VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Zyrtarët iranianë: Ahmadinaexhad drejt fitores së thellë
E Shtunë, 06.13.2009, 09:25am (GMT1)

 

Ministria e Brendshme iraniane tha sot se Presidenti i vijës së fortë, Mahmud Ahmadinexhad pritet të fitojë me rezultat të thellë zgjedhjet presidenciale të vendit të zhvilluara dje, por rivali i tij reformist Mir Hosein Musavi tha se ka patur parregullsi dhe deklaroi se fituesi është ai.

Rezultatet tregojnë se pas numërimit të rreth 80 përqind të votave, zoti Ahmadinexhad ka fituar 65 përqind kundrejt 32 përqind që ka marrë rivali i tij, ish kryeministri Mir Hosein Musavi.

Edhe zoti Musavi deklaroi mbrëmë fitore gjatë një konference shtypi në Teheran. Ai nuk dha hollësi për të mbështetur deklaratën e tij. Zoti Musavi tha gjithashtu se në procesin e votimit pati probleme për shkak të mungesës së fletëvotimeve në disa zona.

Rezultatet e para i habitën mjaft analistë të cilët parashikonin një garë të ngushtë mes dy rivalëve kryesorë pas pjesmarrjes masive në votime.  

Zyrtarët e shtynë mbylljen e qendrave të votimit për të lejuar një numër sa më të madhe njerëzish të votonin.

Ata thanë se pjesmarrja në këto zgjedhje ishte e paparë ndonjëherë.

Ndërkohë Presidenti Barak Obama tha se shikon mundësi për ndryshim në Iran.

Duke folur dje për zgjedhjet presidenciale në Iran, Zoti Obama tha se administrata e tij "është e gëzuar që shikon se në Iran po zhvillohet një debat i fuqishëm."

Ai tha se pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet, ai ka shpresë se debati do ta rrisë aftësinë e Shteteve të Bashkuara për ta angazhuar Iranin me mënyra të reja. 

Po dje, një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit tha se një fitore e presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad jo domosdo do të përbënte hap prapa për shpresat e administratës Obama për afrim me Iranin. 
Zyrtari, i cili foli me kusht që të mos identifikohej, tha se Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë dialog me cilindo që i fiton zgjedhjet.ZA
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.