VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Obama nesër në Stamboll, arrin atje edhe Muhamet Katami
E Djelë, 04.05.2009, 04:49pm (GMT1)

Voal-online Presidenti i SHBA Barack Obama merr pjesë nesër në Forumin e dytë të Aleancës së Qytetërimeve në Stamboll, një pikëtakim ndërkombëtar ku merr pjesë edhe ish presidenti iranian Mohammed Khatami. Edhe pse nuk është parashikuar që këta të dy të takohen privatisht, dihet se Khatami ka shprehur shumë shpesh dëshirën për rifillimin e marrëdhënieve me Amerikën. Washington e Teheran i ndërprenë raportet diplomatike në prill të vitit 1980, pas triumfit të revolucionit që rrëzoi monarkinë e shahut të fundit të Persisë, properëndimorit Mohammed Reza Pahlavi. Dhe marrëdhëniet kanë shkuar dita ditës drejt përkeqësimit, duke u bërë ndërkohë gjithnjë e më e pranishme frika se regjimi i ajatollahëve është duke fshehur një program bërthamor paralel ndaj një programi për qëllime civile. Gjatë mandateve të tij, midis viteve 1997 e 2005, Khatami mbështeti hapjen e vendit ndaj botës dhe bëri disa tentativa, të dështuara, të afrohej me administratën e atëherëshme të drejtuar nga Bill Clinton. Khatami ishte edhe një nga liderët e parë botërorë që foli për "dialogun midis qytetërimeve", në një fjalim të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kur shpërthyen tensionet për programin bërthamor iranian, i moderuari Khatami pranoi të ngrijë aktivitetin në shkëmbim të dialogut, një masë që u hodh poshtë nga pasuesi i tij, presidenti aktual, ultra-konservator Mahmoud Ahmadinejad. Forumi i Aleancës së Qytetërimeve, nxitur nga Spanja e Turqia dhe përkrahur nga OKB-ja, u ndërmuar në vitin 2005 me synim që t'i afrojë popujt e kulturat dhe të shmangë keqkuptimet. Takimi i dytë mbahet duke filluar nga nesër në Stamboll. Do të ketë pjesëmarrjen e qindra kryetarëve të shtetit dhe ministrave, përveç Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.