VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Këshilli i Sigurimit i bën thirrje Hamasit dhe Izraelit të ndërpresin luftimet
E Djelë, 12.28.2008, 04:54pm (GMT1)

DW, ZA, La Repubblica - Situata në Rripin e Gazës - Aviacioni izraelit vazhdon sulmet, Hamasi deklaron hakmarrje. Këshilli i Sigurimit kërkon fundin e menjëhershëm të luftimeve. "Anëtarët e Këshillit të Sigurimit në sfondin e shkallëzimit të gjendjes në Gazë shprehin shqetësimin e tyre të madh", vuri në dukje të dielën në mëngjes (28.12.08) ambasadori kroat, Neven Jurica, në funksionin e kryetarit të forumit më të lartë të OKB-së.

Duke u prononcuar për shtypin pas seancës Riad Mansour, i dërguari palestinez në OKB, deklaroi: "Armëpushimi është një çështje evidente që i adresohet palës, e cila po kryen agresion kundër popullit palestinez. Në 24 orët e fundit të agresionit janë varë e plagosur mëse 1.000 palestinezë, shumica civilë.". Njerëzit kudo në botë, kanë reaguar me shqetësim për dhunën në Gazë. Sot Papa Benedikti u lut që t'i jepet fund dhunës në tokën ku ka lindur Jezusi, që të krishterët besojnë se ishte biri i Zotit. 

SHBA fajësuan Hamasin për prishjen e armëpushimit dhe bënë thirrje për rivendosjen sërish të marrëveshjes. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Gordon Xhondroe tha se është krejtësisht e paparanueshme për Hamasin që të hedhë raketa ndaj Izraelit pas armëpushimit që zgjati për 6 muaj. Vendet myslimane dënuan Izraelin për sulmet. 

Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei urdhëroi myslimanët sot që të mbrojnë palestinezët nga sulmet e Izraelit. Ai gjithashtu dënoi disa qeveri arabe për "nxitje të heshtjes", për sulmet në Gazë. Lidhja Arabe ka planifikuar një takim urgjent për sot, për të diskutuar rreth situatës.

Ambasadorja e Izraelit në OKB, Gabriela Schalev iu drejtua gjithahstu gazetarëve duke theksuar: "Mjaft është mjaft. Ne nuk kemi alternativë veç operacionit ushtarak, e vetmja palë që duhet të ndjehet përgjegjëse është Hamasi. Izraeli është duke vënë në jetë të drejtën e vet për vetëmbrojtje, dhe kjo është ajo çfarë ka ndodhur 24 orët e fundit."

Operacioni i nisur të shtunën shënon sulmet me numrin më të lartë të viktimave brenda një dite qysh nga lufta gjashtëditore e vitit 1967,  bëhet e ditur. Si pasojë e sulmeve izraelite nga ajri ndaj bazave të Hamasit radikal-islamik në Rripin e Gazës, sipas të dhënave palestineze, gjetën vdekjen rreth 270 vetë. Edhe për njerëzit e ambjentuar tashmë me dhunën në qytetin e Gazës, situata e krijuar pas sulmeve të së shtunës, shënon një dimension të ri. Në kohën që goditën raketat rekrutët palestinezë po festonin mbarimin e shkollës. Aviacioni izraelit bombardoi disa rajone të policisë dhe depo armësh. Ndër të vdekurit është edhe shefi i policisë së Rripit të Gazës, një udhëheqës i Hamasit si dhe gra e fëmijë. Që sulmet kanë prekur edhe civilë, për këtë Izraeli fajëson Hamasin. Ministrja e jashtme izraelite Zipi Livni, deklaroi: "Eshtë Hamasi, që me vetëdijë të plotë ka hedhur raketat në zonat e banuara në Izrael. Ne përpiqemi që t´i shmangim, ose  t´i minimizojmë pasojat ndaj popullsisë civile. Por sulmet ndaj Hamasit duhet të vazhdojnë dhe do të vazhdojnë. "

Kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert theksoi, se vendi i tij i ka shpallur luftë Hamasit dhe jo 1.5 milionë palestinezëve në Rripin e Gazës. Sulmet nga ajri vazhduan edhe gjatë natës, sipas njoftimeve të mediave Izraeli përforcoi ndërkohë edhe trupat e këmbësorisë në kufirin me Rripin e Gazës. Hamasi kërcënoi me hakmarrje të menjëhershme. Fillimi i ofensivës ushtarake nga Izraeli u pasua menjëherë me sulmet e raketave Kasam të Hamasit në Jug të Izraelit. Në rajonin kufitar Netivot gjeti vdekjen një grua. Zëdhënësi i Hamasit, Fausi Barhum deklaroi: "Në sfondin e kësaj masakre publike, që ka shkaktuar Izraeli këtu, ne u bëjmë thirrje të gjithë luftëtarëve palestinezë të rezistencës, që të mbrojnë popullin tonë. Ne do t´i kundërpërgjigjemi këtij agresioni. " Konflikti rrezikon të shtrihet edhe në Jordanin Perëndimor, ku qeveris lëvizja e moderuar Fatah e presidentit palestinez Mahmud Abaz. Në Hebron qindra demonstrues sulmuan pikat izraelite të kontrollit dhe u përbetuan për hakmarrje ndaj sulmeve kundër bashkëatdhetarëve të tyre në Rripin e Gazës. (Voal-online)

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.