VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHBA: Ministri rus i Financave merr një fletëthirrje për paraqitje në gjykatë
E Shtunë, 04.25.2009, 08:25am (GMT1)

ATSH-Reuters/ - Një zyrtar i gjyqësorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i dorëzoi ministrit rus të Financave, Alexei Kudrin, një fletë-thirrje për t'u paraqitur në gjykatë lidhur me një padi të një grupi aksionerësh të kompanisë së falimentuar ruse të naftës "YUKOS", njoftoi sot një stacion radiofonik.
    Radioja ruse "Ekho Moskvy", me qendër në Moskë, njoftonte në faqen e saj të internetit se zyrtari i gjyqësorit amerikan ishte në pritje të Kudrin jashtë ndërtesës së një qendre të njohur të studimeve ekonomike në Uashington, ku shefi i financave ruse pritej të mbante një fjalim. Ndërkohë Kudrin dhe zëdhënësi i tij nuk kanë bërë ende asnjë koment lidhur me njoftimin në fjalë.
    Një grup i vogël aksionerësh të kompanisë "YUKOS" kërkojnë kompensim nga Rusia lidhur me veprime që sipas tyre çuan në falimentimin e sigurtë të firmës dhe humbjen e aksioneve të tyre.
    "YUKOS", ish kompania më e madhe ruse e naftës, u shpërbë dhe u shit nga qeveria ruse, ndërkohë që presidenti i saj Mikhail Khodorkovsky u burgos nën akuza për mashtrim financiar dhe evazion fiskal.
    Kudrin ndodhej në Uashington për të zhvilluar takime me zyrtarë të financave nga i gjithë globi.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.