VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Poezi nga Elida BUÇPAPAJE Hënë, 03.30.2009, 12:52pm (GMT1)
POEMË PËR URËN E TABAKËVE Ura e Tabakëve në Tiranë Përditë e kalëroj Urën e Tabakëve Si në një rit pagan Fluturoj mbi të, ec, nxitoj, vrapoj, kërcej mbi të, hallakatem, tërbohem, me flatra, me flokët që m'i merr era... Përditë e kalëroj Urën e Tabakëve Nga Berna Nga Baseli, brigjeve të Lumit Rin, brigjeve të Lumit Aare, buzë Ligjenit Léman, nga çdo metropol Evropian, në gjumë, zgjuar, në ëndërr, zgjëndërr, në delirin e mallit në rebelimin tim memec... Përditë e kalëroj Urën e Tabakëve Një herë në ditë, dhjetë herë, njëqind herë kur e kam Malin e Dajtit pas shpinës, kur jam me të sy më sy... Përditë e kalëroj Urën e Tabakëve Në mëngjez, në mesditë, në mesnatë, në dimër, në shi, në vapën e gushtit, në mbrëmjet e majit, sa herë që humbas në kaosin e urbanizimit të tranzicionit çakall të çakejve, Ura e Tabakëve Është ciceronja Që më nxjerr Nga ngujimi i ankthit... Përditë e kalëroj Urën e Tabakëve I hyp, i zbres, kur kam mbathur sandale, pandofla, çizme dimri, këpucë elegante, me taka të larta e e të holla Apo kur jam çmbathur Zbathur E gishtrinjtë M'i çukasin gurët E Urës së Tabakëve Kur unë e kalëroj Njëqind herë në ditë
Kudo qofsha Qofsha 20 mijë milje larg Qofsha 13 vite larg Unë prapë e prapë Kaloj e çkaloj Mbi Urën e Tabakëve kur iki, kur shkoj, kur nisem, kur nuk kthehem, kur kthehem me mendje Ura e Tabakëve harku magjik i një violine Stradivari Far I përjetshëm I nënvetëdijës time. 8 Mars 2009
JAM SHI NË TIRANË Jam shi në Tiranë Që bie rrëke Nëpër rrugët Mbi pluhurin e harresës Ku janë shkërmoqur pluhur Si fosile antike ditët e mia Jam shi në Tiranë I gjithi lot Që gjarpëron Mbi xhamat e dritareve Të shtëpisë time Nga ku shoh Orenditë e heshtura Të mbuluara nga pluhuri jo metaforik Prej mospranisë 11 vjeçare... Jam shi në Tiranë që bie me shtamba kuturu Që bie vrullshëm dhe me dënesë, që bie bubullueshëm dhe me kryeneçësi që bie si një lumë i rrëmbyeshëm, si Drini pa fré, për të përmbytur kohën që më la të ikur prej Tiranës... Reinach, 22 Prill 2007 KUR VJEN QERSHORI VRITET BARDHYL AJETI
Kur vjen qershori ikin mëritë, Groposen dyshimet, varrosen pezmet Kur vjen qershori gjumi bëhet zgjim Zgjimi ngjizje dashurie që merr me fluturim fushat e mbjella dhe bëhet grurë për bukën e bardhë Që mbush tavolinat e shtëpive për të ngopur barkun e atyre fëmijëve që Helà s, nuk i lanë të lindin kurrë Kur vjen qershori zemrat puqen si sqepat E dallandysheve që ndërtojnë folenë Në strehën e shtëpisë ku të pret nëna Kur ikim dhe kthehemi Sa herë herë që vjen Qershori... Kur Qershori vjen Mendimet e zeza marrin arratinë Duke i ikur msheftas rrugës plot Metafora Që të afrojnë pragun e derës të shtëpisë ku si Shën Mari qëndron përjetësisht Nëna Kur vjen qershori Fëmijët shumohen si Fijet e barit që ndrisin prej xixëllojve Të syve të njeriut gjatë një përqafimi dehje me trupin e jetës në çastin më të bukur që nuk guxon ta prekë askush qoftë ky edhe vetë djalli Kur vjen qershori Askush nuk beson se vjen vdekja Me shkëmbinj shiu sepse në qershor shiu është Lot gëzimit i agut të manushaqtë Që i bën menjëherë nuset nëna dhe reinkarnon jetën Askush nuk dyshon se mund të vdesë në qershor Sepse në qershor dyshimet zhduken Si jehonat e zërit që përplasen si krah zogjsh nëpër Foletë e fshehura degëve të rilindura të pyllit... Tutje larg nëpër shpatullta e malit... Aq më pak Bardhy Ajeti Nuk besonte kurrë se mund të vdiste në qershor Se mund t'i vinte vdekja në qershor Me sytë e zgavërta të djallit Në sfurkun e vetmisë Sepse ishte besimtar i lirisë Dhe liria nuk të lë kurrë vetëm, se liria të shpëton, futet në zjarr për ty vetëm të të heqë prej thonjve të vdekjes... Gjithçka mund të bënte në qershor Bardhyl Ajeti Gjëra që e lidhnin pazgjidhshmüerisht me jetën Vetëm të vdiste jo, vetëm për të vdekur nuk i shkonte mendja kurrë Bardhyl Ajetit Aq më tepër kur qershori për shqiptarët e shumëzon si fëmijët dëshirën për ta jetuar jetën Bardhyl Ajeti mendonte se nuk ishte koha e tij për të vdekur Kur posa kishte jetuar dehjen e 27 qershorëve Dhe ishte në hyrje në qershorin e 28 të jetës së tij Që mbeti i vrarë - pa stinën e verës, vjeshtën dhe dimrin, që mbeti i varë në mes të rrugës, kur metaforat e shpresës si gurë kilometrikë ia largonin vetminë që e la të vritet në mes të rrugës që e çonte tek shtëpia kur e pret nëna edhe sot e kësaj dite e mbuluar nga velloja e pikëllimit kur dëgjon krakitjen e cfurkut të djallit që edhe sot e kësaj dite në mënyrë të llahtarëshme hedh vallen mbi njollat e gjakut të Bardhylit që nuk i lan dot shiu i fajit... Kur vjen Qershori... Qershor 2007 MIRËMËNGJEZ PARIS !
Mirëmëngjez Paris ! Sot jemi gëdhirë të dy në një shtrat Të dy të përgjumur nga mosfjetja. Unë bëj sikur të jem një pariziane e thekur, ndërsa ti bën sikur të jesh pjesë monotone e përditshërisë time... Dal në rrugë Si të jetë diçka Rutinë Marr taksinë Sheshi Konkor 1) Sheshi Vandom 2) Harku i Triumfit Del Etual 3) Palé Ruajal 4) Në një Kafé buzë Senës porosis kafe me qumësht, si në poezinë e Zhak Preverit dhe pastaj filloj të llogaris një dhe një bëjnë dy unë dhe ti Paris Por llogaritë s'më dalin Dhe filloj nga a para Një dhe dy bëjnë dy Paris, unë banorja jote efemer ndërsa ti dhe Sena eternel, Paris...! 1)La Place de la Concorde Sheshi Konkord 2)La Place Vandôme Sheshi Vandom 3)L'Arc de Triomfe de L'Etoile Harku i Triumfit të Yllit
VAJZA E VOGËL ME EMRIN LULE Trupi i vajzës së vogël me fytyrë të tejpashme si uji Drithërohet prej frikës nëpër ujërat e ftohta të Danubit Frika që ia ka copëtuar zemrën deri në çastin e fundit Dhe nuk e ka lënë kurmthin e njomë që të humbasë shtjellat. Sa u mundua vajza e vogël që t'i mbetej një trumbë kockash të imta prej yjesh ngulur në token e panjohur që mos t'ia merrte uji i mallkuar nëpër rrjedhën e ankthit që e çonte aq larg shtëpisë Vajza e vogël me trupthin e zvogëluar prej frikës nga nata që e rrëmbeu prej shtëpie duke ia grisur dhe shqyer lodrat prej të cilave ajo shpëtoi vetëm vizatimin e fundit të saj ku me lapsat me ngjyra kishte vizatuar lule dhe shtëpinë e saj në Kosovë Vajza e vogël që i mungon Kosovës dhe që sot do të ishte tetë vjeçe por që mbeti përjetësisht vetëm 5 vjeçe me zemrën që vazhdon t'i dridhet si një fije bari, nëpër ujërat e ftohtë të Danubit të largët larg shtëpisë, ku çdo gjë është e huaj dhe e akullt më e akullt se edhe vetë harrimi Vajzë e vogël që unë po të quaj LULE Si ato lulet që kishe vizatuar në vizatimin tënd të fundit, Të cilat unë i parafytyroj më të bukurat e botës, dhe që të gjitha lulet që i shoh në natyrë më duken krejt artificiale, të pakuptimta, përderisa ti vajza e vogël me trupthin e holluar prej ujrave të akullta të Danubit ike duke zgjatur duart drejt nesh që të të shpëtonim dhe ne ishim aq të pafuqishëm si të ishim njerëz prej qirinjsh Ti krenoheshe me ne vajza me trupthin e shkrirë prej vetmisë nëpër ujërat e akullta të lumit të vdekjes ndërsa ne ishim aq larg teje, dhe ishim aq të pafuqishëm aq sa ti je sot, një trumbë eshtrash transparente që shpirti yt i ka ruajtur aq shumë duke iu lutur Zotit që të t'i shpëtojë prej lumit të frikshëm e të t'i sjellë të paktën në Kosovë... Lotët e mi për ty vajza 5 vjeçare me emrin Lule e mbushin Danubin e zbrazur prej urrejtjes dhe mbushin Drinin, Valbonën sepse të lamë në duart e tmerrit të të rrëmbenin prej duarve tona të thata Të qarat e tua më ndjekin në çdo çast Të qarat e tua të lemerisura Ma kanë zhdukur përgjithmonë gjumin sepse nuk munda të të shpëtoj dhe të lashë në duar kuçedrash Asnjëri prej nesh nuk i shkoi pranë që t'ia zbuste frikën vajzës së vogël, trupthi i së cilës ishte zvogëluar edhe më tepër prej mungesës sonë nëpër ujërat e akullt të Danubit që ia mbyti të qarat e fundit vajzës së vogël 5 vjeçe me emrin Lule... Medet... 1999-2000
E MBYTUR ORANZH Jam zhytur Në oranzhin E vjeshtës Berneze Jam mbytur Në oranzhin E vjeshtës Berneze Oranzh kam flokët Mollëzat e gishtave Fjalët, ahmat, gjithçka oranzh Asgjë nuk mund të ndaj nga kallja në oranzh as frymën, as gjakun Trajtat lakimet notojnë në oranzh mbyten në oranzh askush nuk e dallon dot pikëllimin tim oranzh as gjymtyrët e mi as mbytjen time sepse plluskat e fundit të frymës time janë përsëri oranzh Vetëm djali im i vogël foshnje, se i madh jo nuk mundet vetëm djalka-bébé më shquan gjirin tim oranzh me qumështin e gjirit oranzh jo sepse gjiri duket por sepse ai e ndjen aromën e tamblit megjithëkëtë foshnja ime nuk ia tregon dot askujt shtjellën time oranzh sepse ai është vetëm disa muajsh dhe artikulon vetëm tinguj e tingujt e tij i kuptoj vetëm unë oranzh me pikëllimin oranzh e mbytur në oranzh në detin e gjetheve oranzh ...
MË HUMBI QIELLI
Më humbi qielli E kaltra Bluja E rimta Violeti Atje ku lind dielli E çel dita Më humbi qielli Mori shtegtimin Për në Jug I mori me vete Yjtë, Hënën, Kashtën e Kumtrit, që ne e njohim si Rrugën e Qumështit Më iku qielli Iu arratis Helmetave Heshtave Të shigjetarëve Prej resh Të murrëta Si nëntoka Më iku qielli E përpiu Mjergulla E ngërdheshur E ngërçosur Me flokë Të kreshpëruara Si gjëmbaçë Ferri Më humbi qielli Me orë Me ditë Me javë me netë me muaj Më humbi qielli bashkë me thesarët e tij personalë me diellin hënën me të gjitha konstelacionet me Arushën e Madhe me Arushën e Vogël me meteoritët, me kometat ylberët avionët Më humbi qielli I humba qiellit I humbëm njëri-tjetrit Ai bashkë me thesaret e tij iu arratis Prangave Të reve dhe mjergullës Për në Jug.... Bernë 1998 Reinach, Qershor 2007 LIQENI LEMAN & LIQENI I OHRIT Liqeni Léman I mbushur Me shiun Prej loti Të cironkave Zemërmira Të Liqenit të Ohrit Që përkund si djep Trupin e dremitur Të qytetit Që bie erëmollë Vagëllyer Prej Perëndimit Që e mori Me vete Poeti* Në ikjen e tij Të fundme Në shtëpinë E ndërtuar me gjethet E verdha të plepit Që e lëkund Si kaike Vala e Liqenit Të Ohrit, me Oh... * Lasgush Poradeci Gjenevë, maj 2007 IN CONTUNICIAM NË MUNGESË Tani është Koha e përshtatëshme Nuk ka arsye Pse të të rrahë Zemra Nuk ka shkas Pse Të të ikë Zëri Kjo është koha Më e përshtatëshme Si rruga Hipotenuzë Larg përgjumjes Dhe zgjimit Si mesorja e baraslargimit Këtu nuk ka as mëri As zili Është koha e përshtatëshme Për tartabiqet Kur s'dukesh As si hije As si hir njerëzor Vetëm Zarathustra Kërkon drejtësi Por kot lodhet Se tartabiqet Nuk lexojnë asnjë libër tartabiqet njohin veç krimin ta kryejnë në mes të natës apo atëhere kur ti mungon sepse në praninë tënde u shpëton vetëm shurra Tani është koha Më e përshtatëshme Për ta urryer farën Sepse i gjithë Rendi alfabetik Ka ndërruar Rradhën Zanoret bashkë me Diftongjet I kanë shkulur Krejt Hunët dhe gotët e Jugut Dhe intelekti Ka zënë rishtas fill Atëhere Kur mungojnë Figurat dhe tingujt Ky nuk është kthim Në Natyrë Por kthim Në Ferrin E Antiarsyes Atëhere Kur mungonin Papiruset Kur mungonin Fare vizatimet Nëpër vazot dhe amforat Tani është Koha më e papërshtatëshme Në ngjyrë të bardhë që Egjyptianët e lashtë e barazonin me heshtjen e faraonëve nëpër sarkofagë kur shpirti i të gjithë Ramseseve kishte zbritur përposht Tani është Koha Më e përshtatëshme Që i përngjet Hieroglifeve Kur bota Nuk ka kohë më Që të lexojë Asnjë libër Dhe të gjitha librat I lexon mbrapsht Dhe pas asnjë Zanore Prej nga vjen zëri Përshembull Fjalën "lavdi" E lexon "dvl" Një kakofoni e vërtetë Bashkëtingëlloresh Të dimrit Siberian E bardhë E pagjurmë Pa asnjë putër ariu Dhe Këmbkë lepuri... E bardhë... IKJA NGA TIRANA TRISHTIMI IM PA FUND Trishtimi im pa fund i humbur në një cep të panjohur të botës, ku nuk shkel kurrë këmba e njeriut, trishtimi im një zog shtegtar i këputur si gjethe nga lodhja prej shtegtimit mbi oqean, që e përpin dallga, dhe nuk mbetet asgjë Trishtimi im për shiun që shkretëtira e përpiu pa kthim nëpër barkun përbindshror, që shkretëtira e mbyti si një det i egërsuar dhe nuk e la të kthehet si zogjtë shtegtarë, në pranverë për të ndërtuar rishtas foletë nën ballkonin e shtëpisë time prej nga shihja Dajtin dhe lindjen e diellit Trishtimi im pa fund për shtëpinë, që kam 11 vjet larguar, që i ka tejkaluar baladat mesjetare, ku distancat dhe largësitë shkonin shtatë deri në nëntë vjet trishtimi im është bërë 11 vjeçar, sa Endriti i vogël, që lindi në Bernë dhe nuk njihet ende me Tiranën... nuk ia njeh Tiranës ato që unë i ruaj fort në zemër, si gurë të çmuar... dhe kjo mosnjohje absurde më bën të ndihem fajtore, paçka se kur i ika Tiranës besoja se do t'i kthehesha vrik për të parë perëndimin e kuq diellit në një mbrëmje vjeshte, sepse kthimin e kam pasur në mendje dhe zemër sapo avioni u ngrit nga pista e aeroportit të Tiranës, 11 vjet më parë... nëpër qiellin e rimtë të një pranvere të paharruar, të fiksuar në palimsestin e memories.... TRISHTIMI IM
Trishtimi im është vjeshta Është shiu që ma mbyt qiellin, që ma kthen qiellin në det të mbuluar dhe fshehur nga mjergulla, Trishtimi im është kjo gjethe e verdhë që u nda me ahma nga dega dhe që unë nuk do ta shoh kurrë më nga dritarja, sepse nuk do të shihemi bashkë kurrë më. Vjeshta është Trishtimi im pa cak Në qiellin e burgosur Prej resh Si kulla Ngujimi Të jetuara prej Pikëllimit të moskthimit BALADA E 3500 NËNAVE SHQIPTARE QË PRESIN 3500 DJEMTË E ZHDUKUR
Janë 3500 nëna Shqiptare që presin zgjuar, që nuk vënë gjumë në sy prej katër vitesh, që nuk e njohin më gjumin, as natën as ditën, që vigjëlojnë natën dhe ditën në pritjen e pafundme, që matet me sekonda, minuta, orë, ditë, javë, muaj, kur ndërrohen stinët, në verë dhe dimër, kur vjen Viti i Ri, kur vijnë ditëlindjet e 3500 djemve. Janë 3500 Nëna Shqiptare që presin me sy të skuqur prej lotëve, që rrjedhin si burime të pashterrëshme, me sy që nuk mbyllen kurrë prej nga burojnë ujvara lotësh, që kthehen në burime drite për të kërkuar dhe gjetur loçkën e zemrës. Janë 3500 nëna Shqiptare që presin 3500 djem Që janë 3500 bij, Që janë 3500 vëllezër, Që janë 3500 burra, Që janë 3500 bashkëshortë, Që janë 3500 etër Për të paktën 10.000 fëmijë Që presin përkëdheljet e etërve të tyre, Apo që presin të lindin, Sepse Kosova është tokë pjellore dhe e bekuar që lind shumë fëmijë... Janë 3500 nëna Shqiptare që presin kthimin e djemve të tyre, Që qendrojnë me zemra të ngrira, akull, Me zemra të dridhura, sikur mbajnë tërmetin Janë 3500 nëna Shqiptare që qëndrojnë si statuja me vështrimin e ngulur nga dritarja, me vështrimin e ngulur tek dera, se ja, mos hapet dera dhe vjen djali, se ja mos troket dera dhe vjen lajmi s e djali u gjet i gjallë, sepse beson se Zoti prej dashurisë që ka zemra e nënës mund t'ia rikthejë jetën loçkës së saj, prej një grusht eshtrash mbuluar nga dhéu i huaj, që rëndon si mal mbi trupin e djalit dhe zemrën e nënës. Janë 3500 nëna Shqiptare që presin, pritja e tyre nuk shterr kurrë, durimi i tyre nuk shterr kurrë, për të pritur që loçkat e tyre më në fund le të kthehen në shtëpi sepse ka tri vjet që lufta ka mbaruar, dhe lufta kur mbaron, mbaron për të gjithë, Atdheu është i bekuar për të gjithë bijtë e tij, liria është e bekuar për të gjithë bijtë e saj, edhe për 3500 djemtë e nënave Shqiptare edhe për 3500 uraganët e mbuluar nga heshtja dhe harrimi i vëllezërve të një gjaku, liria është e bekuar vetëm kur vëllezërit e një gjaku shndërrohen me zemër në 3500 djemtë uraganë të 3500 nënave shqiptare kthyer në 3500 Statuja Lirije që presin pa shterrje, pa shterrim deri në vetmohim, deri në vetsakrificën sublime, liria nuk është e bekuar kur vëllezërit e një gjaku i mbulojnë me harrimin e rëndë si dheu i huaj 3500 djem uraganë shqiptarë dhe 3500 zemra nënash, që me mallkimet e tyre shkaktojnë tërmete, ndërsa me bekimet paqen dhe qetësinë që i duhet Atdheut... TROKU I KALIT TË TROJËS NË VERI Prej lënde ujore E shkitëshme U enda E harlisur Marmarasë Mesdheut Sepse Qëllova bijë E Perëndisë së Ujit Që gjallon Dhe frymon gijthçka Myshqet, algat, mbretërinë e peshqëve, breshkat, meduzat, sirenat, bimësinë dhe frutat e detit, që gjallon trupin tim prej lënde ujore notuese që më shtynte drejt ujrave të Egjeut Që më lypte Me kumtin E ujrave të ngrohta Ngashnjyese, thithëse, manjetike duke e bërë rrymën të më tërhiqte e çonte drejt Smirnës, ku poeti i verbër, Homeri gabimisht më mori Për Helenën Megjithëse iu betova se nuk isha Helena, se isha ilire prej fillimit tim fisit ilir të Enkelejve, Por Homeri Ngulmonte Trillak Të kthehesha në Trojën e rrënuar ku zgjuar si kukudh rri vetëm Kali i mallkuar dhe i nëmur nga e gjithë fara e njerëzve brez pas brezi sepse nga pabesia e tij të gjithë u vranë ose u shitën si skllevër lirihumbur Por Kali i kobtë mbeti për të mashtruar rishtas edhe Homerin se Troja ishte se Helena isha unë e gatëshme kësaj rradhe për të ndalur rrënimin për t'i besuar ëndërrës lemeritëse të Kasandrës dhe për të mos e pranuar dhuratën dinake të Ulisit... Poeti i verbër, ishte i bindur Se do t'ja risillja Dritën E syve që i iku atëhere Kur u shkrumbua Troja Unë isha e gatëshme t'i besoja Fuqive të mija si magjistare mjafton që Homerit t'i rikthehej shikimi për të parë se nuk isha Helena por një grua e re ilire, që nuk kishte bërë asnjë tradhëti njerëzore ndërsa tani po bënte gjithçka për të ndalur trokun e Kalit të Trojës drejt Veriut në tokat ilire, duke ia ndryshuar drejtimin si dhe duke iu lutur Zotave të Olimpit vetë Zeusit të dërgonte një stuhi përpirëse e Kali i Drunjtë, që ka pjellë pas Trojës sa e sa pabesi, të fshihej përfundimisht nga faqja e dheut...
NËPËR RRJEDHËN E NILIT E kam parë nga afër deltën dhe rrjedhën e Nilit Që të dyja së bashku formonin çelësin e fatit të jetës të cilin mua një natë vere egjyptianase ma fali Kleopatra e penduar për pabesitë e veta Unë e kam deltën dhe rrjedhën e Nilit në pëllëmbën e dorës time ku Njëshi në mes të pëllëmbës më ka shënuar Yllin Polar dhe Horoskopo kinez më ka dhuruar shenjën e luaneshës me dhunti që m'i ka falur Zoti dhe Qoftëlargun e shndërruar në laryshi trajtash vetëm të shëmtuara për syrin dhe shpirtin njerëzor e mbyti në Nil rrjedhën e të cilit unë e përshkova prej Deltës deri në Liqenin Naser tek gjarpëronte midis papiruseve të gjelbër bananeve dhe mangove midis diellit zhuritës dhe shkretëtirës të ftohtë të natës të Saharës duke ndaluar nëpër të gjithë tempujt dhe portikët midis fjalëve të ciceronëve dhe perpendikulares të rrezes të diellit që e zbukuron alabastrën dhe të një vajze të vogël Vendase që më kërkonte të kuqin e buzëve për t'ja lyer buzët e bukura dhe unë nuk kam për ta parë më atë vajzë të vogël megjithëse do të kthehem në Western Bank sepse Deltën dhe rrjedhën e Nilit si çelësin e kam në pëllëmbën e dorës... rrjedhën e Lindjes së Nilit si kulmet e mbretërimeve të Faraonëve atëhere kur nuk u shkonte nëpër mend assesi të nisnin skllevërit për të mbartur gurët dhe të përfytyronin se si do të dukeshin nëpër sarkofage hiret e grave të dashura dhe të ndërtonin pastaj piramidat dhe Sfinksin....
Elida Buçpapaj
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |