shpirti i vet Po i shteronte krejt Një hije atij iu kanos- "Hije", i tha asaj, "Ku bie vallë Rruga drejt Eldorados ?".
"Në ato male andej Sipër Hënës përtej, Poshtë Lugut të Hijeve semos, Pra, me guxim rend ti, Tha hija përsëri,- Në kërkim të Eldorados !"
ELDORADO
Gaily bedight, A gallant knight, In sunshine and in shadow, Had journed long, Sining a song, In search of Eldorado.
But he grew old- This knight so bold- And o'er his heart a shadow Fell, as hi found No spot of ground That looked like Eldorado.
And, as his strength Failed him at length He met a pilgrim shadow- "Shadow," said he, "Where can it be- This land of Eldorado.
"Over the Mountains of the Moon, Down the Valley of the Shadow, Ride, bodly ride", The shade replied, - "If you seek for Eldorado !"
Shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ
EDGAR ALLAN POE Shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |