VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Presidenti Obama shpreh shqetësim të thellë për zgjedhjet presidenciale në Iran E Martë, 06.16.2009, 08:58pm (GMT1)
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, tha se është thellësisht i shqetësuar për zgjedhjet e kontestuara presidenciale të Iranit, madje ai mendon se edhe bota është po ashtu e shqetësuar.
Presidenti Obama foli në Shtëpinë e Bardhë sot, ndërkohë që mijëra njerëz kishin dalë përsëri në rrugët e Teheranit në dy mitingje rivale në mbështetje të Presidentit konservator, Mahmud Ahmadinexhad, dhe kandidatit reformist, Mir Hosein Musavi, i cili i humbi zgjedhjet. Ndërkaq, Këshilli i Plotfuqishëm i Klerikëve tha sot se do të rinumërohen votat në disa zona të zgjedhjeve të kontestuara presidenciale të së premtes, që shkaktuan protestat më të mëdha nëpër rrugë në 30 vjetët e fundit dhe që treguan divergjencat e thella në Republikën Islamike të Iranit. Në komentet që bëri në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama tha se mbështet fuqimisht parimin universal se zëri i popujve duhet të dëgjohet dhe jo të shtypet.
Ai tha se shpreson që populli Iranian do të hedhë hapa të drejtë me qëllim që të shprehë dëshirat dhe aspiratat e tij. Presidenti amerikan tha se "i përket popullit iranian të vendosë për rezultatin". Qeveria iraniane tha sot se kishte ndaluar të gjithë gazetarët që punojnë në agjencitë e huaja të dilnin nga zyrat për të mbuluar demonstratat. Ajo anulloi gjithashtu edhe kredencialet e të gjitha mediave të huaja. www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |