E Premte, 03.29.2024, 02:11pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

Poezi nga Elida BUÇPAPAJ


E Hënë, 03.30.2009, 12:52pm (GMT+1)

 

POEMË PËR URËN E TABAKËVE

Ura e Tabakëve në Tiranë

 

Përditë e kalëroj

Urën e Tabakëve

Si në një rit pagan

Fluturoj mbi të,

                ec, nxitoj,

vrapoj,

kërcej mbi të,                      

hallakatem,

tërbohem,

me flatra,

me flokët që m'i merr era...

 

 

Përditë e kalëroj

Urën e Tabakëve

Nga Berna

Nga Baseli,

brigjeve të Lumit Rin,

brigjeve të Lumit Aare,

buzë Ligjenit Léman,

nga çdo metropol Evropian,

në gjumë,

                zgjuar,

në ëndërr,

                zgjëndërr,

në delirin

e mallit

në rebelimin tim

memec...

 

 

 

Përditë e kalëroj

                Urën e Tabakëve

Një herë në ditë,

                dhjetë herë,

                                njëqind herë

kur e kam Malin e Dajtit

                pas shpinës,

kur jam me të

                sy më sy...

 

 

Përditë e kalëroj

                Urën e Tabakëve

Në mëngjez,

në mesditë,

në mesnatë,

në dimër,

në shi,

në vapën e gushtit,

në mbrëmjet e majit,

 

sa herë që humbas

në kaosin

e urbanizimit

të tranzicionit çakall

                                               të çakejve,

Ura e Tabakëve

                Është ciceronja

                Që më nxjerr

Nga ngujimi

i ankthit...

 

 

Përditë e kalëroj

Urën e Tabakëve

I hyp, i zbres,

kur kam mbathur

                                sandale, pandofla,

                çizme dimri,

                këpucë elegante,

                me taka të larta e

                                               e të holla

Apo kur jam çmbathur

                                               Zbathur

E gishtrinjtë

M'i çukasin gurët

E Urës së Tabakëve

Kur unë e kalëroj

Njëqind herë

në ditë

 

Kudo qofsha

Qofsha 20 mijë milje larg

Qofsha 13 vite larg

Unë prapë e prapë

Kaloj e çkaloj

Mbi Urën e Tabakëve

 

kur iki,

kur shkoj,

kur nisem,

kur nuk kthehem,

kur kthehem me mendje

Ura e Tabakëve

harku magjik

i një violine Stradivari

Far

I përjetshëm

I nënvetëdijës time.

 

8 Mars 2009

 

 


JAM SHI NË TIRANË

 

 

Jam shi në Tiranë

Që bie rrëke

Nëpër rrugët

Mbi pluhurin

e harresës

Ku janë shkërmoqur

pluhur

Si fosile antike

ditët e mia

 

Jam shi në Tiranë

I gjithi lot

Që gjarpëron

Mbi xhamat

e dritareve

Të shtëpisë time

 

Nga ku shoh

Orenditë e heshtura

Të mbuluara

nga pluhuri

jo metaforik

Prej mospranisë 11 vjeçare...

 

Jam shi në Tiranë

që bie me shtamba

kuturu

Që bie vrullshëm

dhe me dënesë,

që bie

bubullueshëm

dhe me kryeneçësi

që bie

si një lumë

i rrëmbyeshëm,

si Drini

pa fré,

për të përmbytur kohën

që më la të ikur prej Tiranës...

 

Reinach, 22 Prill 2007

 

 

KUR VJEN QERSHORI VRITET BARDHYL AJETI

 

 

Kur vjen qershori ikin mëritë,

Groposen dyshimet, varrosen pezmet

Kur vjen qershori gjumi bëhet zgjim

Zgjimi ngjizje dashurie

që merr me fluturim fushat e mbjella

dhe bëhet grurë për bukën e bardhë

Që mbush tavolinat e shtëpive

për të ngopur barkun e atyre fëmijëve

që Helàs,

nuk i lanë të lindin kurrë

 

Kur vjen qershori zemrat puqen si sqepat

E dallandysheve që ndërtojnë folenë

Në strehën e shtëpisë ku të pret nëna

Kur ikim dhe kthehemi

Sa herë herë që vjen Qershori...

 

Kur Qershori vjen

Mendimet e zeza marrin arratinë

Duke i ikur msheftas rrugës plot

Metafora

Që të afrojnë pragun e derës të shtëpisë

ku si Shën Mari qëndron përjetësisht

Nëna

 

Kur vjen qershori

Fëmijët shumohen si

Fijet e barit që ndrisin prej xixëllojve

Të syve të njeriut

gjatë një përqafimi dehje me trupin e jetës

në çastin më të bukur

që nuk guxon ta prekë askush

qoftë ky edhe vetë djalli

 

Kur vjen qershori

Askush nuk beson se vjen vdekja

Me shkëmbinj shiu

sepse në qershor shiu është

Lot gëzimit i agut të manushaqtë

Që i bën menjëherë nuset nëna

dhe reinkarnon jetën

 

Askush nuk dyshon se mund të vdesë në qershor

Sepse në qershor dyshimet zhduken

Si jehonat e zërit që përplasen si krah zogjsh nëpër

Foletë e fshehura degëve të rilindura të pyllit...

Tutje larg nëpër shpatullta e malit...

 

Aq më pak Bardhy Ajeti

Nuk besonte kurrë se mund të vdiste në qershor

Se mund t'i vinte vdekja në qershor

Me sytë e zgavërta të djallit

Në sfurkun e vetmisë

Sepse ishte besimtar i lirisë

Dhe liria nuk të lë kurrë vetëm,

se liria të shpëton, futet në zjarr për ty vetëm

të të heqë prej thonjve të vdekjes...

 

Gjithçka mund të bënte në qershor Bardhyl Ajeti

Gjëra që e lidhnin pazgjidhshmüerisht me jetën

Vetëm të vdiste jo, vetëm për të vdekur nuk i shkonte mendja kurrë

Bardhyl Ajetit

Aq më tepër kur qershori për shqiptarët e shumëzon si fëmijët

dëshirën për ta jetuar jetën

 

Bardhyl Ajeti mendonte se nuk ishte koha e tij për të vdekur

Kur posa kishte jetuar dehjen e 27 qershorëve

Dhe ishte në hyrje në qershorin e 28  të jetës së tij

Që mbeti i vrarë - pa stinën e verës, vjeshtën dhe dimrin,

që mbeti i varë në mes të rrugës, kur metaforat e shpresës

si gurë kilometrikë ia largonin vetminë

që e la të vritet në mes të rrugës që e çonte tek shtëpia

kur e pret nëna edhe sot e kësaj dite e mbuluar

nga velloja e pikëllimit kur dëgjon krakitjen

e cfurkut të djallit që edhe sot e kësaj dite

në mënyrë të llahtarëshme hedh vallen

mbi njollat e gjakut të Bardhylit

që nuk i lan dot shiu i fajit...

 

Kur vjen Qershori...

 

 

Qershor 2007

 

 

MIRËMËNGJEZ PARIS !

 

 

Mirëmëngjez Paris !

 

Sot

                jemi

                                gëdhirë

të dy

në një shtrat

Të dy të përgjumur

nga mosfjetja.

Unë bëj sikur

                të jem

një pariziane e thekur,

ndërsa ti bën sikur të jesh

pjesë monotone

                e përditshërisë

time...

 

Dal në rrugë

Si të jetë diçka

Rutinë

Marr taksinë

Sheshi Konkor 1)

Sheshi Vandom 2)

Harku i Triumfit

Del Etual 3)

Palé Ruajal 4)

 

Në një Kafé

buzë Senës

porosis kafe me qumësht,

si në poezinë

                                e Zhak Preverit

dhe pastaj

filloj të llogaris

një dhe një bëjnë dy

unë dhe ti Paris

 

Por llogaritë s'më dalin

Dhe filloj nga a para

Një dhe dy

bëjnë dy Paris,

unë banorja jote efemer

ndërsa ti dhe Sena eternel,

Paris...!

 

1)La Place de la Concorde Sheshi Konkord

2)La Place Vandôme Sheshi Vandom

3)L'Arc de Triomfe de L'Etoile Harku i Triumfit të Yllit

 


 

 

VAJZA E VOGËL ME EMRIN LULE

 

 

Trupi i vajzës së vogël

me fytyrë të tejpashme si uji

Drithërohet prej frikës

nëpër ujërat e ftohta

të Danubit

Frika që ia ka copëtuar zemrën

deri në çastin e fundit

Dhe nuk e ka lënë

kurmthin e njomë

që të humbasë

shtjellat.

 

Sa u mundua

vajza e vogël

që t'i mbetej një trumbë

kockash të imta

prej yjesh

ngulur në token e panjohur

që mos t'ia merrte uji i mallkuar

nëpër rrjedhën e ankthit

që e çonte aq larg shtëpisë

 

Vajza e vogël

me trupthin e zvogëluar

prej frikës

nga nata që e rrëmbeu

prej shtëpie

duke ia grisur dhe shqyer lodrat

prej të cilave ajo shpëtoi

vetëm vizatimin e fundit

të saj

ku me lapsat me ngjyra

kishte vizatuar

lule dhe shtëpinë e saj

në Kosovë

 

Vajza e vogël

që i mungon Kosovës

dhe që sot

do të ishte tetë vjeçe

por që mbeti

përjetësisht vetëm 5 vjeçe

me zemrën që vazhdon

t'i dridhet

si një fije bari,

nëpër ujërat e ftohtë

të Danubit të largët

larg shtëpisë,

ku çdo gjë është e huaj

dhe e akullt

më e akullt

se edhe vetë harrimi

 

Vajzë e vogël

që unë po të quaj LULE

Si ato lulet

që kishe vizatuar

në vizatimin tënd të fundit,

Të cilat unë i parafytyroj

më të bukurat e botës,

dhe që të gjitha lulet

që i shoh në natyrë

më duken krejt artificiale,

të pakuptimta, përderisa

ti vajza e vogël

me trupthin e holluar

prej ujrave të akullta të Danubit

ike duke zgjatur duart drejt nesh

që të të shpëtonim

dhe ne ishim aq të pafuqishëm

si të ishim njerëz prej qirinjsh

 

Ti krenoheshe me ne

vajza me trupthin e shkrirë

prej vetmisë

nëpër ujërat e akullta

të lumit të vdekjes

ndërsa ne ishim aq larg teje,

dhe ishim aq të pafuqishëm

aq sa ti je sot,

një trumbë eshtrash transparente

që shpirti yt i ka ruajtur aq shumë

duke iu lutur Zotit

që të t'i shpëtojë

prej lumit të frikshëm

e të t'i sjellë

të paktën në Kosovë...

 

Lotët e mi për ty vajza 5 vjeçare

me emrin Lule

e mbushin Danubin e zbrazur

prej urrejtjes

dhe mbushin

Drinin, Valbonën

sepse të lamë

në duart e tmerrit

të të rrëmbenin

prej duarve tona të thata

 

 

Të qarat e tua

më ndjekin në çdo çast

Të qarat e tua të lemerisura          

Ma kanë zhdukur përgjithmonë

gjumin

sepse nuk munda të të shpëtoj

dhe të lashë

në duar kuçedrash

 

Asnjëri prej nesh

nuk i shkoi pranë

që t'ia zbuste frikën vajzës së vogël,

trupthi i së cilës ishte

 zvogëluar edhe më tepër prej mungesës

sonë

nëpër ujërat e akullt të Danubit

që ia mbyti të qarat

e fundit vajzës së vogël

5 vjeçe me emrin Lule...

Medet...

 

1999-2000

 

 

 

E MBYTUR ORANZH

 

 

Jam zhytur

Në oranzhin

E vjeshtës Berneze

Jam mbytur

Në oranzhin

E vjeshtës

Berneze

Oranzh kam flokët

Mollëzat e gishtave

Fjalët, ahmat,

gjithçka oranzh

 

Asgjë nuk mund të ndaj

nga kallja në oranzh

as frymën, as gjakun

Trajtat

lakimet

notojnë në oranzh

mbyten në oranzh

askush

nuk e dallon dot

pikëllimin tim oranzh

as gjymtyrët e mi

as mbytjen time

sepse plluskat

e fundit

të frymës time

janë përsëri oranzh

 

Vetëm djali im

i vogël foshnje,

se i madh

jo nuk mundet

vetëm djalka-bébé

më shquan gjirin

tim oranzh

me qumështin e

gjirit oranzh

jo sepse gjiri duket

por sepse ai e ndjen

aromën e tamblit

megjithëkëtë foshnja ime

nuk ia tregon dot

askujt

shtjellën time

oranzh

sepse

ai është vetëm disa muajsh

dhe artikulon vetëm tinguj

e tingujt

e tij

i kuptoj

vetëm unë oranzh

me pikëllimin oranzh

e mbytur në oranzh

në detin e gjetheve oranzh

...

 

 


 

 

MË HUMBI QIELLI

 

 

 

Më humbi qielli

E kaltra

Bluja

E rimta

Violeti

Atje ku lind dielli

E çel dita

 

Më humbi qielli

Mori shtegtimin

Për në Jug

I mori me vete

Yjtë,

Hënën,

Kashtën e Kumtrit,

që ne e njohim si

Rrugën e Qumështit

 

Më iku qielli

Iu arratis

Helmetave

Heshtave

Të shigjetarëve

Prej resh

Të murrëta

Si nëntoka

 

Më iku qielli

E përpiu

Mjergulla

E ngërdheshur

E ngërçosur

Me flokë

Të kreshpëruara

Si gjëmbaçë Ferri

 

Më humbi qielli

Me orë

Me ditë

Me javë

me netë

me muaj

 

Më humbi qielli

bashkë me thesarët e tij

personalë

me diellin

hënën

 

me të gjitha konstelacionet    

me Arushën e Madhe

me Arushën e Vogël

me meteoritët,

me kometat

ylberët

avionët

 

Më humbi qielli

I humba qiellit

I humbëm njëri-tjetrit

Ai bashkë

me thesaret e tij

iu arratis

Prangave

Të reve dhe mjergullës

Për në Jug....

 

Bernë 1998 Reinach, Qershor 2007

 

 

 


LIQENI LEMAN & LIQENI I OHRIT

 

 

Liqeni Léman

I mbushur

Me shiun

Prej loti

Të cironkave

                Zemërmira

Të Liqenit

të Ohrit

Që përkund

si djep

Trupin e dremitur

Të qytetit

Që bie erëmollë

Vagëllyer

Prej Perëndimit

Që e mori

                Me vete

Poeti*

Në ikjen e tij

                Të fundme

Në shtëpinë

                E ndërtuar

me gjethet

E verdha të plepit

Që e lëkund

Si kaike

Vala e Liqenit

Të Ohrit,

me Oh...

 

 

* Lasgush Poradeci

 

Gjenevë, maj 2007

 


 

 

IN CONTUNICIAM NË MUNGESË

 

 

Tani është

                Koha e përshtatëshme

Nuk ka arsye

                Pse të të rrahë

Zemra

 

Nuk ka shkas

                Pse

Të të ikë

                Zëri

 

Kjo është koha

                Më e përshtatëshme

Si rruga

                Hipotenuzë

Larg përgjumjes

                Dhe zgjimit

Si mesorja

e baraslargimit

 

Këtu nuk ka as mëri

                As zili

Është koha e përshtatëshme

                Për tartabiqet

Kur s'dukesh

                As si hije

                As si hir njerëzor

 

Vetëm Zarathustra

Kërkon drejtësi

                Por kot lodhet

                Se tartabiqet

Nuk lexojnë

asnjë libër

tartabiqet

                njohin veç krimin

ta kryejnë

                në mes

                                të natës

apo atëhere

                kur ti mungon

sepse

                në praninë tënde

                u shpëton vetëm shurra

               

Tani është koha

                Më e përshtatëshme

                Për ta urryer farën

Sepse i gjithë

                Rendi alfabetik

Ka ndërruar

Rradhën

Zanoret bashkë me

Diftongjet

I kanë shkulur

                Krejt

Hunët dhe gotët e Jugut

Dhe intelekti

                Ka zënë rishtas fill

Atëhere

                Kur mungojnë

Figurat dhe tingujt

 

Ky nuk është kthim

Në Natyrë

Por kthim

Në Ferrin

                E Antiarsyes

Atëhere

Kur mungonin

                Papiruset

Kur mungonin

Fare vizatimet

Nëpër vazot dhe amforat

 

Tani është

                Koha më e papërshtatëshme

                                Në ngjyrë

të bardhë

që Egjyptianët e lashtë

                e barazonin

me heshtjen e faraonëve

nëpër sarkofagë

kur shpirti

i të gjithë Ramseseve

kishte zbritur

përposht

 

Tani është

                Koha

Më e përshtatëshme

                                Që i përngjet

Hieroglifeve

Kur bota

                Nuk ka kohë më

Që të lexojë

               

                                Asnjë libër

Dhe të gjitha librat

                I lexon mbrapsht

Dhe pas asnjë

Zanore

Prej nga vjen zëri

Përshembull

Fjalën "lavdi"

                E lexon "dvl"

Një kakofoni e vërtetë

                Bashkëtingëlloresh

Të dimrit

                Siberian

                E bardhë

                E pagjurmë

Pa asnjë putër ariu

Dhe

                Këmbkë lepuri...

E bardhë...

 



 

 

IKJA NGA TIRANA TRISHTIMI IM PA FUND

 

 

 

Trishtimi im pa fund

i humbur

në një cep

të panjohur të botës,

ku nuk shkel kurrë

këmba e njeriut,

trishtimi im

një zog shtegtar i këputur

si gjethe

nga lodhja prej shtegtimit

mbi oqean,

që e përpin dallga,

dhe nuk mbetet asgjë

 

 

Trishtimi im për shiun

që shkretëtira e përpiu

pa kthim nëpër

barkun përbindshror,

që shkretëtira e mbyti

si një det i egërsuar

dhe nuk e la të kthehet

si zogjtë shtegtarë,

në pranverë 

për të ndërtuar

rishtas

foletë nën ballkonin

e shtëpisë time

prej nga shihja Dajtin

dhe lindjen e diellit

 

Trishtimi im pa fund

për shtëpinë,

që kam 11 vjet larguar,

që i ka tejkaluar

baladat mesjetare,

ku distancat

dhe largësitë shkonin

shtatë deri në nëntë vjet

 

trishtimi im është bërë 11 vjeçar,

sa Endriti i vogël,

që lindi në Bernë

dhe nuk njihet ende

me Tiranën...

nuk ia njeh Tiranës ato

që unë i ruaj fort në zemër,

si gurë të çmuar...

dhe kjo mosnjohje absurde

më bën të ndihem fajtore,

paçka se kur i ika Tiranës besoja se

do t'i kthehesha vrik

për të parë perëndimin e kuq diellit

në një mbrëmje vjeshte,

sepse  kthimin

e kam pasur në mendje

dhe zemër

sapo avioni

u ngrit nga pista

e aeroportit të Tiranës,

11 vjet më parë...

nëpër qiellin e rimtë

të një pranvere të paharruar,

të fiksuar

në palimsestin

e memories....

 

 

TRISHTIMI IM

 

 

Trishtimi im

është vjeshta

Është shiu që

ma mbyt qiellin,

që ma kthen qiellin në det

të mbuluar dhe

fshehur nga mjergulla,

 

Trishtimi im

është kjo gjethe e verdhë

që u nda

me ahma

nga dega

dhe që unë

nuk do ta shoh kurrë më

nga dritarja,

sepse nuk do të shihemi

bashkë kurrë më.

 

Vjeshta është

Trishtimi im pa cak

Në qiellin e burgosur

Prej resh

Si kulla

Ngujimi

Të jetuara prej

Pikëllimit

të moskthimit

 

 

 

 

 

BALADA E 3500 NËNAVE SHQIPTARE QË PRESIN 3500 DJEMTË E ZHDUKUR

 

 

 

Janë 3500 nëna Shqiptare

që presin zgjuar,

që nuk vënë gjumë në sy

prej katër vitesh,

që nuk e njohin më gjumin,

as natën as ditën,

që vigjëlojnë

natën dhe ditën

në pritjen e pafundme,

që matet me sekonda,

minuta, orë,

ditë, javë, muaj,

kur ndërrohen stinët,

në verë dhe dimër,

kur vjen Viti i Ri,

kur vijnë ditëlindjet

e 3500 djemve.

 

 

Janë 3500 Nëna Shqiptare

që presin

me sy të skuqur prej lotëve,

që rrjedhin

si burime të pashterrëshme,

me sy që nuk mbyllen kurrë

prej nga burojnë ujvara lotësh,

që kthehen në burime drite

për të kërkuar

dhe gjetur

loçkën e zemrës.

 

Janë 3500 nëna Shqiptare

që presin 3500 djem

Që janë 3500 bij,

Që janë 3500 vëllezër,

Që janë 3500 burra,

Që janë 3500 bashkëshortë,

Që janë 3500 etër

Për të paktën 10.000 fëmijë

Që presin përkëdheljet

e etërve të tyre,

Apo që presin të lindin,

Sepse Kosova

është tokë pjellore

dhe e bekuar

që lind shumë fëmijë...

 

 

Janë 3500 nëna Shqiptare

që presin

kthimin e djemve të tyre,

Që qendrojnë me zemra

të ngrira,

akull,

Me zemra të dridhura,

sikur mbajnë tërmetin

 

 

Janë 3500 nëna Shqiptare

që qëndrojnë si statuja

me  vështrimin 

e ngulur nga dritarja,

me vështrimin

e ngulur tek dera,

se ja,

mos hapet dera

dhe vjen djali,

se ja

mos troket dera

dhe vjen lajmi s

e djali u gjet i gjallë,

sepse beson se Zoti

prej dashurisë që ka zemra e nënës

mund t'ia rikthejë jetën

loçkës së saj,

prej një grusht eshtrash

mbuluar nga dhéu i huaj,

që rëndon

si mal

mbi trupin e djalit

dhe zemrën e nënës.

 

 

Janë 3500 nëna Shqiptare

që presin,

pritja e tyre

nuk shterr kurrë,

durimi i tyre

nuk shterr kurrë,

për të pritur

që loçkat e tyre

më në fund

le të kthehen në shtëpi

sepse ka tri vjet

që lufta ka mbaruar,

dhe lufta kur mbaron,

mbaron për të gjithë,

Atdheu është i bekuar

për të gjithë bijtë e tij,

                                                                             

liria është e bekuar

për të gjithë bijtë e saj,

edhe për 3500 djemtë

e nënave Shqiptare

edhe për 3500 uraganët

e mbuluar nga heshtja

dhe harrimi i vëllezërve

të një gjaku,

liria është e bekuar vetëm

kur vëllezërit e një gjaku

shndërrohen me zemër

në 3500 djemtë uraganë

të 3500 nënave shqiptare

kthyer në 3500 Statuja Lirije

që presin pa shterrje,

pa shterrim deri në vetmohim,

deri në vetsakrificën sublime,

liria nuk është e bekuar

kur vëllezërit e një gjaku

i mbulojnë me harrimin e rëndë

si dheu i huaj

3500 djem uraganë shqiptarë

dhe 3500 zemra nënash,

që me mallkimet e tyre shkaktojnë tërmete,

ndërsa me bekimet

paqen dhe qetësinë që i duhet Atdheut...

 

 

 

TROKU I KALIT TË TROJËS NË VERI

 

 

Prej lënde ujore

                E shkitëshme

U enda

E harlisur

Marmarasë

Mesdheut

Sepse

Qëllova bijë

                E Perëndisë së Ujit

Që gjallon

Dhe frymon gijthçka

Myshqet,

algat,

mbretërinë e peshqëve,

breshkat,

meduzat,

sirenat,

bimësinë

dhe frutat e detit,

që gjallon

trupin tim

                prej lënde ujore

notuese

që më shtynte

drejt ujrave

të Egjeut

Që më lypte

                Me kumtin

                E ujrave të ngrohta

Ngashnjyese,

thithëse,

manjetike

duke e bërë rrymën të më tërhiqte

e çonte drejt Smirnës,

ku poeti i verbër,

Homeri gabimisht më mori

                Për Helenën

Megjithëse iu betova

se nuk isha Helena,

se isha ilire

prej fillimit tim

fisit ilir të Enkelejve,

Por Homeri

                Ngulmonte

                                Trillak

Të kthehesha në Trojën

e rrënuar

ku zgjuar si kukudh

rri vetëm Kali i mallkuar dhe

i nëmur

nga e gjithë

fara e njerëzve

brez pas brezi

sepse nga pabesia e tij

të gjithë u vranë

ose u shitën

si skllevër lirihumbur

 

Por Kali i kobtë mbeti

për të mashtruar rishtas

edhe Homerin

se Troja ishte

se Helena isha unë

e gatëshme kësaj rradhe

për të ndalur rrënimin

për t'i besuar

ëndërrës lemeritëse

të Kasandrës

dhe për të mos e pranuar

dhuratën dinake

të Ulisit...

 

Poeti i verbër, ishte i bindur

Se do t'ja risillja

Dritën

E syve që i iku atëhere

Kur u shkrumbua Troja

 

Unë isha e gatëshme t'i besoja

Fuqive të mija

si magjistare

mjafton

që Homerit

t'i rikthehej

shikimi

për të parë

se nuk isha Helena

por një grua e re ilire,

që nuk kishte bërë

asnjë tradhëti njerëzore

ndërsa tani po bënte

gjithçka

për të ndalur trokun

e Kalit të Trojës

drejt Veriut

në tokat ilire,

duke ia ndryshuar

drejtimin

si dhe duke iu lutur Zotave të Olimpit

vetë Zeusit

të dërgonte një stuhi

përpirëse

e Kali i Drunjtë,

që ka pjellë pas Trojës sa e sa pabesi,

të fshihej përfundimisht

nga faqja e dheut...

 

 

 

NËPËR RRJEDHËN E NILIT

 

 

E kam parë

                nga afër deltën

dhe rrjedhën

e Nilit

 

Që të dyja

së bashku

                formonin

çelësin

e fatit

të jetës

të cilin

                mua

një natë vere

egjyptianase

ma fali

                Kleopatra

e penduar

                për pabesitë e veta

 

 

Unë e kam

deltën dhe rrjedhën

e Nilit

në pëllëmbën

                e dorës time

ku Njëshi

në mes të pëllëmbës

më ka shënuar

Yllin Polar

                dhe Horoskopo kinez

                më ka dhuruar

shenjën

                e luaneshës

me dhunti

që m'i ka falur

Zoti

dhe Qoftëlargun

e shndërruar

në laryshi trajtash

vetëm

të shëmtuara

për syrin dhe shpirtin

njerëzor

e mbyti në Nil

rrjedhën e të cilit

                                               unë e përshkova

prej

                Deltës

deri në

Liqenin Naser

tek gjarpëronte

midis papiruseve të gjelbër

bananeve dhe mangove

midis diellit zhuritës

dhe shkretëtirës të ftohtë

të natës

                të Saharës

duke ndaluar

                nëpër të gjithë tempujt dhe

portikët

midis fjalëve

të ciceronëve

dhe

perpendikulares

të rrezes të diellit

që e zbukuron

alabastrën

dhe të një vajze të vogël

Vendase

që më kërkonte

të kuqin e buzëve

                për t'ja lyer buzët e bukura

dhe unë nuk kam

për ta parë më

atë vajzë të vogël

megjithëse

do të kthehem në

Western Bank

sepse Deltën

dhe rrjedhën e Nilit

si çelësin

e kam në

pëllëmbën e dorës...

 

rrjedhën e Lindjes

                së Nilit

                                si kulmet

e mbretërimeve

të Faraonëve

atëhere

                kur nuk u shkonte

nëpër mend

assesi

të nisnin skllevërit

për të mbartur gurët

dhe të përfytyronin

                se si do të dukeshin

nëpër sarkofage

                hiret e grave

                                               të dashura

dhe të ndërtonin pastaj

                                               piramidat

dhe Sfinksin....

 

 

 

               

 

 

Elida Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Nëna ime i bindej Zotit gjithsesi, ndonëse si çdo Nënë, do të donte që mua, para së gjithash mua, të më kishte bërë të përjetshëm - Poezi nga Skënder Buçpapaj (03.14.2009)
Ku ka tretur loti im ? Kush e ka gjetur ? - Poezi të reja nga Vehbi SKËNDERI (02.24.2009)
Los Angeles Times: Disident ose jo Ismail Kadare mbetet i madh (02.19.2009)
KJO DASHURI E DRIDHSHME NGA FRIKA SI FËMIJA NË TERR (02.11.2009)
Xhejms Xhojs irlandezi kryengritës gjeinu i letrave botërore (02.03.2009)
I çmendur pas Shakirës - Nga Gabriel Garcia Marquèz (01.27.2009)
Tomas Shter Elioti, Poeti i Tokës, Ajrit, Ujit dhe Zjarrit (12.30.2008)
FRAZA POETIKE TË ARTUR REMBOSË (1854-1891 ) (12.21.2008)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]