VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
NË PRITJE QË MJEGULLA TË SHKRIHET DHE FURIA E SYVE TË TU TË VIJË ME DIELLIN Poezi nga SEBASTIANO GRASSO në shqip nga VISAR ZHITI E Hënë, 11.08.2010, 11:32am (GMT1) Rrathë magjikë
Nga sa enigma përbëhet historia jonë; prej sa magjish, anija me të cilën duhej të shkojë. Dialogu i thyer rinis: ëndërroj një kohë që nuk ishte në ëndërr. Gjurmë e tua mbi tapet shkatërrojnë fantazmat e shtëpisë, rrathë magjikë e pasqyra ku kërkohet fytyra jote, të vazhdosh një lojë dashurie e t'i japësh emrin tënd një ylli. Në pritje, po në pritje që mjegulla të shkrihet dhe furia e syve të tu të vijë me diellin.
Nata nuk më përket
Drithëron flaka, dredhon dita që nuk do të jetë e fundmja mbi urat e gurta ku dashuria hidhte lule në rrugina e shkallare ngjyrë qashtër. Mbi themele vdekja fajtore grinte stinën e verës, qielli ngjante me inat dhe fjetja ishte e vetmja zgjidhje. Fërgëllonte trupi yt nën këmishën me perla e gishtrinjtë losnin me seksin. Tani nata është më e gjatë, por nuk më përket. Do të vijnë tek ty mbi fllade Teksa endesh gjatë natës në kopshtet e Manuelit mbi ne shpikin retë drejtime të reja. Të marr me vete; mbi çatitë e Sondrios petale, bardhësi bore, rënë në agoni mes gotullave të tjegullave ashtu si gjarpérinjtë. Do të vijnë te ty mbi fllade psherëtimat e mia të ndezura, do të dëgjosh me detin që mërmërin jehonën e vajtimeve të mia, i këndon Edgardi Luçies. Jehona jote është imja.
Duel me shiun
Drita e fundit shoqëron automobilin me xhamafshirëset që bëjnë duel me shiun. Ah, kjo vapë vere të kap gjysmëlakuriq mbi ballkonin e katit të fundit që shfaqet mbi Liqen që Manzoni e riprodhoi nga Gange i Bertolit. Klandestinë mbi male, bëjmë jetë të dashuruarish dhe pse ti fshihesh nga një bir me principe që të duken prej talebani.
Është ende herët
Shtyhesh mbi bërryla e shikon orën: "Është ende herët", mërmërit, mes një puthje që ka shijen e natës e këmbët që mpleksen. Zëra të rrallë rrugëve e ndonjë auto e shpejtë u japin ritëm dritave të para. Në kuzhinë çaj e kafe përziejnë aromat, në radio lexojnë lajmet e para. Në banakun e barit vajza përplas taset e parë nën ujë. Sekretet nuk kanë nevojë për zhvendosje: i kemi thënë të gjitha. Të çon larg hapi yt dhe fjalori mbetet hapur mbi fjalën.
Të përmbushësh ekstazën
Tä zbulosh surrealistët, të verifikosh në pyll vargje onomatopeike, mësuar përmendësh në të mesmen, të fiksosh majat e pemëve... Mes malit të Venerës gishtrinjtë u bien tastave të vesës, përmbushnin ekastazën pa fjalë (hapje e mbyllje përgjysmë gojën, duke hovur nën copat e dritës të futura mes degëve, duke krijuar hije dhe gjysmëhije). Tani asnjë logjikë nuk ndiqet o prin, por dhe asnjë pllakë nuk përkujton emrat tanë, sepse, edhe pse të vdekur, vazhdojmë të ecim nëpër rrugët lombarde.
Poetët në kafe
Metropolitana ka ndalur për një vetëvrasje e kortezhet e nëpunëse të tramit bënë ta humbësh trenin (tjetri vjen pas dy orësh). Vëzhgoj retë që dallëzojnë, bashkohen, ndahen, zhduken, kuadër pas kuadri: ngjyrat monokrome që i aviten së kaltrës. Tani jemi shtrirë, ndërsa në Dëshirat në diell jepet lajmi që Gjermania ka pushtuar Belgjikën. Në Milano mungon një "Kafe e poetëve"; në nja dy librari të qendrës gjendet, ndërkaq, Poetët në kafe e Hermann Kesten.
Vendmbërritja Sondrio
Para ashensorit ia mbath nga një puthje - ndërsa rrëmoja nën kapotë - që dëshiron të ndalë bagazhet drejt e pastaj dhe i ftohti ka dhelet e veta. Të shkruaj, mbi fletë dyngjyrëshe, të kujtimeve nga tokat e Jugut, ku kam lindur e ku drita aq e shumtë u jep linfë dramave, sepse dhe atje mungon koha për të fantazuar. Mbi tryezën e një bari, në Galeri, një turiste shkruan mbi një kartolinë me Duomo: "Këtu mirë gjithçka, vij me avion të hënën e ardhshme, në Charles de Gaulle, ora 15. Eja më merr".
Shkallë lëvizëse
Nuk mund të pres që të mbetesh vetëm. Vetëtin metali i shkallëve lëvizëse në Rinascente, fati ynë ngjyhet me të zezë, mbulohet me hi dhe harxhohet duke iu avitur një qielli që mbulon prapsitë që nuk bëjnë potere. Në grinë e një pragu Heshtje. Nuk thua kush vëzhgon ironinë mbi buzë; në çast shpikje një engjëll shpagues shtëpiak që zbriste nga pema e një kopshti detar. Agu hapte sytë pa hije, ta kthente pavdeksinë për një tjetër ditë. Shqetësohet kujtesa që rijeton me padurim luftrat dhe ndryshimet e humorit, frika se mos të humb në grinë e një pragu të gurtë të goditur. Festa ka mbaruar Ndërsa busulla ime çmëndet mes imazheve të trupit tënd, duart kërkojnë të ndajnë diellin nga fytyra jote. Festa ka mbaruar, mërmërit nga pas një kanat gjysmëmbyllur. Jeta rend nga ora në orë, zërat largohen dhe buzëqeshja jote djeg sytë e mi dhe hija që bëhet si reja e një fumeti. Çakejtë ndezin zënkat, mbyllin dyer, përhapin duhma të qelbura duke thënë se vijnë nga një enë me ujë të bekuar. Gjinjtë e tu shtypen mbi gojën time që thith kundërmimin.
Formë të humbura
Zota të paepur u gjendën në një vajtim të nëndheshëm ku ujra acide mjegullash spërkasin fytyrën tënde prej sirene të kohëve të tjera. Këtu çdo dhomë bëhet e ndryshme: imazhi yt vishet me fjalë, me forma të humbura ndërsa vera futet pyjeve dhe, në mbrëmje, hëna fle mbi degët e hija përzihet me drurë hollakë që zhyten nëpër ligatina. Dhe shiu ka zërin e saj që rrëshqet mbi poplat e rrëkeve, ndërsa rrekem t'i qëndroj natës që më fushëron aq pranë.
Delfinët e mermertë
Të flesh ti me dritën ndezur dhe fletët e hapura mes gishtave. Bulëz pas bulëze nata pushton flokët e tu, diçka e mirë rritet me ngrohtësinë e pëllëmbëve nga ku rrëshqasin delfinë të mermertë. Të të harroj nuk mundem, vetëm të të dua, drejtimi Veri mes maleve të Valtellina-s o në qytet ku, në anët e përroit Mallero, lufton ende një përrallë. Rrufa errëson shijet, engjët e Rafael Albertit fluturojnë për t'u bërë pëllumba purpur-kaltër. Në Siçili shiu ka përzjerë hirin e Etnas në rrjedhat e shtigjeve (kush kërkon t'u zërë pritë ëndrrave syçelët prej vitesh?).
Hija e gondolierëve
Zëra të shqetësuar zbulojnë ditë me kalldrëm ethesh. Hapa, prapë hapa e pastaj heshtje dorëzuara dritës, dhe rrënoja. Shpejt, vera sillte ankth e lumturi pakufi, por seksi e shtynte vdekjen përmatanë dhe faji bëhej gjithnjë e më mënjanas e i pakapshëm. Shiko, thosha, si dallga rreh hijen e gondolierve më këmbë përballë diellit. Shiko, thoshe, se si dielli, mes këmbëve të mia, bëhet dritë. Dhe sytë, plazhe pa mbërritje kujtimesh, rishpikje, të mbytur e gjallë, të plagosur nga uji ranor i Lidos.
Mbyllur në shtëpi
Të gjesh fytyrën tënde mes grindjesh e zhurmash, braktisjesh dhe tiktakesh të një orë me bateri. Zhurmat e errëta flasin për një pritë; një skenë e përsëritur shumë herë zbulon se maska nuk e mbron më gënjeshtrën, tani që shiu papritur krijon çrregullime dhe ikje drejt shitoreve o supermaketeve. Di që prej kohësh nuk del nga shtëpia e që i kalon netët duke shkruar vargje (por këtë e kuptova tani që ke dalë nga libri).
Shenja të një katastrofe
Copë-copë, një peizazh resh që vjen nga Jugu mplekset me pemët më të larta, pranë shtyllave gjatë hekurudhës ku ndjehet zukama e filleve elektrike që mbështjellin filxhanët prej qeramike. Ndërsa thua që qielli është si xhami i ciflosur i tryezës së ngrënies, ankthi harxhon orët, por askush nuk merakoset për fatin tonë. Dashuria ngjan se sosi në gumëzhimën e vagonit. Në shtepi shikoje talefonin memec si shenjën e një katastrofe që dikush do ta kishte shpallur duke hapur portën e nuk kishe më dëshirë të këndojë gjatë dushit as kur të mblidhja shkumën mbi gjinj.
Muzgu i jetës
Pranvera i hidhet Veriut, e-mail-et kanë zëvendësuar telegrafin, thonë, por s'e di në di t'i lexosh. Engjëjt tanë janë gjetiu, në det të hapur, si zogjtë shtegtarë. Netët mufaten, bëhen fllucka kujtimesh por s'plasin dot. Zot!, fati ynë është një torturë e gjithmontë. Dhe është tamam këtu, thua, muzgu i jetës, ferri ynë. - Përktheu nga origjinali: Visar Zhiti -- Rrathët magjikë në poezinë e poetit italian Sebastiano Grasso VISAR ZHITI Poezia ngjan me ditët, që janë po ato e kurrë ato, gjë që Herakliti ua tha me kohë njerëzve, duke bërë krahasimin e kohës me ujin. Krahasimi në vetvete është edhe poezi. Uji është tjetër vazhdimisht si dhe format e tij janë të tjera gjithmonë. Teksa përsëriten, janë risi ashtu si ditët, madje secila është unikale. Dhe përjetimi po kështu. Dhe kjo ndjesi të përforcohet me poetin bashkëkohor italian Sebastiano Grasso, që ka në poezinë e tij dhe kohë dhe ujë, kujtesën e të dyjave, por mbi të gjitha lëndë dashurie, që është vetë dashuria. Poezia e tij, e ngjashme me të poetëve të tjerë, është dhe e vetja tërësisht siç është dhe jeta e tij. Ai shkruan sikur para tij s'ka patur poetë, por fillon me të, çdo gjë kërkon ta (ri)zbulojë vetë, pasi ta ketë përjetuar vetë. Gjithçka tek ai është dashuri, ose kujtim dashurie, njëlloj janë, madje kujtimi ndonjëherë është më i fortë, më real se realiteti. Edhe ëndrra e dashurisë kjo është. Jemi para vargjeve të një qartësie të pazakontë. Mbase kjo ka ardhur nga që poeti bën dhe gazetarin në "Corriere della Sera", në të përditshmen më të madhe italiane, ku kanë punuar dhe Eugenio Montale e Dino Buzzati, (prej të cilëve "ka trashëguar" faqen e Artit). Gazetari duhet të jetë i qartë. Dhe mbase kjo manierë është shpërngulur nga artikujt në vargje. Grasso ka shkruar edhe për Ibrahim Kodrën tonë, me të cilin ishte shumë mik. Edhe unë u bëra mik me ta gjatë qëndrimit tim në Milano. Te të dy kisha gjetur diçka magjepsëse, të cilën njëri e kthente në ngjyrë e tjetri në fjalë, poetikisht të dy. Ai vjen nga skaji më jugor i Italisë, nga Sicilia. Tani është dhe presidenti i PEN club-it italian. Përveç disa librave me përkthime nga frëngjishtja dhe spanjishtja, ka botuar përmbledhjet me vargje "Orizzonti lontani" ("Horizonte të largëta"), "Plaquette" ("Plaquette"), "Poesie fuori stagione" ("Poezi jashtë stine"), "Il giuoco della memoria" ("Loja e kujtesës"), "Pour Marie-Hélène" ("Për Marie-Helenën"), "Il poeta e il fantasma" ("Poeti dhe fantazma"). Dhe më pas një heshtje që zgjati 20 vjet. Në mijëvjeçarin e ri, pas vitit 2000, poeti takon (ri)zbulon dashurinë dhe dalin librat "Il tuo pube nero bufferá la morte", ("Pubja jote e zezë do ta tallë vdekjen"), "Sul monte di Venere" ("Mbi malin e Venerës), "La preghiera di una vergine" ("Lutja e një virgjëreshe"), "Il talco sotto le ballerine" ("Talk nën balerinat"). Prej librave të tij, veçmas ose antologji, përkthehen në Spanjë, (me parathënien e nobelistit José Saramago), në Rusi (me prolog nga poeti Evgjeni Jevtueshenko), në Poloni, në Suedi, (me hyrjen nga Jesper Svenbro), në Siri (me prezantim të Adonis, poetit më të madh arab sot). Nga përmbledhja e fundit, botuar më 2009, "Tu, in agguato sotto le palpebre" ("Ti, në grackën nën qepalla"), me leje të autorit, kemi zgjedhur këtë cikël me poezi për lexuesin tonë. Kanë thënë për poezinë e Sebastiano Grassos: Gruaja bëhet referim për të ndryshuar realitetin: nuk përfaqëson më realitetin, përkundrazi është realiteti që e përfaqëson... Sebastiano, guida ime e dashuruar, miku im, do të më zbulosh simfoninë tënde të ardhshme? Adonis (nga parathënia e botimit arabisht) A e dini se, si artist, më ka pushtuar? Erotizmi me thekse klasike dhe metropolitane (një panacé kundër impotencës së botës) të këtij simpatiku, çapkën sensual dhe i pashërueshëm... Poezitë e dashurisë të Sebastiano Grassos, edhe pse protagonistët nuk janë edhe aq të rinj, gërricen dhe kafshohen si këlushë, në fund të fundit i kanë dhënë jetë një libri të vërtetë aventure. Evgenij Evtushenko (nga parathënia e botimit rusisht) Duke iu shmangur ftesave të minimalizmit të viteve të tij dhe ofruar përkundrazi erërave të avanguardës së '900, pranohet Sebastiano tani të dekualifikojë rendin e gjërave dhe njëkohësisht të bashkojë në një mbrujtje moskuptueshmërinë e përgjithshme dhe kuptueshmërinë gjenerale. Leksioni surrealist nuk mund të gjente një projektim më të përzemërt dhe efikas... Ato përmblidhen në atë që është bërë stil ku simultaniteti neutral, damarëzuar nga absurdi i dukjeve, ka dy tërheqje, që zor të mbyten: vdekja dhe deti. Mario Luzi (nga parathënia e botimit italisht) Neruda kishte thënë: "Më pëlqen kur hesht, sepse është sikur mungon"... Kjo histori dashurie është, mbi të gjitha, historia e një shkëputjeje të lajmëruar. Trupat nuk njohin gjithçka, edhe pse asgjë nuk është e mundur pa to. José Saramago (nga parathënia e botimit spanjisht) Përktheu VISAR ZHITI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |