VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Rusia mund të përballet me konflikte për burime të energjisë përgjatë kufijve të saj
E Mërkurë, 05.13.2009, 05:04pm (GMT1)

Në një të ardhme të afërt, Rusia mund të përballet me konflikte lidhur me burimet e energjisë përgjatë kufirit të saj, vlerësohet në një dokument të politikës së sigurisë së Kremlinit i publikuar sot.
    Dokumenti në fjalë nuk përmend emra shtetesh të caktuara, por Rusia, një ndër prodhuesit më të mëdhenj të naftës dhe të gazit në botë, ndan një vijë të gjatë kufitare me Kinën, një vend me "oreks" të madh për burime energjitike, dhe një kufi të vogël detar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ish-presidenti, tani kryeministri i vendit, Vladimir Putin ka akuzuar në të kaluarën Uashingtonin "për lakmi ndaj pasurive të mëdha natyrore të Rusisë".
    "Në një garë për burime të energjisë, problemet, që mund të përfshijnë edhe përdorimin e forcës ushtarake, nuk përjashtohen në të ardhmen, duke rrezikuar kështu prishjen e ekuilibrave të forcave pranë kufijve të Federatës Ruse dhe aleatëve të saj", thuhet në dokumentin që përfaqëson strategjinë ruse të sigurisë deri në vitin 2020.
    Dokumenti strategjik u aprovua dje nga presidenti Dmitry Medvedev dhe u publikua sot nga Këshilli Rus i Sigurisë, që përbëhet nga krerët e politikës dhe të sigurisë ruse.
    "Vëmendja e politikës ndërkombëtare në perspektivën afatgjatë do të përqendrohet në sigurimin e burimeve të energjisë", nënvizohet në dokument.
    Sipas tij, rajonet që mund të përfshihen në një konkurencë të tillë për burime energjitike janë Lindja e Mesme, Deti Barenc, Arktiku, Deti Kaspik dhe Azia Qendrore.
    Rusia synon të bëhet një nga pesë ekonomitë më të mëdha botërore brenda një kohe të shkurtër dhe të rrisë standartet e jetesës për 142 milion banorët e saj.
    Rusia është e gatshme për bashkëpunim me SHBA-në dhe NATO-n, por ndërkohë kundërshton zgjerimin e aleancës perëndimore ushtarake drejt kufijve të saj, theksohej në dokument. (ATSH/Reuters)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.