VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHBA kërkon lirimin e gazetareve të burgosura nga Koreja e Veriut
E Martë, 06.09.2009, 08:00am (GMT1)

 

 

 

 

Shtetet e Bashkuara thonë se dy gazetare të burgosura nga Koreja e Veriut janë të pafajshme dhe duhet të lirohen. Zëdhënësi i Presidentit Barak Obama dhe Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton, njofton Zëri i Amerikës, i bënë thirrje Koresë së Veriut që t'i lirojë menjëherë dy gratë e reja, për arsye humanitare.

 

Administrata e Presidentit Obama është përpjekur ta mbajë çështjen e dy gazetareve të shkëputur nga problemet më të mëdha me Korenë e Veriut, përfshirë provën e saj të fundit bërthamore, dhe po bën thirrje për lirimin e tyre për arsye humanitare, tani që gjyqi i tyre me dyer të mbyllura ka përfunduar.

 

Amerikanet Juna Li dhe Laura Ling që u ndaluan përgjatë kufirit të Koresë së Veriut dhe Kinës në mes të marsit u dënuan me 12 vjet punë të rëndë për hyrje të paligjshme në vend dhe për kryerjen e një "krimi të rëndë" i cili nuk u qartësua, kundër shtetit komunist.

Megjithëse zyrtarët amerikanë fillimisht i hodhën poshtë akuzat ndaj tyre si të pabaza, administrata e Presidentit Obama është tërhequr nga ai formulim.

 

Në një konferencë shtypi me Ministrin e Jashtëm indonezian Noer Hasan Uirajuda, Sekretarja Klinton tha se Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në përpjekjet për të siguruar mëshirë ndaj dy gazetareve, një çështje që ajo tha se duhet të jetë e shkëputur nga ajo bërthamore.

 

"Ne po ndjekim çdo rrugë të mundshme që mund të mendojmë për të bindur koreano-veriorët që t'i lirojnë dhe t'i dërgojnë këto gra të reja në vendin e tyre. Ne i konsiderojmë këto çështje krejtësisht të ndara nga njëra-tjetra. Ne mendojmë se gjyqi për burgosjen e Laurës dhe Junës duhet të shihet si një çështje humanitare. Ne shpresojmë që Koreja e Veriut të ketë mëshirë dhe t'i deportojë. Ka shqetësime të tjera që ne dhe komuniteti ndërkombëtar kemi me Korenë e Veriut, por ato janë të shkëputura nga ajo që po ndodh me dy gazetaret".

 

Zonja Klinton nuk pranoi të jepte hollësi për pohimin e saj se çdo kanal komunikimi me Korenë e Veriut po përdorej. Por zyrtarë thanë se mes tyre janë një letër e Sekretares drejtuar autoriteteve koreano-veriore, ku mesa duket kërkohet që dy gazetaret të lirohen dhe ku shpjegohen rrethanat e pranisë së dy gazetareve në kufi më 17 mars.

 

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut nuk kanë marrëdhënie diplomatike, por shpesh shkëmbejnë mesazhe përmes misionit koreano-verior në OKB.

 

Gazetaret u ndaluan nga rojat kufitare koreano-veriore ndërsa punonin për një artikull për refugjatët koreano-veriorë në Kinë për kompaninë e medias Current TV me qendër në Kaliforni.

 

Ka pasur disa sugjerime në shtyp sipas së cilave ish-nënpresidenti Al Gore, një nga themeluesit e Current TV, ose ndonjë figurë tjetër me peshë politike mund të udhëtojë në Korenë e Veriut për të ndërhyrë për lirimin e tyre. Por zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ian Kelli nuk pranoi të komentonte dje duke përmendur si arsye sesa delikate është çështja.

 

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve i nxiti fuqitë botërore të përfshira në bisedimet e bllokuara gjashtëpalëshe që të punojnë së bashku për lirimin e gazetareve. Një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara shprehu shqetësim për dënimet e ashpra dhe shpresën për një zgjidhje të shpejtë të çështjes.

Në një deklaratë familjet e Laura Ling dhe Euna Lee, cituar nga BBC, thanë se ato ishin shumë të shqetësuara nga dënimi që iu dha dy gazetareve ditën e henë me 12 vjet pune të vështirë.

 

Ato thanë se Ms Ling vuan nga një sëmundje e rëndë dhe Ms Lee ka një vajzë 4 vjeçare që ka filluar të shqetësohet për nënën e saj.

Të dyja gazetaret u arrestuan në afërsi të kufirit me Kinën në maujin mars, ndërsa raportonin për largimin e grave dhe fëmijëve koreano veriore.

Një gjykatë në Korenë e Veriut i dënoi dy gazetaret amerikane me 12 vjet punë të detyruar, në një kamp pune në Korenë e Veriut.

Të dyja gratë, Euna Lee dhe Laura Ling, janë shpalluar fajtore se kanë hyrë në vend me qëllim keqdashës.

Departamenti amerikan i shtetit thotë se është shumë i shqetësuar nga dënimi që i është dhënë dy gazetareve amerikane.

Një deklaratë e këtij departamenti bënte thirrje për lirim të menjëhershëm të dy grave për arsye humanitare.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.