VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Khamenei paralajmëron opozitën t'iu japë fund protestave
E Shtunë, 06.20.2009, 08:33am (GMT1)

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei,  paralajmëroi veprimtarët e opozitës t'u japin fund  protestave në rrugë lidhur me zgjedhjet presidenciale të javës së kaluar.

Në fjalimin e tij të parë drejtuar vendit pas votimeve të 12 qershorit, Ajatollah Khamenei mbështeti Presidentin Mahmoud Ahmadinexhad si fituesin e padiskutueshëm të zgjedhjeve. Ai u tha udhëheqësve të opozitës se po nuk u dhanë fund protestave do të jenë përgjegjës për çdo veprim dhune.

Përkrahësit e kandidatit presidencial, Mir Hosin Musavi, kanë zhvilluar demonstrata të përditëshme kundër rezultatit të votimeve, për të cilin thanë se ishte i manipuluar në favor të zotit Ahmadinexhad.

Ajatollah Khamenei mbrojti legjitimitetin e votimit në fjalimin që mbajti gjatë lutjeve të sotme, kur tha se fitorja me një diferencë prej 11 milionë votash është tepër e madhe për t'u manipuluar.  Udhëheqësi suprem i Iranit dënoi gjithashtu ndërhyrjet e huaja, siç u shpreh ai, që kanë vënë në diskutim rezultatin e zgjedhjeve.

Ajatollah Khamenei foli sot në Universitetin e Teheranit, ku mijëra njerëzit që ishin mbledhur atje dhe në rrugët përreth thërrisnin "vdekje Amerikës" dhe "vdekje Britanisë".
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.