E Martë, 08.20.2019, 03:11pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
LAJME NDËRKOMBËTARE
 

City Journal: Kosova, model i tolerances islame


E Djelë, 12.21.2008, 11:13am (GMT+1)

Më 17 shkurt 2008, Kosova deklaroi pavarësinë nga Serbia, duke u bërë vendi më i ri në botë dhe një prej më të pazakonshmëve. Shumica e qytetarëve të saj janë myslimanë, një veçanti në Europë. Më tej, ndryshe nga vendet me mazhorancë myslimane, Kosova është jashtë mase proamerikane dhe marrëdhëniet e saj me Izraelin janë të shkëlqyera. Asnjë vend arab nuk e ka njohur akoma ekzistencën e vendit të ri dhe vetëm Arabia Saudite ka thënë se do ta njohë. Ndoshta kjo nuk është për t'u habitur, përderisa kosovarët ndryshojnë në mënyrë më rrënjësore nga vëllezërit e tyre në botën arabe, sesa çdo vend tjetër islamik në Tokë.

Pjesa më e madhe e kësaj diference është ndoshta e panjohur për vëzhgues të largët. Kosova shtrihet në ish-Jugosllavinë, në Gadishullin Ballkanik të Europës, një cep i largët i Europës Juglindore, të cilin relativisht pak udhëtarë e rriskojnë. Mjegulla e luftës në të vërtetë asnjëherë nuk u daravit pasi armët e luftëtarëve pushuan në vitin 1999. Mëritë që ushqenin palët ndërluftuese dukeshin misterioze për shumë perëndimorë, të cilët shpesh nuk e kuptonin se pse fuqitë perëndimore parasëgjithash u përfshinë në konflikt. Megjithatë, pavarësisht anonimatit të tyre, kosovarët sot qëndrojnë si një refuzim ndaj nocionit se myslimanët do të jenë përgjithmonë të prangosur me sundim autoritar dhe të lidhur përjetë në luftë me "tjetrin" modern pluralist.

Rreth 90 përqind e 2 milion banorëve të Kosovës janë shqiptarë etnikë; 7 përqind janë serbë. Prej shqiptarëve, rreth 3 përqind janë katolikë dhe gjithë të tjerët janë të paktën nominalisht myslimanë; ndërkohë, serbët janë të gjithë kristianë ortodoksë. Kundër këtij sfondi, shumë vëzhgues i interpretuan luftt ballkanike që e copëtuan Jugosllavinë gjatë viteve Nëntëdhjetë si një rishfaqje e pashmangshme e urrejtjeve të vjetra në një vakuum ideologjik paskomunist.

Por e vërteta është se nacionalistët serbë, të udhëhequr nga diktatori komunist Sllobodan Millosheviç, e formësuan qëllimisht nacionalizmin e tyre etnik si një ideologji për të zëvendësuar komunizmin, duke kërkuar që të mbajnë pushtetin dhe të kapnin sa më shumë territor të ishte e mundur ndërsa federata jugosllave shpërbëhej. Më 29 qershor të vitit 1989, vetëm pak muaj përpara se Muri i Berlinit të binte, Millosheviçi u mbajti një fjalim të fortë turmave të nacionalistëve serbë në fshatin kosovar të Fushë Kosovës. Saktësisht 600 vjet më parë, në Fushën e Mëllenjave të ndodhur aty afër, turqit kishin mundur sundimtarin serb Car Llazarin në një betejë epike, duke i dhënë fund sovranitetit të mbretërisë mesjetare serbe dhe duke filluar absorbimin e saj në Perandorinë Otomane. "Askush nuk do t'ju rrahë më ju", i premtoi Millosheviçi audiencës së tij.

Konflikti etnik ishte relativisht i ri për zonën. "Kishte pasur shumë beteja dhe lufta në Kosovë gjatë shekujve", shkruan historiani Noel Malcolm në librin e tij Kosovo: A Short History, "por të paktën 100 vitet e fundit apo diçka e tillë asnjëra prej tyre nuk kishte karakterin e një konflikti "etnik" midis shqiptarëve dhe serbëve. Anëtarë të këtyre dy popullsive luftuan sëbashku si aleatë në betejën e Kosovës në vitin 1389 - në të vërtetë, ata ndoshta luftuan si aleatë në të dyja anët e asaj beteje".

Sidoqoftë, Millosheviçi e përdori mërinë e lashtë, së bashku me të tjerat njëherazi reale dhe imagjinare, për të ndezur nacionalizmin serb - "një ideologji totalitare", siç e quan shkrimtari serb Filip David. Tri muaj pas fjalimit të tij në Fushë Kosovë, Millosheviçi revokoi autonominë politike të Kosovës dhe imponoi një sistem të ngjashëm me aparteidin ndaj shumicas shqiptare të saj. Pasuan më pas tri luftëra në republikat shkëputëse të Sllovenisë, Bosnjes e Kroacisë dhe një e katërt spastrimi etnik në Kosovë, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe NATO nuk qenë të gatshme të toleronin më asnjë destabilizim të dhunshëm në Europë. NATO bombardoi objektivat jugosllave për 2 muaj e gjysëm në vitin 1999, derikur Millosheviçi kapitulloi dhe ia lëshoi kontrollin e Kosovës NATO-s dhe Rusisë.

Megjithëse nacionalizmi shqiptar është më pak ideologjik se nacionalizmi serbe, ai gjithashtu mund ta shprehë veten nëpërmjet shpërthimesh të shëmtuara të dhunës. Shqiptarët etnikë u kthyen në Kosovë nën mbrojtjen e NATO-s në vitin 1999, disa u lëshuan kundër civilëve, shtëpive dhe kishave ortodokse serbe. Një tjetër valë dhune antiserbe shpërtheu në vitin 2004, duke pasuar zhurmat se fëmijë shqiptarë qenë mbytur në lumin Ibër pasi qenë ndjekur nga serbë.

Por kjo dhunë, ashtu si lufta e vitit 1999, rriti tensionet etnike, jo ato fetare. Ato qenë përleshje jo midis myslimanëve dhe kristianëve, por midis shqiptarëve dhe serbëve - dhe megjithëse, sërish, shumica e shqiptarëve janë myslimanë dhe të gjithë serbët janë kristanë ortodoksë, dallimi është vendimtar. Shqiptarët myslimanë dhe shqiptarët katolikë të Kosovës shkojnë për bukuri me njëri tjetrin; në fakt, gjatë luftës, ata luftuan krah për krah dhe në sulmet e mëvonshme turmat e shqiptarëve etnikë dogjën kisha serbe sepse ato qenë serbe, jo sepse qenë kristiane. Kishat katolike nuk u prekën - sepse kongregacionet e tyre qenë fetare. (Kjo nuk është as një çështje ndjenje antiortodokse midis myslimanëve. Megjithëse asnjë shqiptar kristian ortodoks nuk jeton në Kosovë, 20 përqind e popullsisë vetë në Shqipëri është shqiptare ortodokse dhe marrëdhëniet midis tyre dhe mazhorancës shqiptarë myslimane janë jashtëzakonisht të mira).

Disa vëzhgues, veçanërisht në Serbi, ia kanë veshur dhunat në vitin 1999 dhe 2004 xhihadistëve islamistë. Ata që jetojnë e punojnë në Kosovë dhe ato që janë të ngarkuar me ruajtjen e paqes e hedhin poshtë pohimin. "Kemi qenë këtu prej një kohe të gjatë dhe nuk kemi parë asnjë dëshmi të faktit se kemi arritur në supozimin se ky nuk është një kërcënim i realizueshëm", thotë Zachary Gore, një nënoficer i ushtrisë amerikane i stacionuar në Kosovën lindore.

Lloji i Islamit të Kosovës mund të jetë më liberali në botë. Nuk pashë asnjë grua që të vishte veshje konservatore islamike - maksimumi një apo dy në ditë - nga sa kam parë në Manhattan. Nuk ekziston një aparteid gjinor as edhe në fshatrat e Kosovës. Alkooli rrjedh lirshëm në restorante, kafene dhe bare, ku do të shikoni po aq shumë vajza me veshje perëndimore sa do të gjenit në çdo vend europiano perëndimor. Përveç minareve në horizont, nuk ka asnjë dëshmi të dukshme se Kosova është edhe një vend me shumicë myslimane.

"Këtu njerëzit janë myslimanë, por mendojnë sikur janë europianë", thotë Xhabir Hamiti, një pedagog në Departamentin e Studimeve Islamike në Universitetin e Prishtinës në kryeqytetin e Kosovës. "Myslimanët këtu e identifikojnë veten si myslimanë të lehtë", më thotë një oficer policie amerikan. Siç e thotë Afrim Kostrati, një barist i ri: "Ne jemi myslimanë, por jo prej vërteti". Dhe Luan Berisha, një biznesmen, është dakord: "Nuk kemi qenë kurrë myslimanë praktikues si ato që janë në Lindje të Mesme... Para së gjithash, ne jemi shqiptarë, feja vjen e dyta".

Feja në Kosovë është një çështje private, jo publike. "Kurrë nuk flasim rreth saj", thotë Berisha. "Kam mësuar vetëm një vit më parë se një shok i ngushtë i imi është katolik dhe kemi qenë shokë për 10 vitet e fundit". Një grua myslimane më tregon sesa e befasuar qe kur mori pjesë në një konferencë në Britani rreth të rinjve që ndryshojnë botën. "U shokova kur gjeta se përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara qe një zonjë e mbuluar, me origjinë nga Iraku", thotë ajo. "dhe përfaqësuesja nga Kanadaja qe një zonjë tjetër, me origjinë nga Afganistan". Ajo vetë mbante fund.

Arsyeja për qëndrimin e qetë të Kosovës ndaj fesë qëndron në historinë e saj. Shqiptarët, përfshi ata në Kosovë, janë trashëgimtarët e ilirëve dhe grekëve të lashtë paganë; shumë më vonë, ata qenë kristianë përpara se shumica të konvertohej në Islam gjatë sundimit otoman. Feja e tyre mund të jetë lindore, por shqiptarët kulturalisht nga qenë europianë gjatë të gjithë historisë së shënuar. "Grekët vështirë se i shikonin si kristianë apo turqit si myslimanë dhe në fakt ata janë një përzierje e të dyjave dhe nganjëherë të asnjërës", shkruan për ta Lord Bajroni rreth 200 vjet më parë. "Ne shqiptarët", shkruan prifti katolik Dom Lush Gjergji, "trashëgimtarë të ilirëve, jemi kristianë që nga koha e Apostujve... Pa kristianizëm nuk do të kish pasur popull, gjuhë kulturë apo tradita shqiptare... Shqiptarët e konsiderojnë kristianizmin si pasuri të tyre, trashëgimi shpirtërore dhe kulturore".

Kosovarët myslimanë flasin njëlloj. Në fakt, ndjenja pasqyrohet në flamurin kombëtar shqiptar, i cili valëvitet anembanë Kosovës, pavarësisht mbështetjes minimale për një "Shqipëri të Madhe". Shqiponja e zezë dykokëshe e tij është vula e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili udhëhoqi rezistencën kundër Perandorisë Otomane në shekullin e Pesëmbëdhjetë. Ky hero kombëtar i një vendi me shumicë myslimane ishte katolik.

Në të vërtetë, një tjetër shenjë e identitetit kompleks fetar të Kosovës përfshin "kriptokatolikët", ata që u shtirën se po konvertoheshin në Islam nën otomanët. Varrezat e Kosovës mbajnë shumë varre me emra myslimanë të gdhendur, por që sërish kanë kryqin katolik. Edhe tani, trashëgimtarët e kriptokatolikëve janë të "pagëzuar", si të thuash, me emra myslimanë dhe më pas pagëzohen në kishë.

Shumë kosovarë po fillojnë të konvertohen "prapë" në kristianizëm. Pronari i kafenesë Gazi Berlajolli ia atribuon tendencën pjesërisht influencës amerikane. "Shumica e këtyre njerëzve qenë ateistë dhe agnostikë, por nuk duan të shikohen si myslimanë ateistë", shton Berlajolli. "Kështu që kishin nevojë të konvertoheshin në diçka tjetër. Ata duan të jenë që të vendosin fjalën "kristianë" në faqet e tyre në Facebook."

Megjithatë, është një grup i vogël radikalësh brenda Kosovës që do të donin ta transformonin islamin ballkanik në një varietet vahabist shumë më të ashpër të praktikuar në Arabinë Saudite. Disa sauditë dhe arabë të tjerë të Gjirit të financuar mirë erdhën në Kosovë pas luftës të vitit 1999 për të rindërtuar xhamitë e shkatërruara dhe për të imponuar vahabizmin ndaj vendasve të shkatërruar. Shumica e shqiptarëve etnikë në spektrin politik dhe fetar në Kosovë nuk i kanë qejf këto ndërhyrje, pjesërisht sepse xhamitë e dekoruara me stil otoman e shkatërruara nga forcat e armatosura serbe po zëvendësohen me monstruozitete me stil të rreptë vahabist, por edhe pse vështirë se ndonjë shqiptar po kërkon drejtim nga bota e prapambetur dhe autoritare arabe. "Ne nuk i quajmë vahabista këtu", më thotë një grua shqiptare nga familje e mirë. "I quajmë ata Binladensa, njerëzit e bin Laden". Në Kosovë, kjo fjalë nuk ështzë kompliment.

"Kurrë nuk i kemi pasur ata më parë", thotë një gazetar i ri shqiptar. "Dëgjojmë fjalë se po paguajnë njerëz"- të shkojnë nëpër xhami dhe të mbulojnë flokët, kaq. Nuk mund t'i konfirmoj fjalët, por ato janë gjerësisht të besuara dhe i kam dëgjuar nga pothuajse një dyzina njerëzish. Nëqoftëse janë të vërteta, kjo do të thotë se edhe një pakicë shumë e vogël që janë të gatshëm të adoptojnë shenjat e jashtme të Islamit konservator do ta bënin një gjë të tillë vetëm nëqoftëse paguhen. Nëqoftëse nuk janë të vërteta, fakti që kaq shumë e besojnë zbulon një përbuzje të gjerë për Islamin e ngurtë arabik dhe një besim se kultura shqiptare nuk do t'i përulet natyrshëm atij". "Ju duhet t'i shikoni sesi publiku i përgjithshëm i pret këta njerëz", thotë një nëpunës i të drejtave të njeriut të Kosovës. "Sigurisht që ata nuk pëlqehen. Nuk mendoj se do të arrijnë të kenë sukses".

Vahabitët po hasin rezistencë si nga komuniteti fetar i Kosovës, ashtu dhe nga atesitët dhe agnostikët e saj. "Po punojmë shumë fort që t'i ndalojmë këto lloj lëvizjesh", thotë Hamiti. "Këto lloj lëvizjesh janë të rrezikshme për të gjitha vendet, për të gjitha besimet, për të gjitha fetë. Islami tradicional që është kultivuar në këto zona është garancia më e mirë për të ardhmen. Nëqoftëse lejojmë të huajt të vijnë këtu dhe të na vënë në luftë me idetë e tyre. Atëhere situata do të dilte jashtë kontrollit".

Në mënyrë domethënëse, partia e vetme islamike e Kosovës mori vetëm 1.7 përqind të votave në zgjedhjet e fundit. As edhe gjatë luftës së vitit 1999, kur shqiptarët etnikë qenë të dëshpëruar për ndihmë, islamistët nuk qenë të mirëpritur në Kosovë. Në kontrast kjo me Bosnjen, e cila pranoi ndihmë nga muxhahedinët: pasi komuniteti europian vendosi një embargo armësh ndaj të gjitha palëve ndërluftuese në Jugosllavi, duke i lënë boshnjakët e keqarmatosur në mëshirë të fatit, rreth 1000 veteranë të rebelimit antisovjetik arritën në vend. "Në Kosovë", thotë Berisha, "ata erdhën për të na mbështetur dhe i refuzuam. Ky nuk është xhihad. Ne nuk po luftojmë për fe këtu. Ne po luftojmë për lirinë tonë, për veten tonë dhe për familjet tona".

Sigurisht ndihmoi fakti që NATO i ndali luftimet në Kosovë shumë përpara se të mund të egërsoheshin ashtu siç ndodhi në Bosnje. Megjithatë, natyra laike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ia vlen të përmendet. "Gjatë dy viteve që mbulova konfliktin në Kosovë, asnjëherë nuk pashë luftëtarë muxhahedinë si ato që pashë në Bosnje apo të dëgjoja luftëtarë të UÇK-së të aludonin ndonjëherë për ndonjë lloj angazhimi ndaj islamit", shkroi Stacy Sullivan tek Newsweek. "Shumica thonin se ofendoheshin nga aludime të tilla, mburreshin sesi kishin qenë katolikë përpara se të vinin otomanët e t'i konvertonin dhe thoshin se feja e tyre e vetme ishte shqiptaria".

Megjithatë, UÇK-ja qe një organizatë e errët me lidhje të supozuara me krimin e organizuar dhe gangsterizmin politik dhe u shkri në shtator të vitit 1999, pothuajse menjëherë pas ndërhyrjes së NATO-s. Shumë prej ish komandantëve të saj garuan në zgjedhjet e para të pasluftës në Kosovë dhe humbën bindshëm ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, të drejtuar nga pacifisti Ibrahim Rugova. Kosova është pothuajse unike në histori për refuzimin e gjoja çlirimtarëve militantë të saj pas fitimit de facto të pavarësisë. Ndoshta ky pacifizëm qe saktësisht ajo çka Kosova kishte nevojë pas shuarjes së zjarreve të luftës. Ushtarët e huaj qenë në dispozicion për të ofruar siguri. Nacionalizmi etnik militant ose, më keq, sektarizmi fetar militant lehtësisht mund ta kish kthyer Europën në Irakun e Europës.

Një arsye e madhe për antipatinë kosovare ndaj Islamizmit radikal është, me një fjalë, Amerika, e cila ka qenë ylli polar politik për shqiptarët jashtë dhe brenda Kosovës qysh nga koha e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Në vitin 2004, një sondazh i Gallup mati opinionin popullor të politikës së jashtme amerikane anembanë botës. Vetëm 10 vende e vlerësonin në mënyrë të favorshme politikën e jashtme amerikane dhe midis tyre Kosova kishte rezultatin më të larë, duke regjistruar një miratim prej 88 përqindësh. Kur një shqiptar etnik që takova qëlloi të bënte deklarimin e padiskutueshëm se Kosova qe një vend evropian, një tjetër ndërhyri. "Ne nuk jemi europianë", korrigjoi ajo. "Ne jemi amerikanë".

Në mënyrë të përsëritur, dëgjova se kosovarët qenë aleatët më të besueshëm të Amerikës në botë. Flamujt amerikanë valëviten kudo jashtë enklavave serbe - disa bile në hyrje të ndërtesave shtetërore - dhe shiten në kioska nëpër rrugë, bashkë me bluza që thonë faleminderit Shteteve të Bashkuara. Hoteli Victory ka ngritur replikën e dytë më të lartë të botës të Statujës së Lirisë në çatinë e tij dhe gjeta në një replikë tjetër në qytetin juglindor të Vitisë. Kosovarët janë fansa të George W. Bush, si për shkak se njohur pavarësinë e Kosovës, ashtu dhe pse thjesht është Presidenti. Pikturat murale në një fshat kosovar u thonë faleminderit Shteteve të Bashkuara dhe Bush. "Duhet të kishit parë fytyrën e Presidentit Bush kur erdhi në Shqipëri", thotë një shqiptar kosovar që punon me USAID-in. "Kudo në Europën Perëndimore ai u ndesh me protesta, por i gjithë populli i Shqipërisë doli për ta mirëpritur". Dhe Bill Clinton, i cili urdhëroi ndërhyrjen ushtarake të vitit 1999, trajtohet si idhull. Izeir Mustafa po punon për një statujë të ish-Presidentit, e cila shpejt do të ngrihet në një arter të madh trafiku - të quajtur Bulveradi Bill Clinton - që të çon nga aeroporti në qendër të Prishtinës. Shumë biznese janë emërtuar pas Clinton. Bile gjeta një ëmbëltore dhe disko bar të quajtur "Hillary", të stolisur me fotografitë e ish-Presidentit dhe të bashkëshortes së tij.

"Amerikanët janë miqtë tanë më të mirë në botë", më tha një kamerier në një prej restoranteve më të mirë të Prishtinës. "Britanikët janë të dytët".

"Faleminderit", i thashë. "E çmojmë shumë këtë. Disa njerëz nuk na duan".

"Njerëz të këqinj", tha ai.

Shqiptarët kosovarë, prej të gjitha vendeve, mbështesin gjithashtu fuqimisht Izraelin. "Kosovarët dikur identifikoheshin me palestinezët për shkak se në shqiptarët jemi myslimanë dhe e shikonim Serbinë dhe Izraelin si uzurpatorë të vendit", një kosovar i njohur i tha gazetarit Stephen Schwartz. "Pastaj shikuam në hartë dhe u zgjuam. Izraelianët kanë një popullsi prej 6 milionësh, ata qëndrojnë midis detit dhe 300 milion arabëve armiq. Shqiptarët kanë një popullsi prej 8 milionësh, qëndrojmë midis detit dhe 200 milion sllavëve armiq. Atëhere, pse duhet të identifikohemi me arabët?"

Berisha i bën jehonë ndjenjës. "Kemi shumë gjëra të përbashkëta me Izraelin", thotë ai. "Unë nuk do të bëhesha kurrë me anën myslimane për ta zhdukur Izraelin nga faqja e dheut. 90 përqind e Kosovës e ndjen kështu". Megjithëse ky numër tingëllon i lartë, nuk takova ndonjë që të thoshte se e ndjente ndryshe dhe Shachar Caspi, një pronar restoranti hebre izraelian që lëvizi nga Tel Avivi në Kosovë, është dakord. "Askush nuk më ka shkaktuar ndonjë problem apo të jetë kundër Izraelit", tha ai. "Asnjeri këtu nuk është radikal. Përkundrazi, njerëzit janë shumë të ngrohtë, janë shumë të mirë, e kanë marrë Islamin në një vend të mrekullueshëm, jo në një vend të dhunshëm. Kur dëgjojnë se jam izraelian, ata reagojnë shumë ngrohtësisht".

"Askujt nuk i bën përshtypje?", e pyeta. Duke pasur parasysh antisemitizmin e egër që infekton një pjesë të madhe të botës myslimane, qe e vështirë të besohej. "Përkundrazi, njerëzit e pëlqejnë faktin", tha ai. "Ata vijnë të flasin me ne, duan të jenë në kontakt me ne. Ata më thonë se gjatë Holokaustit i mbanin të mbijetuarit e tij nëpër bodrume dhe, anasjelltas, avioni i parë në vitin 1999 që u ul në Prishtinë për mbështetje humanitare që një avion izraelian".

Pak veta jashtë Shqipërisë dhe Kosovës dinë rreth heroizmit të zonës gjatë Holokaustit, por shqiptarët etnikë që takova e ngritën disa herë këtë argument. "Ne simpatizohemi shumë me njerëzit që kanë vuajtur të njëjtin fat si ne", thotë Berisha. "Ne qemë myslimanë edhe në Luftën e Dytë Botërore, myslimanë më të fortë se tani, por edhe atëhere i mbrojtëm hebrenjtë me jetët tona". Dhe Hamiti thotë, "Shqiptarët kudo janë të vetëdijshëm se hebrenjtë duan t'i ndihmojnë ata në këtë vetëdijshëm dhe hebrenjtë janë të vetëdijshëm dhe mirënjohës për shqiptarët që shpëtuan jetët e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore".

Pas përfundova udhëtimin tim në Kosovë mora pjesë në një konferencë në Tiranë të quajtur "Shqipëria, shqiptarët dhe Holokausti". Midis atyre që merrnin pjesë në të qenë Presidenti dhe Kryeministri i Shqipërisë. Dan Michman, kryehistoriani në muzeumin e Holokaustit të Jeruzalemit "Yad Vashem", ishte njëri prej folësve. "A është realisht e vërtetë se hebrenjtë patën koeficient mbijetese prej 100 përqindësh këtu gjatë pushtimit nazist?", e pyeta atë.

"Po", më tha ai. "Aktualisht, nëqoftëse shikoni brenda kufijve të "Shqipërisë së Vogël" - përjashton Kosovën dhe rajonet shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë - ka patur tri herë më shumë hebrej që jetonin këtu në fund të Holokaustit sesa kishte përpara se të fillonte luftëra". Shqiptarët, kristianë apo myslimanë, refuzuan që t'ua dorëzonin hebrenjtë autoriteteve naziste dhe ata qenë më të sigurtë midis shqiptarëve sesa qenë kudo tjetër në Europën e kontrolluar nga nazistët.

Në konferencë, kryeministri shqiptar Sali Berisha bëri një dënim të fuqishëm të radikalëve islamiste të cilin ka gjasa ta dëgjoni nga një kryetar shteti tjetërkund në Europë. "Izraeli do ta pranojë një shtet të pavarur palestinez", tha ai, "por Izraeli nuk mund të pranojë fondamentalistët midis palestinezëve, për shkak se ideologjia e tyre është identike me atë të nazistëve".

"Ekziston një diferencë midis Islamit dhe kulturës", thotë Hamiti. "Islami nuk është kultura".

Unë nuk kam parë dëshmi më bindëse se e ka të drejtë që politika dhe kultura e Kosovës, e cila ofron shpresën që myslimanëtz nuk kanë nevojë të jenë armiq të kristianëve, hebrenjve e Perëndimit, dhe se shoqëritë myslimane për nga natyra e tyre nuk u kundërvihen demokracisë dhe pluralizmit fetar. E vërtetë, myslimanët e Kosovës janë shumë ndryshe nga bashkëfetarët e tyre të Lindjes së Mesme. Ata shpesh e quajnë veten "kulturalisht kristianë" - sepse janë të zhytur në një rajon me shumicë kristiane dhe sepse dikur qenë vetë të tillë - dhe njeriu me bile më shumë saktësi mund t'i quajë ata "kulturalisht europianë". Por ata prapëseprap janë myslimanë dhe ndërsa lëvizjet xhihadiste në Lindje të Mesme mund të duken se janë një produkt i pashmangshëm i Islamit, në shumë aspekte ato janë thjeshtë një manifestim fetar i prapambetjes politike të botës arabe. Ndoshta shqiptarët etnikë të Kosovës - siç tha Mordechai Arbell, Presidenti i World Jewish Congress Institute, në konferencën e Tiranë - bile mund t'i "mësojnë botës sesi njerëzit mund të jetojnë në harmoni midis feve, kombeve dhe sesi mund ta shpëtojnë njëri tjetrin".

-

Michael J. Totten është një korrespondent i jashtëm i pavarur me qendër në Portland, Oregon. Shkrimet e tij dalin në New York Times, Wall Street Journal, dhe tjetërkund. (Përgatiti

ARMIN TIRANA)

 



Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Shengeni vë Zvicrën në vështirësi (12.21.2008)
Mijëra qirinj ndriçojnë Zvicrën në favor të një shoqërie solidare, ku forca matet me mirëqenien e më të dobtëve (12.20.2008)
Xhorxh W.Bush (12.20.2008)
LONDRA DHE BERLINI RATIFIKOJNË PROTOKOLLIN E SHQIPËRISË ME NATO-n (12.19.2008)
Presidenti Bush mbi arritjet në fushën e sigurisë kombëtare (12.18.2008)
Dënohet përgjegjësi i genocidit në Ruandë (12.18.2008)
Revista “Time” emëron Barak Obamën “Njeriu i vitit 2008” (12.17.2008)
GORDON BRAUN VIZITË TË PAPRITUR NË IRAK (12.17.2008)
SARKOZI:  "Ne duam një Europë të fortë..! " (12.16.2008)
Protestuesit pushtojnë Televizionin Grek< (12.16.2008)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Gusht 2019  
D H M M E P S
        1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
 
::| Hot News
PRESIDENTI OBAMA NISI TURIN NË EUROPË - "SHBA DHE EVROPA TË BASHKUAR NË MBROJTJE TË UKRAINËS, PUTINI DUHET T'I KUPTOJË PASOJAT E VEPRIMEVE TË TIJ"
UNICEF: 300 fëmijë kanë humbur jetën në Rripin e Gazës

 
VOAL
[Shko lart]